OpEd

A duhet shfrytëzuar imazhi i keq i shqiptarit?!

Francës, Danimarkës, Holandës nuk ia dalim dot në paragjykimet e tyre, por aman kemi një mundësi që në vend të humorit të zi, që kemi bërë deri tani, të luajmë e të shfrytëzojmë shumë imazhin e “Ne” të këqijve, pasi vetëm kështu mund ta zbresim e ta relativizojmë përfytyrimin e shqiptarit të keq, atë që Makron dhe shumë në Evropë e kanë të rrënjosur thellë në mentalitetin e tyre përjashtues.

Dikur në muret e një universiteti të huaj shkruhej diçka që lidhej me cilësinë e kanabisit të Cakranit. Do të ishte i bekuar ai që e gjente!! Koha do të provonte që jo vetëm aty, por Shqipëria do të mbillej kudo me kanabis. 

Sapo lajmi mori formë ndërkombëtare, Shqipëria do të kthehej në një simbolikë për kanabisin… Dhe, imazhin e keq, që shoqëronte djemtë e fortë së të keqes, që vëzhgonin për të dhe që mbollën ngado në vend dhe nëpër botë viktima. 

Buxheti i Ministrisë sonë të Kulturës është një nga më të voglit syresh, krahasuar me dikasteret e tjera. Kur dëgjon agjendën dhe angazhimin e znj. Margariti, gjuhën e drunjtë të shefes së Ministrisë së Kulturës, ndien vërtet keqardhje, pikërisht prej mosdijes, por më shumë mosndjesisë së saj ndaj këtij imazhi. 

Por a mundet ajo të ndryshojë diçka?! Është afërmendsh që jo. Me staturën dhe anonimatin, ajo nuk mund të bëjë dot asgjë, përveçse të bëhet e vetëdijshme. Më shumë akoma tashmë që e xhirojnë një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, ku ajo me këtë staturë kuptohet se nuk i frenon dot. 

Ndaj zonja thjesht lexon fjalime dhe udhëton… Në fakt argumenti shkon për mungesën e strategjisë për të përballur imazhin e shqiptarit të keq, që fryhet jo pak nga të huajt (brenda dhe jashtë vendit), por edhe nga vetë shqiptarët për argument politik. 

Vetëm në Shqipëri e sheh këtë ngazëllim për bllokimin e hapjes së negociatave. Problemi është se imazhi i shqiptarit të keq është gjithnjë e më shpesh në filma të huaj, me audienca shumë masive dhe që përcjellin disi perceptimin e huaj për ne. Të gjithë flasin për shqiptarin e keq, por pak u bën përshtypje autoriteteve tona se shqiptari “i keq” tashmë është i fuqizuar dhe ka qytetari të denjë dhe bash ndërkombëtare me kriminelët e mëdhenj, që janë pjesë të vendeve që kontribuuan në imazhin tonë. Ky është shqetësim, por më i madh është se pse nuk mund ta zbusim disi. 

Në filmin “Taken” apo në “Dead man down”, në shumë filma të vendeve fqinje, shqiptarët janë portretizuar si burrat e këqij, që bëjnë ligjin e së keqes. Portretizohen të tillë dhe me një përgatitje kaq speciale saqë të duket se edhe MAFIA e ul kokën para tyre! Shqiptarët që luftuan krahas ISIS-it, ata që e mbysin Evropën me drogë, tutorët e egër, i has shpesh me fytyrat e vrazhda dhe pa asnjë shprehje paqësie në filma me buxhete bajagi të mëdha. Kjo është përpjekja që i duhet tashmë Ministrisë së Kulturës, të paktën të ndihë Turizmin, duke e përdorur këtë imazh në shembujt e kundërt. Italianët na dhanë një shembull me filmin “Benvenuti al Sud” për të hequr të gjitha stigmat e dallimeve, por edhe të Italisë problematike me filmin e zgjedhur. 

Dikasterit tonë të Kulturës i duhet jo thjesht të prodhojë imazh dhe të bëjë politika imazhi, por edhe “të ndihë” imazhin e keq dhe fals të shqiptarit në dobi të turizmit. Pra veçmas përmirësimit dhe ta përdorë…! Francës, Danimarkës, Holandës nuk ia dalim dot në paragjykimet e tyre, por aman kemi një mundësi që në vend të humorit të zi, që kemi bërë deri tani, të luajmë e ta shfrytëzojmë shumë imazhin e “Ne” të këqijve, pasi vetëm kështu mund ta zbresim e ta relativizojmë përfytyrimin e shqiptarit të keq, atë që Makron dhe shumë në Evropë e kanë të rrënjosur thellë në mentalitetin e tyre përjashtues. 

Por për këtë Margariti dhe bashkëpunëtorët e saj duhet të punojnë dyfish për të rritur buxhetin e më tepër se kaq të mendojnë se si ta kthejnë imazhin e keq në përfitim. (Homo Albanicus)