Pas rizgjedhjes së kontestuar në gushtin e vitit 2020, presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko, i shpenzoi më shumë se 100 ditë duke shtypur protestat paqësore masive që ngufatën vendin e tij. Por nuk është koha të lexoni shumë dhe të druani, sepse bjellorusët vazhdimisht po përshtatin taktikat e tyre me qëllim që ta vënë në pozitë të sikletshme regjimin.
Pas marshimeve të mëdha në vjeshtë në Minsk dhe në qytete e qytezat e tjera, demonstratat u lokalizuan dhe humbën masivitetin, duke u shpërndarë në zona lokale në mbarë vendin. Hakerët e opozitës bllokuan uebfaqet qeveritare dhe sulmuan transmetuesit e mediave virtuale proqeveritare, duke ekspozuar punët e pista të pushtetit dhe brutalitetin e madh të shërbimeve të sigurisë.
Kur gazetarëve iu ndalua raportimi, gazetarët qytetarë nisën të incizonin gjithçka, duke iu demonstruar autoriteteve se nuk mund të shpresojnë se do të maskojnë kriminalitetin zyrtar. Dhe deri tani bjellorusët po bëjnë sabotim të nivelit të ulët, duke shfaqur flamurin opozitar dhe simbole të lidhura me të kudo që po munden.
Lukashenko vazhdon të mbetet në defensivë. Ai ka kërkuar që krejt grafitet anti-regjim të shlyhen dhe të ngjyrosen me t’u parë të rejat, duke luajtur lojën e maces me miun për autoritetet. Madje ka kërkuar që të hiqen edhe flamujt opozitarë që kanë ngelur poshtë liqeneve të ngrira.
Aktivitetet e vazhdueshme opozitare i kanë kushtuar Qeverisë që nuk mund t’i përballojë. Çmimet e tanishme të ulëta të naftës, mbyllja e kufijve nga Lukashenko, eksodi i të rinjve (përfshirë punëtorë me shkathtësi të avancuara teknologjie dhe të fushave tjera), rezistenca e punëtorëve të fabrikave, sanksionet prej Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, dhe pandemia COVID-19 kanë bërë që regjimi të përballet me katrahurë financiare. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë anuluar bashkëpunimin me regjimin, dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka refuzuar të ofrojë financa për regjimin bjellorus.
Si rezultat i kësaj, autoritetet kanë shtrënguar shpenzimin e rreth 1.5 miliardë dollarëve amerikane të rezervave të monedhës bjelloruse për të mbajtur vlerën e shkëmbimit të rublës dhe për të mbuluar borxhin publik. Ales Alachnovic, ekonomist i pavarur bjellorus, mendon se regjimi po shkon drejt një kolapsi të ngadalshëm ekonomik. Deri më 1 shtator, banka qendrore ende kishte rezerva në vlerë prej 7.5 miliardë dollarësh, por vetëm rreth 40 për qind dominoheshin nga monedhat e huaja.
Me vlerën këmbimore të rublës të rënë në 0.32 centë, miliarda rubla të mbajtura nga Ministria e Financave duhet të jenë të mjaftueshme për të ruajtur stabilitetin relativ për muaj me radhë. Por mandej kriza ekonomike do të përshkallëzohet dhe do të bëhet edhe më e dukshme. Dhe kështu, do të rezultojë me një valë tjetër protestash. Dhe sikurse thekson Alachnovic, deficiti buxhetor për vitin 2020 mund të shkojë në dy miliardë dollarë, dhe me gjasë të njëjtin nivel do ta arrijë edhe në vitin 2021. Lukashenkos nuk do t’i duhen vetëm katër miliardë dollarë për të mbuluar deficitin buxhetor, por edhe dy miliardë të tjera për të mbuluar deficitin tregtar.
Për ta mbijetuar dimrin, Lukashenkos do t’i duhet mbështetje masive financiare nga Rusia. Por duke ditur se regjimi nuk mund t’ia kthejë borxhin, Kremlini do të tërhiqet ose do të vendosë kushte të serta për përkrahje. Në këmbim të kësaj, Kremlini do të kërkojë një presidencë më të dobët bjelloruse dhe qasje ekonomike për oligarkët rusë dhe kompanitë shtetërore. Lukashenko nuk mund të shpresojë se mund të përmbushë këto kërkesa dhe njëherësh të ruajë pushtetin.
Nuk është sekret se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe Lukashenko përbuzin njëri-tjetrin. Për vite me radhë Lukashenko e ka mashtruar rregullisht Kremlinin duke mos mbajtur fjalën për marrëveshjet “naftë-për-sovranitet” (duke preferuar më shumë naftë për puthje). Kjo shpjegon se pse Rusia nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të shtypur protestat. Kremlini do të mund ta përpinte me lehtësi përmbysjen e Lukashenkos, sidomos nëse do të zëvendësohej prej një pasuesi miqësor me Rusinë.
Për këtë qëllim “The Insider”, gazetë e pavarur me seli në Moskë, raporton se Kremlini tashmë po formon një parti të re proruse në Bjellorusi. Me qëllimin që të përfshijë edhe figura mediatike bjelloruse, elitat në pushtet dhe zyrtarë qeveritarë në mesin e anëtarëve të saj, “Ligji i Popullit” do të jetë gati të ngrihet kundër Lukashenkos (dhe në favor të integrimit më të thellë me Rusinë).
Projekti Ligji i Popullit po drejtohet nga gjenerali rus, Vladimir Chernov, i cili ka drejtuar përpjekjet e mëhershme të Kremlinit për të neutralizuar “revolucionet me ngjyra” në ish-botën sovjetike. Chernov po punon tani për të krijuar një rrjet prej 1.200 kandidatësh të mundshëm nga parti të ndryshme opozitare. Një prej elementeve të platformës së partisë së re është thirrje për privatizim, që do të përfshinte shitjen e ndërmarrjeve më të mëdha bjelloruse oligarkëve rusë ose gjigantëve në pronësi shtetërore, si “Gazpromi”.
Chernov ka ndërmarrë nisma të ngjashme në emër të Kremlinit në Moldavi, Gjeorgji dhe Armeni, ku Rusia “lejoi” fraksione simpatike të opozitës të rrëzonin qeveritë jodemokratike. Bjellorusia është pakrahasueshëm larg më e rëndësishme për Kremlinin se këto shtete të tjera, por situata është delikate. Duke pasur parasysh përvojën e vet në Ukrainë, Rusia e di se përdorimi i forcës do të mund t’i kundërvihej me nxitje të ndjenjës së identitetit dhe solidaritetit të përbashkët në Bjellorusi.
Natyrisht, kjo tashmë ka ndodhur me bjellorusët që po përgatiten të dalin përsëri në rrugë në pranverë. Pas muajsh të kaluar duke nxjerrë mësimet nga përvoja dhe duke mbledhur fuqinë do të jenë armik i jashtëzakonshëm për shërbimet e dërrmuara të sigurisë së Lukashenkos. Në fakt, ende ka mundësi që lëvizja e pavarur opozitare të mposhtë edhe diktatorin, edhe të shmangë rënien në kurthin e Rusisë.
Është gabim të konkludohet se vetëm pse 200 mijë njerëz më nuk po demonstrojnë në Minsk çdo javë, populli bjellorus është dorëzuar. Protestat thjesht janë zhvendosur dhe kanë ndryshuar formën në dimër.
Faktori më i rëndësishëm tani janë shërbimet e sigurisë që po mbrojnë Lukashenkon. BYPOL, organizatë e punëtorëve të sigurisë, të cilët janë larguar ose që po ndihmojnë opozitën derisa po punojnë për regjimin, po publikon gjithnjë e më shumë materiale, duke dokumentuar një thyerje disipline dhe morali brenda OMON-it (njësiti policor i trazirave), milicive të lidhura me shtetin dhe forcave speciale.
Gjithnjë e më shumë “siloviki”(elitat shtetërore) po largohen, dhe ata që po rrinë nuk po e bëjnë për shkak të bindjes. Regjimi duket se po vdes përbrenda.
(Autori, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe bashkëpunëtor senior në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme. Opinioni është botuar në rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)