OpEd

A munden Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunojnë jashtë “Open Balkan”?

Dallimet e mëdha sa i përket nismës rajonale “Open Balkan” do të ndikojnë edhe në zbatimin e marrëveshjeve bilaterale Kosovë-Shqipëri

Më 2 korrik 2019 ministrat e punëve të jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë u takuan në Tiranë dhe nënshkruan marrëveshje për unifikimin dhe koordinimin e politikës së jashtme. Ministri i Punëve të Jashtme atëkohë shkroi në Twitter se marrëveshja “është një hap i madh që të bashkohemi para botës dhe të veprojmë si një komb i vetëm”.

Nuk kaluan pak javë nga kjo marrëveshje kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në një takim të përbashkët me liderët institucionalë të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në Novi- Sad. Në atë takim ku nuk ishte prezent Kosova u hodh ideja e një nisme të përbashkët rajonale, e cila jo formalisht u quajt si Minishengen e në korrik të këtij viti u emërtua edhe zyrtarisht si “Open Balkan”.

Nisma u kundërshtua ashpër nga të gjithë liderët politikë në Kosovë. Sa më shumë që rritej kundërshtimi i politikës zyrtare në Kosovë, aq më shumë këmbëngulte në jetësimin e saj kryeministri Edi Rama. Kaq sa i përket marrëveshjes për unifikim dhe koordinim në politikën e jashtme në mes të dy vendeve.

Për kryeministrin Edi Rama, “Open Balkan” largon përfundimisht kufirin në mes shqiptarëve, përmes garantimit të “katër lirive” sipas modelit të Bashkimit Evropian: lirinë e lëvizjes, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Për liderët politikë të Kosovës kjo nismë është parë si një “Jugosllavi e re”, si rrugë për dominimin e tregut nga Serbia apo edhe si shpërblim për Serbinë, e cila vazhdon të pengojë Pavarësinë e Kosovës dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në politikën e brendshme.

Përveç Kosovës, kjo nismë është kundërshtuar edhe nga Mali i Zi e Bosnja. Si e tillë kjo nismë nuk është e plotë dhe të gjitha vendet e tjera që nuk i janë bashkuar kësaj nisme kanë dy arsye për një kundërshtim të tillë: e para, përzierjen e vazhdueshme të Serbisë në politikën e këtyre vendeve, si në Kosovë, Mal të Zi e Bosnjë; e dyta, në “Open Balkan” Bashkimi Evropian nuk ka asnjë rol, për dallim nga Procesi i Berlinit.

Por, a ka ende hapësirë që Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunojnë jashtë “Open Balkan”? Edhe për këtë ka dallime mes politikës zyrtare të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Në takimin e parë mes kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti më 11 shkurt 2020, kur ky i fundit u prit zyrtarisht në Tiranë pas zgjedhjes së tij në krye të Qeverisë së Kosovës, dolën hapur këto dallime. Sipas kryeministrit të Kosovës, dy vendet kanë më shumë nevojë për një “Makroshengen” mes shqiptarëve para se të mendojnë për një “Minishengen” ballkanik. Por për kryeministrin e Shqipërisë nuk mund të ketë “Makroshengen” shqiptar pa “Minishengen” ballkanik. Sipas Ramës, “Makroshengeni” shqiptar është i lidhur ngushtë me Shengenin rajonal.

Për kryeministrin Rama, “Open Balkan” është rruga e vetme dhe më efektive në implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur ndër vite mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë mund të bëhet vetëm përmes “Open Balkan”. Kurse kryeministri i Kosovës në konferencën e tij për media, pas takimit këtë javë në Tiranë me kancelarin gjermane, Angela Merkel, deklaroi se Qeveria e Kosovës është në pritje të zyrtarizimit të qeverisë së re në Tiranë dhe se do fillojnë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive.

Gjatë viteve Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar mes vete rreth 80 marrëveshje, në të gjitha fushat. Shqipëria ishte ndër vendet e para dhe të pakta që hyri në marrëveshje bashkëpunimi me institucionet e Kosovës edhe në kohën sa Kosova administrohej nga UNMIK-u, para shpalljes së Pavarësisë më 2008. Nga viti 2000 e deri në vitin 2013 u nënshkruan 14 marrëveshje të përbashkëta, kryesisht për eliminimin e tatimit të dyfishtë, për heqjen e barrierave doganore, për bashkëpunime në fushën e kulturës e arsimit, etj.

Nga viti 2011 bashkëpunimi mes dy vendeve kaloi në një nivel tjetër, kur më 11 janar 2014 qeveritë e të dyja vendeve u takuan në Prizren dhe nënshkruan 13 marrëveshje. Kjo praktikë e takimeve mes dy qeverive vazhdoi çdo vit pas 2014-s, duke mbajtur takime në Tiranë, Prishtinë, Korçë, Pejë e duke nënshkruar edhe 49 marrëveshje të tjera.

Shumica e marrëveshjeve kanë pasur fatin e marrëveshjes për unifikim të politikës së jashtme: kanë mbetur vetëm dokumente në letër. Por në shumë fusha ka pasur koordinim të vazhdueshëm, si në fushën e arsimit, diasporës, barrierave tregtare, tatimeve, telefonisë mobile, turizmit e kulturës.

Por “Open Balkan” duket se ka penguar zbatimin e marrëveshjeve, edhe ashtu pak të zbatueshme. Në parim “Open Balkan” nuk do të duhej të ishte fare pengesë në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Katër liritë të cilat kryeministri Rama mundohet t’i shtyjë përmes “Open Balkan” mund të realizohen edhe në marrëveshje bilaterale mes dy vendeve.

Por sipas deklarimeve të gjertanishme të kryeministrit të Shqipërisë, “Open Balkan” është e vetmja rrugë. E për liderët e Kosovës, “Open Balkan” është nismë e cila shkon në dëm të interesave të Kosovës. Duke marrë parasysh këtë, çfarëdo mbledhjeje mes dy qeverive dhe çfarëdo marrëveshjeje që arrihet do të jetë më shumë farsë sesa zotim i përbashkët drejt thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.