OpEd

A mund t’i mbijetojë demokracia polikrizës?

Shumë pjesë të Federatës Ruse tashmë janë duke vluar nën regjimin despotik të presidentit Vladimir Putin dhe ky zhvillim mund t’i bëjë këto pjesë që ta refuzojnë plotësisht atë. Ëndrra e Putinit, ringjallja e Perandorisë Ruse mund të shkatërrohet dhe të mos përbëjë kërcënim për Evropën e botën.

Po jetojmë në kohë të turbullta. Shumëçka po ndodh tepër shpejt. Njerëzit janë të hutuar. Historiani i ekonomisë në Universitetin e Columbias, në fakt, e ka popullarizuar një fjalë për këtë. E quan “polikriza”.

Polikriza ka shumë burime. Për mendimin tim burimi kryesor i polikrizës që po ndikon në botë në ditët e sotme është Inteligjenca Artificiale. Ndryshimet klimatike janë të dytat, ndërkaq pushtimi rus i Ukrainës është në vendin e tretë. Lista është shumë e gjatë, por do të fokusohem vetëm te këto tria. Kjo do të ndihmojë të reduktojë hutinë.

Inteligjenca Artificiale

Inteligjenca Artificiale shtangu botën kur Microsofti e bëri të qasshëm falas për publikun ChatGPT-në nëpërmjet një kompanie të quajtur OpenAI. Kjo ndodhi në nëntor të vitit 2022. ChatGPT përbën kërcënim ekzistencial për modelin biznesor të Google-it. Google menjëherë lansoi produktin konkurrent.

Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, Geoffrey Hinton, i cili lirshëm mund të cilësohet edhe si kumbara i AI-së, dha dorëheqje nga Google me qëllim që të mund të fliste më hapur për rrezikun që po kanoset nga teknologjia e re. Duke dorëzuar pozitën e tij, ai dha një pikëpamje të errët për AI-në. Tha se mund të shkatërrojë civilizimin tonë.

Hinton është pionier i zhvillimit të rrjetit nervor që mund të kuptojë dhe gjenerojë gjuhë dhe të mësojë aftësi duke analizuar të dhëna. Teksa të dhënat rriteshin, ashtu rritej edhe kapaciteti i të ashtuquajturave modele të gjuhëve të mëdha të AI-së.

Kjo i la përshtypje Hintonit. “Ndoshta kjo që po ndodhë në këto sisteme është më e mirë se ajo që ndodh në tru”, tha ai. Teksa sistemet u bën edhe më të fuqishme, shtohej edhe rreziku nga ato, tha ai. Ai tërhoqi vërejtjen ndaj sistemeve të pavarura plotësisht të armëve – i quajti robotët vrasës.

“Kemi hyrë në territor krejtësisht të pashkelur. Jemi të aftë të krijojmë makina që janë më të fuqishme se ne, por ende e kemi kontrollin. Por çfarë nëse ne zhvillojmë makineri që janë më të mençura se ne?... Do të duhen pesë deri në 20 vjet që AI të tejkalojë inteligjencën njerëzore”. Dhe “shumë shpejt do ta kuptojë se arrin qëllimet më mirë nëse bëhet edhe më e fuqishme”.

Ajo që tha Hintoni më ka lënë përshtypje. Në fakt, AI-ja më kujton poemën e Goethes, “Nxënësi i Magjistarit”. Nxënësi mëson magjinë, por nuk i kupton krejtësisht ato që ia mëson magjistari. Kur magjistari e urdhëron të lajë dyshemenë, nxënësi thotë fjalët magjike ndaj një fshese. Fshesa i bindet, por nxënësi nuk mund ta ndalë fshesën që të përdorë ujin nga kova për të fshirë dyshemenë dhe shtëpia përmbytet.

Jam rritur para se të shpikej AI-ja. Kjo më bëri besimtar të madh në realitetin. Në moshë relativisht të hershme e kuptova se sa e vështirë është të kuptosh botën në të cilën linda dhe shikova kah realiteti për të më ofruar udhëzime morale.

Ne, qeniet njerëzore, jemi pjesëmarrës dhe vëzhgues në botën në të cilën jetojmë. Si pjesëmarrës, ne duam që bota të ndryshojë në favorin tonë; si vëzhgues duam ta kuptojmë realitetin ashtu si është. Këto dy objektiva përplasen me njëra-tjetrën. Këtë e shoh si pasqyrë të rëndësishme që më lejon të bëjë dallimin mes së drejtës dhe të gabuarës.

Ai-ja shkatërroi këtë skemë të thjeshtë sepse nuk ka hiç lidhje me realitetin. AI-ja krijon realitetin e vet dhe kur ky realitet artificial dështon të ketë lidhje me botën reale – gjë që ndodh fort shpesh – hidhet poshtë si halucinacion.

Kjo më bëri gati instinktivisht kundër AI-së dhe pajtohem plotësisht me ekspertët që argumentojë se duhet rregulluar. Mirëpo rregulloret duhet të jenë të zbatueshme në krejt botën sepse nxitja për të bërë hile është shumë e madhe; ata që i shmangen rregulloreve kanë një avantazh jo fer.

Fatkeqësisht, rregulloret globale janë të paarritshme sepse bota dominohet nga konflikti mes dy sistemeve të qeverisjes, të cilat janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Ato kanë pikëpamje rrënjësisht të ndryshme se çfarë duhet të rregullohet dhe përse.

I referohem dy sistemeve të qeverisjes si shoqëri të hapura dhe të mbyllura. Dallimin mes të dyjave e përkufizojë si më poshtë: Në shoqëri të hapur, roli i shtetit është që të mbrojë lirinë e individit; në shoqërinë e mbyllur, roli i individit është t’u shërbejë interesave të pushtetarëve.

AI-ja po zhvillohet jashtëzakonisht shpejt dhe është e pamundur që inteligjenca e zakonshme njerëzore ta kuptojë plotësisht atë. Askush nuk mund të parashikojë se ku do të na shpjerë. Por mund të jemi të sigurt për një gjë: AI-ja ndihmon shoqëritë e mbyllura dhe përbën kërcënim moral për ato të hapura. Kjo për shkak se AI-ja është fort e mirë në prodhimin e instrumenteve të kontrollit që mund të ndihmojnë shoqëritë e mbyllura që të mbikëqyrin subjektet e tyre.

Kjo është arsyeja se përse jam instinktivisht kundër AI-së, por nuk e di se si mund të ndalet. Tani për tani, askush nuk mundet, por shumica e atyre që kanë zhvilluar AI-në e kuptojnë nevojën për të rregulluar atë. Po kështu edhe Kongresi dhe administrata e presidentit Joe Biden. Mirëpo AI-ja po lëviz shumë më shpejt sesa autoritetet qeveritare. Administrata e Bidenit ka ndërmarrë veprime ekzekutive, por Kongresi do ta ketë të vështirë në miratimin e diçkaje si “Ligji për të drejtat e AI-së”.

Ama, ekziston një problem që nuk pret. Do të ketë zgjedhje të përgjithshme në SHBA gjatë vitit 2024 – dhe ka shumë mundësi, edhe në Mbretërinë e Bashkuar – dhe AI-ja padyshim se do të luajë rol të madh, i cili nuk ka gjasa të jetë gjë tjetër veç i rrezikshëm. Inteligjenca Artificiale është shumë e mirë në prodhimin e dezinformatave dhe “deep fake” dhe do të ketë shumë aktorë keqdashës. Çfarë mund të bëjmë për këtë? Nuk kam përgjigje, por shpresoj që kjo çështje ta marrë vëmendjen që e meriton.

Ndryshimet klimatike

Elementi i dytë në polikrizë është ndryshimi klimatik. Sistemi global i klimës është ndërprerë nga ndërhyrja e shtuar njerëzore, sidomos përdorimi i madh i gazeve serrë, dyoksidit të karbonit dhe metanit. Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 caktoi objektivin prej 1.5 gradë Celsius para epokës para-industriale. Ky objektiv pritet të tejkalohet; përkundër të gjitha përpjekjeve për të luftuar ndryshimet klimatike, shkalla e ngrohjes në fakt po përshpejtohet.

Dy shkencëtarët shumë të respektuar të klimës, David King, ish-këshilltari kryesor i shkencës në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe Johan Rockstrom, nga Instituti i Potsdamit, kanë paralajmëruar se kjo mund të shkaktojë pikën e kthesës dhe të çojë në kolapsin e jetës në tokë.

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike ka deklaruar se politikat aktuale të klimës do ta bëjnë tokën për 2.5 ose 2.7 gradë më të nxehtë deri në vitin 2100. Kjo do të ishte katastrofike, thonë shkencëtarët. Do të tejkalonte temperaturën më të lartë në tokë gjatë katër milionë vjetëve të fundit. Kjo do të çonte në shkrirjen e plotë të akullit të Grenlandës, Himalajeve dhe Antarktikut Perëndimor dhe do ta ngrinte nivelin e detit deri në 10 metra.

“Do të ndodhte shembja e të gjithë binomeve të mëdha në planetin Tokë – pyjet e shiut, shumë prej pyjeve të buta – shkrirja e papritur e ngricave të përhershme, do të kemi kolaps të plotë të biologjisë detare, do të kemi zhvendosje të pjesëve të mëdha të zonave të banimit në Tokë”, ka thënë Rockstrom.

“Më shumë se një e treta e planetit rreth rajoneve ekuatoriale do të jetë e pabanueshme sepse do të kaloni pragun e shëndetit, i cili është rreth 30 gradë Celsius”.

Fatkeqësisht, kur beteja kundër ndryshimeve klimatike ndërhyn në jetën e njerëzve, ata duan të mbrojnë këtë jetesë. Bujqit në Gjermani dhe Holandë janë të vendosur kundër rregullimit të emetimeve të azotit sepse këto rregulla i pengojnë ata që të mbajnë lopë. Janë të mobilizuar, duke fituar zgjedhjet dhe duke lëkundur Bashkimin Evropian”.

Duhet përmendur edhe dëshira e kompanive të naftës që të vazhdojnë të kenë fitime.

Jemi shumë prapa planit në betejën kundër ndryshimeve klimatike. Duhet të bëjmë gjithçka që shkencëtarët e klimës e cilësojnë si të nevojshme – të reduktojmë ashpër dhe shpejt, të largojmë gazet e tepërta serrë nga atmosfera dhe të ngrijmë Arktikun. Për ta bërë këtë, duhet të fitojmë përkrahjen e komuniteteve indigjene. Krejt kjo duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lufta e Rusisë në Ukrainë

Kjo na sjell te përbërësi i tretë i polikrizës. Pushtimi rus i Ukrainës erdhi si goditje negative për botën, duke ndërprerë furnizimet me ushqime dhe duke shkaktuar riorganizim të madh në gjeopolitikë. Duke thënë këtë, rezultati aktual është shumë i mirë sesa pritej. Ushtria ukrainase bëri rezistencë heroike dhe me mbështetjen e fortë të SHBA-së dhe Evropës pati rezultat. Ushtria ruse doli të ishte tigër prej letre, e udhëhequr keq dhe tërësisht e korruptuar. Grupi Wagner, ushtri mercenare private, mbështeti pushtimin për një periudhë, por në fund, edhe ky grup nuk arriti ta mposhte Ukrainën.

Si rezultat, Ukraina tashmë ka nisur kundërofensivën, pasi i është ofruar armatimi i premtuar nga Perëndimi. Madje, Bideni u pajtua që Ukraina duhej të furnizohej me aeroplanët luftarakë F-16.

Besoj se kundërofensiva do të jetë e suksesshme. Caku do të jetë Gadishulli i Krimesë, shtëpi e bazës së marinës ruse. Duke shkatërruar urën tashmë të dëmtuar tokësore me Rusinë, Ukraina mund të kthejë në asetin strategjik në detyrim strategjik, sepse Krimea nuk ka ujë. Me urën e shkatërruar tokësore, Krimea për ujë do të varet nga Ukraina.

Shumë pjesë të Federatës Ruse tashmë janë duke vluar nën regjimin despotik të presidentit Vladimir Putin dhe ky zhvillim mund t’i bëjë këto pjesë që ta refuzojnë plotësisht atë. Ëndrra e Putinit, ringjallja e Perandorisë Ruse mund të shkatërrohet dhe të mos përbëjë kërcënim për Evropën e botën.

Fundi i luftës në Ukrainë do të ishte shkundje pozitive për botën. Kjo mund t’i ofrojë mundësi Bidenit që t’i ulë tensionet mes SHBA-së dhe Kinës, e cila është në rënie ekonomike që mund ta detyrojë presidentin Xi Jinping që të jetë më i hapur ndaj akomodimit me SHBA-në. Bideni nuk po kërkon ndryshim të regjimit në Kinë; gjithçka që dëshiron ai është të rivendosë status quo-në në Tajvan.

Disfata e Rusisë në Ukrainë dhe qetësimi i tensioneve kino-amerikane mund të krijojnë hapësirë për liderët botërorë që të përqendrohen në luftimin e ndryshimeve klimatike, të cilat qytetërimin tonë e kërcënojnë me shkatërrim. Mirëpo është një shteg i ngushtë që çon te ky përfundim. Pra, është e përshtatshme të përdoret pikëpyetja për të pyetur nëse demokracia mund t’i mbijetojë polikrizës.

(George Soros, themelues dhe drejtues i “Open Society Foundations”, është autor i librit “In Defense of Open Society” (Public Affairs, 2019). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)

Përktheu: Gent Mehmeti