OpEd

A do ta lënë pas politikat e reja tregtare botën në zhvillim?

Si përmbledhje, kur bëhet fjalë për arritjen e rritjes së qëndrueshme, vendet në zhvillim nuk duhet të pyesin se çfarë mund të bëjnë vendet më të pasura të botës për ta, por çfarë mund të bëjnë për të përmirësuar perspektivat e tyre ekonomike.

Cambridge - Vendet në zhvillim po shqetësohen gjithnjë e më shumë se Shtetet e Bashkuara do t’i kthejnë shpinën regjimit të tregtisë shumëpalëshe. Mes tensioneve gjeopolitike në rritje, politikëbërësit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë frikë se një prishje e atij regjimi mund t'i bëjë ata pengje të politikave të fuqive të mëdha, duke minuar perspektivat e tyre ekonomike.

Shqetësimet e tyre nuk janë të pabaza: politikat tregtare të SHBA-së kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Ajo që dukej si një seri masash të rastësishme nën ish-presidentin Donald Trump – sanksionet ndaj firmave kineze, tarifat e rritura dhe përmbysja fatale e organit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë – është bërë strategji e gjerë dhe koherente nën presidentin aktual, Joe Biden.

Kjo strategji, e cila synon ta rindërtojë rolin e Amerikës në ekonominë globale, mishëron dy imperativa. Së pari, SHBA-ja tani e konsideron Kinën si rivalin e saj kryesor gjeopolitik dhe e sheh ngritjen e saj teknologjike si kërcënim të sigurisë kombëtare. Siç tregojnë kufizimet gjithëpërfshirëse të administratës për shitjen e çipave të avancuar dhe pajisjeve për prodhimin e çipave tek firmat kineze, SHBA-ja është e gatshme të sakrifikojë tregtinë dhe investimet ndërkombëtare për të penguar ambiciet e Kinës. Për më tepër, ajo pret që vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë.

Së dyti, politikëbërësit amerikanë synojnë të kompensojnë për dekada të tëra të neglizhimit të prioriteteve të brendshme ekonomike, sociale dhe mjedisore duke u fokusuar në politikat që promovojnë elasticitetin, zinxhirët e besueshëm të furnizimit, punë të mira dhe një tranzicion me energji të pastër. SHBA-ja duket e lumtur t'i ndjekë vetë këto objektiva, edhe nëse veprimet e saj mund të ndikojnë negativisht në vendet e tjera.

Shembulli më i mirë i kësaj është Akti për Reduktimin e Inflacionit, legjislacioni historik i administratës Biden për tranzicionin klimatik. Shumë qeveri në Evropë dhe kudo janë zemëruar nga subvencionet prej 370 miliardë dollarësh për energjinë e pastër të përfshira në IRA, të cilat favorizojnë prodhuesit me bazë në SHBA. Pascal Lamy, ish-kreu i OBT-së, kohët e fundit u bëri thirrje vendeve në zhvillim që t’i bashkohen Bashkimit Evropian në formimin e një koalicioni “Veri-Jug” pa SHBA-në, për të “krijuar disavantazh për amerikanët që do t'i bënte ata t’i ndryshojnë pozicionin e tyre”.

Sigurisht, Evropa ka markën e vet të unilateralizmit, megjithëse më të butë se ajo e Amerikës. Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit të BE-së (CBAM), i cili synon të mbajë çmime të larta të karbonit brenda bllokut duke vendosur detyrime për importet me intensitet karboni si çeliku dhe alumini, ka për qëllim të qetësojë firmat evropiane që përndryshe do ta gjenin veten në disavantazh konkurrues. Por kjo gjithashtu e bën më të vështirë për vendet në zhvillim si India, Egjipti dhe Mozambiku qasjen në tregjet evropiane.

Pra, vendet në zhvillim kanë shumë për t’u shqetësuar. Ndërsa SHBA-ja dhe Evropa përpiqen të izolojnë Kinën dhe të krijojnë politika në mbështetje të agjendave të tyre të reja të brendshme, ata nuk kanë gjasa të kenë në mendje interesat e ekonomive më të varfra. Për vendet e vogla me të ardhura më të ulëta, multilateralizmi mbetet mbrojtja e vetme kundër solipsizmit të fuqive të mëdha.

Por vendet në zhvillim do të bënin mirë të pranonin se këto politika të njëanshme udhëhiqen nga shqetësime legjitime dhe shpesh synojnë përmbushjen e nevojave globale. Ndryshimet klimatike, për shembull, janë qartësisht një kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Nëse politikat amerikane dhe evropiane përshpejtojnë tranzicionin e gjelbër, vendet më të varfra do të përfitojnë gjithashtu. Në vend që të dënojnë këto politika, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme duhet të kërkojnë transferta dhe financime që do t’u mundësonin atyre të ndjekin shembullin. Për shembull, ata duhet të kërkojnë që vendet evropiane të kanalizojnë të ardhurat nga CBAM tek eksportuesit e vendeve në zhvillim për të mbështetur investimet e këtyre firmave në teknologjitë më të gjelbra.

Më gjerësisht, vendet në zhvillim duhet të kujtojnë se perspektivat e tyre ekonomike përcaktohen para së gjithash nga politikat e tyre. Përveç një zhytjeje mbarëbotërore të stilit të viteve 1930 në proteksionizëm, ata ka të ngjarë të mos humbasin qasjen në tregjet perëndimore. Për më tepër, vendet e orientuara nga eksporti si Koreja e Jugut dhe Tajvani krijuan mrekullitë e tyre të rritjes gjatë viteve 1960 dhe 1970, kur vendet e zhvilluara ishin shumë më proteksioniste se sa janë tani ose ka të ngjarë të jenë në të ardhmen e parashikueshme.

Është gjithashtu e vërtetë që modelit të industrializimit të orientuar drejt eksportit i ka mbaruar energjia për arsye që kanë pak të bëjnë me politikat proteksioniste të Veriut Global. Për shkak se teknologjitë e sotme të prodhimit janë kaq intensive me aftësi dhe kapital, është e vështirë për të ardhurit e vonë të imitojnë suksesin e tigrave të Azisë Lindore (Unë e quaj këtë fenomen “de-industrializim i parakohshëm”). Modelet e ardhshme të zhvillimit do të duhet të mbështeten në industritë e shërbimeve dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në vend të eksporteve industriale, për të ndërtuar një klasë të mesme të lulëzuar.

Përqendrimi i përtërirë i vendeve të zhvilluara në ndërtimin e ekonomive vendase elastike dhe të barabarta mund të përfitojë gjithashtu ekonominë globale. Shoqëritë kohezive kanë shumë më tepër gjasa të mbështesin hapjen ndaj tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare sesa ato të turbulluara nga forcat inegalitare të hiper-globalizimit. Siç kanë treguar shumë studime, zhdukja e vendeve të punës dhe rënia ekonomike rajonale shpesh mund të nxisin politika etno-nacionaliste.

Në një “letër për gjeneratën e ardhshme” të vitit 2019, Christine Lagarde - në atë kohë Drejtoreshë Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Presidentja aktuale e Bankës Qendrore Evropiane - u ankua për rritjen e unilateralizmit dhe theksoi përfitimet e pazarit pas vitit 1945. “Bretton Woods nisi një epokë të re të bashkëpunimit ekonomik global, në të cilën vendet ndihmuan veten duke ndihmuar njëri-tjetrin”, ka shkruar ajo. Por e kundërta është gjithashtu e vërtetë: çdo regjim i suksesshëm global, duke përfshirë sistemin e Bretton Woodsit, duhet të mbështetet në idenë se vendet mund të ndihmojnë njëri-tjetrin duke ndihmuar veten e tyre.

Si përmbledhje, kur bëhet fjalë për arritjen e rritjes së qëndrueshme, vendet në zhvillim nuk duhet të pyesin se çfarë mund të bëjnë vendet më të pasura të botës për ta, por çfarë mund të bëjnë për të përmirësuar perspektivat e tyre ekonomike.

(Dani Rodrik, Profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Shkollën e Harvardit Kennedy, është President i Shoqatës Ekonomike Ndërkombëtare dhe autor i Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy (Princeton University Press, 2017). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)