OpEd

A mund Amerika të prijë përsëri?

Po qe se SHBA-ja do që ta rimarrë pozitën e saj prej udhëheqësi, që do t’ia lejonte konkurrencën konstruktive me Kinën – dhe e rimerr atë me diç më shumë sesa një palë zgjedhje – atëherë administrata Biden duhet që t’i luftojë pabarazinë dhe kostot që globalizimi ka prodhuar. Ndryshe, Trumpi – apo, edhe më keq, një version më kompetent i tij – mund ta rizaptojë presidencën më 2024 apo 2028, dhe të zhbëjë çdo progres që administrata Biden e arrin gjatë mandatit të ardhshëm

Ann Arbor, 13 janar – Inaugurimi i afërt i presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden ka ngjallur shpresën se kjo administratë do “ta bëjë Amerikën që të prijë përsëri”. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta transformonin rivalitetin me Kinën në një konkurrencë konstruktive, atëherë kjo është qasja e duhur. Por nëse Bideni do të arrijë që ta ringjallë dhe ta ruajë udhëheqjen globale të Amerikës, kjo varet nga ajo sesa efektivisht mund t’i shërojë frakturat e brendshme dhe ta adresojë mosbesimin e thelluar rreth globalizimit, të ngulitur tek segmentet e shumta të elektoratit amerikan.

Bideni vazhdimisht është zotuar ta riparojë reputacionin ndërkombëtar të Amerikës dhe pozitën e saj në glob, të cilat janë dëmtuar rëndë nën Donald Trumpin. Në këtë synim, ai shumë shpejt do t’u ribashkohet institucioneve multilaterale (siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë), si dhe ujdive ndërkombëtare (duke u nisur prej marrëveshjes klimatike të Parisit), prej të cilave Trumpi ka tërhequr SHBA-në.

Këto zotime aludojnë për një vizion të kthimit të SHBA-së në krye të rendit liberal ndërkombëtar, një pozitë kjo prej së cilës mund të konkurrojë shumë më efektshëm – dhe të bashkëpunojë – me Kinën. Por ka goxha arsye për të besuar se shumë amerikanë nuk duan që vendi i tyre të prijë përsëri.

Fitorja zgjedhore e Bidenit në nëntor nuk arriti t’i japë një mohim të vendosur Trumpit dhe brendit të tij toksik të populizmit, të cilin e prisnin liberalët. Po, Bideni fitoi më shumë se 81 milionë vota – më shumë se cilido kandidat tjetër presidencial në historinë e SHBA-së. Por Trumpi mori më shumë se 74 milionë sosh – shifër kjo e dyta më e lartë që është evidentuar – dhe ka rritur hisenë e tij të përkrahjes midis grupeve pakicë, krahasuar më 2016-n. Kjo pavarësisht një parade të pashembullt skandalesh dhe të keqmenaxhimit katastrofik me pandeminë.

Çfarë e shpjegon popullaritetin e palëkundur të Trumpit?

Një shpjegim, i ngritur nga Peter Singeri në nëntor, është se pothuajse gjysma e Amerikës ka “humbur shpirtin e saj”. Kjo diagnozë është padyshim e saktë, marrë parasysh elementet më shqetësuese të bazës së votuesve të Trumpit, në të cilat përfshihen nacionalistët e bardhë dhe neonazistët që e bastisën ndërtesën e Capitolit më 6 janar. Por edhe ata që nuk i përkasin kësaj kategorie kanë votuar për një president haptazi racist që ka refuzuar ta denoncojë supremacinë e bardhë.

Megjithëkëtë, do të ishte e thjeshtë që mbështetja për Trumpin të mohohej si asgjë më tepër sesa ndërmarrje fanatizmi. Ia vlen të kujtohet se 6 për qind e atyre që kanë votuar për Trumpin më 2016 kishin votuar për Barack Obaman më 2012. Dhe Trumpi ka marrë dhjetë milionë vota më tepër më 2020 sesa më 2016.

Trumpi tërheq mbështetje nga një gamë laramane burimesh. Racizmi dhe ksenofobia zënë vend mes tyre, por gjithashtu edhe zemërimi midis votuesve ruralë dhe atyre të shtresës së mesme punëtore kundër stagnimit në të ardhurat dhe pabarazisë në thellim. Disa votues aziatikë gjithashtu kanë rënë në grackën e qëndrimit të tij prej skifteri kundruall Kinës. Si një outsajder politik, Trumpi ishte në gjendje që t’i shfrytëzojë inatet në establishmentin politik, ta pushtojë aparatin republikanë dhe ta paketojë veten si një kampion të të pakënaqurve.

Këta votues janë çorientuar për t’i besuar Trumpit, i cili kurrë nuk ka synuar përnjëmend që t’i adresojë telashet e tyre, dhe nuk e ka as bezdi që t’i nxisë ata të ndërmarrin kryengritje, dhe t’i braktisë në fund.

Është një faktor strukturor që ua ka bërë më të lehtë Trumpit dhe konspiratorëve të tij që t’i mashtrojnë këta votues: globalizimi që ka krijuar shumë humbës përkrah fituesve.

Fituesit janë kompanitë e mëdha që kanë zhvendosur prodhimtarinë në lokacione më të lira, duke e zgjeruar kësisoj dukshëm margjinën e përfitimit të tyre, si dhe ekonomitë në zhvillim – sidomos Kina – ku ato janë zhvendosur. Humbësit janë miliona amerikanët e angazhuar në sektorin e prodhimit, të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës. Tash, përzini trashëgiminë e racizmit të Amerikës dhe përhapni lajme të reja nëpërmjet mediave sociale, dhe rezultati bëhet ndezës.

Por nuk është vetëm shtresa punëtore ajo që është e zhgënjyer me globalizmin. Meqë qendra e gravitetit të ekonomisë globale ka lëvizur drejt fuqive në ngritje, si Kina, këto vende kanë fituar hise më të madhe në institucionet ndërkombëtare, të cilat supozohet që t’i përfaqësojnë të gjitha vendet e jo vetëm arkitektët e këtyre institucioneve. Për shumë politikëbërës amerikanë, kjo ishte e papranueshme: Nëse SHBA-ja e bart peshën më të madhe të kostos për ruajtjen e një rendi botëror, ata besojnë se kjo do të duhej të siguronte që interesat e saj të vihen në rend të parë.

Duke iu përmbajtur premtimit për “Amerikën në rend të parë”, Trumpi e tërhoqi SHBA-në nga përkushtimet e saja të mëhershme për udhëheqje globale, e distancoi nga angazhimet tejoqeanike dhe e ndërtoi një mur. Ai bëri pikërisht atë që votuesit e tij kërkonin. Por kjo politikë pashmangshëm prodhoi një pasojë, të cilën liderët amerikanë nuk munden ta pranonin: profilin në ngritje të Kinës, që e mbushi boshllëkun e udhëheqjes të cilën SHBA-ja e ka lënë pas vetes.

Në kundërpërgjigje, administrata Trump e portretizoi Kinën si armikun vdekjeprurës të Amerikës, e nisi një luftë shkatërrimtare tregtare dhe zbatoi një sërë sanksionesh. Për Pekinin, një armiqësi e këtillë ishte konfirmim i dyshimeve të kahershme se SHBA-ja nuk do ta pranonte kurrë ngritjen e saj pa një luftë, andaj ka reaguar me vendosmëri.

Qarku rezultues vicioz i mosbesimit dhe antagonizmit duhet ende që të thyhet.

Për administratën Biden, vlejnë dy mësime. E para, SHBA-ja nuk mund të ecë nëpër dy shtigje. Nuk mund të tërhiqet nga udhëheqja globale dhe të mos e lejojë askënd tjetër që t’ia zërë vendin; po qe se insiston, konfrontimi dhe përleshjet do të pasojnë. E dyta, përplasja e Amerikës me Kinën gjatë katër vjetëve të fundit ka qenë sa divorcim prej një vendi, po aq edhe divorcim nga globalizimi. Kjo do të thotë se nëse SHBA-ja do që ta rimarrë pozitën e saj prej udhëheqësi, që do t’ia lejonte konkurrencën konstruktive me Kinën – dhe e rimerr atë me diç më shumë sesa një palë zgjedhje – atëherë administrata Biden duhet që t’i luftojë pabarazinë dhe kostot që globalizimi ka prodhuar. Ndryshe, Trumpi – apo, edhe më keq, një version më kompetent i tij – mund ta rizaptojë presidencën më 2024 apo 2028, dhe të zhbëjë çdo progres që administrata Biden e arrin gjatë mandatit të ardhshëm.

(Yuen Yuen Ang, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Michiganit, Ann Arbor, është autor i librave “How China Escaped the Poverty Trap” dhe “China’s Gilded Age”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)