Vetëm atëherë kur shteti krijon mekanizma të pavarur të rekrutimit për pozitat profesionale në shërbimin civil mund të themi se Qeveria e re ka vendosur një sistem meritokratik dhe se lidhja familjare e të emëruarve me politikanët është vetëm rastësi
Emërimet dhe punësimet e personave të afërt familjarisht me politikanët në pushtet ka ngritur edhe një herë debatin për nepotizmin në institucionet shtetërore. Kësaj radhe, befasia është edhe më e madhe, ngase problemi i njëjtë po përsëritet edhe në mandatin e ri qeverisës. Partia në pushtet, Vetëvendosje, ka arritur që të fitojë mbi 50% të votave pikërisht edhe për faktin se ishte kritikuese e pakompromis e nepotizmit gjatë kohës sa ishte në opozitë.
Përderisa për Vetëvendosjen emërimet e personave të afërt familjarisht me figurat politike në pushtet janë të rastësishme dhe bazohen në rekrutime meritore, për publikun e gjerë kjo po shihet si vazhdimësi e keqqeverisjes. Në seancën parlamentare të kësaj jave, deputeti i shumicës në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola, deklaroi se ekziston një dallim substancial mes emërimeve të familjarëve në qeverisjet e kaluara dhe në këtë të tashmen. Sipas deputetit Gola, ajo çfarë e dallon nepotizmin si vetëdije prej një koincidence të një lidhjeje familjare mes dy personave është metoda. Në vetëdijen nepotiste, e rastësishme dhe përjashtim nga rregulli është profesionisti. Kurse në vetëdijen meritokratike, përjashtim përbën rasti i lidhjes familjare. Sipas deputetit të shumicës, qeveritë e kaluara nepotiste emëronin dhe përzgjidhnin familjarët e tyre me arsyetimin se “na duhet ky aty”, duke iu referuar përgjimeve të rastit “Pronto”, kurse qeverisja e tanishme meritokratike “rastësisht” emëron familjarët e politikanëve se “i duhen shtetit aty”.
Pra, sipas arsyetimit zyrtar, emërimet e personave të afërt me partinë në pushtet janë krejt të rastësishme dhe se emërimi i tyre është në të mirë të shtetit; gjersa emërimet e familjarëve në qeveritë e kaluara ishte rregull dhe nuk bëheshin se i duheshin shtetit, por u duheshin familjes dhe klaneve.
Por, për një vëzhgues të jashtëm si puna ime, shihet një vijueshmëri në logjikën e emërimeve: për pozita të rëndësishme shtetërore Qeverisë i duhen persona të besueshëm, e kush mund të jetë më i besueshëm sesa anëtari i familjes sime. A mund të ndërpritet ky rreth ku zëvendësimi i politikanëve në pushtet sjell edhe zëvendësimin e familjarëve në institucionet shtetërore?
Sipas politologut Francis Fukuyama (“Political Order and Political Decay”, 2014), kur është fjala te ndërveprimi shoqëror, natyra njerëzore është ndërtuar rreth dy fenomeneve: përzgjedhja e farefisit dhe altruizmi reciprok. Sipas fenomenit të parë, njerëzit kanë tendencë t’i favorizojnë të afërmit gjenetikë në proporcion të drejtë me numrin e gjeneve që ata ndajnë. Altruizmi reciprok nënkupton shkëmbimin e favoreve ose burimeve mes individëve që nuk kanë ndonjë lidhje. Të dyja sjelljet nuk janë të mësuara, por të koduara gjenetikisht dhe shfaqen spontanisht kur individët ndërveprojnë. Pra, për nga natyra, qeniet njerëzore janë kafshë shoqërore, por shoqërueshmëira e tyre merr formën specifike të altruizmit ndaj familjes (të afërmve gjenetikë) dhe miqve (individë me të cilët shkëmben favore). Kjo formë e sjelljes njerëzore është universale për të gjitha kulturat dhe periudhat kohore.
Por kjo sjellje natyrore tejkalohet me zhvillimin e institucioneve moderne shtetërore, të cilat pamundësojnë krijimin e favoreve bazuar në prejardhjen gjenetike dhe shkëmbimin e favoreve, duke favorizuar një të huaj të kualifikuar para një të afërmi gjenetik. E fatkeqësisht, Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, nuk ka arritur të krijojë sistem institucional rekrutues, i cili parandalon impulset natyrore njerëzore që favorizojnë të afërmit. E favorizimi i të afërmve nuk është në natyrën e një shteti modern.
Fukuyama e sheh si problem në të gjitha vendet, edhe në ato me demokraci të zhvilluar, ndërtimin e një burokracie profesionale, të pakorruptuar dhe të shkëputur nga ndikimet politike. Në ato vende ku burokracia është ndërtuar para se vendi të demokratizohej, si në rastin e Prusisë si pararendëse e shtetit Gjerman, apo në Japoninë perandorake e në Britani, burokracia është më profesionale, ngase nuk është përdorur si mjet për favore politike dhe zgjedhore. Në anën tjetër, ato vende të cilat burokracinë shtetërore e kanë ndërtuar krah për krah me sistemin e demokracive zgjedhore, siç janë Greqia, Italia e deri diku edhe ShBA-ja, edhe më tej përballen me problemin e nepotizmit, kronizmit e politizimit të burokracisë, kjo ngase burokracia është përdorur si kusuritje e favoreve politike.
Edhe Kosova bën pjesë në mesin e atyre vendeve të cilat kanë ndërtuar paralel administratën publike me sistemin zgjedhor të qeverisjes demokratike. Dhe administrata ka shërbyer gjithmonë si karrem për të rritur anëtarësinë e partisë duke premtuar poste shtetërore.
Kjo mund të evitohet duke shuar një mori bordesh e institucionesh të cilat kërkojnë emërimet e personave në vendimmarrje. Qeveria Kurti 2 nuk ka një plan të qartë, përveç shuarjes së Agjencisë së Privatizimit, se si do të veprojë me bordet dhe agjencitë e pavarura. Planin që po e shohim deri më tani është zëvendësimi i anëtarësisë në borde, e rrjedhimisht edhe emërimi i personave të rinj që kanë lidhje familjare dhe partiake me politikanët e partitë në pushtet. Por, për të shmangur problemin e nepotizmit, nevojitet që të rishqyrtohet në tërësi logjika e ekzistimit të këtyre trupave kolektive.
Qasja e dytë që duhet të zgjedhë Qeveria e re është krijimi i një sistemi të pavarur rekrutues, qoftë dhe duke angazhuar kompani të huaja për të menaxhuar procesin e rekrutimit. Nuk janë të rralla rastet kur shtete më të mëdha se Kosova kanë deleguar te kompani të huaja profesionale kryerjen e shërbimeve publike, në rastet kur shteti ka qenë i paaftë që të përmirësojë shërbimet. Në vitet ’50 dhe ’60 Indonezia angazhoi një kompani zvicerane që të inspektojë të gjitha importet, ngase vetë shteti nuk arrinte të ndalonte korrupsionin në doganë.
Ka disa vite që institucionet e Kosovës janë pajtuar që në pozitat e larta vendimmarrëse procesi i rekrutimit të mbikëqyret nga një kompani profesionale britanike. Qeveria Kurti 2 duhet që në bashkëpunim me Ambasadën Britanike të zgjerojë edhe më tej listën e institucioneve ku rekrutimi bëhet nën mbikëqyrjen e kompanisë profesionale britanike, ose cilësdo kompani tjetër profesionale që mund të angazhohet për këtë qëllim. Në të kaluarën ka pasur raste kur kompania britanike ka vlerësuar me pikët maksimale persona të afërt me politikanët në pushtet, por kjo nuk është problematizuar asnjëherë pikërisht për faktin se kjo mënyrë e përzgjedhjes është e shkëputur nga vendimmarrja politike.
Vetëm atëherë kur shteti krijon mekanizma të pavarur të rekrutimit për pozitat profesionale në shërbimin civil mund të themi se Qeveria e re ka vendosur një sistem meritokratik dhe se lidhja familjare e të emëruarve me politikanët është vetëm rastësi.