Pas vrasjes së diplomatit rus në Ankara, Rusia dhe Turqia janë në një farë gjendjeje “armëpushimi” mes dy betejash kur ushtarët i fshijnë pushkët. Shteti malazias e ka akuzuar hapur shtetin rus – shërbimet e fshehta - për tentim të një grusht shteti në Republikën e vogël ish-jugosllave.
Rusia me “milici sekrete” po e trazon Ballkanin Perëndimor dhe atë Qendror, duke mbjellë frikë, por edhe duke testuar (Doktrina Gerasimov) nëse këto shtete janë të afta që ta mbrojnë veten nga lufta e llojit tjetër (lufta speciale) ose jo, dhe njëherësh përmes implikimeve në Ballkan të testojë mënyrat e sjelljes së vendeve evropiane në fqinjësi, sidomos shtetet baltike dhe ato nordike.
Marrëdhënie krize mes Turqisë dhe Rusisë, sidomos pas vrasjes së diplomatit Andrey G. Karlov në Ankara, kanë shkaktuar alarm global dhe kanë ngritur shumë pyetje në lidhje me pasojat më të mëdha.
Këto marrëdhënie i kanë dhënë formë luftës siriane, atje ku rusët kinse duke ndihmuar forcat e Bashar al Asadit po vrasin secilin dhe po shkretojnë vendin për të krijuar ndonjë përparësi ndaj ShBA-së në zonë.
Të dyja shtetet në Siri kanë këndvështrime kontradiktore dhe shpesh mbajnë anët e ndryshme.
Në mediat sociale shumëkush tërhoqi paralele me vrasjen e argjidukës Franz Ferdinand të Austrisë, në Sarajevë më 1914, që merret si Causa Prima (shkak i parë) për të nisur Luftën e Parë Botërore, një krahasim që megjithatë analistët po e refuzojnë.
Një Republika Sërpska që mbahet si konflikt i ngrirë, mes integrimit në shtetin e rikomponuar boshnjak dhe bashkimit me Serbinë, vazhdon të jetë sfiduese për Perëndimin dhe stresuese për Sarajevën zyrtare.
Në anën tjetër, sipas zyrtarëve shtetërorë në Podgoricë, Mali i Zi për pak i shpëtoi një grusht shteti vitin e kaluar, përmes një operacioni të ideuar në Moskë e që kishte për qëllim vrasjen e liderit Milo Gjukanoviq dhe nxitjes së përplasjeve në përmasat e një lufte të kontrolluar civile.
Prokurori Katniç pohoi se shërbimet e sigurisë kanë penguar grushtin e shtetit pas arrestimit të 20 shtetasve serbë, përfshirë një ish-gjeneral të policisë serbe, Bratislav Dikiq.
Më 18 nëntor, Prokuroria Speciale publikoi emrat e dy rusëve – Eduard Shirokov dhe Vladimir Popov – të akuzuar për organizimin e komplotit.
Sipas tij, kreu i grupit që përgatiti grusht shtetin dhe vrasjen e Gjukanoviqit ishte shtetasi rus Eduard Shirokov, aktualisht i kërkuar nga Interpoli, në bazë të një urdhri të lëshuar nga autoritetet malazeze.
Katniç tha se emri i vërtetë i Shirokovit ishte Eduard Shishmakov.
“Në vitin 2014, Shishmakov ishte zëvendësatashe ushtarak në Ambasadën ruse në Poloni, por u përjashtua pas spiunazhit për Rusinë dhe u shpall persona non grata. Kjo pasaportë (e re) u lëshua për të nga autoritetet ruse dhe ai është një anëtar i shërbimeve ruse të sigurisë”, pretendoi Katniç.
Ai tha se dëshmitari kyç i Prokurorisë, shtetasi serb Sasha Sinxheliq, u ftua në Moskë nga Shishmakov që të qartësohej për misionin.
Shishmakov – me pseudonimin Shirakov – “i kërkoi të punonte për të parandaluar hyrjen e Malit të Zi në NATO. Ky është motivimi i vetëm i këtyre strukturave”, ka thënë Katniç.
Kurse në Kosovën e rrëgjuar e me plot telashe të brendshme Serbia e trimëruar nga rusët dhe duke shfrytëzuar vakuumin e ndërrimit të pushtetit në Washington, por edhe deklaratat kontroverse të presidentit Donald Trump, po ushtronte trysni nëpërmjet provokimit të krizave ndëretnike - pra duke nxitur konflikte të intensitetit më të ulët - siç ishte arrestimi i shefit të policisë kosovare në Serbi, dalja e Listës Sërpska nga Kuvendi dhe nga Qeveria e Kosovës, ngritja e një biçim-muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, paralajmërimi se në Kosovë do të hynte një tren i dizajnuar si kishë e që ishte donacion rus, prandaj në mediat në Prishtinë edhe cilësohej si “treni rus”, dhe së fundmi ndalimi në Kolmar të Francës i liderit të AAK-së dhe ish-kryeministër kosovar, Ramush Haradinaj, sipas një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia në Interpol.
Dhe në këtë hallakamë, të folurit me lehtësi të padurueshme për luftën, nga liderë të paduruar si Albin Kurti me shokë, mund ta prekë shoqërinë në imunitet, duke i shkaktuar të çara që ndikojnë në përplasje të brendshme mes spektrit politik, fillimisht mes pushtetit dhe opozitës, që zënkat të zgjerohen në konflikt të brendshëm shoqëror.
Thjesht në përplasje, që ka disa karakteristika të luftës civile për t’u përmbushur kështu kushti i parë madhor për ndërhyrje nga jashtë.
Ndonëse lëvizja e Kurtit duket të sillet e çorientuar në këso lojërash – natyrisht se ajo nuk mund të akuzohet kurrë si proruse – porse në Kosovë këtë e priste Rusia, përkatësisht Serbia, që në vendin ku ishte ngritur një monstrum prej tullash të zhvendoste tanket…
Realisht popullizmi nuk e ka zgjidhur asnjë problem të popujve e shteteve, porse shumë sosh i ka shpjerë në luftë dhe shkatërrim. T’u japësh mbështetje shqetësimeve të njerëzve të zakonshëm, kjo d.m.th. ta shpiesh shtetin në qorrsokak, duke legjitimuar paligjësinë dhe duke e suspenduar Kushtetutën.
Porse, kësaj here, Kosova iu shmang këtij rreziku…
Narrativat me murin dhe trenin janë menaxhuar mirë nga shteti.
Pikërisht muri i porositur nga Qeveria në Beograd ishte menduar si një ngrehinë ku do të shkonin turmat e shqiptarëve të revoltuar dhe do ta përplasnin kokën!
Rusia e Vladimir Putinit u përpoq ta shfrytëzonte vakuumin në administratën amerikane dhe sidomos pasiguritë e Trumpit në deklarimet e tij kontroverse për të krijuar ndonjë avantazh në raport me Evropën dhe NATO-n, mirëpo së shpejti Moska mori përgjigjen nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jammes Mattis, i cili tha se NATO-ja do të forcohet.
A do të rikthehen gjërat në vendin e vet?
Kosova e pavarur ndonëse simbolikisht e ka Osetinë e vet të Jugut në Veri, është kapitull i mbyllur, përderisa në skenën globale po rikthehen çështje shumë më të rëndësishme.
Shqipëria realisht për Bashkimin Sovjetik ka qenë kapitull i mbyllur edhe gjatë Luftës së Ftohtë (askush s’ka qenë i interesuar për inkursion), kurse Kosova tashmë është kapitull i mbyllur, sepse në anën e saj pos që është “shteti i domosdoshëm” SHBA-ja, aty është edhe forca ushtarake KFOR (trupa të NATO-s). Dhe sulmi eventual mbi Kosovën do të thotë sulm mbi NATO-n, sipas Nenit V të Traktatit Veriatlantik.
Lideri serb, Slobodan Milosheviq, më 1989 në Fushë- Kosovë iu pati drejtuar serbëve të mllefosur se askush nuk do të guxonte t’i rrihte, mirëpo kur turma kishte shpërthyer: “Duam armë, duam armë…” ai nuk ishte hamendur t’ua premtonte dhe ato.
Dhe kjo ishte uverturë në luftërat e përgjakshme ballkanike të viteve ’90.
Mirëpo sintagma “duam armë” sikur u rikthye në Ballkan pas 27 vjetëve, kur në të dyja anët e “murit” dhe mes dy stacioneve të “trenit rus” – të stolisur me ikonografinë kishtare ortodokse serbe, dëgjoheshin klithmat e turmave: “Duam armë, lufta sa s’ka nisur”!?
Mirëpo shumë më rrezik sesa lufta e vërtetë për Kosovën dhe kosovarët është korrupsioni galopant që po e gërryen nga brenda stabilitetin e shtetit. Sipas Umberto Ecos, për fjalën korrupsion lista e sinonimeve të mundshme është mjaft e komplikuar, sepse sipas kontekstit mund të bëhet fjalë për: të keqen, rrënimin, prishjen, rrëgjimin, infektimin, kalbëzimin…
E keqja në gjuhën shqipe dëfton cilësinë e dobët.
Pas ndajfoljes “keq” vijnë fjalët keqadministrim, keqan, keqardhje, keqas, keqbesim, keqbërës, keqdashës deri te fjala keqtrajtoj…
Pa të gjitha këto forma e trajta të fjalës këpujë + mbiemër “keq” nuk mund t’i bëhet letra e njoftimit pushtetit kosovar
Së këndejmi, afera “Pronto” dihej që në vitin 2011, kur EULEX-i kishte nisur një hetim të madh që kishte të bënte me korrupsionin në Ministrinë e Transporteve, porse atëbotë kryeministri Hashim Thaçi (president aktual i Republikës) thoshte se ishte vetëm perceptim i keqdashësve, pra i atyre që shohin vetëm zi, dhe vetëm më 2016 skandali u bë publik nga “Insajderi” duke u dhënë mend klasës politike dhe votuesve në Kosovë se kjo ishte lufta e vërtetë që i kanosej Kosovës: qeverisja ekstraktive (përfituese).
Grabovci dhe logjika e “Klanit Pronto” nuk kanë ide se shoqëria u nënshtrohet ligjësive si ligështimit, sëmundjes dhe shpërbërjes (pikërisht sikur trupi që vdes dhe shpërbëhet duke u kalbëzuar), prandaj ata duan ta shfrytëzojnë pushtetin politik – për fuqi, dominim të shoqërisë dhe pasurim nga zyrat publike – duke e kthyer atë në pushtet personal, sepse në thelb pushtetin politik ata e konsiderojnë krejtësisht personal dhe thjesht të fituar me luftë duke u ngritur mbi llojin tjetër: Të mundurit!
Ata pjesëtarët e shoqërisë që e sundojnë i konsiderojnë të shpushtetizuar, të mundur në luftë, pra lloj më të ulët jo vetëm në hierarkinë shoqërore, por edhe në hierarkinë biologjike, ndonëse vetë janë llumi i kësaj shoqërie.
Në këtë rrafsh Grabovci dhe “Pronto” janë më të rrezikshëm për Kosovën sesa Putini dhe putinizmi!
Ngjarjet që kanë një sfond gjeopolitik janë të ndërlidhura mes vete.
Po të ndodhte (gjë që s’ka mundësi të ndodhë!?) invadimi rus në Gjeorgji para festës së 50-vjetorit të NATO-s, më 1999 nuk do të ndodhte intervenimi në Kosovë.
Dhe po të ndodhte mbrojtja e Gjeorgjisë, nuk do të ndodhte Krimeja!?
Prandaj këtë leksion si duket e mësoi Perëndimi, përkatësisht NATO-ja, duke ia prerë “udhën” ariut rus me hungërimat e tij drejt Ballkanit…
Por në histori nuk ka po qe se, nuk ka nëse!?.
Historia njeh faktet e kryera, jo pandehmat, dilemat dhe teoritë e probabilitetit.
Agresioni i hapur rus në Gjeorgji, pos shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare, rikonfirmoi se Rusia i përket “boshtit të së keqes” (presidenti Bush nuk i referohej direkt Rusisë kur justifikonte vendosjen e bazave antiraketore në Poloni, ai zinte n’gojë Iranin, Korenë e Jugut...)
Lufta për t’i dhënë fuqi NATO-s (më shumë financime) nuk i pëlqeu Moskës zyrtare (sepse NATO-ja po i afrohej pak si tepër Kremlinit), prandaj përmes qeverisë kukull të Janukoviqit u përpoq që ta mbante Ukrainën në orbitën e vet.
Dhe si masë ndëshkuese ndaj forcave proevropiane ukrainase që e rrëzuan Janukoviqin, Rusia e aneksoi Krimenë.
Duke ua rritur apetitet turmave rusishtfolëse në lindje të Ukrainës...
Mirëpo, në anën tjetër, pasojat afatgjata për Rusinë do të jenë të ndjeshme.
Perëndimi tashti është gjetur para një akti të kryer dhe duhet ta rimendojë kundërveprimin.
Leksioni i Krimesë dhe i rajoneve të tjera ukrainase të “zaptuara” nga forcat proruse duhet të vlejë si thirrje zgjimi për NATO-n dhe BE-në, sepse neglizhimi i rajoneve të ish-Lindjes komuniste i bën ato pre të lehta për hegjemonizmin rus.
Por derisa veriu kosovar nga një konflikt i ngrirë u kthye në një konflikt demokratik, Krimeja nga një konflikt demokratik u kthye në një konflikt të ngrirë…
Prandaj veriu kosovar është në rrugë të duhur që të marrë zgjidhje demokratike.
Dhe kjo fushatë serbe kundër Kosovës nuk bëhet gjithnjë vetëm për përdorim të brendshëm, ngase Serbia më 2017 e voton presidentin, porse ishte edhe një test i qëndrueshmërisë së aleatëve në mbrojtje të Kosovës, përkatësisht testim i administratës së re të presidentit Trump.
Mirëpo deklarata pa hezitim e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Jamess Mattis, për formimin e ushtrisë së Kosovës parandaloi vazhdimin e fushatës anti-Kosovë.
Sidoqoftë, testi rus për destabilizimin e Ballkanit, pas sprovës në Shkup e Podgoricë, simbolikisht u ndal së bashku me trenin që mësyu Kosovën, e që në media po cilësohej si “treni rus” (donacion i Moskës për Serbinë), i cili u kthye rikverc!!?
Porse Serbia po e shfrytëzon dendur njëfarë heshtjeje të Brukselit që sikur e sqaron frikën e BE-së përballë Rusisë, që është rikthyer fuqishëm në skenën evropiane, duke e instrumentalizuar Serbinë për ta përdorur si shantazhuese të BE-së.
Gjermania nuk ia del dot e vetme t’i bëhet mburojë kësaj BE-je fragjile e kaotike, e presidenti Trump e sheh me xhelozi forcimin ekonomik të saj.
Në anën tjetër, Kosova nuk ka strategji kombëtare për t’u mbrojtur ligjërisht nga Serbia, ndërkohë që vendet e rajonit me pak demokraci dhe me pak bukë e kanë nisur garën e çmendur në armatim!?
Presidenti i vendit, si komandant suprem i Forcës së Sigurisë të Kosovës, në vend se të angazhohej për protagonizëm, si kundërpeshë duhet ta dekretojë FSK-në, për të marrë detyrën e mbrojtjes së kufijve kushtetues të vendit.
Njëjtë siç shteti izraelit themeloi ushtrinë pa emër buçitës, por ngjashëm me emërtimin aktual të trupës mbrojtëse kosovare, IDF, (forca mbrojtëse izraelite) që është themeluar me një dekret të presidentit të parë të izraelit, Ben Gurion.