Sfida që buron nga e djathta ekstreme duhet të përballet në dhomën e votimit, e jo në stolin e gjyqtarit. Fitorja ndaj AfD-së që sigurohet nëpërmjet një ndalese ligjore do të ishte disfatë morale dhe politike
Zbulimi i kohëmëparshëm se politikanë të partisë së të djathtës ekstreme të Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), u takuan gjatë nëntorit të shkuar me aktivistë të ekstremit të djathtë për ta diskutuar komplotin ekstremist të “riemigracionit”, nxiti debat rreth ndalimit të këtij subjekti në ngritje të ethshme.
Takimi klandestin, i mbajtur në një hotel buzë liqeni afër Potsdamit, siç raportohet, e pati në epiqendër mundësinë e deportimit masiv të jogjermanëve, po qe se e djathta ekstreme vjen në pushtet.
Të alarmuar nga plani tmerrues, liderë nga i gjithë spektri politik, intelektualë politikë dhe komentues me ndikim tani argumentojnë se mbyllja e AfD-së është e domosdoshme për mbrojtjen e demokracisë gjermane.
Mbështetja popullore në rritje për AfD-në vetëm sa e ka rritur ndjenjën e urgjencës, veçanërisht tani kur zgjedhjet rajonale në tri shtete lindore të Gjermanisë – epiqendra të partisë – janë caktuar që të mbahen më vonë gjatë këtij viti. Së fundi, AfD-ja u ofroi mbështetje të plotë protestave të bujqve kundër shkurtimeve të premtuara në subvencione, duke i ngritur shqetësimet se partia mund ta shfrytëzojë situatën shpërthyese për përfitime politike.
Tani, pothuajse gjysma e publikut gjerman e favorizon ndalimin e AfD-së. Dhe me qindra mijëra gjermanë morën pjesë në protestat kundër partisë, ditëve të fundit. Për më tepër, një peticion online që i bën thirrje Qeverisë që t’ia revokojë Björn Höckesit, liderit famëkeq të AfD-së në shtetin e Thuringias, të drejtat civile dhe politike – një propozim ky përnjëmend i pashembullt në historinë e pasluftës të Gjermanisë – mblodhi më shumë se një milion e gjysmë nënshkrime. Por tentimi për ta shpallur të jashtëligjshme partinë e dytë më popullore në vend do të ishte i diskutueshëm në aspektin demokratik dhe do të ngërthente njashtu edhe pasoja të papritura – dhe potencialisht të gjera – negative.
Sa për dijeni, procedura për ndalimin e grupeve politike që synojnë ta minojnë apo ta zhbëjnë sistemin demokratik është mjaft e drejtpërdrejtë. Gjykata Kushtetuese vendos nëse ta mbyllë apo jo një parti, pasi ta pranojë një kërkesë zyrtare nga qeveria federale, parlamenti federal apo dhoma e dytë e Parlamentit të Gjermanisë, Bundesrati, i cili i përfaqëson shtetet federale.
Por Gjykata ka vendosur një prag të lartë për përjashtim politik, siç është demonstruar me tentimet e mëhershme për shpërbërjen e partive. Më 2017, ajo e refuzoi aplikimin për shpalljen të jashtëligjshme të Partisë Kombëtare Demokratike me qëndrime neonaziste (NPD), me gjithë agjendën tejet raciste dhe antidemokratike të grupit. Në fakt, Gjykata të fundit herë e zbatoi këtë mekanizëm më 1956, në kohën e Luftës së Ftohtë, kur e ndaloi Partinë Komuniste të Gjermanisë (KPD).
Ky precedent sugjeron se inicimi i një rasti gjyqësor kundër AfD-së do të ishte asgjë më tepër sesa një formalitet dhe, ç’është më e rëndësishmja, do të mund të kthehej fare lehtë në një fiasko politike. Duke e pasur parasysh popullaritetin e AfD-së, edhe kërkesa adresuar Gjykatës për ndalimin e partisë do të perceptohej gjerësisht si një dredhi taktike e partive të establishmentit për ta eliminuar një konkurrent përherë e më të fortë, duke e fuqizuar kësisoj argumentin e së djathtës ekstreme se sistemi është i montuar. Nëse kjo përpjekje në fund dështon, kauza e AfD-së do të fuqizohet e jo të dobësohet.
Për më tepër, procedurat në Gjykatën Kushtetuese pashmangshëm do të ecnin ngadalë – rasti kundër NPD-së zgjati më tepër se tre vjet – dhe vendimi do të nxirrej shumë kohë pasi që vala në ardhje e zgjedhjeve të kalonte. Por përderisa çdo përfitim i mundshëm nga tentim-ndalimi i AfD-së qëndron tek e ardhmja, reperkusionet negative të gjithë kësaj do të ndiheshin menjëherë. Në shumë mënyra, madje edhe diskutimi i një veprimi ligjor kundër AfD-së vetëm sa i jep më shumë municion një partie që lulëzon mbi ndjenjën e viktimizimit.
Edhe në rast të ndalimit të pangjashëm të AfD-së, vetëm partia do të zhdukej; mbështetësit e saj – dhe ankesat e tyre – do të mbeteshin. Nuk ka gjë që do t’i ndalonte anëtarët e AfD-së që ta krijonin një parti të re të së djathtës ekstreme – të një alternative për Alternativën.
Është koha që të kuptohet se luftimi i populizmit me aktivizëm ligjor nuk do të funksionojë dhe mund madje ta përkeqësojë problemin. Sfida nga e djathta ekstreme duhet të konfrontohet politikisht, me zgjidhje që i adresojnë shkaqet rrënjësore të pakënaqësisë: çmimet e larta të energjisë elektrike, rritja e stagnuar ekonomike, shkalla përherë e lartë e emigracionit të brendshëm dhe integrimi i dështuar i të porsaardhurve.
Është e qartë, demokracitë liberale duhet të jenë vigjilente – dhe e kanë sa obligim ashtu edhe të drejtë që të kundërpërgjigjen, qoftë në gjykata apo edhe në sallën e Bundestagut. Por tentimi për të ndaluar një konkurrent politik është anashkalim i faktit shqetësues se votuesit e pakënaqur kanë të drejtë legjitime për të shprehur ankesat e tyre. Vlerat demokratike nuk mund të mbrohen nëpërmjet cungimit të lirive demokratike.
Sfida që buron nga e djathta ekstreme duhet të përballet në dhomën e votimit, e jo në stolin e gjyqtarit. Fitorja ndaj AfD-së që sigurohet nëpërmjet një ndalese ligjore do të ishte disfatë morale dhe politike.
(Michael Bröning, i cili është autor i librit “Von Ende der Freiheit”, shërben si komisionar për Vlerat Themelore në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).