OpEd

A duhet Evropa të ndalojë së paguari për luftën e Putinit?

Imperativi moral i ndaljes së pagesës së parave të përgjakura për Rusinë është njashtu një mundësi që vendet evropiane t’i përmbushin zotimet e tyre, të marra në Rio de Janeiro më 1992, për t’i parandaluar ndryshimet e rrezikshme antro-pogjene klimatike. Lesia Vasylenko, shefe e nënkomitetit për klimë në Parlamentin ukrainas, ka sugjeruar se industritë e shkatërruara të Ukrainës duhet të rindërtohen me teknologji të reja për të funksionuar me energji të pastër. Bashkimi Evropian tani e ka një arsye shtesë për ta përshpejtuar kalendarin e përmbushjes së synimit të saj për ta bërë Evropën të parin kontinent neutral për klimën

A është e drejtë që vendet evropiane të vazhdojnë t'ia paguajnë Rusisë 1 miliard euro në ditë për energjinë, kurse e dinë se janë duke e financuar luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës?

Muajin e shkuar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendet evropiane që përparojnë nga energjia ruse “po i fitojnë paratë e tyre me gjakun e njerëzve të tjerë”. Rusia nuk kishte nevojë që t'i merrte seriozisht bisedimet e paqes, sugjeroi ai, për shkak të miliardave që i merr për eksportet e saja të naftës dhe të gazit. Mikhail Khodorkovsky, ish-shefi ekzekutiv i kompanisë ruse të naftës “Yukos”, tani në mërgim, i tha BBC-së se embargoja ndaj naftës dhe gazit rus do të ishte një goditje serioze për presidentin Vladimir Putin, duke e shtyrë që “të humbasë mbi gjysmën e të ardhurave të tij”.

Megjithëkëtë, asnjë ndërprerje e menjëhershme nuk është marrë në konsideratë. Komisioneri për Ekonomi i Bashkimit Evropian, Paolo Gentiloni, tha vetëm se BE-ja do ta reduktojë varësinë e saj nga nafta dhe gazi rus për dy të tretat deri në fund të vitit, dhe deri në nivelin zero, deri në vitin 2027. Dhe përderisa Gjermania, blerësja më e madhe evropiane e energjisë ruse, e ka zhvendosur afatin e saj fillestar deri në fund të vitit për heqjen dorë nga importet e naftës deri në fund të kësaj vere, derisa importet e gazit vazhdojnë, kjo datë mund të jetë ende tepër e vonshme për ta ndihmuar Ukrainën.

Në Poloni, ku janë duke gjetur strehim aktualisht pothuajse tre milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, qeveria llomotiti, fillimisht duke kërkuar një embargo evropiane ndaj naftës dhe gazit rus, e më pas duke votuar kundër saj. Ata u shpëtuan nga hipokrizia vetëm pasi që Rusia ia ndërpreu njëanshëm furnizimet si Polonisë ashtu edhe Bullgarisë, për shkak se janë “jomiqësore” dhe kanë refuzuar që të paguajnë për gazin me rubla. Këto vende tani e kanë shansin që t'i tregojnë pjesës tjetër të Evropës se jeta mund të vazhdojë edhe pa gazin rus.

Sa dhimbje do të ishin të gatshëm evropianët që t’i pranonin? “Wall Street Journal” ka cituar kohëve të fundit Giovanni Staunovon, një analist mallrash në UBS Group AG: “Sanksionimi i plotë i naftës ruse nga Bashkimi Evropian do të ishte sikur të thuash se nesër ia ulni vetes pagën për 40 për qind dhe se duhet të vazhdoni që të jetoni sikur asgjë të mos ketë ndodhur”.

Por pse evropianët do të duhet të vazhdonin që të jetonin sikurse asgjë nuk ka ndodhur? Rusia e pushtoi Ukrainën, duke shkaktuar që 11 milionë njerëz t’i braktisin shtëpitë e tyre, përfshirë pesë milionë syresh që ikën në vende të tjera. Më shumë se gjysmë milioni ukrainas mund të jenë dëbuar forcërisht në Rusi. Mariupoli, që jo shumë kohë më parë ishte një qytet paqësor me popullsi prej më shumë se 400.000 banorësh, është shkatërruar krejtësisht dhe shumë qytete të tjera janë dëmtuar rëndë. Me mijëra, mbase dhjetëra mijëra njerëz, si civilë ashtu edhe pjesëtarë të forcave të armatosura të Ukrainës që po e mbrojnë vendin e tyre, janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur. Ka prova të forta se ushtarët rusë kanë kryer krime të luftës, duke përfshirë vrasjet, torturat dhe përdhunimet.

Vendet evropiane mund t'i jenë përgjigjur shkeljes së qartë të Kartës së Kombeve të Bashkuara nga Rusia, duke i shpallur luftë Rusisë dhe duke i përdorur vetë forcat e tyre të armatosura për ta ndihmuar Ukrainën në rezistencën e saj. Në vend të kësaj, ata e rrokën një shteg më pak të rrezikshëm të vendosjes së sanksioneve ekonomike dhe të dërgimit të armëve në Ukrainë. Të konsideruarit e sanksioneve si një alternativë për veprimin ushtarak i vë në perspektivë sakrificat, që është e arsyeshme të priten prej atyre që e paguajnë Rusinë për energjinë që e përdorin. Nëse ndërprerja e përdorimit të energjisë ruse nënkupton vështirësi ekonomike, atëherë a është përnjëmend shumë që kjo të kërkohet?

Për më tepër, sakrifica nuk do të ishte thjesht altruiste. Lufta në Ukrainë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Një komandant ushtarak rus tha së fundi se “kontrolli mbi jugun e Ukrainës është një tjetër rrugëdalje për në Transnistri, ku njashtu ka fakte për shtypjen e popullatës rusishtfolëse”. Transnistria është një rajon separatist i Moldavisë. Të këtilla “fakte të supozuara të shtypjes” së rusishtfolësve ishin, natyrisht, preteksti për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ato mund të pretendohen edhe në disa vende të tjera që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe kanë rusishtfolës mes popullsive të tyre. Ukraina është prandaj vija e parë e rezistencës ndaj synimit të Putinit për ta rivendosur dominimin rus mbi rajonet e dominuara nga Bashkimi Sovjetik dhe, para kësaj, nga carët rusë.

Nëse ukrainasit thjesht do t’i dorëzonin armët e tyre kundruall forcave pushtuese ruse dukshëm më të shumta, siç Putini duket se kishte pritur, atëherë Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia do të duhej të frikësoheshin për sigurinë e tyre. Dhe ngase që të gjitha janë anëtare të NATO-s, barra për mbrojtjen e tyre do t’u binte të gjitha anëtareve të aleancës. Për qytetarët e shteteve që janë anëtare të NATO-s, ndërmarrja e të gjithë hapave të mundshëm, përveç luftës së gjithanshme, për të garantuar që Rusia të mos e pushtojë Ukrainën nuk është madje as një sakrificë altruiste. Është një investim afatgjatë, për veten dhe për fëmijët e tyre, për lirinë, demokracinë dhe sundimin ndërkombëtar të së drejtës.

Imperativi moral i ndaljes së pagesës së parave të përgjakura për Rusinë është njashtu një mundësi që vendet evropiane t’i përmbushin zotimet e tyre, të marra në Rio de Janeiro më 1992, për t’i parandaluar ndryshimet e rrezikshme antro-pogjene klimatike.

Lesia Vasylenko, shefe e nënkomitetit për klimë në Parlamentin ukrainas, ka sugjeruar se industritë e shkatërruara të Ukrainës duhet të rindërtohen me teknologji të reja për të funksionuar me energji të pastër. Bashkimi Evropian tani e ka një arsye shtesë për ta përshpejtuar kalendarin e përmbushjes së synimit të saj për ta bërë Evropën të parin kontinent neutral për klimën.

(Peter Singer, profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit, është themeluesi i organizatës bamirëse “The Life You Can Save”. Librat e tij më të fundit janë “Practical Ethics, “The Life You Can Save”, “One World Now” dhe “Ethics in the Real World”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).