Përdorimi i fundit i armëve kimike nuk ka qenë i kufizuar në Siri. Agjenti nervor, Novichok, u përdor për të helmuar ish-agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal, dhe të bijën e tij, Yulia, më 2018 në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu si edhe kundërshtarin e Kremlinit, Alexei Navalny, më 2020 në Rusi. Në vitin 2017, vëllai nga babai i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong, u vra me VX - një tjetër agjent nervor - në Aeroportin e Kuala Lumpurit
Rusia ka pretenduar, pa asnjë provë, se SHBA-ja ka në Ukrainë laboratorë të luftës biologjike. Zyrtarët amerikanë i hodhën poshtë akuzat si “të pahijshme” dhe - së bashku me liderët e NATO-s - paralajmëruan se Kremlini mund ta ketë synim shfrytëzimin e këtij pretendimi si pretekst për përdorimin e armëve kimike ose biologjike, në sulmin ushtarak kundër ish-fqinjit sovjetik. Ukraina ka thënë më parë se, si shumë vende të tjera, ka laboratorë të institutit të shëndetit publik, të dedikuara për të hulumtuar se si të zbuten kërcënimet e sëmundjeve të rrezikshme, që prekin kafshët dhe njerëzit.
Më 11 mars, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u takua me kërkesë të Rusisë për ta adresuar çështjen, por Rusia përsëri nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë provë të besueshme për pretendimet e saj. Sekretariati i OKB-së i njoftoi anëtarët e KS të OKB-së mbi Konventën e Armëve Biologjike të vitit 1975 dhe iu referua mundësisë së përdorimit të një mekanizmi konsultimi, kur ka dyshime për pajtueshmërinë.
Në këto rrethana, nuk ka gjasa që konsultime të tilla të mund të zhvillohen midis Rusisë dhe Ukrainës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, me sa duket duke i dhënë më shumë besim anës së Ukrainës, e ka këshilluar vendin të shkatërrojë patogjenët shumë të rrezikshëm në laboratorët e saj të shëndetit publik, në mënyrë që të parandalojë lëshimin e tyre aksidental si rezultat i luftimeve.
Mirëpo çfarë ndodh me armët kimike? Në vlerësimin e rrezikut të përdorimit të tyre në Ukrainë duhet të kujtojmë ngjarjet kryesore të fundit, veçanërisht në Siri, ku armët kimike u përdorën në shumë raste gjatë luftës civile në vend. Në shtator të vitit 2013, mekanizmi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së – i nxitur nga sekretari i atëkohshëm i përgjithshëm, Ban Ki-moon, në bazë të ndalesave të përfshira në Protokollin e Gjenevës të vitit 1925 – përcaktoi se agjenti nervor Sarin ishte përdorur një muaj para asaj date në Ghouta, në periferi të Damaskut. Sulmi shkaktoi vdekjen e më shumë se 1 mijë e 500 civilëve.
Pas një marrëveshjeje midis Rusisë dhe SHBA-së, Siria pranoi të hiqte dorë nga armët e saj kimike dhe iu bashkua Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) në tetor të 2013-s. Kjo do të thoshte se Siria u bë objekt i shqyrtimit të mekanizmit gjithëpërfshirës të verifikimit të Konventës për Armët Kimike (CWC).
Misioni i OPCW-së për gjetjen e fakteve konfirmoi më pas përdorimin e armëve kimike në vende të tjera në Siri. Mekanizmi i Përbashkët Hetimor i krijuar nga KS e OKB-së në gusht 2015 dhe më vonë Ekipi i Hetimit dhe Identifikimit i krijuar nga Konferenca e OPCW-së e shteteve palë në qershor 2018 e identifikoi Qeverinë siriane si përgjegjëse për përdorimin e armëve kimike në disa raste.
Edhe pse shtetet palë pezulluan votën e Sirisë dhe të drejtat e tjera në OPCW në vitin 2021, veprimet e mëtejshme të OKB-së nuk janë të mundura për shkak të kundërshtimit rus. Në fakt, Rusia e ka mbështetur plotësisht Qeverinë siriane në forumet ndërkombëtare, pas ndërhyrjes së saj ushtarake në luftën civile të vendit, në shtator të vitit 2015.
Në OPCW, Rusia, së bashku me disa vende të tjera, nisën një fushatë të bashkërenduar për të diskredituar gjetjet e hetimeve të ndryshme. Ata fabrikuan disa fakte, ndonjëherë kundërthënëse, për të mbjellë konfuzion dhe dyshim në mendjet e palëve të treta rreth përgjegjësisë së Qeverisë siriane për sulmet me armë kimike. Dhe ata me këmbëngulje u përpoqën të diskreditonin raportet e bazuara në shkencë, që ishin të mjaftueshme për të vërtetuar faktet. Sipas disa pretendimeve ruse, grupet e armatosura të opozitës në Siri përdorën armë kimike, ashtu që Qeveria e Sirisë, e mbështetur nga Rusia, të dukej përgjegjëse.
Qeveria siriane argumentoi se nuk kishte nevojë të përdorte armë kimike, sepse kishte kapacitete të mjaftueshme konvencionale për të shuar grupet e armatosura të opozitës. Ekspertët ushtarakë menduan ndryshe. Në disa zona ku ushtria siriane u bllokua, përdorimi i armëve kimike me sa duket ndihmoi në krijimin e panikut dhe terrorit midis civilëve, demoralizimin e forcave të opozitës dhe kapjen e territoreve të kontrolluara prej tyre me më pak humbje për ushtrinë.
Për më tepër, përdorimi i fundit i armëve kimike nuk ka qenë i kufizuar në Siri. Agjenti nervor Novichok u përdor për të helmuar ish-agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal, dhe të bijën e tij, Yulia, më 2018 në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kundërshtarin e Kremlinit, Alexei Navalny, më 2020 në Rusi. Në vitin 2017, vëllai nga babai i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong, u vra me VX - një tjetër agjent nervor - në Aeroportin e Kuala Lumpurit.
Rusia, e cila i trashëgoi rezervat më të mëdha në botë të armëve kimike nga Bashkimi Sovjetik, tani supozohet të mos ketë asnjë. Së bashku me shtetet e tjera, Rusia u detyrua t'i deklaronte në OPCW të gjitha armët kimike që zotëronte dhe t'i shkatërronte ato, varësisht nga verifikimet e ndërmarra prej organizatës. Por përdorimet e mëvonshme të Novichokut (megjithëse në sasi shumë të vogla) tregojnë se Rusia ka nxitur dyshimet se mund të ketë fshehur sasi të këtij agjenti nervor.
Nëse po, a do të përdorte Rusia armë kimike në Ukrainë, veçanërisht nëse lufta zvarritet? Apo duhet ta përjashtojmë këtë mundësi, veçanërisht duke pasur parasysh pengesën e konsiderueshme të ofruar nga mekanizmi i përforcuar në OPCW?
Për të qenë të sigurt, procedurat e verifikimit për hetimin e përdorimit të pretenduar të armëve kimike janë bërë më të sofistikuara dhe më efektive. Shtetet palë të CWC-së janë të vendosura të parandalojnë çdo përdorim të mëtejshëm dhe që nga qershori i vitit 2018 mund të përdoret mekanizmi i atribuimit, nëse ka pretendime të reja për përdorim të armëve kimike në çdo Shtet Palë.
Në deklaratën time si drejtor i përgjithshëm i OPCW-së në seancën hapëse të atij takimi të vitit 2018 thashë se “Përdorimi i armëve kimike, kudo që të ndodhë, është një shkelje e rëndë që kërkon veprim të vendosur”. Për më tepër, shtova: “Nëse shmanget përgjegjësia, rishfaqja dhe pranimi i mundshëm i kimikateve si armë lufte dhe terrori nuk do të pengohet”.
Unë i qëndroj besnik asaj deklarate sot. Të gjitha shtetet kanë një përgjegjësi kolektive për të parandaluar përdorimin e armëve kimike nga kushdo, në çdo rrethanë, përfshirë Ukrainën. Por nëse nuk e bëjmë këtë, kam besim se përgjegjësit do të identifikohen dhe do të mbahen përgjegjës.
(Ahmet Üzümcü, pjesëmarrës në Rrjetin Evropian të Lidershipit, është ish-drejtor i përgjithshëm i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)