OpEd

Agjenda e frikshme për ndarje të Kosovës

Me daljen e serbëve kosovarë nga Qeveria e Kosovës, me komunat me kryetarë serbë të bashkuara nën ombrellën e një institucioni të ri, me daljen e serbëve nga FSK-ja, policia e institucione të tjera, synohet kthimi i integrimit të serbëve në institucionet shtetërore të Kosovës në pikën zero. Me synim përfundimtar – ndarjen e Kosovës

FAZA E PARË e fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë, duket se po rrumbullakohet edhe me fazën e fundit të ripozicionimit të Serbisë brenda Kosovës.

Gjatë këtij dialogu, të filluar afro 7 vjet më parë, Serbia ka bërë kinse ka lëshuar pe në disa çështje ligjore, por ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin e saj de facto brenda territorit të Kosovës, nga dita më ditë.

Largimi i dhjetëra pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës është një ndër hapat e fundit të planifikuar saktë nga Beogradi zyrtar në mënyrë që të krijohen realitete të reja në terren, të cilat pastaj do të imponoheshin si zgjidhje në kuadër të “fazës finale të dialogut”. Synimi: serbët e Kosovës sa më të ndarë nga shqiptarët.

FILLOI, SIÇ është nënvizuar me të drejtë shpesh deri më tash, me rreshtimin e thuaja të gjithë politikanëve serbë brenda një liste zgjedhore – Listës Serbe. Kushti i vetëm për t’u përfshirë në këtë listë mbetet dëgjueshmëria absolute ndaj kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurse të gjithë ata politikanë serbë të Kosovës që kanë rezistuar janë përballur me presione e kërcënime të tmerrshme politike e fizike. Me Listën Serbe, Beogradi e fitoi një pozicion të fortë karshi Prishtinës, me qëllimin që të gjithë serbët të flasin vetëm me një zë.

Sot, Lista Serbe i ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheq me 9 komuna. Së fundi, ajo është duke e realizuar qëllimin e Beogradit për të bërë segregacion të plotë shqiptaro-serb në Kosovë, duke dalë nga Qeveria Haradinaj, por duke mbajtur postet ministrore. Kjo situatë nënkupton që ministrat e Listës Serbe nuk kanë për obligim të marrin përsipër përmbushjen e çfarëdo obligimi të Qeverisë Haradinaj, pra Qeverisë së Kosovës, por që e përdorin këtë qeveri për punët që dëshirojnë vetë. Ndërkohë, të njëjtit, marrin pjesë vazhdimisht në takime të Qeverisë së Serbisë. Që i bie, aktualisht, ministrat e Listës Serbe janë përfaqësues të Qeverisë së Beogradit me punë nëpër ministritë e Kosovës.

Hapi tjetër, me konsolidimin e pushtetit nëpër komuna, mbetet zyrtarizimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e cila pavarësisht tekstit të marrëveshjes, synon atë që tashmë po e dëshmon puna e Listës Serbe në institucionet qendrore – të jetë pushtet i Beogradit brenda Kosovës. Me formimin e Bashkësisë… para marrëveshjes përfundimtare me Serbinë - që duhet të jetë domosdo pranimi i shtetësisë së Kosovës – rrezikohet krijimi i edhe një pozicioni të fortë negociues për Beogradin në dialog.

E fundit, por jo e mbrama, në këtë objektiv të Beogradit, është mbetja e FSK-së pa pjesëtarë serbë, në mënyrë që edhe Ushtria e Kosovës të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, kur shqiptarët do të ishin në ushtrinë poshtë lumit Ibër, kurse serbët në veri dhe në komunat me shumicë serbe. Nuk është fare për t’u befasuar nëse në javët në vazhdim do të shohim edhe daljen e serbëve nga Policia e Kosovës, ndonjë grevë të gjykatësve dhe prokurorëve serbë e të tjera të ngjashme, në mënyrë që të arrihet segregacion sa më i thellë.

ME DALJEN e serbëve kosovarë nga Qeveria e Kosovës, me komunat me kryetarë serbë të bashkuara nën ombrellën e një institucioni të ri, me daljen e serbëve nga FSK-ja, policia e institucione të tjera, synohet kthimi i integrimit të serbëve në institucionet shtetërore të Kosovës në pikën zero. Dhe pastaj, kur ndodhet në pikën zero, të nisë gjithçka të negociohet nga fillimi.

Beogradi, në një situatë të këtillë të krijuar do ta kishte të lehtë: Kosova mund të jetë e pavarur, por serbët e Kosovës janë të pavarur nga Kosova e pavarur. Për më tepër, serbët e Kosovës janë të lidhur me Beogradin, kanë territor të caktuar me kufij të qartë ku kanë pushtet të plotë, i cili nuk i bindet e as nuk i jep llogari Prishtinës.

Çfarëdo që të ndodhë me marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, juridikisht të obligueshme, Beogradi të ruajë pushtetin e drejtpërdrejtë në të gjithë territorin e Kosovës ku banojnë serbët. Në mënyrë që në një të ardhme, sido që të ndërrojë konteksti gjeopolitik, ky entitet kompakt i serbëve të mundë edhe të ndahet nga Kosova. Ose, në rastin më pak të volitshëm për Beogradin, ta pamundësojë zhvillimin e Kosovës, për shkak të mosbindjes politike e qytetare të etnitetit serb.

Për këto arsye, përtej çdo blofi të çastit, synimi përfundimtar i Vuçiqit është ndarja e Kosovës. Për këto arsye, ai ka nisur një ofensivë te madhe politike për të bindur shtete të caktuara që të mos e përjashtojnë edhe ndarjen e Kosovës si një zgjidhje e mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Naiviteti më i madh që do të mundë të bëhej në këtë situatë do të ishte nëse dikush nga liderët politikë të Kosovës ta përkrahin idenë e ndarjes, të maskuar si shkëmbim territoresh.

Duket se ka edhe të atillë në institucionet e Kosovës, të cilët nuk e përjashtojnë opsionin e ndarjes. Të tillët duhet të izolohen, me çdo kusht.

[email protected]

Twitter: @adriatikk