OpEd

A janë zgjedhjet afër?

Pse muaji maj i këtij viti mund të jetë muaj zgjedhor

-1-

Nëse e drejta e spekulimit vjen me kënaqësinë e shëtitjes nëpër imagjinatë, sado që kjo imagjinatë s’ka fije lidhjeje me probabilitetet politike, që ndodhin rëndom nëpër botë, atëherë spekulimi im do të rrëshqiste në zgjedhje - të parakohshme. Në maj më saktësisht. Këtë maj. Këtë vit.

E shihni, koalicioni jonatyral i ndërtuar dy vjet më parë s’ka rreth vetes forcat e jashtme që i shtynë palët në jonatyralitet. Thënë saktësisht, LDK-në në konsumim të tërësishëm, ndërsa PDK-në në shpëtim. Do të kthehem më vonë te ky shpëtim.

Këto forca, të jashtme, s’janë më për disa arsye. E para, më e rëndësishmja, sepse kanë gajle e hesape të brendshme. Bashkimi Evropian, dy vjet më pas, përveçse është i ndarë e i përçarë, është dhe në periudhë zgjedhjeje. Ato në Francë fillimisht, e në Gjermani përfundimisht, do të përcaktojnë dhe fatin e betejës së mendimeve iliberale me ato liberale. Dhe, derisa beteja e mbijetesës së Perëndimit të marrë formë – nga nisja deri në përfundim – brenga për Kosovë e Ballkan do të mbetet veçse periferike.

E dyta, dhe jo më pak e rëndësishme, për politikën ndërkombëtare, që, në radhë të parë, gjendet në status-quo, ngjarjet në Ballkan, ani pse periferike, duhet të kenë një akordim të plotë. Akordimi i plotë, sipas të gjitha gjasave, do të nënkuptojë vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje mirëkuptimi. Por në dritë të akordimit, zgjedhjet presidenciale në Serbi përkthehen në pauzim të procesit dialogues me Kosovën. Mbajtja e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, vitin në vijim, do të nënkuptonte pauzim dhe për një vit shtesë të dialogut – pra, dy gjithsej. Rrjedhimisht, forcat akorduese të rajonit s’kanë asnjë motiv të shtyjnë për dy vjet një proces, që, për ta, dhe shumë kë, mbetet i paalternativë.

-2-

Mungesa e forcave detyruese për moszgjedhje ndryshon gjithë llogaritjet në Kosovë. Ta mendojmë për pak. Gjatë dy vjetëve të fundit, PDK-ja ka qenë në rikonsolidim e sipër. Ka kaluar nëpër një proces transformues, ka ndryshuar lidership, ka konsoliduar këtë lidership. Zgjedhjet lokale në Drenas, njëkohësisht, kanë treguar dhe pritjen e përgjithshme këndej, se lidershipi i ri ka vështirësi të rikuperojë pozicionin e vjetër të partisë. Megjithatë, në secilën matje e në secilën llogari, PDK-ja mbetet partia e parë në vend. Ajo nuk kalon një të tretën e votave siç kishte kaluar dikur, megjithatë rrumbullakohet sot, lehtë, pa fushatë, në një të katërtën e tyre.

Transformimi e konsolidimi i lidershipit është punë e mbaruar tani. Ka qenë i mbaruar dhe vjet. E pambaruar s’ka qenë, megjithatë, kërkesa ndërkombëtare për vazhdimësi, kërkesë që tani, siç provova të argumentoj më sipër, s’është më.

Për një PDK të parë dhe me fuqi, vazhdimi i koalicionit të tanishëm ka qenë mundim. Të mos keqkuptojmë, ky koalicion ka qenë fillimisht për ta shpëtim. Shpëtim, sepse nga një pozitë e zënë keq me VLAN, të mbetur vetëm e pa asnjë mik për bashkëqeveri, ishin kthyer mrekullisht në lojë – natyrisht me kapje. Me kapje të karriges parlamentare fillimisht, e më pas dhe të asaj kushtetuese, kishin marrë postin e kryekuvendarit. Kishin gjetur një shpëtim. Por shpëtimi nuk është gjendja në të cilën partia më e madhe në vend ka pasur qëllim të qëndrojë përherë. Partia më e madhe në vend ka pasur për qëllim pozitën më të fuqishme në vend, atë të kryeministrit. Dhe këtë pozitë e kanë veçse një hap më tej.

-3-

Në një skenar bastvënësi, PDK-ja do të kthehej nga një pozitë krejtësisht e humbur në një fron gjithëmarrës, atë të presidentit e kryekuvendarit sot, të kryeministrit nesër. Aftësia manipuluese që PDK-ja bën përballë partive kosovare, në përmasën që nga hiçgjë kthehet me të tri pozitat, është shkollë – e mbrapshtë natyrisht – për spektrin politik këndej. Për atë bastëvënësin është kalim nga dyshi në njësh.

Por manovrat politike të PDK-së nuk bëjnë risi. Risi, pra, në gjithë spekulimin tim, bën pozicioni i tyre sot dhe motivi për të thirrur zgjedhje. Tre-katër muaj më parë, kur konsolidimi i tyre kishte marrë udhë, zgjedhjet kishin mundësi formësimi nëpërmjet refuzimit të buxhetit. Prandaj dhe dilnin zërat e sekondarëve në Parlament që kundërshtonin projektbuxhetin atëherë. Refuzimi i buxhetit do të nënkuptonte zgjedhje – me automatizëm. Zërat ishin veçse testues të tolerancës për zgjedhje.

Buxheti s’ishte refuzuar jo sepse PDK-ja nuk donte zgjedhje, porse, siç dhe thashë më sipër disa herë, forcat ndërkombëtare nuk parashihnin një çakordim regjional asokohe. Tash çakordimi veçse ka ndodhur, për t’u akorduar mund të ndodhin – po pati dëshirë e me vullnet të lirë – edhe zgjedhjet këndej.

Dëshira për zgjedhje në anë të PDK-së është për disa arsye. E para, sepse janë të parët. Është e natyrshme. S’kanë asnjë arsye për të qëndruar të dytët. E dyta, dhe jo më pak e rëndësishme, sepse kanë një Gjykatë Speciale përpara. Secila nisje e punës së prokurorëve specialë do të nënkuptonte prekje të bazës votuese të PDK-së. Do të nënkuptonte humbje. Mbi të gjitha, nisja e punës së Gjykatës Speciale – dhe me të nisja e arrestimeve të para – do t’i jepte një imazh triumfues partnerit të tanishëm të koalicionit, diçka që PDK-ja s’e ka kurrë për dëshirë.

-4-

Secila llogaritje për zgjedhje të reja e konsolidim, jep rezultat të njëjtë – sa më parë. Për të qenë zgjedhjet sa më parë, duhet të ketë një arsye. Dhe, arsyeja, me ose pa vetëdije, është në ardhje e sipër. I thonë demarkacion. Matja e territorit të Kosovës i ka dhënë rrugë procedimit në Parlament. Matja, në anën tjetër, nga një komision jo fort gjithëpërfshirës e me qëndrime krejtësisht kontroverse si fund, ka dhënë plot arsye për refuzim.

Dhe nëse forcat ekuilibruese rajonale s’kërkojnë nga ne përmbajte nga zgjedhjet, nëse PDK-ja është e konsoliduar dhe e para në secilën matje e llogaritje në vend, nëse Gjykata Speciale është në prag e aktakuzat duke u shkruar, atëherë demarkacioni është gur shkelës i përkryer për zgjedhje.

Është temë populliste, e humbur kaherë në opinion. Është arsye e mjaftueshme për të gjunjëzuar partnerin në koalicion, këmbëz perfekte për zgjedhje në vend. E tëra çfarë duhet të bëhet është, sikurse në modelin e buxhetit, mosvotimi në Parlament. Mosvotimi do të nënkuptonte humbje të legjitimitetit të Qeverisë aktuale. Do të niste një betejë të brendshme, akuza për paaftësi e mungesë drejtimi – përfundimisht rrëzim të Qeverisë nga njëri anëtar i Qeverisë. Në një periudhë 45-ditore, ndoshta diku në muajin maj, do të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale.

-5-

Ç’është e vërteta, Kosova ka kohë që është në status-quo e në fushatë parazgjedhore. Ka kohë që politika parlamentare është në “auto-pilot mode”, të dalë ku të dalë. Ka kohë që përplasjet ndërpartiake brendaqeveritare kanë marrë formë. Ka kohë që përfundimi i vetëm natyral do të ishte njëmend zgjedhje. Kur s’ke numrat, kur s’ke energjitë, kur s’ke përkushtimin, shkon në zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshme mund të jenë të natyrshme. Të pritshme. Ndërsa të papritshme do të jenë skenarët ndërpartiakë. Luftërat e brendshme që do të nisin në ditën e përplasjes për zgjedhje, do të jenë histori në vete. Koalicionet parazgjedhore e sjelljet e modelit të “teorisë së lojërave” e “dilemës së të burgosurit” – në stilin që po shkoj A tek B, C do të përfundojë tek D, do të bëjnë temën e zgjedhjeve. Do të bëhet gjithçka, shumëçka ka për të qenë më ndryshe.

Por një gjë do të mbetet, me shumë gjasa, e njëjtë. Partia më e madhe në vend, do të vazhdojë kapjen e qetë. Jo sepse ka rritur vota, përkundrazi do të humbë disa, por sepse në modelin përçarës të partive rivale të saj, ajo do të arrijë të konsumojë secilën, njërën pas tjetrës, dalëngadalë. Dhe përderisa partitë e tjera të mos e shohin si rival, të vetmin rival, të vetes, demokracisë kosovare e mirëqenies sonë, do të konsumohen dhe më shumë, s’do të vlejnë gjë. Do të mbesin herë të dytat, herë të tretat. Madje, do të gëzohen dhe për këto. Por të parët s’do të dalin kurrë kështu. E po s’qenë të parët, s’vlejnë për gjë.

Dhe, sado që duket utopike, sado që duket e largët, zgjidhja e Kosovës ka vetëm një rrugë. Në bërjen e së pabëshmes dje. Në bashkimin e partive rivale të kapësve në një. E largët? Po. E pamundur? Jo.

[email protected]