Normalizimi i raporteve me Serbinë dhe arritja e subjektivitetit të plotë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës janë aq të rëndësishme, saqë nuk do të duhej rreth kësaj të ndaheshin as partitë kryesore politike. Sikur ka qenë gabim më herët kur LDK-ja dhe PDK-ja i quanin “antiamerikanë” dhe “antievropianë” ata që kundërshtonin ndonjë marrëveshje të dialogut, ashtu edhe sot është gabim që bëhen tentime për ndarje të tilla. Sepse Kosova vazhdon të jetë vendi më proamerikan dhe më proevropian jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë
Pas takimit të parë në mes të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, prisnim në hollin e një hoteli në Bruksel shefin e Qeverisë së Kosovës, apo dikë tjetër nga delegacioni, për të na dhënë deklaratë. Koha po kalonte, afatet për lajme po afroheshin, e ai vonohej. “Qe veç edhe pak, qe veç edhe pak!”, na thoshin bashkëpunëtorët e Thaçit. Në një moment, kur e pa nervozizmin tonë profesional, një prej tyre na tha: “Qe bre po e presim State Departmentin”. “Pse kush është këtu prej Departamentit Amerikan të Shtetit?”, pasoi pyetja nga ne. “Jo, jo nuk është askush këtu, por ata kanë me e lëshu një deklaratë me e përshëndet këtë takim. Qashtu na kanë thanë. Dhe shefi po e pret atë deklaratë dhe sa të vjen del e flet me ju”, na u përgjigj.
Dhe ashtu ndodhi. Jo vetëm Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe “Foreign offici” britanik, ministritë e jashtme të Gjermanisë dhe Francës e shumë të tjerë përshëndetën me deklarata për media këtë takim historik. Dhe vërtet ishte takim historik. Shumë, shumë i vështirë. Sepse ishin takuar për herë të parë kryeministri i Kosovës, tash të lirë dhe të pavarur, me ish-bashkëpunëtorin më të ngushtë të Slobodan Milosheviqit, që në atë kohë ishte kryeministër, në një rol të ri dhe në rrethana të reja. Për të ilustruar se sa simbolik dhe jo i lehtë ishte ai takim, Ivica Daçiq në një moment pati thënë se “sikur unë dhe Thaçi të ishim takuar gjatë luftës, ndoshta unë do ta kisha vrarë atë apo ai mua!”. Më vonë kur ata arritën “marrëveshjen e parë” në pranverë të vitit 2013, aq ishte i madh gëzimi amerikano-evropian, saqë u përmend edhe mundësia që ata të nominoheshin për çmimin “Nobel” për paqe. Dhe me ta edhe baronesha Catherine Ashton, në atë kohë përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Mbështetja amerikane, krahas mbështetjes së nënkuptuar të BE-së, sepse ajo edhe ishte në rolin e lehtësuesit, shpesh ishte argumenti kryesor i delegacionit kosovar në dialog kur duhej krijuar mbështetja nga opozita dhe nga opinioni për ndonjë kompromis. Kjo mbështetje ishte më e rëndësishme sesa përmbajtja e marrëveshjes. Ata që kundërshtonin, apo thjesht jepnin ndonjë kritikë, me shpejtësi të madhe merrnin epitetin “antiamerikanë“ dhe “antievropianë”. Kjo kishte edhe kuptim, në Kosovë mbretëronte, e kështu është edhe tash me të drejtë, memoria kolektive, se amerikanëve dhe evropianoperëndimorëve u kemi borxh, sepse ata na çliruan dhe na ndihmuan ta sigurojmë pavarësinë. Dhe se askush nuk duhet të vërë në dyshim vullnetin e tyre për të vazhduar të na ndihmojnë.
Por dialogu tash ishte mes Kosovës si shtet dhe Serbisë. Dhe vetë “miqtë ndërkombëtarë” donin që Kosova të rritej si shtet, të piqej dhe të jepte dëshmi se di vetë të vendosë për veten dhe të jetojë me pasojat e vendimeve të saj. Irritoheshin nganjëherë kur liderët kosovarë i pyesnin për gjithçka se si të veprojnë, edhe më shumë kur nuk i dëgjonin këshillat. Në anën tjetër jo e tërë “bota perëndimore” i kishte mbajtur premtimet ndaj Kosovës dhe obligimet që kishin dalë nga një projekt i përbashkët. BE-ja e kishte tradhtuar Ahtisaarin dhe nuk e kishte mbështetur në fund propozimin e tij për statusin e Kosovës. Si pasojë, as sot Kosova për BE-në nuk mund të trajtohet si shtet i pavarur. Dhe kundërshtimi i kësaj pavarësie nga disa vende anëtare të BE-së dhe NATO-s ka bërë dëm të jashtëzakonshëm për fushatën e Kosovës për njohje nga shtetet e tjera dhe për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare. Prandaj, përkundër gjithë falënderimit të përjetshëm, kosovarët kanë të drejtë edhe sot të kenë dyshime ndaj Bashkimit Evropian. Sepse BE-ja ka dëshmuar se nuk e mban fjalën. Këtë ua ka dëshmuar edhe disa vendeve të tjera, jo vetëm Kosovës. Këtë e dinë në BE dhe tash duan që edhe këtë gabim ta përmirësojnë.
Nuk ishte mirë që në Kosovë mundoheshin të zbulonin “antiamerikanë” dhe “antievropianë”. Nuk mund të jemi të sigurt se nuk ka, sepse ka, por askund nuk ka më pak të tillë sesa në Kosovë. Ishte një ironi që edhe në Evropë nisi të krijohej bindja se si ish-bashkëpunëtorët e Milosheviqit dhe të Sheshelit janë “proevropianë“ dhe “të pranueshëm për Amerikën“ e Vetëvendosja, për shembull, nuk ishte.
Sot kanë ndryshuar rolet. Ata që dikur ishin në pushtet dhe shpërndanin epitete për “antiamerikanë” dhe “antievropianë” janë në opozitë. Ata që kundërshtonin kompromiset në dialog, dhe sikur të kishin peshoren e patriotizmit në dorë, i shpallnin tradhtarë, tash janë në pushtet dhe duhet të pranojnë edhe kompromise që nuk janë të lehta për Kosovën. Sepse kështu e ka politika. Kështu e ka shteti.
si kurrë më parë, të gjithë miqtë e Kosovës, nga Amerika e Evropa e deri tek Shqipëria e Turqia, janë bërë bashkë në mbështetje të “propozimit evropian” për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Është një propozim jo shumë ambicioz, me shumë të meta, me disa dilema, por ka një mbështetje shumë, shumë të gjerë. Ka mbështetje më të madhe sesa cilido propozim tjetër që ka ekzistuar deri më tash. Sikur të përdornim analogjinë e përdorur në fazën e mëhershme të dialogut , të gjithë ata që janë kundër në Kosovë, e këtu, para së gjithash, duhet përfshirë LDK-në dhe PDK-në, do të mund t’i quanim “antiamerikanë” dhe “antievropianë”.
Normalizimi i raporteve me Serbinë dhe arritja e subjektivitetit të plotë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës janë aq të rëndësishme, saqë nuk do të duhej rreth kësaj të ndaheshin as partitë kryesore politike. Sikur ka qenë gabim më herët kur LDK-ja dhe PDK-ja i quanin “antiamerikanë” dhe “antievropianë” ata që kundërshtonin ndonjë marrëveshje të dialogut, ashtu edhe sot është gabim që të bëhen tentime për ndarje të tilla. Sepse Kosova vazhdon të jetë vendi më proamerikan dhe më proevropian, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. E pikërisht pse janë të tillë kosovarët, nga ta edhe marrin shembuj dhe ndajnë vlera me ta. E ndër vlerat janë edhe liria e shprehjes dhe pluralizimi i mendimeve.