Ka zhgënjim në ngritje me Kaczynskin brenda PiS-ës. Përderisa ende nuk ka lider alternativ, dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare mbahen më 2023, bërrylat brenda kampit sundues eventualisht mund të çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme, qysh ka ndodhur me qeverinë e parë të PiS-ës më 2007. Si Lukashenko, edhe Kaczynski qartazi e ka mbivlerësuar pushtetin e vet. Dhe sikurse në Bjellorusi, gratë kanë qenë të parat që e kanë nisur këtë betejë
Liderët politikë autoritarë në Poloninë dhe Bjellorusinë fqinje kanë testuar kufijtë e tolerancës publike në muajt e fundit. Në të dy vendet ata kanë provokuar demonstrata masive. Në të dy rastet gratë kanë qenë në ballë të radhëve të kundërshtimit popullor.
Në zgjedhjet e kurdisura të 9 gushtit, presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko, ia dha vetes më shumë se tetëdhjetë për qind të votave, ani pse më shumë se 55 për qind e votuesve në fakt votuan kundër tij. Polakët i ndoqën zhvillimet në Bjellorusi për së afërmi dhe me admirim, me shpresë se kundërshtimi i ngjashëm masiv do të merrte hov edhe kundër qeverisë despotike të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Pastaj më 22 dhjetor, me ngritjen e jashtëzakonshme të numrit të rasteve me COVID, sunduesi de fakto i Polonisë, lideri i PiS-ës, Jaroslaw Karczynski, në të vërtetë iu dha zemër qytetarëve polakë që të dalin në rrugë. Duke e mbushur Gjykatën Kushtetuese të vendit me besnikë të PIS-ës, Kaczynski urdhëroi gjykatën të nxirrte një verdikt që ndalonte abortin.
Për 27 vjet me radhë, ligji i abortit restriktiv i Polonisë u ka lejuar grave që të vendosin t’i japin fund shtatzënisë vetëm kur u rrezikohet jeta, kur shtatzënia ishte rezultat i incestit ose përdhunimit, ose nëse ishte dëmtuar fetusi. Ndryshimet e fundit e heqin përjashtimin e fundit, çka nënkupton se gratë do të detyrohen të mbajnë fëmijët, të cilët kanë pak ose fare mundësi që të mbijetojnë.
Protestat masive të lidhura me këtë verdikt – që po zhvillohen në qytete të mëdha dhe të vogla, por edhe në fshatra – nuk janë parë asnjëherë prej se PiS-a mori pushtetin më 2015. Rreth 100 mijë persona kanë marshuar në Varshavë, dhe më shumë se 500 mijë në shkallë vendi. Dhe si në Bjellorusi, gratë kanë pasur rolin kryesor.
Kjo nuk është rastësi. Në Poloni, organizatoret kanë krijuar Këshillin Konsultativ – referencë e drejtpërdrejtë e Këshillit të Koordinimit të opozitës së Bjellorusisë, dhe liderët e grave protestuese kanë shkëmbyer strategji me koleget matanë kufirit. Një leksion nga Bjellorusia është se aksioni i organizuar është qenësor, kështu që polaket janë zotuar se do të bllokojnë udhëkryqet kryesore të vendit çdo të hënë.
Përvoja e Bjellorusisë ka treguar gjithashtu se njerëzit do të rrezikojnë shëndetin e tyre për të protestuar kundër kapjeve autoritare të pushtetit, sidomos duke pasur parasysh dështimin e autoriteteve për të menaxhuar pandeminë, e cila është një tjetër burim i pakënaqësisë popullore. Shkalla e infektimit në Poloni tani është në mesin e më të lartave në botë, çka sugjeron se koha e vendimit të Kaczynskit për ta imponuar një politikë krejtësisht kundërthënëse mund të ketë pasur për qëllim të devijojë vëmendjen nga dështimet e Qeverisë së PiS-ës të lidhura me pandeminë.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Polonisë, partia nacionaliste ekstreme, Konfederacja, mori dhjetë deputetë në Sejm (Dhoma e Ulët e Parlamentit). Kaczynski e merr personale këtë disfatë, sepse ai gjithnjë ka provuar të jetë në anën më të skajshme të së djathtës në vend. Konfederacja po ngre fuqinë, duke mobilizuar fraksionin e së djathtës brenda kampit të Kaczynskit të lidhura me ministrin e Drejtësisë, Zbigniev Zeibro. Pa 18 deputetët e Ziebros, Lazcynski nuk mund ta ruajë shumicën parlamentare.
Për më tepër, Ziebro po matet direkt me kryeministrin Mateusz Morawiecki, për të qenë pasues i Kaczynskit. Kur Kaczynski doli nga margjinat për t’u bërë zëvendëskryeministër në qeverinë e tanishme në shtator, e bëri këtë me qëllim që të ishte sa më afër radhëve të Ziebros, të cilin shpreson ta pajtojë me Morawieckin. Devijimet e mëdha ideologjike të Kaczynskit andaj duhet të shihen si pjesë e përpjekjes më të gjerë për të rikthyer kontrollin mbi të djathtën ekstreme.
Në një adresim special lidhur me protestat, Kaczynski u bëri thirrje anëtarëve të PiS-ës për t’i luftuar ata që mbrojnë të drejtat e grave. “Në veçanti, ne duhet t’i mbrojmë kishat polake”, ka deklaruar ai. “Ne duhet t’i mbrojmë ato me çdo çmim. Unë mund t’u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të PiS-ës dhe të gjithë atyre që na mbështesin të marrim pjesë në mbrojtjen e Kishës... Tani është koha kur ne duhet t’i themi ‘jo’ gjithçkaje që mund të na shkatërrojë. Gjithçka varet prej nesh. Varet nga shteti dhe aparati i tij, por mbi të gjitha, nga ne, nga vendosmëria jonë, guximi ynë. Ta mbrojmë Poloninë!”.
Duke përfituar nga qasja e Kaczynskit, organizata e së djathtës ekstreme tani po organizon milici për të sulmuar gratë gjatë demonstratave. Pasi një huligan me të kaluar kriminale sulmoi një gazetar të “Gazeta Wyborcza”, Ziobro ia pamundësoi zyrës së prokurorit lokal që ta arrestonte sulmuesin. Megjithatë, u ngrit aktakuzë kundër një 14-vjeçareje të arrestuar gjatë protestave. Dhe sikurse e shpjegoi Michal Wos, zëvendësministër i Drejtësisë, autoritetet po kërcënojnë drejtpërdrejt organizatoret: “Prokurorët kanë marrë doracakë për t’i trajtuar të gjitha organizatoret e demonstratave ilegale si kriminele, dhe do të ngrihen akuza kundër tyre, me mundësi të dënimit deri në tetë vjet burg”.
Dy palët kanë mësuar nga përvoja e Bjellorusisë. Qeveria polake ka nxjerrë qindra policë dhe personel ushtarak për të hedhur gaz lotsjellës kundër grave protestuese para shtëpisë së Kaczynskit. Por jo të gjithë pjesëtarët e uniformuar të policisë kanë gatishmëri t’i brutalizojnë demonstruesit. Inspektori i përgjithshëm i policisë, Jaroslaw Szymczak, ta zëmë, ka kërcënuar me dorëheqje. Dhe në një letër të hapur, 210 gjeneralë të pensionuar ushtrie, policie dhe shërbimi të sigurisë kanë paralajmëruar se vendimi i abortit “ka shkaktuar kundërshtim publik dhe protesta masive në rrugë. Përshkallëzimi i mëtejshëm, nxitja dhe sjellja e papërgjegjshme prej politikanëve do të shpijnë drejt pasojave tragjike dhe të pakthyeshme”.
Qysh qëndrojnë punët, duket se Kaczynskit i kanë dalë hesapet keq. Në një anketim të kryer së fundmi, 73 për qind e të anketuarve kanë thënë se janë kundër verdiktit të gjykatës (përfshirë 60 për qind që e kundërshtojnë fort). Madje edhe elektorati i PiS-ës është i ndarë, me 37 për qind që mbështesin gjykimin dhe 36 për qind kundër. Si rezultat i kësaj, mbështetja e përgjithshme për PiS-në ka shënuar rënie të madhe për herë të parë prej se mori pushtetin. Në një anketim të Kantarit, të publikuar më 28 tetor, partia ka shënuar vetëm 26 për qind përkrahje, krahasuar me 24 për qind për Koalicionin Qytetar (aleanca ndërmjet Platformës Qytetare dhe Moderne). Kur dihen krejt këto, PiS-a dhe aleatët e tij kanë vetëm gjysmën e mbështetjes së partive që e kundërshtojnë PiS-ën.
Si rezultat i kësaj, ka zhgënjim në ngritje me Kaczynskin brenda PiS-ës. Përderisa ende nuk ka lider alternativ, dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare mbahen më 2023, bërrylat brenda kampit sundues eventualisht mund të çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme, qysh ka ndodhur me qeverinë e parë të PiS-ës më 2007. Si Lukashenko, edhe Kaczynski qartazi e ka mbivlerësuar pushtetin e vet. Dhe sikurse në Bjellorusi, gratë kanë qenë të parat që e kanë nisur këtë betejë.
(Autori, themelues i lëvizjes “Krytyka Polytyzna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënieve të Jashtme. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)