Në vitin 1947, Albert Ajnshtajni dhe shkencëtarët nga Universiteti i Çikagos të cilët kanë punuar në Projektin Manhatan kanë dizajnuar Orën e Apokalipsit. Që nga ajo kohë, çdo vit mendjet më të ndritura të njerëzimit – dhjetë nga ta fitues të Çmimit Nobel – kanë vendosur orën më afër apo më larg mesnatës si simbol i mbarimit të kohës dhe fundit të njerëzimit. Këtë vit ora theu të gjitha rekordet e mëparshme
Fundi i botës çdo herë ka qenë temë tërheqëse, ekstravagante dhe mistike. Për Ditën e Gjykimit janë shkruar librat më kuriozë, janë pikturuar pikturat më të bukura dhe prodhuar filmat më sensacionalë. Të gjitha fetë – abrahamike dhe joabrahamike – parashohin apokalipsin apo Ditën e Gjykimit. Në fenë islame besimi në Ditën e Gjykimit është njëri nga gjashtë besimet themelore apo imani, Dita e Gjykimit është magnum opusi i Mikelangjelos në murin e Kapelës Sistine, ndërsa filmi “Armageddon” me Bruce Willisin ka sjellë në ekranet televizive gjithë suspancën e apokalipsit.
Misticizmi dhe sensualiteti i apokalipsit kanë shtyrë prej kohësh njerëzit të bëjnë parashikime për ardhjen e ditës së fundit të jetës mbi Tokë. Në ditën e fundit të vitit 999, Papa Silvesteri II në Bazilikën e Shën Pjetrit të Romës ka udhëhequr meshën e fundit mbi tokë me besimin se 1 janari i vitit 1000 do të jetë fundi i botës. Wiliam Mileri, predikuesi baptist amerikan, ka bindur qindra mijëra njerëz në SHBA se fundi i botës dhe ardhja e dytë e Krishtit do të ndodhë më 22 tetor 1844. Prej asaj kohe kjo ngjarje njihet si Zhgënjimi i Madh. Në kohërat më moderne viti 2012 ishte vit që solli ethet dhe pritjet më të larta për shumë njerëz. Viti 2012 do të duhej të ishte përfundimi i kalendarit Maja dhe viti kur Toka do të shkatërrohej nga shpërthimi i Diellit, vrima e zezë, asteroidi Nibiru apo do të pushtohej nga jashtëtokësorët – në varësi kujt preferoni t’i besoni. Holivudi kapitalizoi mbi emocionet e njerëzve me filmin blockbuster “2012”. Aq lart u ngritën emocionet në vitin 2012, saqë edhe vetë NASA është dashur të reagojë me qëllim të qetësimit të publikut.
Është pikërisht kjo ndjenjë unikale njerëzore për fundin e botës që ka shtyrë Buletinin e Shkencëtarëve Bërthamorë të dizajnojnë Orën e Apokalipsit. Në vitin 1947 Albert Ajnshtajni dhe shkencëtarët nga Universiteti i Çikagos të cilët kanë punuar në Projektin Manhatan kanë dizajnuar Orën e Apokalipsit. Që nga ajo kohë mendjet më të ndritura të njerëzimit – dhjetë nga ta fituesit e Çmimit Nobel – bëjnë vlerësimin e faktorëve kryesorë të cilët kërcënojnë shkatërrimin e njerëzimit dhe vendosin orën më larg apo më afër mesnatës. Mesnata duke qenë simbol i mbarimit të kohës dhe fundit të njerëzimit. Sa më afër ora vendoset mesnatës, aq më afër jemi apokalipsit.
Hera e parë kur ora është vendosur më së afërmi mesnatës (2 minuta para mesnate) ka qenë në vitin 1953, kur SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik testuan bombat respektive termonukleare – bombat më të fuqishme që njerëzimi ka zbuluar deri më sot. Më pastaj ora është kthyer mbrapa duke vlerësuar se njerëzimi është në rrugë të mbarë të paqes dhe prosperitetit. Dhe kjo zgjati për 65 vjet deri në vitin 2018. Nga viti 2018 e deri më sot ora ka filluar përsëri t’i afrohet mesnatës. Në vitet 2020, 2021 dhe 2022 Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë ka vlerësuar se njerëzimit është afruar jashtëzakonisht shumë shkatërrimit të vetvetes dhe rrjedhimisht ka filluar të numërojë kohën e mbetur deri në mesnatë në sekonda. Kësisoj për herë të parë ora u vendos në 100 sekonda deri në mesnatë. Tani para pak ditësh Buletini publikoi orën për vitin 2023. Ajo theu të gjitha rekordet e mëparshme dhe ora u vendos në 90 sekonda deri në mesnatë. Tani në fjalët e Buletinit kemi hyrë në “kohën e rrezikut të paprecedent”. Buletini ka identifikuar katër rreziqet kryesore që kërcënojnë njerëzimin në vitin 2023.
1. Ukraina dhe rreziku nuklear
Pushtimi çnjerëzor rus i Ukrainës ka vënë në dyshim të gjithë arkitekturën e sigurisë së kontinentit evropian, por edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të ngritur pas Luftës së Dytë Botërore. Në sfondin e tensioneve të larta ekziston rreziku real i përshkallëzimit me apo pa qëllim nga lufta konvencionale në luftën bërthamore. Rrezikimi i centraleve bërthamore në Çernobil dhe Zaporizhzhia dhe refuzimi i bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore janë sjellje e papranueshme nga ana e Rusisë që mund të prodhojë pasoja të jashtëzakonshme. Dhe në gjithë këtë sfond pjesëza e fundit e sigurisë bërthamore ndërkombëtare – Marrëveshja START – në mes SHBA-së dhe Rusisë skadon në vitin 2026 pa një perspektivë të qartë të vazhdimit. Të gjitha këto e kanë shtyrë presidentin Biden të vlerësojë se “rreziku i Armagedonit bërthamor është më i lartë që nga Kriza Kubane e Raketave e viti 1962”. Situata nuk duket optimiste as përtej Ukrainës. Negociatat për kontrollin e programit bërthamor me Iranin dhe Korenë Veriore kanë ngecur. Koreja Veriore në veçanti ka vazhduar me testimet e avancuara të raketave të saj duke lansuar me sukses për herë të parë që nga viti 2017 raketën ndërkontinentale balistike. Kina ka ndjekur një program agresiv të rritjes së programit të saj bërthamor dhe ka refuzuar bashkëpunimin për të rritur transparencën e programit të saj bërthamor. Në këtë sfond, Departamenti amerikan i Mbrojtës ka paralajmëruar se Kina mund të pesëfishojë programin e saj bërthamor deri në vitin 2035. Kina ka sfiduar në mënyrë të paprecedent sigurinë dhe sovranitetin e Tajvanit. India dhe Pakistani kanë vazhduar me intensitet të shtuar konkurrueshmerinë bërthamore në sfondin e tensioneve të ngritura në mes dy vendeve.
2. Ndryshimet klimatike
Në vitin 2022 emetimet e dyoksid karbonit kanë thyer rekordet historike. Ndryshimet klimatike kanë shkaktuar temperatura ekstreme rekorde në Evropë, në Amerikën Veriore, në Kinë dhe në vende të tjera. Vendet e Afrikës Perëndimore dhe Pakistani janë ballafaquar me përmbytjet të pashembullta. Të gjitha këto zhvillime kanë dëmtuar prodhimin e ushqimit në sfondin e mungesës së ushqimit të shkaktuar nga pushtimi çnjerëzor rus i Ukrainës.
3. Kërcënime biologjike
Pandemia COVID-19 ka shpërfaqur rrezikun e vazhdueshëm të pandemive ndaj njerëzimit. Ekzistojnë versionet e pafundta të viruseve brenda 26 familjeve virusale dhe mikrobeve dhe njerëzimi nuk është i përgatitur të reagojë efektivisht ndaj rreziqeve të tilla. Në veçanti janë alarmante synimet e shteteve për militarizimin e armeve biologjike. Rusia ka akuzuar rrejshëm Ukrainën për përdorimin e armëve biologjike dhe kimike me qëllim të arsyetimit të përdorimit të mundshëm të Rusisë të armëve të tilla. Rusia dhe Koreja Veriore mirëmbajnë programin ofensiv të armeve biologjike, Irani nuk ka hequr dorë nga hulumtimi dhe zhvillimi i armëve biologjike, ndërsa Kina mund të jetë në shkelje të Konventës së Armeve Biologjike. Në sfondin e arkitekturës fragjile ndërkombëtare të sigurisë dhe tensioneve të ngritura në mes fuqive të mëdha përdorimi eventual i qëllimshëm apo aksidental i armëve biologjike mund të vërë në lëvizje pasoja të paparashikueshme për njerëzimin.
4. Teknologjia malinje
Dezinformimi dhe kapaciteti i tij shkatërrues në kohën moderne vazhdon të rrezikojë demokracitë. Përkundër suksesit demokratik të forcave progresive në SHBA, Francë dhe Brazil, forcat reaksionare në mbarë botën vazhdojnë të përdorin efektivisht dezinformimin për të bindur pjesë të mëdha të shoqërisë të injorojnë faktet dhe të besojnë në “faktet alternative”. Zhvillimet në Rusi, Kinë dhe Iran dëshmojnë se autoritarët ende kanë kontroll efektiv mbi shoqëritë e tyre. Ne veçanti përdorimi i sofistikuar, agresiv dhe i paprecedent i teknologjisë me qëllime të kontrollimit të popullatës në Kinë është thellësisht brengosës. Si do të duket e ardhmja nëse shteti do të kuptojë përmes kamerës kë e dashuroni e kë nuk e pëlqeni dhe si do të votoni? Nga ana tjetër, armatimi i hapësirës dhe paralajmërimi rus për përdorimin e armëve kundër satelitëve amerikanë është brengosës. Fuqitë e mëdha kanë kuptuar se gara për dominimin e hapësirës është garë për kontrollimin e Tokës.