Diplomacia është një mjet i sigurisë kombëtare që duhet përdorur, nuk është favor që duhet dhuruar dhe do të duhet vazhduar që të ndiqet me Rusinë. Takimet private midis zyrtarëve të lartë civilë dhe ushtarakë të vendeve perëndimore dhe Rusisë duhet të vazhdojnë, me qëllim që të zvogëlohet rreziku i kalkulimit të gabuar që mund të shpjerë në konfrontim apo edhe më keq, dhe që të eksplorohen mundësitë për bashkëpunim të kufizuar
Pas më shumë se dy muajve të fokusit intensiv të medias mbi luftën në Ukrainë, një histori u anashkalua fort. Në fund të prillit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kryen shkëmbimin e të burgosurve. Rusia liroi një amerikan (ish-marins), të cilin e ndaloi rreth tre vjet më parë, ndërsa SHBA-ja e liroi një pilot rus, të burgosur mbi një dekadë më parë, nën akuza të kontrabandës së drogës.
Ajo që e bën të rëndësishëm këtë shkëmbim është se ndodhi në kohën kur pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia i ka sjellë marrëdhëniet me SHBA-në në pikën më të ulët që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. SHBA-ja ka zgjedhur të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake në luftë, por po bën shumë për të ndikuar në trajektoren e saj, nëpërmjet ndihmës për Ukrainën me sasi të mëdha armësh, inteligjence dhe trajnimi gjithnjë e më të avancuar, ashtu që të mund t'i rezistojë me sukses dhe t’i mundë potencialisht forcat ruse. SHBA-ja ka ndërmarrë gjithashtu hapa për ta forcuar NATO-n dhe për të vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.
Lufta ka të ngjarë që të zgjasë për goxha kohë. Ndonëse interesi themelor i Ukrainës është që t'i japë fund luftës dhe të parandalojë vdekjet dhe shkatërrimet më të shumta, dëshira e presidentit Volodymyr Zelensky për paqe është e kushtëzuar. Ai kërkon të rimarrë territorin që Rusia e ka pushtuar dhe ta sigurojë respektimin e sovranitetit të vendit ashtu që, mes tjerash, Ukraina të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ai njashtu dëshiron që të gjithë përgjegjësit për krime të luftës të japin llogari.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nga ana tjetër, duhet që të arrijë një rezultat, i cili e justifikon pushtimin e tij të kushtueshëm në mënyrë që të mos duket i dobët dhe që të mos sfidohet përbrenda. Ka pak gjasa që të mund të negociohet një paqe që do të mbyllte hendekun midis këtyre dy pozicioneve qartësisht të papajtueshme. Ka shumë më tepër të ngjarë që konflikti të vazhdojë jo vetëm për muaj, por edhe për vitet në vijim. Ky do të jetë sfondi për marrëdhëniet e SHBA-së dhe të Perëndimit me Rusinë.
Një mundësi për Perëndimin do të ishte ndërlidhja e gjithë marrëdhënies me Rusinë me veprimet e Rusisë në Ukrainë. Kjo, megjithëkëtë, do të ishte e gabuar, ngase Rusia mund të ndikojë në interesat e tjera perëndimore, siç është kufizimi i aftësive bërthamore dhe raketore të Iranit dhe të Koresë së Veriut, si dhe suksesi i përpjekjeve globale për t’i kufizuar emetimet që i shkaktojnë ndryshimet klimatike.
Lajm i mirë është se, ashtu sikurse e demonstron shkëmbimi i të burgosurve, dallimet e theksuara rreth Ukrainës nuk duhet ta përjashtojnë kryerjen e bizneseve reciprokisht të dobishme, po qe se të dyja palët janë të gatshme për ndarje. Mirëpo mbrojtja e mundësisë së bashkëpunimit selektiv do të kërkojë diplomaci të sofistikuar dhe të disiplinuar.
Për ata që nuk e dinë, SHBA-ja dhe partnerët e saj do të duhet t'i japin përparësi dhe madje t’i kufizojnë synimet e tyre në Ukrainë. Kjo e nënkupton heqjen dorë prej bisedës për ndryshimin e regjimit në Moskë. Ne duhet që të merremi me Rusinë që e kemi, e jo me atë që do ta parapëlqenim. Qëndrimi i Putinit mund të sfidohet përbrenda (apo ai mund t'u dorëzohet sfidave të raportuara shëndetësore), por Perëndimi nuk është në pozitë që ta projektojë largimin e tij, e aq më pak që të sigurojë që dikush më i mirë ta zëvendësojë atë.
Njashtu, qeveritë perëndimore do të tregoheshin të mençura që t’i mënjanonin bisedimet për tribunale të krimeve të luftës për zyrtarët e lartë rusë dhe të ndalojnë kapardisjen për ndihmën ofruar Ukrainës për t’i shënjestruar gjeneralët dhe anijet ruse. Lufta dhe hetimet janë në vazhdim e sipër, dhe rusët duhet që t’i shohin disa përfitime nga të vepruarit me përgjegjësi. E njëjta vlen edhe për reparacionet.
Kësisoj, ndonëse Rusia sipas të gjitha gjasave do të gjendet në një pozitë më të keqe ekonomikisht dhe ushtarakisht si rezultat i nisjes së kësaj lufte, administrata amerikane duhet të bëjë të qartë se, në kundërshtim me komentet e sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin, synimi i Amerikës nuk është që ta përdorë luftën për ta dobësuar Rusinë. Përkundrazi, SHBA-ja duhet të nënvizojë se synon që lufta të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, me kushtet që e pasqyrojnë statusin sovran dhe të pavarur të Ukrainës.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Perëndimi duhet të vazhdojë që t’i ofrojë mbështetje Ukrainës dhe ta parandalojë përshkallëzimin, duke i shmangur luftimet e drejtpërdrejta. Kremlini, megjithëkëtë, duhet të nxitet që të kuptojë se ky shtrëngim ka për qëllim moszgjerimin e luftës në një vend të NATO-s apo prezantimin e armëve për asgjësim në masë, në të cilën pikë kufizimet e këtilla të vetëimponuara perëndimore do të zhdukeshin.
Perëndimi gjithashtu duhet që t’i shqyrtojë me kujdes synimet e veta të luftës dhe se si t’i ndjekë ato. Synimi duhet të jetë që Ukraina ta kontrollojë të gjithë territorin e saj, por kjo jo domosdoshmërisht e justifikon përpjekjen për t’i çliruar Krimenë apo edhe të gjithë rajonin lindor të Donbasit, me forcë ushtarake. Disa prej këtyre qëllimeve mund më mirë të arrihen nëpërmjet diplomacisë dhe të lehtësimit selektiv të sanksioneve. Por përderisa sjellja e Rusisë të mos ndryshojë, sanksionet jo vetëm që duhet të mbeten në fuqi, por edhe të zgjerohen për të mbuluar importet e energjisë që po e financojnë përpjekjen ruse të luftës.
Diplomacia është një mjet i sigurisë kombëtare që duhet përdorur, nuk është favor që duhet dhuruar dhe do të duhet vazhduar që të ndiqet me Rusinë. Takimet private midis zyrtarëve të lartë civilë dhe ushtarakë të vendeve perëndimore dhe Rusisë duhet të vazhdojnë, me qëllim që të zvogëlohet rreziku i kalkulimit të gabuar që mund të shpjerë në konfrontim apo edhe më keq, dhe që të eksplorohen mundësitë për bashkëpunim të kufizuar.
Mund të ndodhë që marrëdhëniet konstruktive me Rusinë të mos krijohen krejt deri në epokën e pas Putinit. Por kjo në asnjë mënyrë nuk e ndryshon interesin e Perëndimit që këto marrëdhënie të mos bien përkohësisht poshtë një niveli të caktuar.
(Richard Haass është kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)