OpEd

A do të mjaftojë mbështetja e re amerikane për Ukrainën?

Armët dhe paratë e reja të siguruara nga SHBA-ja tani janë rrugës për në Ukrainë. Sigurimi apo jo i ndihmave ushtarake shtesë ishte për muaj të tërë çështje debati në Kongresin amerikan. Në fund, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i mbylli sytë karshi elementeve më djathtiste të partisë së tij dhe e nxori çështjen në votim. Propozimi kaloi falë mbështetjes së demokratëve. Derisa pakoja garanton ndihmë sigurie edhe për Izraelin e Tajvanin, rreth 61 miliardë dollarët për Ukrainën janë komponenti më i madh dhe do ta bëjë dallimin më të madh.

Pakoja e re e ndihmës do ta ndihmojë Ukrainën t’i paguajë municionet “Patriot” të mbrojtjes ajrore, predhave artilerike, dronëve, armëve antidronë dhe raketave që mund të shkrepen nga aeroplanë luftarakë. Është injeksioni i parë i keshit që Kongresi e autorizoi që prej dhjetorit të 2022-s dhe është pakoja e vetme më e madhe që Kievi zyrtar e pranoi që nga shpërthimi i luftës.

Megjithëkëtë, SHBA-ja ndihmoi në mënyra të tjera. Edhe para miratimit të pakos së fundit, Pentagoni heshtazi dërgoi sistem të ri të raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, trupat e së cilës i vënë ato menjëherë në përdorim kundër mburojës ajrore ruse në Krime dhe trupave ruse në Donbas.

Ajo për të cilën u fol më pak është tipari i pakos së re që edhe e ndihmon Ukrainën e edhe e dëmton Rusinë financiarisht. Me Aktin e Rindërtimit të Prosperitetit Ekonomik dhe Mundësisë për ukrainasit, administrata Biden është e autorizuar t’i konfiskojë asetet e ngrira të shtetit rus në SHBA dhe t’i përdorë ato për ta ndihmuar Ukrainën.

Para se ta bëjë këtë, presidenti Joe Biden synon të sigurohet që aleatët evropianë dhe ata të G7-s të jenë në bordin e së njëjtës anije. Nëse pajtohen, do të siguroheshin edhe 5 biliardë dollarë të tjerë për Ukrainën, me fondet që gjenerohen drejtpërsëdrejti nga asetet ruse. Bashkimi Evropian veçse po i rezervon profitet e gjeneruara nga asetet e ngrira ruse nëpër bankat qendrore të Evropës, të cilat mund t’ia sigurojnë Ukrainës edhe nga 3 biliardë euro të tjera në vit.

Ukrainës iu deshtë kjo ndihmë. Gjashtëmbëdhjetë muajt e mosveprimit të Kongresit i lanë forcat e saj të stërlodhura në mungesë të artilerisë e municioneve të domosdoshme për t’i penguar avancimet e fundit të Rusisë në vijë të frontit, si dhe sulmet e saj me dronë e raketa nëpër qytetet dhe infrastrukturën kritike ukrainase. Mungesat e tilla u mundësuan forcave ruse të marrin mbi 217 kilometra katrorë të territorit ukrainas gjatë katër muajve të fundit, përfshirë qytetin strategjik Avdiivka në shkurt.

Droja se Rusia po e përgatit një ofensivë madhore gjatë verës për zaptim të edhe më shumë tokave ukrainase e ngriti mundësinë – në Kiev e Washington – se Ukraina mund të ndodhet buzë një disfate ushtarake deri në fund të këtij viti. Mbështetja e fundit materiale e SHBA-së tani e bën këtë skenar shumë më pak të mundshëm. Nëse Ukraina mund të ngrejë fortifikata të reja përgjatë vijës së frontit dhe t’i sigurojë sistemet e mbrojtjes ajrore që i duhen për t’i mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën e saj energjetike (me gjithë mungesën e këtyre furnizimeve që e krijoi lufta në Lindjen e Mesme), atëherë ajo mund t’i stabilizojë pozicionet e saj të mbrojtjes përgjatë 2025-s. Por ani se synimi i Amerikës për ta mbushur boshllëkun e municionit mes Ukrainës e Rusisë mund ta kthejë ngërçin e krijuar në terren gjatë fundit të vitit të shkuar, ai nuk do ta vërë Ukrainën përsëri në ofensivë. Kjo ngase Ukraina e ka një tjetër problem fushëbeteje, për të cilin aleatët mund të bëjnë pakçka për ta adresuar: mungesën e ushtarëve. 

Bazuar në ligjin e ri që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sivjet e nënshkroi pa dëshirë, mosha për mobilizim ushtarak u ul nga 27 në 25, numri i kritereve për përjashtim nga shërbimi u tkurr dhe ushtarët mund të urdhërohen të shërbejnë për periudha më të gjata. Krejt këto do të ndihmojnë nëse ushtarët e rinj mund të trajnohen në mënyrë efikase dhe të angazhohen ngutas. Por ligji, në vetvete, nuk do ta ndryshojë rrjedhën e lojës në favor të Ukrainës. 

Për më tepër, kjo mbase është pakoja e fundit që Ukraina mund ta presë nga SHBA-ja deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Nëse Donald Trumpi fiton, ukrainasit mund të gjenden krejtësisht të shkëputur nga ndihma e ardhshme. Dhe edhe nëse Bideni fiton, gatishmëria e publikut amerikan për të siguruar një pako të ardhshme ndihme prej 61 miliardë dollarësh do të jetë e kufizuar. Në ndërkohë, Rusia ka shumë më tepër burra të rinj që mund t’i hedhë në “grirësen e mishit” të fushëbetejës.

Pakoja amerikane kësisoj e ofron një litar shpëtimi që mund t’i mbajë ukrainasit në betejë deri në fundin e 2024-tës. Kjo do t’u japë miqve të Ukrainës në Evropë më shumë kohë për të prodhuar dhe dërguar më shumë armë e municion, dhe mund t’ia fuqizojë krahun Zelenskyt në bisedimet e ardhshme për fundin e luftës. Por nuk ka gjasa ta ndihmojë Ukrainën ta shmangë ndarjen eventuale, atë që ia lëshon Rusisë disa prej tokave të marra ilegalisht në këmbim të së ardhmes evropiane që shumica e ukrainasve ende e duan. Pas më shumë se dy vjetësh luftë brutale, ky është realiteti i dhembshëm me të cilin Ukraina përballet sot.

(Ian Bremmer, themelues dhe kryetar i Eurasia Group dhe GZERO Media, është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të trupit të lartë këshillues të OKB-së për Inteligjencë Artificiale. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).