Në programin qeveritar të publikuar në maj 2021, Qeveria e Kosovës ka lajmëruar themelimin e Bankës Zhvillimore (BZH), si institucion i ri shtetëror. Përmes kësaj banke, Qeveria synon të marrë pjesë në financimin e sektorit privat të ekonomisë përmes fondeve publike. Edhe pse të pranishme edhe në shtete të zhvilluara, koncepti i tyre përkon më shumë me vendet në zhvillim dhe me vendet e varfra. Kjo, për arsye se vendet në zhvillim si Kosova kanë problemet strukturore në ekonomi, pabarazi socio-ekonomike, mungesë kapitali, nevojë për përkrahje të investimeve private, si dhe mungesë të zhvillimit dhe shtrirjes financiare te klientët e pashërbyer. Prania e këtyre problemeve mund të arsyetojë ndërhyrjen e shtetit në industrinë bankare, ndërsa natyra e problemeve ekonomike dhe fazat e ciklit të ekonomisë, sidomos faza e recesionit, janë tregues se sa aktiv dhe sa i nevojshëm duhet të jetë ky intervenim.
Arsyetimi i Qeverisë për BZH-në qëndron në përkrahjen e projekteve zhvillimore që promovojnë sektorin privat, investimet, eksportin dhe rrjedhimisht punësimin përmes kredive të lira. Bazuar në problemet esenciale strukturore të ekonomisë së Kosovës, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), startup-eve, bujqësisë, rinisë dhe tash pas pandemisë digjitalizimit të çdo sektori. Një nga pikat e programit qeveritar është edhe banimi social dhe i përballueshëm. Në momentin që Qeveria ka plane për financimin e projekteve zhvillimore dhe përkrahje të projekteve private, duhet të ketë mjetet t’i financojë ato – ose të ketë qasje në kredi të buta në institucione ndërkombëtare, të merr hua në shtete të tjera apo banka komerciale në vend, t’i bashkëfinancojë normat e interesit të kredive që i lëshojnë bankat komerciale (bashkë me garancinë që mbulon humbjet e mundshme) ose vetë të themelojë një bankë publike, përmes së cilës realizon objektivat e saj.
Pyetja që shtrohet është: çka është në të vërtetë BZH-ja, si ndryshon nga bankat komerciale private prezente në vend dhe a ka nevojë Kosova për një bankë zhvillimore?
Çfarë janë bankat zhvillimore dhe si funksionojnë ato në një ekonomi?
Krijimi i bankave zhvillimore u bë koncept popullor pas Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar rindërtimin e Evropës dhe për të siguruar mekanizma për bashkëpunim ndërkombëtar në menaxhimin e sistemit financiar global. Gjatë krizës financiare globale të 2007-2009, kur huamarrja nga institucionet financiare private ra ndjeshëm, rëndësia e bankave zhvillimore u rrit dhe u rishikua në gjithë botën, meqë luajtën rol të rëndësishëm në zbutjen e krizës duke krijuar fonde emergjente likuiditeti dhe duke rritur (mikro)financimin. Gjatë pandemisë COVID-19, deri në një masë kanë siguruar mbështetje financiare dhe lehtësim të borxhit.
Bankat zhvillimore janë institucione financiare të specializuara që sigurojnë kapital afatmesëm dhe afatgjatë për projekte zhvillimore dhe investime produktive, shpesh të shoqëruara me asistencë teknike, kryesisht në vendet në zhvillim dhe në vendet e varfra. Qeveritë e vendeve i përdorin ato me qëllim të sigurimit të shërbimeve financiare në rajone, në sektorë dhe për klientët që bankat private nuk u shërbejnë sa duhet apo nuk u shërbejnë fare. Ato zakonisht mbështesin projekte që kërkojnë kapital të lartë dhe financim afatgjatë, në fusha si bujqësia, tregtia ndërkombëtare, infrastruktura, turizmi, strehimi dhe NVM-të. Edhe pse funksionin e kreditimit e kryejnë edhe bankat private, një bankë zhvillimore dallon për nga qëllimi dhe kushtet e kreditimit. Bankat private kreditojnë me qëllime përfituese, prandaj përzgjedhin kreditues me histori të mirë kreditimi dhe potencial të lartë të kthimit të kredisë, duke lënë pjesën tjetër të aplikuesve për kredi të pashërbyer. Projektet zhvillimore mund të mos jenë me interes komercial për bankat private. Kreditimi afatgjatë dhe voluminoz që kërkojnë këto projekte nënkupton pasiguri për të ardhmen dhe rrezik më të lartë të moskthimit të kredisë, të cilin rrezik bankat private e reflektojnë në norma më të larta të interesit. Pikërisht, këtu vjen në shprehje BZH-ja e cila krediton me qëllime jokomerciale dhe mundëson lëshimin e kredive afatgjata me norma të interesit relativisht më të ulëta se ato të tregut, përkatësisht me norma të subvencionuara.
Përderisa bankat komerciale shfrytëzojnë ekskluzivitetin e informacionit mbi ata që kanë kursime dhe për ata që kanë nevojë për kredi për të gjeneruar kthim privat për firmat e tyre, bankat zhvillimore zakonisht fokusohen në informacione që identifikojnë projekte që sjellin përfitime pozitive për shoqërinë.
Disa nga bankat zhvillimore multilaterale më të famshme janë Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Investive Evropiane, KfW, dhe qindra BZH në shtete dhe kontinente të ndryshme. Shtetet e rajonit që kanë themeluar banka zhvillimore si institucione të ndara shtetërore janë: Kroacia (prej vitit 1992), Maqedonia e Veriut (prej vitit 1998) dhe Bosnjë-Hercegovina (prej vitit 2008). Disa prej tyre janë treguar të suksesshme në përkrahjen e grupeve më fragjile të ekonomisë - si kreditimi i bizneseve të grave dhe startup-eve e NVM-ve, si dhe kanë përkrahur sektorin privat gjatë krizës globale financiare dhe gjatë pandemisë COVID-19. Ka prej tyre që për shkak të problemeve me korrupsionin dhe funksionimin e ligjit nuk kanë arritur t’u shërbejnë politikave zhvillimore të vendit. Në portfolion e përgjithshme të sistemit bankar, këto banka mbesin me pjesëmarrje relativisht të ulët, që nënkupton mundësi më të ulëta për keqpërdorime. Vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, janë anëtare të Bankës Botërore, BERZH-it dhe agjencive të tjera si GIZ-i gjerman dhe përfitojnë nga to financim për projekte të ndryshme zhvillimore. Prandaj, nevoja për një bankë zhvillimore lokale kur kemi prezencën e gjithë këtyre bankave zhvillimore ndërkombëtare në vend mund të vihet në pikëpyetje. Gjithsesi, një BZH-e lokale mund të njohë më mirë nevojat specifike të ekonomisë dhe të hedhë produkte të mirëmenduara e që mungojnë në treg; si dhe menaxhimi dhe monitorimi i projekteve lokale mund të jetë më adekuat e mbase edhe më i lirë sesa ai nga BZH-të ndërkombëtare.
Cilat janë objektivat e Bankës Zhvillimore?
Përmirësimi i standardit dhe i cilësisë së jetës, rënia e varfërisë, përmirësimi i arsimimit etj., janë disa nga qëllimet e përgjithshme dhe përfundimtare. Për të arritur këto qëllime, një bankë zhvillimore fillimisht duhet të identifikojë dështimet konkrete në institucione dhe në treg dhe kërkesat për produkte e shërbime bankare që nuk përmbushen nga bankat private në vend, dhe pse jo të identifikojë edhe pengesat e natyrës politike dhe fushat që kërkojnë kontribut fiskal. Këta faktorë pastaj duhet të përcaktojnë agjendën e BZH-së dhe prioritetet në financim. Për shembull, BZH-ja e Maqedonisë së Veriut si prioritet kryesor ka vendosur përkrahjen e eksportit përmes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sigurimin e pretendimeve financiare që firmat e huaja kanë ndaj tyre. BZH-ja kroate ka prioritet rindërtimin e ekonomisë kroate, promovimin e eksporteve dhe mbrojtjen e ambientit. BZH-ja e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës ka prioritet financimi rritjen e punësimit, infrastrukturën ekonomike dhe prodhimin bujqësor. Nga aspekti ekonomik, Kosova historikisht ballafaqohet me dy probleme të mëdha ekonomike dhe strukturore, si papunësia dhe deficiti tregtar. Prandaj, BZH-ja e Kosovës pritet të prioritizojë sektorin privat, duke ndihmuar në rritjen e punësimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar.
Çka financon banka zhvillimore?
Një bankë zhvillimore fillimisht identifikon dështimet dhe mungesat në treg, që bankat private nuk janë të gatshme t’i financojnë, për shkak të rreziqeve që ngërthejnë apo mungesës së kapacitetit fitimprurës. BZH-ja mund të ofrojë një gamë të gjerë të produkteve financiare që ekzistojnë në treg por nuk janë në dispozicion të të gjithë aplikuesve për kredi, por gjithashtu mund të krijojë tregje të reja me produkte alternative dhe inovative që nuk janë ofruar nga sektori bankar. Produktet tipike përfshijnë kredi afatmesme dhe afatgjata me interes më të ulët se ai i tregut, financim i kapitalit qarkullues për firmat, letra të kreditit, garanci kreditore dhe asistenca teknike për projektet zhvillimore.
shembull, bujqësia si një sektor me pjesëmarrje relativisht të vogël në krijimin e vlerës së shtuar ekonomike në Kosovë është një nga sektorët më të nënkredituar, me vetëm rreth 4 për qind të gjithsej kredive që lëshohen në ekonomi, për shkak të pasigurisë dhe paparashikueshmërisë që ngërthen si sektor. Është pikërisht sektori i bujqësisë, automatizimi i tij dhe prodhimi në masë që mund të rrisë prodhimin në vend, të zëvendësojë importet nga shtetet e huaja dhe të rrisë eksportet në shtetet e jashtme. Po ashtu, pandemia ka sjellë një mënyrë të re të të bërit biznes dhe nevoja për investime në fusha të reja të lidhura me digjitalizimin si, shitja dhe menaxhimi i biznesit online për bizneset ekzistuese dhe dalja e bizneseve të reja (kryesisht startup-e) që ofrojnë produkte të reja p.sh. shëndetësore – por që si biznese janë të pakonsoliduara dhe bartin rrezik afarist. Bankat private hezitojnë të financojnë biznese të tilla, mirëpo ndërhyrja e BZH-së do të ndihmonte. Pra, BZH-ja është një nga mënyrat e përkrahjes së firmave prodhuese, eksportit, sartup-eve, bizneseve të grave me kredi të lira, garancive dhe asistencë teknike dhe të nisë ndryshime strukturore drejt aktiviteteve me produktivitet të lartë, por assesi nuk mund të jetë zgjidhja e parë dhe e vetme për problemet strukturore në shtet.
Si financohen vetë bankat zhvillimore?
Problemi kryesor mbetet të definohet si do të financohet vetë BZH-ja në mënyrë të qëndrueshme për një periudhë afatgjatë. Bankat private në Kosovë financohen kryesisht nga depozitat e qytetarëve, pra rialokojnë fondet nga depozituesit te huamarrësit. Bankat zhvillimore zakonisht nuk pranojnë depozita direkt nga qytetarët. Si banka e parë shtetërore në Kosovë, BZH do të themelohet me kapital fillestar shtetëror. Sipas programit të Qeverisë, do të financohet nga paratë publike dhe nga shitja e letrave të borxhit, mbase edhe përmes bonove të diasporës. Nëse financimi me paratë publike nënkupton transfere të vazhdueshme buxhetore prej nivelit qendror, atëherë kjo nënkupton rialokim të fondeve prej taksapaguesve te kredimarrësit – dhe mund të lindin probleme me transparencë. Financimi i vazhdueshëm nga buxheti shtetëror nuk është praktikë e shëndetshme dhe ka kosto. Prandaj, te bilanci i gjendjes së BZH-së duhet të dimë anën e detyrimeve, si dhe kostot explicite e implicite, që të dimë se si reflektohen në normat e interesit në kredi në anën e aseteve. Duke u nisur nga kapaciteti i kufizuar buxhetor dhe nga fakti se bonot e diasporës janë instrumente të reja të treg të patestuara më parë, është e rekomandueshme që dispozitat e ligjit të ri për themelimin e BZH-së të lejojnë fleksibilitet në financim edhe përmes qasjes në tregje të kapitalit (në rast se sigurohet rejtingu shtetëror), kredi të buta nga institucione financiare ndërkombëtare (IFN) që po ashtu janë të kushtueshme (për çdo kredi që merr shteti i Kosovës nga IFN-të, përderisa nuk ka rejting, standardet IFRS kërkojnë të provizionohet me 100 për qind), grante dhe asistenca teknike nga BZH multilaterale, etj. Për shkak të euroizimit unilateral, Kosova nuk mund të shtypë para për furnizim, por mund të konsiderojë krijimin e një valute digjitale. Qeveria, nëpërmjet thesarit të shtetit mund të angazhohet në strategji të konvertimit të bonove të thesarit në asete blerëse aksionesh për kompanitë private si metodë e thithjes së kapitalit përbrenda. Duhet të kihet parasysh që linjat kreditore nga bankat zhvillimore multilaterale, p.sh. prej BERZH-it, jo çdoherë janë aq të lira. Prandaj Qeveria mund të lidhë marrëveshje për borxh direkt nga bankat private në vend me norma të papërfillshme të interesit me kusht që si kthim t’u ofrojë lehtësime tatimore dhe bashkëndarje të databazës. Në rast të kufizimeve buxhetore, kreditë mund po ashtu të bashkëfinancohen si partneritet publiko-privat në ato fusha ku ka interes të përbashkët - rritja ekonomike, ulja e varfërisë dhe përmirësimi i jetës së njerëzve kërkojnë sektor privat aktiv.
Është me rëndësi që BZH-ja të arrijë pavarësinë financiare dhe të vetëmirëmbahet kryesisht me të hyrat dhe fitimin i saj, pa qenë e varur vazhdimisht nga transferet buxhetore nga niveli qendror. Kjo nënkupton se, pavarësisht faktit që jo domosdo vepron në baza komerciale, një margjinë e fitimit duhet të sigurohet. Kjo implikon nevojën që të veprojë në bazë të parimit të efektivitetit të kostos, likuiditetit dhe sigurisë në plasmane dhe njëjtë si bankat e tjera private t’u nënshtrohet rregullave të tregut dhe rregullimit bankar. Po aq e vlefshme është edhe pavarësia e Bordit të BZH-së në vendimmarrje nga aparati shtetëror dhe përbërja me anëtarë apolitikë, në mënyrë që BZH të vihet në funksion të politikave zhvillimore që ka nevojë ekonomia e Kosovës pa u eksploatuar motivi politik. Për të ruajtur pavarësinë në vendimmarrje, BZH-ja mund të ndajë portfolion kreditore në dy linja: në kreditë që financohen direkt nga Qeveria dhe në kreditë e tjera që financohen nga resurset e BZH-së. Duhet të kihet parasysh se punëtorët në banka, sidomos stafi menaxherial që ka ekspertizën e duhur, janë të kushtueshëm dhe kjo e rrit koston e financimit të BZH-së.
A ka dështime në tregun bankar që arsyetojnë ndërhyrjen e shtetit në industrinë bankare?
Meqë bankat zhvillimore themelohen për avancimin e agjendës zhvillimore, shtrohet pyetja: a ka arsye socio-ekonomike dhe zhvillimore që arsyetojnë themelimin e BZH-së, themelimi i saj bëhet për arsye politike. Në rastin e Kosovës, përgjigjen do ta tregojë koha, megjithatë janë disa tregues që a priori shërbejnë si pikënisje.
1) Problemet strukturore në tregun bankar. Sektori bankar privat përgjithësisht është stabil, profitabil, menaxhon mirë me rreziqet bankare dhe deri tash nuk ka pësuar tronditje apo shkaktuar kosto fiskale. Megjithatë, nga pikëpamja zhvillimore është e vërtetë se klientët në Kosovë paguajnë tarifa për shërbime bankare dhe norma interesit në kredi relativisht më shumë sesa paguajnë qytetarët në vendet e zhvilluara të Evropës. Pastaj, oferta e kredisë shtrihet vetëm drejt kredimarrësve “të mirë” me kapacitet pothuajse të sigurt të kthimit të kredive, duke lënë pjesën tjetër të kërkesës për kredi të papërmbushur. Mirëpo këto dështime në fakt reflektojnë probleme të tjera strukturore në ekonomi si sistemi juridik, kadastra, përmbarimi, raportimi financiar e shumë tjera – pra janë simptoma. Problem tjetër strukturor janë të ardhurat e ulëta të qytetarëve. Për nga fuqia e blerëse, Kosova ka nivelin më të ulët të të ardhurave mesatare vjetore për kokë banori në Evropë. Për bankat private në vend kjo nënkupton që kapaciteti kredimarrës është i ulët: qytetarët (bizneset) me të ardhura më të larta kanë më shumë qasje në financa, ndërsa qytetarët (bizneset) me të ardhura më të ulëta kanë më pak qasje në kredi dhe kufizohen në vlerën e kredisë që mund të marrin. Kjo nënkupton se vetë sektori bankar privat mund të kontribuojë në thellimin e pabarazive socio-ekonomike në shoqëri. BZH-ja mund të ndërmarrë veprime kundër tendencave polarizuese që diskriminojnë ofrimin e shërbimeve bankare në bazë të kategorive të huamarrësve duke mbështetur sektorët e nënkredituar ose të pakredituar nga bankat private.
2) Zbutja e dështimeve të tregut për shkak të informacionit të kushtueshëm dhe asimetrik. Edhe pse rregullimi bankar, mbikëqyrja e institucioneve financiare, sigurimi i depozitave dhe garantimi i kredive janë mënyra të zvogëlimit të asimetrisë së informacionit mes bankave private dhe huamarrësve, në vendet në zhvillim si Kosova që kanë probleme me ekzekutimin e kontratave dhe raportimin financiar, këta mekanizma mund të mos ndikojnë mjaftueshëm në rritjen e besueshmërisë së bankave ndaj huamarrësve. Në këtë kontekst, prania e Qeverisë mund të rrisë besimin e publikut në tregun bankar dhe të çojë në thellim financiar.
3) Financimi i projekteve me vlerë shoqërore por financiarisht jofitimprurëse. Projektet zhvillimore mund të gjenerojnë kthim shoqëror, por jo domosdo edhe kthim të mjaftueshëm financiar që të motivojnë bankat private t’i financojnë ato. Mungesa e tregut të kapitalit dhe platformave të tjera kredimarrëse janë arsye shtesë për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të shtetit me qëllim të kompensimit të papërsosmërive në tregun bankar dhe financimin e investimeve me dobi shoqërore (por financiarisht jo tërheqëse). Mungesa e politikës monetare në Kosovë për të ndërhyrë në ofertën monetare dhe efekti kundërciklik që mund të ketë një bankë zhvillimore gjatë rënies ekonomike, shërben si argument në favor të aktivizimit të BZH-së, sidomos në kohë krizash për zbutjen e ciklit rënës kreditor.
4) Promovimi i zhvillimit financiar dhe qasja në financa dhe shërbime financiare për grupet e margjinalizuara.
Sipas raportit Doing Business (2020), në Kosovë vetëm 41 për qind e gjithë popullatës së rritur janë të regjistruar në Regjistrin e Kredive, që domethënë se më pak se gjysma kanë marrë kredi, që mund të konsiderohet si pjesëmarrje e ulët për një vend me të ardhura të ulëta. Pikërisht roli i BZH është të krijojë tregje të reja, instrumente inovative të financimit dhe të rrisë përfshirjen financiare të zonave rurale dhe grupeve të margjinalizuara. Kësisoj mundëson ngushtimin e hendekut mes kërkesës dhe ofertës për kredi në vend; ai hendek që nuk plotësohet nga pjesa tjetër e sistemit financiar (bankat private), plotësohet nga BZH-ja, gjithnjë nëse kapaciteti kreditues është signifikant. Përndryshe, nëse BZH-ja arrin të financojë vetëm shuma të papërfillshme që nuk do ta mbulonin këtë hendek të financimit, atëherë do të ishte më mirë që mjetet të orientohen në institucionet ekzistuese shtetërore si Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.
Edhe pse bankat zhvillimore mund të jenë më të nevojshme në vendet në zhvillim, studimet tregojnë se ato janë më të suksesshme në vendet e zhvilluara për shkak të nivelit të zhvillimit financiar dhe funksionimit të ligjit. Prandaj, suksesi i BZH-së do të jetë ngushtë i lidhur me efikasitetin e gjykatave dhe aftësitë menaxhuese e monitoruese të rreziqeve bankare – po aq i lidhur edhe me sigurimin e financimit afatgjatë, aftësisë së mbulimit të kostove nga ana e detyrimeve dhe mbulimin e kostove të themelimit të një institucioni nga e para.
Qeverisja korporative është çështje kyç; në momentin që qeverisja dallon nga bankat private, BZH mund të devijojë nga ideja e përkrahjes së mirëfilltë të agjendës zhvillimore dhe të kalohet në terren politik. Vetë BZH duhet të jetë shembull për bankat private e veçanërisht për institucionet e tjera publike sa i përket llogaridhënies, transparencës dhe qasjes së lehtë në informata prej qytetarëve, si pronarë dhe përfitues përfundimtarë të saj. Ligji i ri me të cilin do të themelohet BZH-ja (dhe vetëm përmes së cilit edhe do të mund t’i revokohet licenca) duhet të specifikojë statutin, strukturën organizative, përbërjen udhëheqëse, strategjinë monitoruese dhe nivelin e pavarësisë së Bordit. Deri këtu, pa e ditur akoma se çka do të përmbajë ligji dhe informacionet tjera rreth BZH-së, pyetjet që mbeten për t’u përgjigjur janë: kujt do t’i raportojë BZH-ja, Parlamentit, Qeverisë, Ministrisë së Financave apo do të krijohet një entitet i veçantë dhe i pavarur që do ta mbikëqyrë? Kush do ta mbikëqyrë performancën e Bordit dhe standardet e solvencës, likuiditetit, transparencës dhe llogaridhënies? Cila do të jetë lidhja e BZH-së me Agjencinë e Zhvillimit? Kush përgjigjet me detyrimet e BZH-së dhe a do ta garantojë Qeveria borxhin e BZH-së dhe humbjet nga kreditë që nuk kthehen? A do të pranojë BZH-ja depozita nga institucionet e tjera publike (dhe a do të bëhet kjo praktikë e obligueshme)? A do të pranojë asistencë financiare prej bankave zhvillimore multilaterale? Kush do t’i blejë letrat me vlerë, a do të kenë qasje edhe komunat dhe cili institucion do ta kryejë pjesën operacionale? Cili do të jetë modeli biznesor dhe si do të vendosen çmimet e kredive?
Përfundimisht, ideja e BZH-së është që Qeveria të marrë përsipër më shumë rrezik për sektorin privat sesa marrin bankat private, me qëllim të krijimit të efekteve pozitive në ekonomi. Për të ditur nëse Qeveria është e gatshme t’i marrë përsipër këto rreziqe në periudhë afatgjatë, paraprakisht ka nevojë për një analizë “cost-benefit” nga një firmë profesionale dhe natyrisht një plan biznesi afatmesëm.
(Prof. ass. dr. Albulenë Kastrati është e profesoreshë në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB, anëtare e Kosovo United States Alumni (KUSA) dhe kryeredaktore në Blogun Macro Chats)