OpEd

A bën të merremi me tema të vogla?

Sot është ajri i ndotur. Por dje ishte shëndetësia e dobët. Kosova vazhdon të renditet lart në listat e zeza të mortalitetit të foshnjave dhe të nënave në lindje.

Ishte edhe arsimi. Na e tregoi PISA. Ka edhe të tjera… të ngjashme… të zeza.

E me çka merremi ne?!

DOLI I PARI në foltore. Foli. Opa! Sa mirë!

Doli edhe i dyti. Foli edhe ai. Hm! Ndoshta edhe më mirë se i pari.

E treta e mori fjalën. Dhe jo gjithfarë fjale. Dy të tjerët dukeshin të mjerë para saj.

Kur foli i katërti u thanë të gjitha! Shembuj, ekspertizë, statistika, propozime, vizion, ëndërrime.

Por, njësoj të mirë u paraqitën edhe të tjerët. Ndoshta edhe më të mirë se të përparshmit.

Problemi do të zgjidhej. Pa asnjë dyshim. Bile mund t’u dalim në ndihmë edhe vendeve të tjera. Sidomos atyre të industrializuara. Ku ka më mirë – një vend pa industri do t’u ndihmojë për të pakësuar ndotjen vendeve me industrinë më të madhe në glob. Se ia ka dalë… vetë… të bëjë… të bëjë… të bëjë… Të bëjë çka?!

Paradoksi ishte se kjo nuk ishte një ëndërr ku do të zgjoheshe dhe të qeshje, duke mërmëritur ndër vete “eh, sikur të ndodhte…”.

Debatet dhe fjalimet e atilla ndodhën së vërteti. Live! Në Kuvend. Secili më i dijshëm se tjetri. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në kryeqytet. Në Prishtinë.

Në të njëjtën kohë, matësit e cilësisë së ajrit tregonin se thuaja gjatë gjithë javës ky kryeqytet – ku nja 120 veta ishin ekspertët më të mëdhenj të mjedisit që po ndriçonin njerëzimin–ishte ndër më të ndoturit në botë!

Ku ishin këta ekspertë gjatë gjithë këtyre vjetëve?!

Pse tash, pikërisht tash, po u dashka të merren seriozisht?!

PRISHTINA NUK KA lëvizur vendit sivjet. Ka qenë aty. Po, është rritur. Dhe është rritur pikëllueshëm.

Pikëllueshëm, pra, se vetëm në 20 vjetët e fundit Prishtina është dyfishuar me ndërtesa dhe metra katrorë të banimit.

A është dyfishuar numri i parqeve?

Jo!

Ka miliona metra katrorë të ndërtuara me ose pa leje në Prishtinë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit.

Dhjetëra mijëra ndërtime vlerësohet të jenë vetëm pa leje në kryeqytet, pa llogaritur edhe ato me leje.

Shumica dërrmuese e këtyre ndërtimeve, me ose pa leje, nuk e kanë respektuar thuajse kurrë kriterin për përqindjen e hapësirës së ndërtimit karshi pjesës së gjelbër. Shpesh pjesa e gjelbër është anashkaluar gati tërësisht, kurse edhe në rastet kur është lënë një hapësirë, ajo kryesisht është shndërruar në parking automjetesh.

Në këtë krim, me leje ose pa leje, ka kontribuar sot një pjesë bukur e madhe e banuesve të Prishtinës, pavarësisht nga cila anë janë ndodhur - në pushtet ose në opozitë, si ndërtues ose si blerës, si nëpunës ose punëdhënës…

Pse, meqë qenkemi të gjithë përnjëherë kaq ekspertë, nuk e paskemi ditur se çfarë krimi jemi duke ia shkaktuar qytetit ku vetë jetojmë, punojmë, kemi familje?

Dhe sikur vetëm ndërtimet të ishin problemi i ndotjes. Të njëjtit jemi edhe me automjetet e vjetra që emetojnë gazra helmuese, qoftë si shfrytëzues, shitës, kontrollues teknikë, policë e inspektorë.

Nuk qëndrojmë më mirë edhe me hedhjen e mbeturinave vend e pa vend.

Me djegien për ngrohje të çfarëdo që na del përpara.

Dhe… në listë mund të përfshihen të gjitha ato që u thanë nga “superekspertët” e mjedisit dhe jetës së shëndoshë në Kuvendin e Republikës.

Por, pse po u çuditkemi se përnjëherë u ndodhëm në top listën e qyteteve më të ndotura?!

Ose, më shkurt, a do të reagonte dikush në qoftë se Ambasada Amerikane nuk do t’i bënte publike matjet e saja të cilësisë së ajrit dhe neve të na përplasej fytyrës mjerimi ynë?!

SOT ËSHTË AJRI i ndotur.

Por dje ishte shëndetësia e dobët. Kosova vazhdon të renditet lart në listat e zeza të mortalitetit të foshnjave dhe të nënave në lindje.

Ishte edhe arsimi. Na e tregoi PISA.

Ka edhe të tjera… të ngjashme… të zeza.

E me çka merremi ne?!

Ne merremi me “tema”. Janë këto “temat e mëdha” që do të na bëjnë zgjidhjen për të gjitha këto të voglat.

Demarkacioni - është tema.

Gjykata Speciale - është tema.

Luajtja e k..eve me partneritetin ndërkombëtar – është tema.

Vetëm për të voglat s’po kemi shumë kohë.

Se për të voglat duhet gjetur zgjidhje. E këto zgjidhje nuk janë të lehta. E kur nuk janë të lehta, më mirë edhe të mos i trajtojmë fare. Se pas 3-4 vjetësh sërish do të ketë zgjedhje dhe do të duhet dhënë llogari për to. Nëse nuk zgjidhen do t’i shtojnë kritikat. Nëse shtohen kritikat mund të humben zgjedhjet. Nëse humben zgjedhjet – humben privilegjet. Nëse humben privilegjet – humbet kuptimi i jetës. Nëse humbet…

Kështu që, më mirë te “të mëdhatë”.

E ndoshta, megjithatë, këto “të voglat” nuk do të na vrasin!

P.S.:

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 6.5 milionë njerëz në botë çdo vit vdesin para kohe nga ajri i ndotur. Kjo nënkupton 11.6 për qind të të gjitha shkaqeve të vdekjes.

[email protected]

Twitter: @adriatikk