Me përjashtim të një ndryshimi dramatik, siç është hapja e Konventës Kombëtare Demokratike në gusht që e prodhon një të nominuar më dinamik presidencial sesa Bideni, gjasat elektorale të partisë thjesht janë bërë më të zbehta
A mundet një tentativë për vrasje t’i përmirësojë gjasat e një kandidati për të fituar zgjedhje? Përvoja e Tajvanit sugjeron se mundet.
Gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2004-s, sondazhet tregonin se presidenti i atëhershëm Chen Shui-bian ngecte prapa kundërshtarit, kandidatit të Partisë Nacionaliste (Kupmintang), Lien Chan. Por gjithçka ndryshoi vrullshëm një ditë para zgjedhjeve, kur Chen dhe nënpresidentja e tij, Annette Lu, u qëlluan gjatë një tubimi elektoral.
Nga dy të shtënat e shkrepura, njëra e shqeu abdomenin e Chenit, derisa tjetra e qëlloi Lunë në gju. Këto lëndime relativisht të vogla nxitën spekulime të kudopërhapur se sulmi është inskenuar që të gjenerojë simpati për Chenin, i cili me ngulm e kundërshtoi një komplot të këtillë.
Të nesërmen Cheni i fitoi zgjedhjet me epërsi të ngushtë prej 0.25 për qind. Duke e pasur parasysh këtë fitore të papritur dhe të ngushtë, besohet gjerësisht se tentimi për vrasje i ktheu zgjedhjet në favor të Chenit.
Përderisa sulmuesi nuk është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe as nuk është parë nga pjesëmarrësit e tjerë të tubimit – shkaku i fishekzjarrëve të zëshëm që e maskuan jehonën e të shtënave nga arma e zjarrit – ai më vonë është identifikuar si Chen Yi-hsiung, punëtor i pensionuar ndërtimtarie që supozohet se kreu vetëvrasje duke u mbytur përpara se policia të mund ta arrestonte. Vrasësi i pretenduar raportohet se e la një letër vetëvrasjeje që supozohet se i shpërfaqte motivet e tij, porse familjarët e tij supozohet se e dogjën atë përpara se të mund të lexohej nga kushdo tjetër.
Rrethanat ndërlidhur me vdekjen e vrasësit e forcuan dyshimin se tentativa për vrasje është inskenuar. Përderisa një hetim pasues, i kryer nga eksperti kinezo-amerikan i mjekësisë ligjore, Henry Lee, konfirmoi se lëndimi abdominal i Chenit është shkaktuar nga një e shtënë e armës, ekzaminimi i plumbit të gjetur në rrobat e Chenit sugjeroi se arma është ndryshuar, ashtu që fisheku të ketë ndikim të paktë.
Si rrjedhojë, Lee konstatoi se sulmuesi nuk e pati për synim vrasjen e Chenit.
Autoritetet tajvaneze e cituan hetimin e Leesë si dëshmi që Chen dhe Lu janë qëlluar me plumba të vërtetë arme porse e anashkaluan gjetjen e tij për fishekun me ndikim të paktë. Ndërkohë, ata që besonin se tentativa e vrasjes është inskenuar, e panë konstatimin e Leesë si konfirmim. Çuditërisht, arma nuk është gjetur kurrë.
Fitorja e papritur e Chenit sugjeron se tentativa për vrasjen e Donald Trumpit mund ta rrisë mundësinë e fitores së tij në zgjedhjet e nëntorit. Nuk duhet qenë i përfshirë në qarqet politike për të paraparë se Partia Republikane do të përpiqet që ta shfrytëzojë sulmin për fuqizimin e mbështetjes për Trumpin dhe për republikanët në ngecje.
Përderisa disa hollësi janë ende të mjegullta, sulmuesi është identifikuar si një 20-vjeçar i regjistruar si republikan, i cili, i armatosur me një revole të tipit AR-15, e vrau një kalimtar të rastit dhe i lëndoi rëndë dy të tjerë para se të vritej nga një snajper i Shërbimit Sekret. Trumpi, megjithëse i pati faqen dhe veshin e djathtë të përgjakur, duket se nuk pësoi lëndime serioze.
Menjëherë pas sulmit, platforma të mediave sociale u vërshuan nga teoritë konspirative që pretendonin se sulmuesi punonte për Partinë Demokratike, për Kinën, Hamasin apo për emigrantët ilegalë. Përfaqësuesi republikan, Mike Collins, pretendoi se presidenti amerikan, Joe Biden, qëndron prapa tentativës për vrasje, duke postuar në X se “Joe Bideni i dha urdhrat”. Ndërkohë të tjerët insistuan se sulmi është i inskenuar. Vorbulla e thashethemeve dhe e dezinformatave nuk pritet të fashitet para nëntorit.
Pyetja e madhe është nëse sulmi do të hapë rrugën për fitoren e Trumpit. Siç tregon përvoja e Chenit, një tentativë për vrasje mund të ketë avantazhe politike. Por teksa kanë mbetur edhe katër muaj deri në zgjedhjet amerikane, ndikimi mund të jetë më pak domethënës sesa që e presin shumica. Kujtimi për incidentin mund të mjegullohet nga ngjarjet e tjera apo mund të ketë edhe ndikim të kundërt, me votuesit amerikanë që e fajësojnë Trumpin se po u frynë flakëve të dhunës politike.
Por ka më shumë gjasa që sulmi t’i sjellë përfitime Trumpit. Tendenca e votuesve të shumtë për të dhënë vota simpatie sugjeron se ata mund t’i prioritizojnë çështjet që i kanë më të lehta për t’i kuptuar kundruall atyre më të ndërlikuara që mund të dëshmohen si më rrjedhimore në aspektin afatgjatë. Përderisa “Bideni është tepër i moshuar” është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë ndërsa “Trumpi hëngri fishekë për ne” është lehtë i kuptueshëm, “tarifat e Trumpit dhe të Bidenit janë të këqija për amvisëritë dhe kompanitë amerikane”, është një argument më i nuancuar që kërkon sado pak njohuri mbi politikat ekonomike.
Duke e pasur parasysh këtë realitet, demokratët ballafaqohen me një sfidë të frikshme. Është vështirë të merret me mend që efekti Chen Shui-bian nuk funksionon në favor të Trumpit, sidomos pasi Trumpi veçse prin para Bidenit në shumicën e sondazheve, si në aspektin e gjerë kombëtar ashtu edhe në shumë shtete vendimtare. Me përjashtim të një ndryshimi dramatik, siç është hapja e Konventës Kombëtare Demokratike në gusht, që e prodhon një të nominuar më dinamik presidencial sesa Bideni, gjasat elektorale të partisë thjesht janë bërë më të zbehta.
(Shang-Jin Wei, ish-ekonomisti kryesor i Bankës Aziatike për Zhvillim, është profesor i Financave dhe i Ekonomisë në Shkollën e Biznesit të Columbias dhe i Shkollës së Universitetit Columbia për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe me Publikun. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).