Që kur ka nisur dialogu para 12 vjetësh nuk kemi gjetur ndonjë gjurmë që BE-ja ta ketë fajësuar direkt Serbinë për mosrespektim të ndonjë obligimi. Por shpesh ka ndodhur që publikisht të qortohet Kosova. Edhe kur ndonjëherë nuk u ka pëlqyer ndonjë veprim, apo deklaratë e Beogradit, disa zyrtarë të BE-së këtë e kanë arsyetuar duke thënë se “Kosova u ka dhënë argumente”. Kjo ka ndodhur edhe kur kryeministër ishte Thaçi, edhe kur ishte Haradinaj, e ndodh edhe tash kur është Kurti. Ose vërtet Serbia gjithmonë i ka respektuar të gjitha obligimet nga dialogu e Kosova jo, ose BE-ja nuk është e paanshme në vlerësimet e saj. Mundësi tjetër nuk ka
Shpesh në BE thonë se “niveli i besimit të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i ulët”, që e vështirëson progresin në procesin e normalizimit të raporteve. Madje fraza “niveli shumë i ulët” përdoret për të zbutur faktin se nuk ka besim fare mes palëve në dialog. Kjo nuk është asgjë e re dhe kështu ka qenë gjatë tërë procesit. Dhe kjo është e natyrshme, sepse palët kanë hyrë në dialog për të mbrojtur qëndrimet dhe interesat e tyre kombëtare. Dhe ato janë të kundërta. Kosova ka hyrë në dialog për të normalizuar raportet me Serbinë si dy shtete sovrane. Serbia ka hyrë në dialog për të ruajtur përshtypjen se Kosova nuk është shtet dhe, nëse nuk është formalisht e administruar nga Serbia, atëherë asgjë në Kosovë nuk mund të ndodhë pa aminin e Serbisë. Dhe Serbia përmes dialogut, po ashtu, se Kosova nuk është shtet, se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur, dhe si dëshmi se statusi nuk është çështje e kryer, përmendi pikërisht dialogun. Kemi dëgjuar disa herë nga përfaqësuesit e Serbisë se “sikur statusi të ishte çështje e kryer Kosova nuk do të vinte në dialog”. Me shumë sukses Serbia ka përdorur, dhe vazhdon ta përdorë, dialogun si argument kundër njohjes së Kosovës e në disa raste edhe për tërheqjen e njohjes. Në këtë mënyrë Serbia përmes dialogut ka arritur ta normalizojë mosnjohjen e Kosovës. Prandaj kur kanë qëllime krejt të kundërta, e sjellja shpesh përcillet me fyerje siç është ajo tash kur kryenegociatori i Serbisë e quan kryeministrin e Kosovës “Hitler të vogël” e flamurin e Kosovës “leckë”, nuk habit as niveli i madh i mosbesimit.
Por ajo që ka dalë tash në shesh është se, pos mosbesimit mes Kosovës dhe Serbisë, në proces ka një mosbesim edhe mes palëve dhe Bashkimit Evropian. Jo vetëm presidenti i Serbisë, Vuçiq, por edhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë shpesh javëve të fundit i kanë dhënë BE-së dhe disa zyrtarëve të saj epitete si “hipokritë”, “gënjeshtarë” dhe “mashtrues”.
Pas shumë kohësh duket se edhe niveli i besimit që Kosova ka ndaj zyrtarëve të BE-së është zvogëluar dukshëm. Duket se edhe veprimet e fundit në veri të Kosovës, që u dënuan nga BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja, janë edhe pasojë e humbjes së besimit nga ana e Kosovës ndaj BE-së. Sepse BE-ja nuk qëndroi prapa qëndrimeve të veta që i kishte shprehur më parë, dhe Kosova mendon se këtë e ka bërë për t’i dalë në ndihmë Serbisë. BE-ja hoqi dorë nga kërkesa për marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Në vend të saj doli një “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. E edhe kjo marrëveshje nuk u nënshkrua. Lehtësuesi i dialogut në emër të BE-së pranoi se nga nënshkrimi u hoq dorë, sepse presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk deshi të nënshkruajë, sepse “ka kufizime kushtetuese”. Pastaj Vuçiq tha qartë se ai jo vetëm se nuk e ka nënshkruar, por as nuk e ka pranuar asnjë lloj marrëveshjeje. Por “është pajtuar për diçka” që ai e ka quajtur një “koncept”, nga i cili do të përmbushë diçka por jo gjithçka, e jo kurrsesi diçka që do të linte përshtypjen në çfarëdo mënyre se Serbia po pajtohet se Kosova është shtet. Dhe Serbia votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. BE-ja nuk deshi ta quajë këtë votim shkelje të marrëveshjes, edhe pse nuk ka dilemë se është shkelje e nenit i cili thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare“.
Pikërisht për shkak të mungesës së besimit mes Kosovës dhe lehtësueses së dialogut, BE-së, Brukseli ka mirëpritur angazhimin më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky angazhim ka gjithmonë për qëllim presionin ndaj palës kosovare, sepse SHBA-ja nuk bën, dhe nuk mund të bëjë presion ndaj Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin qëndrimin e tyre, nuk e vënë në dyshim se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe thonë se normalizimi në një moment duhet të nënkuptojë njohjen e ndërsjellë. BE-ja nuk e thotë këtë. Për më tepër përmes zëdhënësit të saj BE-ja është shprehur se “njohja nuk është qëllimi i dialogut”, që është një pohim i cili shkon në kundërshtim me qëndrimin e shumicës së vendeve të BE-së, si dhe të Parlamentit Evropian, që e shohin normalizimin me njohjen e ndërsjellë si bazë. Në këtë mënyrë BE-ja kujdeset më shumë për qëndrimet e pakicës prej 5 shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën sesa të shumicës që e kanë njohur.
Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës edhe dialogu mund të hyjë në ujëra të panjohura. Dialogu pa dyshim ka ndikuar që të krijohet situata e tillë në veri, sepse Kosova dhe Serbia me sjelljet e tyre duan të forcojnë edhe pozicionet në dialog. Vazhdon ndërvarësia mes dialogut dhe situatës në terren dhe ato e ndikojnë njëra-tjetrën. Dialogu ndikon në situatë dhe situata në dialog. Prandaj ajo që ndodhi të premten, më 26 maj në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, mund të jetë edhe nisje e një konfrontimi të Kosovës edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo mund të jetë e planifikuar mirë dhe e kalkuluar, por edhe të jetë veprim i pamatur me pasoja për Kosovën. Gjithsesi duket se është edhe shprehje e frustrimit të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, e cila tepër u përshtatet qëndrimeve dhe nevojave të Serbisë dhe përgjegjësinë për dështime ia bart pothuajse gjithmonë Kosovës.
Që kur ka nisur dialogu, para 12 vjetësh, nuk kemi gjetur ndonjë gjurmë që BE-ja ta ketë fajësuar direkt Serbinë për mosrespektim të ndonjë obligimi. Por shpesh ka ndodhur që publikisht të qortohet Kosova. Edhe kur ndonjëherë nuk u ka pëlqyer ndonjë veprim, apo deklaratë e Beogradit, disa zyrtarë të BE-së këtë e kanë arsyetuar duke thënë se “Kosova u ka dhënë argumente”. Kjo ka ndodhur edhe kur kryeministër ishte Thaçi, edhe kur ishte Haradinaj, e ndodh edhe tash kur është Kurti. Ose vërtet Serbia gjithmonë i ka respektuar të gjitha obligimet nga dialogu e Kosova jo, ose BE-ja nuk është e paanshme në vlerësimet e saj. Mundësi tjetër nuk ka. Edhe kur në raporte flitet për përmbushjen e obligimeve nga Serbia, që nuk janë përmbushur, përmenden terme “Serbia akoma duhet të implementojë“, ndërsa për Kosovën thuhet se “Kosova ka dështuar të implementojë”. Këto duken pohime të njëjta, por në aspektin formal kanë shumë dallime dhe reflektojnë logjikën që për më shumë se një dekadë mbretëron në BE, e cila preferon ta qortojë Kosovën dhe ta kursejë Serbinë. Kësaj tash i është bashkuar edhe administrata amerikane. Dhe kjo tash është një sfidë më e madhe për Kosovën. Por Kosova është shtet i pavarur, nuk mund të jetë neutrale ndaj statusit të vetvetes dhe ka të drejtë të marrë vendime për çështje të saja. Por edhe Kosova duhet të mësohet të jetojë me pasojat e vendimeve të veta, sepse edhe ky është një çmim i pavarësisë dhe dëshmi e përgjegjësisë.