Ditën e zgjedhjeve – kujdes! Vota nuk jepet vetëm për fushatën zgjedhore, por për krejt çka përfaqësojnë këta njerëz. Në fakt, gjatë fushatës zgjedhore këta më së paku janë vetvetja. Mos thoni mandej - s'e kemi ditur!
JU PËLQEU titulli, sigurisht. Në fakt është një ndër titujt më të zakonshëm që mund ta keni parë javëve të fundit. Natyrisht, vetëm emri dhe mbiemri mund të kenë ndryshuar.
Është ndër ata tituj që nxit kureshtjen, rrjedhimisht klikimin. Nëse edhe ju po e lexoni këtë kolumne në versionin online dhe shkak është bërë titulli – më vjen keq, por - ju kam “peshkuar”.
S’ka nevojë për panik! Në kohë zgjedhjesh, viteve të fundit, ky peshkim është normal dhe ka dy synime. Të peshkojë klikimet nëpër media online, si dhe të peshkojë orientimin e votës së të pavendosurve për zgjedhje. Në këtë rast, zgjedhjet e 11 qershorit.
Për këtë arsye jemi dëshmitarë se baras sa na e kërkojnë votën kandidatët nëpër lista votuese, aq edhe do të kërkojnë të na ndikojnë votën në njerëz të caktuar “zyrtarisht” jashtë listave zgjedhore.
Interesat, natyrshëm, janë të mëdha. Dikush synon të fitojë pozicion, dikush të ruajë. Dikush t’i rregullojë gjërat, e dikujt i konvenon gjahu nëpër mjegull.
Shto këtu edhe fenomenin relativisht të ri të prodhimit të lajmeve të rreme, lajmeve të sponsorizuara, sondazheve të porositura dhe të dizajnuara; e mbi të gjitha - fushatave që janë vetë vegim me afat të shkurtër përdorimi – deri në ditën e zgjedhjeve - për kandidatët e nxjerrë nga makineritë e ekspertëve të marrëdhënieve të publikut, shpesh krejt i ndryshëm prej përshtypjes origjinale të krijuar nga vetë individi gjatë viteve.
Rezultati: hutimi.
KA DISA TË mira që duhet t’i pranojë secili, votues ose vëzhgues, në prag të këtyre zgjedhjeve.
Si një vëzhgues i drejtpërdrejtë i të gjitha proceseve zgjedhore të pasluftës, lehtësisht mund të konstatoj se jemi dëshmitarë të fushatës më fer, më të drejtë dhe më të qetë që kemi parë deri sot.
Antagonizmat ndërmjet subjekteve garuese dhe kampeve votuese janë në kufij të pranueshëm, gjuha e kandidatëve po ashtu.
Ndoshta njëjtë nuk mund të thuhet edhe për elaborimin e programeve dhe qartësinë e vizionit qeverisës, mirëpo për këtë kompenson shumë thjeshtësia e opsioneve garuese.
Konsideroj se asnjëherë nuk ka pasur kandidatë për kryeministër më të ndryshëm se njëri-tjetri, por që në të njëjtën kohë, pikërisht ky ndryshim edhe bën që oferta për votuesin të jetë - e pastër.
Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti dhe Albin Kurti, secili profil krejt ndryshe nga tjetri, secili me të mirat dhe dobësitë që kanë, vështirë se nuk do të gjejnë profile të qarta votuesish.
Plus, që në listat zgjedhore janë të grumbulluara nga disa parti.
Kështu që, arsyet që dikush ta shqyrtojë abstenimin nga votimi kësaj radhe mund të jenë thuaja krejt inekzistente.
NË ANËN TJETËR, nëse i shikoni kronikat zgjedhore në edicionet e lajmeve, reagimin mund ta keni:
Po e dëgjoj njërën listë - të mirë qenkan.
Po e dëgjoj listën tjetër - edhe këta të mirë.
Po e dëgjoj të tretën - s'di a më të mirë këta, apo ata dy të tjerët.
Por, pastaj sigurisht se do t’ iu bjerë në mend se te të tria janë njerëzit, të cilët jo vetëm i kemi dëgjuar, por i kemi parë në veprim edhe në t'mirë edhe në t'keq për shumë e shumë vjet.
Që i bie - s'na kanë rënë prej qiellit.
Kështu që ditën e zgjedhjeve – kujdes!
Vota nuk jepet vetëm për fushatën zgjedhore, por për krejt çka përfaqësojnë këta njerëz.
Në fakt, gjatë fushatës zgjedhore këta më së paku janë vetvetja.
Mos thoni mandej - s'e kemi ditur!
Twitter: @adriatikk