Nëse SHBA-ja dëshmohet e pavullnetshme për t’i përmbushur obligimet e saj dhe ta ruajë sundimin e së drejtës ndërkombëtare se territori nuk mund të fitohet me forcë, atëherë jemi duke e parë një të ardhme larg më të dhunshme dhe të rrezikshme sesa e shkuara
Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës është gati për të hyrë në vitin e saj të tretë. Ka shumë për çka duhet ndier mirë, por ka njashtu vend edhe për shqetësim. Me pak fjalë, është koha për ta bërë bilancin.
Ajo çfarë Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë arritën që pas pushtimit të Rusisë në shkurtin e 2022-s është e jashtëzakonshme. Rusia, një fuqi e pajisur me armë bërthamore e që ka popullatë tri herë e gjysmë më të madhe sesa Ukraina, dhjetëfishin e GDP-së së saj dhe një ushtri me shumëfish më shumë personel e pajisje, është luftuar në nivel pothuajse të barabartë. Ukraina kontrollon rreth 80 për qind të territorit të saj, më shumë sesa dy vjet më parë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, qartazi kalkuloi se kjo luftë e zaptimit do t’i ngjasonte pushtimit të tij të mëhershëm të Ukrainës më 2014, kur forcat ruse hynë dhe shumë shpejt i kapën Krimenë dhe pjesën më të madhe të Donbasit lindor. Ai i pa Ukrainën, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të dobëta dhe të ndara. U besoi po ashtu gjeneralëve të tij, kur premtuan se ushtria e Rusisë është e fortë dhe do të dërrmonte çdo lloj rezistence që Ukraina mund të grumbullojë.
Të gjitha këto supozime u dëshmuan të gabuara. Por megjithëkëtë ka arsye për shqetësim.
Kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës, e destinuar për çlirimin e territorit dhe për ta jetësuar një fitore në fushëbetejë apo të paktën një momentum që do ta hapte rrugën për diplomaci premtuese, kryesisht është rezistuar. Rusia është mësuar të jetojë me sanksionet ekonomike perëndimore dhe eksportet vitale të energjisë i ka riorientuar me të madhe në Kinë dhe në Indi.
Sanksionet ushtarake të Perëndimit po kështu janë shmangur: Rusia ka vazhduar t’iu shesë armë Indisë dhe të tjerëve, si dhe të blejë nga Koreja Veriore dhe Irani. Njashtu ka qenë në gjendje që të blejë teknologji gjoja civile dhe produkte që mund të ridestinohen për përdorim ushtarak. E ka zgjeruar bazën e saj të mbrojtjes dhe tani e ka një avantazh të konsiderueshëm mbi Ukrainën në sasinë e artilerisë dhe municionit që mund ta shpërndajë në fushëbetejë.
Rusia tregon shenja të pakta të lodhjes. Me gjithë koston e jashtëzakonshme njerëzore të luftës, që përllogaritet të jetë mbi 300.000 trupa ruse të vrarë apo të lënduar, kontrolli i Putinit mbi median dhe narrativen publike i ka lejuar Kremlinit që ta minimizojë disidencën dhe të bindë shumë rusë se vendi i tyre është viktima e jo agresori.
Në ndërkohë, Ukraina po shfaq shenja të ndasisë politike. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vetëm sa e shkarkoi gjeneralin e tij kryesor. Ç’është më e rëndësishmja, Ukraina ka vështirësi në fushëbetejë, kryesisht shkaku i republikanëve në Kongresin amerikan që po e bllokojnë pakon 60 bilionë dollarësh të asistencës ushtarake. Kundërshtimi republikan duket se e reflekton një përzierje të izolacionizmit të ringjallur, të simpatisë për autoritarizmin e Putinit dhe të dëshirës së përkrahur për të mos ia dorëzuar presidentit Joe Biden një fitore politike para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Në mënyrë ideale, Bideni do të jetë në gjendje që të bindë mjaftueshëm republikanë për të bashkëpunuar me të, sikurse edhe demokratët për ta miratuar pjesën e re të asistencës, e cila është në interesin strategjik të Amerikës. Por nuk mund të llogaritet në këtë rezultat, me gjithë dëshmitë në rritje se Ukraina po ngelet pa armë e municion dhe se, si rezultat i kësaj, po përjeton vështirësi për t’i bërë ballë presionit ushtarak rus.
Krejt kjo e ngre pyetjen: Si munden Ukraina dhe miqtë e saj në Evropë e gjetkë ta mbushin të paktën një pjesë të boshllëkut të lënë nga një SHBA që më nuk është e përgatitur për të ofruar nivele domethënëse të asistencës?
Evropa tanimë është pajtuar t’i sigurojë Ukrainës më shumë se 50 bilionë dollarë në kuadër të ndihmës së re ekonomike; bashkë me të tjerët (si Koreja Jugore dhe mbase Japonia), nevojitet edhe një plan i koordinuar për t’i siguruar Ukrainës armë dhe municion ashtu që të mund ta mbrojë më mirë veten dhe të sulmojë caqet e rëndësishme ushtarake ruse. Në të njëjtën kohë, miqtë e Ukrainës duhet ta ndihmojnë atë që ta rikonstituojë dhe ta zgjerojë industrinë e saj të armëve, në mënyrë që të bëhet më pak e varur nga aftësia dhe gatishmëria e të tjerëve për t’ia ofruar burimet që i kërkon lufta.
Njëkohësisht, Ukraina mund t’i reduktojë nevojat e saja për burime dhe të shpëtojë jetë duke e adoptuar një strategji kryesisht defanzive ushtarake. Mbrojtja dhe ruajtja e 80 përqindëshit të vendit që Ukraina tani e kontrollon është e mundshme dhe esenciale. Ukraina nuk do të hiqte dorë prej asnjë gjëje duke e përqafuar një qëndrim të tillë, duke pasur parasysh se çlirimi ushtarak i Krimesë, Donbasit dhe i rajoneve të tjera të pushtuara nga Rusia nuk është në dengun e kartave, të paktën në aspektin afatshkurtër. Dhe mund të vazhdojë ta kërkojë kthimin e plotë territorial në tryezën e negociatave, po qe se dhe kur bisedimet serioze të nisin.
Nëse dispozita e armëve do të përcaktojë se si ia kalon Ukraina sivjet, atëherë zgjedhjet amerikane për president dhe për Kongres në nëntor do të shkojnë drejt përcaktimit se si do t’ia dalë ajo më 2025-n dhe tutje. Në rast se Bideni rizgjidhet, dhe nëse Senati amerikan bie në kontrollin e republikanëve, siç presin shumica, por demokratët e rimarrin Dhomën e Përfaqësuesve, atëherë skena do të vendoset për ndihma të reja ekonomike e ushtarake amerikane dhe mbase për një lidhje midis Ukrainës dhe NATO-s. Kjo do ta çlironte Putinin nga besimi se koha është në anën e tij, duke i rritur gjasat që diplomacia të dalë në plan të parë.
Nëse, megjithatë, ish-presidenti Donald Trump fiton dhe republikanët e ruajnë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, atëherë Ukraina do të përballej me një të ardhme larg më të vështirë. Barra e sigurisë së Ukrainës do t’i binte edhe më tepër mbi vetë atë dhe miqtë e saj në Evropë dhe në Azi. Nëse ato dëshmohen të gatshme dhe të afta për ta mbushur pjesën më të madhe të boshllëkut të lënë nga tërheqja e mbështetjes amerikane, atëherë mund të parashihet një ngërç i tejzgjatur në fushëbetejë, pasuar nga diplomacia konstruktive. Nëse jo, Putini sipas të gjitha gjasave do ta shtojë avantazhin e tij në fushëbetejë dhe do të vinte në tryezën e negociatave vetëm për ta imponuar rezultatin që e ka kërkuar që nga fillimi.
Dallimi midis këtyre dy të ardhmeve është i thellë. Rreziqet për Ukrainën, për Evropën dhe për botën janë enorme. Presidenti kinez, Xi Jinping, që i ka dizajnët e tij për Tajvanin, po shikon me interesim të madh se si krejt këto po zhvillohen. Po bën edhe Irani. Nëse SHBA-ja dëshmohet e pavullnetshme për t’i përmbushur obligimet e saj dhe ta ruajë sundimin e së drejtës ndërkombëtare se territori nuk mund të fitohet me forcë, atëherë jemi duke e parë një të ardhme larg më të dhunshme dhe të rrezikshme sesa e shkuara.
(Richard Haass, kryetar emeritus i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, është këshilltar i lartë i “Centerview Partners” dhe autor i librit: “The Bill of Obligations: The Ten Habits of Good Citizens”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).