Periudha paraprake trevjeçare e shënuar me udhëheqjen e LVV-së do t’ua ketë hequr iluzionet votuesve kosovarë se gjërat mund të ndryshojnë për së mbari aq lehtë. Për më tepër, qeverisja nga një parti, pavarësisht përqindjes së saj, ka dalë të jetë një mision i pamundur. Kjo do të ndikojë në rezultatet e përgjithshme zgjedhore, dhe ky ndryshim i rezultatit do të ketë ndikim edhe në atë se kush me kë do të qeverisë në Kosovë në mandatin e ardhshëm
Hapi i radhës pas takimit të paradoditshëm të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, do të jetë shpërndarja e Kuvendit të Kosovës dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme. Se do të ketë zgjedhje të parakohshme, kjo më nuk ka dilemë. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Kurti, edhe pse në prononcimin e tij pas takimit u përpoq që ta relativizojë këtë, duke thënë se zgjedhjet mund të mbahen në pranverë, vjeshtë, apo edhe zgjedhjet e rregullta në dimër.
Sipas të gjitha gjasave, do të ketë zgjedhje të parakohshme, dhe ato do të mbahen së shpejti, ndoshta brenda një muaji e gjysmë. Por cilat janë arsyet përse lideri i LVV-së dhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, e ka parë të domosdoshme të mbajë zgjedhje të parakohshme, kur ai kontrollon mbi 50% të votave në Kuvendin e Kosovës?
Përderisa gjatë tre vjetëve e ca të kaluar, LVV-ja ka qeverisur nën diktatin e numrave, duke mos përfillur partitë opozitare, diçka ka ndodhur që e ka shtyrë kryeministrin Kurti të thërrasë partitë opozitare që të merret vesh me to lidhur me, nominalisht, agjendën legjislative, por realisht, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. A e ka kuptuar kryeministri Kurti se vetëm numrat nuk mjaftojnë për të marrë vendime të vështira që ndërlidhen me dialogun me Serbinë dhe për të kaluar me sukses procedurat e nevojshme për miratimin e ligjeve vitale për Kosovën, siç janë marrëveshjet ndërkombëtare?
Sigurisht se ai nuk e ndien veten komod në të dyja rastet dhe kjo e ka shtyrë të jetë pro zgjedhjeve të parakohshme. Po të ishte komod, do të ishte mospërfillës ndaj kërkesës së PDK-së për zgjedhje të parakohshme dhe do ta shtynte mandatin e tij deri në fund. Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës tregojnë se Kurti arriti që me pajtimin për zgjedhje të parakohshme ta bindë opozitën për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Mirëpo, në këtë mes, “meritat” më të mëdha i ka PDK-ja, e cila i votoi të gjitha marrëveshjet përveç njërës, që sugjeron një partneritet të mundshëm në mes të LVV-së dhe PDK-së që mund të materializohet në një koalicion paszgjedhor.
Thirrja e takimit për të diskutuar përmbushjen e agjendës legjislative të Qeverisë është vetëm njëra prej arsyeve që kryeministri Kurti e konsideron të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Mazhoranca e kontrolluar nga LVV-ja e tij, siç kam shkruar edhe në kolumnen “Mazhoranca impotente”, e ka pasur të pamundur të realizojë agjendën legjislative të saj, sidomos në pjesën që ka të bëjë me marrëveshjet ndërkombëtare, për aprovimin e të cilave nevojiten dy të tretat e votave, apo 80 nga 120 vota sa i ka Kuvendi i Kosovës. Kjo mospërmbushje e agjendës legjislative ishte pretekst për të diskutuar modalitetet e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Arsyet e tjera që e kanë shtyrë kryeministrin Kurti të pozicionohet pro zgjedhjeve të parakohshme është presioni në rritje i bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, hapi i parë i të cilit është dërgimi i draftstatutit evropian për interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk e bën këtë dot në përfundim të mandatit të parë dhe para zgjedhjeve të reja, kurse presioni ndërkombëtar vetëm sa po rritet. Për ta bërë një hap të tillë, atij i nevojitet një rilegjitimim dhe rifillim i një mandati të dytë katërvjeçar, gjatë të cilit ai do të fillojë së zbatuari këtë pikë të Marrëveshjes së Ohrit.
Është e mundur që kryeministri Kurti do t’u ketë premtuar fuqive të mëdha se draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, por vetëm pas zgjedhjeve parlamentare në shkëmbim të futjes në agjendën e Komitetit ministror të Këshillit të Evropës të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Kjo do të ishte një lëvizje pragmatike e cila atij do t’ia siguronte dy fitore, nëse do të ishte pranuar: anëtarësimin në Këshillin e Evropës pa e dërguar draftstatutin në Gjykatën Kushtetuese, dhe rrjedhimisht, një fitore të madhe politike dhe zgjedhore. Mirëpo, kjo sipas raporteve, nuk do të ndodhë këtë javë, që do të thotë se fuqitë kryesore perëndimore kërkojnë prova konkrete para se ta aprovojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Politika ndërkombëtare e kushtëzimit është aktive dhe bashkësia ndërkombëtare nuk pranon negociata rreth kushteve të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo e bën mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme një domosdoshmëri, sepse presioni është rritur aq shumë saqë bashkësia ndërkombëtare nuk do të presë deri në shkurt kur është afati i rregullt për zgjedhjet parlamentare.
Prandaj, shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë në njërën prej seancave të radhës, kurse zgjedhjet mund të mbahen në fund të qershorit apo më së voni në fillim të korrikut. Mirëpo shtrohet pyetja çka pas zgjedhjeve? – Natyrisht, kjo së pari varet nga rezultatet e secilës parti veç e veç, përkatësisht nga rezultatet që do t’i kenë LVV-ja, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Përgjigjja e LDK-së dhe e AAK-së ndaj ftesës së kryeministrit Kurti tregon se këto parti nuk dëshirojnë të jenë pjesë e marrëveshjeve të cilat i inicion zoti Kurti. Në vend të mbështetjes për shpërndarjen e kësaj legjislature, ato kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo atij i mjafton PDK-ja që të përmbushë kriterin e dy të tretave të votave për shpërndarjen e Kuvendit, sepse bashkë me PDK-në dhe me grupin multietnik bëhen më shumë se 80 deputetë të nevojshëm për shpërndarjen e Kuvendit. Në këtë rast, një marrëveshje në mes të Kurtit dhe Krasniqit i bën realitet zgjedhjet e parakohshme. Në këtë rast, zoti Krasniqi është insistues që zgjedhjet të mbahen gjatë qershorit, kërkesë të cilën zoti Kurti nuk ka se si të mos e pranojë, sepse në atë rast mbetet pa partner me ndihmën e të cilit do të manovrojë në këtë periudhë të ndjeshme politike dhe në atë që do të pasojë pas zgjedhjeve.
Pavarësisht prej rezultatit që do ta ketë LVV-ja në zgjedhje, ajo e ka kuptuar se e ka të vështirë ta qeverisë vendin e vetme dhe me gjasë, kryeministri Kurti do të kërkojë edhe një partner koalicioni me të cilin do të qeverisë vendin me një kontroll të dy të tretave të votave në Kuvend, por edhe me një cilësi të re legjitimiteti, në të cilin përgjegjësinë për vendimet e vështira do ta ndajë me një forcë tjetër politike. Kam përshtypjen se LDK-ja veç është pozicionuar kundër një koalicioni të mundshëm qeverisës me LVV-në, kurse AAK-ja, me potencialin e saj votues nuk i siguron numrat e mjaftueshëm që i nevojiten LVV-së për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare dhe për vendime të tjera madhore. Me gjasë, Kurtit i konvenon më së shumti PDK-ja, me përqindjen e së cilës, po qe se ajo arrin ta ruajë apo edhe ta rrisë përqindjen aktuale, i siguron dy të tretat e votave dhe një legjitimitet të shtuar politik. Në këtë rast, Kosova do të kishte një koalicion me bazë të gjerë dhe një opozitë të dobësuar në numra.
Në këtë rast, interesi i PDK-së do të ishte një përparësi në tavolinën e negociatave me LVV-në, me ç’rast PDK-ja do të mund të negocionte një fuqi joproporcionale ekzekutive përmes së cilës do të mund të konsolidohej si parti në pushtet. Këtë interes sigurisht se e mbështesin liderët e saj që ndodhen në Hagë. Besoj se PDK-ja do ta kërkojë pozitën e kryeministrit, por mendoj se do të kënaqej edhe me pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe me një numër të konsiderueshëm të ministrive. Pjesëmarrja e saj në dialogun e Brukselit dhe zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe do t’ia hiqte një barrë politike kryeministrit Kurti, i cili në rast se i nevojitet, do të mund t’ia hidhte përgjegjësinë PDK-së, natyrisht, gjithmonë nëse hyjnë në koalicion qeverisës këto dy parti.
Me zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen sa më shpejt që është e mundur, Kosovës po i hapen dy mundësi të reja. E para, dalja nga ngërçi i brendshëm politik dhe pamundësia për të aprovuar legjislacionin vital dhe e dyta, dalja nga ngërçi i jashtëm me një mazhorancë të re e cila do të ketë një legjitimitet të ripërtërirë numerik dhe cilësor lidhur me vendimet që duhet të merren në kontekstin e dialogut me Serbinë. E para do të rezultojë me një stil të ndryshëm të qeverisjes në të cilin dy apo më shumë partnerë qeverisës do ta çojnë përpara agjendën legjislative të Kosovës. Kurse e dyta ka të bëjë me tejkalimin e pengesave ideologjike dhe konceptuale të cilat e kanë bllokuar LVV-në për një qasje më pragmatike në raport me faktorin ndërkombëtar. Periudha paraprake trevjeçare e shënuar me udhëheqjen e LVV-së do t’ua ketë hequr iluzionet votuesve kosovarë se gjërat mund të ndryshojnë për së mbari aq lehtë. Për më tepër, qeverisja nga një parti, pavarësisht përqindjes së saj, ka dalë të jetë një mision i pamundur. Kjo do të ndikojë në rezultatet e përgjithshme zgjedhore, dhe ky ndryshim i rezultatit do të ketë ndikim edhe në atë se kush me kë do të qeverisë në Kosovë në mandatin e ardhshëm.