Po të kursente Amerika më tepër, ajo do të mund të investonte më tepër, duke e bërë të mundur rritjen e ekonomisë paksa më shpejt. Dhe kjo gjë do të mund ta reduktonte varësinë nga pakot e stimulimit në të ardhmen
Teksa pakoja 1.9 bilion dollarësh e stimulimit ekonomik, propozuar nga presidenti Joe Biden, ka mbërritur në Kongres, ish-sekretari i Thesarit, Lawrence Summers (një demokrat) dhe shumë republikanë janë duke argumentuar se plani është tepër i madh. Por mbase pyetja më e rëndësishme është nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bien në “kurthin e stimulimit”, dhe, nëse po, si mund të dalë prej tij.
Plani i shpëtimit i Bidenit është tentimi i tretë i Qeverisë federale përbrenda një viti për ta ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë së SHBA-së nga recesioni i nxitur prej pandemisë. Dy pakot e mëhershme të stimulimit kanë shkaktuar rritjen e çmimeve të aseteve, sidomos atyre të aksioneve dhe strehimit, në mënyrë shumë më të shpejt se sa të pagave.
Për shkak se të kamurit posedojnë më shumë asete se sa të varfrit, si në termat absolutë ashtu edhe në proporcionin e të ardhurave të tyre, hendeku veçse tepër i lartë i pasurisë së Amerikës sipas të gjitha gjasave do të thellohet edhe më tepër.
Rritja e pabarazisë do të nxisë kërkesa për adresimin e saj – përfshirë nëpërmjet normave më të larta të interesit, pagave ligjshëm më të larta minimale dhe programet më zemërgjera sociale. Propozimi për më shumë se dyfishimin e pagës minimale federale, prej 7.25 dollarë për orë në 15 dollarë për orë brenda katër ditësh, edhe në rast se nuk bëhet pjesë e kësaj pakoje të stimulimit, sipas të gjitha gjasave do të marrë mbështetje më të madhe publike dhe nga Kongresi kur faktet mbi hendekun e thelluar të pasurisë shpërfaqen në publik.
Rritja e pagës minimale ka për synim që t’i ndihmojë të varfrit. Por, derisa ligji mund t’i detyrojë punëdhënësit që t’ua paguajnë punëtorëve të paktën pagën minimale, ai nuk mund t’i shtrëngojë ata që të punësojnë njerëz apo të krijojnë më shumë biznese në sektorët me paga të ulëta. Paga minimale federale prej 15 dollarësh sipas të gjitha gjasave do të rezultojë me krijimin më të paktë të vendeve të punës se sa do të ndodhte përndryshe, sidomos në sektorët që kërkojnë aftësi më të pakta. Shumica atëherë do të përmendnin tregun e dobët të punës dhe ekonominë si arsye për një raund të ardhshëm të politikave stimuluese monetare dhe fiskale.
Natyrisht, masa ekspansioniste shtesë do ta ushqenin një tjetër valë të vlerësimit të proporcionit aset-çmim që ka tejkaluar mesataren e vlerës së pagës, duke e thelluar akoma më shumë hendekun e pasurisë – dhe duke i nxitur thirrjet për taksa edhe më të larta dhe paga minimale, si dhe më shumë transfere sociale, të cilat sërish do t’i dobësonin investimin dhe shtimin e vendeve të punës, me te justifikuar stimulimin e vazhdueshëm ekonomik. Me fjalë të tjera, SHBA-ja mund të ngelet e ngujuar në kurthin e stimulimit.
Një skenar i tillë nuk është i pashmangshëm. Por shmangia e tij do të kërkonte tri reforma plotësuese për ta shoqëruar çfarëdo stimulimi ekonomik.
E para, Amerika duhet ta avancojë sistemin e saj arsimor dhe ta fuqizojë bazën e shkathësive, në mënyrë që më shumë punëtorë të mund të kalonin në vende të punës më mirë të paguara. Synimi do të duhej të ishte reduktimi i mbivendosjes së vendeve të punës në sektorë të tregtueshëm me punëtorë të pagave të ulëta kinezë dhe meksikanë, si dhe madje ata me paga edhe më të ulëta, indianë apo vietnamezë.
Duke e bërë një gjë të tillë, SHBA-ja mund të konkurrojë në mënyrë të efektshme me vendet me paga të ulëta, në aspektin afatgjatë. Por politikëbërësit së pari duhet të pranojnë se pjesa e punëtorëve me aftësi të pakta të forcës punëtore të SHBA-së janë tepër të shumtë dhe se sistemi aktual arsimor i Amerikës, duke nisur nga kopshtet për fëmijët deri në shkollë të mesme, po i zhgënjejnë fëmijët nga amvisëritë me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme. Programe më të mira ritrajnuese për forcën ekzistuese punëtore gjithashtu do të ndihmonin.
Së dyti, politikëbërësit duhet të synonin që tregjet e punës t’i bënin më fleksibile kurse i ruajnë standardet modeste jetësore të të gjithë amerikanëve. Në këtë punë, do të mund të mësonim nga modeli “i fleksibilitetit” i Danimarkës, i cili ua jep punëdhënësve fleksibilitetin e nevojshëm për të punësuar, shkarkuar dhe përshtatur pagat sipas ndryshimit të kushteve në treg, por njëkohësisht u siguron punëtorëve të pushuar nga puna një rrjet zemërgjerë të sigurisë sociale, ashtu që ata të mund ta vazhdojnë një jetesë të kënaqshme.
Aranzhimet fleksibile dhe të qëndrueshme kontraktuale të punës nën këtë sistem i trimërojnë ndërmarrësit që të krijojnë firma dhe vende pune. Programet gjithëpërfshirëse mbarë-jetësore të mësimit ua ofrojnë punëtorëve një mundësi dhe shtysë për përmirësimin e shkathtësive të tyre. Dhe sistemi i sigurisë sociale u ofron mbështetje adekuate në të ardhura, gjatë fazës transitore në punësim.
Në një sistem mirë të dizenjuar të fleksibilitetit, ngritjet e pagës minimale duhet të jenë në një linjë si me përfitimet e përgjithshme nga prodhimi ashtu edhe me politikat e imigracionit. Ngritja e pagës minimale që e tejkalon ngritjen e prodhimit do të krijonte një treg pune me dy nivele, në të cilin disa punëtorë të nënkualifikuar me fat i ruajnë vendet e tyre të punës derisa shumë të tjerë nuk janë në gjendje që të gjejnë punë me një pagë të mandatuar ligjërisht.
Po kështu, përcaktimi i një page të lartë minimale gjatë zbutjes së politikave të imigracionit do të mund të shpinte drejt një fluksi të punëtorëve imigrantë të nënkualifikuar. Nëse ata gjejnë vende pune në tregun e zi, duke ofruar që të punojnë për më pak para se sa paga ligjore minimale, atëherë gjërat do të vështirësoheshin edhe më tepër për punëtorët e nënkualifiuar vendës.
Sa për të qenë të qartë, nuk jam duke e mbrojtur eliminimin e imigracionit apo ngritjen e pagës, por se në vend të vënies së theksit tek ngritja e pagës, ngritja e prodhimit dhe politikave të imigracionit duhen të merren në konsideratë njëkohësisht, sikurse copëza të ndryshme të një të vetmes enigmë.
Prioriteti i tretë është që të trimërohen amvisëritë amerikane të kllapave me të ardhura të mesme dhe të ulëta për të kursyer më shumë, nëpërmjet garantimit të shkathtësive më të madhe financiare dhe ofrimit të qasjes më të lehtë në mjetet më pak të kushtueshme të menaxhimit të parasë. Amvisëritë amerikane aktualisht kursejnë mesatarisht rreth 12-14 për qind të të ardhurave të tyre, një hise kjo shumë më e ulët se sa në Gjermani, Japoni apo Kinë.
Problemi është se amerikanët me të ardhura më të ulëta vështirë se kursejnë ndonjë gjë, gjë kjo që do të thotë se pasuria e tyre relative ngec edhe më prapa secilën herë që çmimet e aseteve rriten më shpejt sesa pagat. Për skeptikët, të cilët mendojnë se amvisëritë me të ardhura të ulëta nuk po fitojnë mjaftueshëm para për të kursyer, një studim ka sugjeruar se ata munden dhe duan të kursejnë po qe se e kanë njohurinë dhe mjetet e duhura. Po të kursente Amerika më tepër, ajo do të mund të investonte më tepër, duke e bërë të mundur rritjen e ekonomisë paksa më shpejt.
Dhe kjo gjë do të mund ta reduktonte varësinë nga pakot e stimulimit në të ardhmen.
(Shang-Jin Wei, ish-kryeekonomist i Bankës Aziatike për Zhvillim, është profesor i Financave dhe Ekonomisë në shkollën për biznes të Columbias si dhe të shkollës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin e Columbias. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).