OpEd

9 shkurti, dita e sovranit: e ardhmja e vendit në duart e qytetarëve

Mendojeni votën mirë, duke mos u shndërruar në klientë të asnjërës parti politike, por mendojeni votën tuaj si të sovranit, i cili e përcakton të ardhmen dhe mirëqenien e vendit dhe të qytetarëve të tij. Dita e vetme kur qytetarët kanë pushtet është ajo e zgjedhjeve. Prandaj, këtë pushtet duhet përdorur me zgjuarsi dhe me pjekuri

Tri ditë pasi të botohet kjo kolumne, do t’i rikthehemi realitetit. Do të ketë përfunduar fushata zgjedhore, kurse zgjedhjet do të jenë mbajtur. Kosovën e pret një periudhë jo e lehtë, e përplot sfida. Qytetarët do ta ushtrojnë sovranitetin për një ditë të vetme, më 9 shkurt, e pastaj atë do t’ua kalojnë përfaqësuesve të zgjedhur. Shumica e tyre në Parlament do ta krijojë Qeverinë, e cila do të marrë vendime që drejtpërsëdrejti ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe në mënyrën se si do të shpenzohet buxheti i mbushur nga paratë e qytetarëve – taksapagues – të cilët në këtë mënyrë edhe kontribuojnë për funksionimin e shtetit. Prandaj, është me rëndësi që qytetarët e Kosovës, kur të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin se kujt do t’ia japin votën, të mendojnë mirë se cila forcë politike do t’i përfaqësojë ata më së miri në 4 vjetët e ardhshëm. Argumente “pro et contra” ka për secilën prej partive politike. Disa syresh janë vjetruar tanimë, kurse disa janë të freskëta.

Periudha e “qumështit dhe mjaltit” (milk and honey) që na u premtua gjatë një muaji e gjysmë të fushatës zgjedhore, mbaron më 10 shkurt. Atëherë i kthehemi realitetit dhe hyjmë në një periudhë, e cila, derisa po i shkruaj këta rreshta, është ende përplot me të panjohura e pikëpyetje. Më e rëndësishmja prej tyre është se kush do ta fitojë besimin e qytetarëve për formimin e qeverisë së re. Çfarë kriteri do të mbizotërojë në mendjet e votuesve kur të marrin vendimin se për kë do të votojnë?

I mbetet secilit votues të vendosë dhe të shënojë në fletëvotim partinë dhe kandidatët e preferuar.

Prej se kam nisur të shkruaj kolumne të rregullta për KOHËN çdo të premte, kam shkruar shumë për qeverisjen e Kurtit. Kam shkruar edhe për opozitën dhe kam qenë kritik ndaj të dyja kampeve politike.

Shumica dërrmuese e kolumneve të mia janë marrë me qeverisjen e LVV-së dhe Kurtit, që është personifikim i kësaj lëvizjeje. Kam shkruar për mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies së kësaj qeverie, për instalimin e një qeverisjeje despotike në të cilën vendimet merren sipas bindjeve të një personi, pa u debatuar në shkallë të gjerë, qoftë në Kuvend, qoftë me shoqëri civile.

Para 2021-tës kam menduar se Kurti dhe LVV-ja do të aplikojnë demokraci debatuese (Deliberative Democracy), si një formë e vendimmarrjes që i nënshtrohet një diskutimi të shteruar të opsioneve të ndryshme, e cila e mundëson marrjen e vendimeve më të mira. Kam menduar se Kurti do të ofrojë lidership politik dhe do të çojë përpara politika zhvillimore që do ta përmirësojnë standardin e jetës së qytetarëve dhe jetën e tyre në përgjithësi. Mirëpo, nga sa u pa në tabulatet telefonike të WhatsApp, të publikuara në medie së fundmi, Kurti ishte një mikromenaxhues që merrej me karakterin e personave që punojnë në KEK dhe kërkonte “spastrime e shkarkime” dhe punësime në këtë korporatë, në vend se të merret me politika zhvillimore në sektorin energjetik. Njerëzit e tij më të afërt merreshin me atë se kujt t’i jepet tenderi për riparimin e kaldajës së termocentralit “Kosova A”, në vend se të merren me politikëbërje që e bën Kosovën të jetë fuqia kryesore energjetike në rajon – e që mund të bëhet fare realisht – duke pasur parasysh resurset e saj energjetike. Me një fjalë, vendimet që me ligj i takojnë një ndërmarrjeje publike, merreshin në mënyrë të kundërligjshme nga një grup qeveritarësh, duke përfshirë edhe kryeministrin. I takon Prokurorisë së Shtetit të përcaktojë se a ka pasur konsumim të veprave penale në këto komunikime, duke përfshirë edhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare, ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm e të tjera, të cilat do të varen nga provat që i ka mbledhur dhe do t’i mbledhin prokurorët gjatë procesit të hetimeve. Tabulatet e WhatsAppit janë një aferë e madhe. Afera WhatsApp tregon se kryeministri Kurti dhe partia e tij nuk u janë përmbajtur parimeve të qeverisjes së mirë, të cilën ua ka premtuar qytetarëve më 2021. Përkundrazi, tani sulmet e tij kundër Prokurorisë së Shtetit me argumentin se dëshiron ta spastrojë atë nga elementet që “i shërbejnë politikës së vjetër” dhe krimit, nuk janë fare të besueshme. Kurti dhe vartësit e tij në qeveri po e sulmojnë Prokurorinë e Shtetit, e veçanërisht Prokurorinë Speciale, për të shmangur dhënien e përgjegjësisë ligjore për shkeljet që kjo Qeveri i ka bërë. Afera WhatsApp është vetëm maja e ajsbergut. Prandaj, është me rëndësi që të kemi institucione të drejtësisë të pavarura e që nuk mund të cenohen nga pushteti politik.

Një tjetër çështje, tek e cila nuk mund të mos ndalem janë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në, për të cilat po ashtu kam shkruar gjatë këtij viti në kolumnet e rregullta. Në disa kolumne, e posaçërisht në atë me titull “Nga Bideni te Trumpi: sfida të reja për Kosovën dhe kryeministrin Kurti” më 25 tetor 2024, ku e pata diskutuar mundësinë reale që Trumpi të zgjidhet president i SHBA-së, pata thënë se hyrja e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të paraqesë vështirësi për kryeministrin Kurti dhe për partinë e tij në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Një prej parashikimeve që pata bërë është se pasi ta marrë pushtetin më 20 janar, administrata Trump do të tregojë se marrëdhëniet e saj me kryeministrin Kurti nuk janë të mira dhe se kjo mund të ndikojë edhe në vendimin e një numri jo të vogël të votuesve të papërcaktuar kosovarë. Njëmend ndodhi ajo që e kisha parashikuar. Politikëbërësi kryesor i administratës së Trumpit dhe njëri prej personave më të afërt të tij, Richard Grenell, e lëshoi një bombë ku e përgënjeshtroi pohimin e Kurtit se asnjë qeveri para së tijës nuk ka pasur marrëdhënie më të afërta me SHBA-në. Grenelli tregoi se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në kanë rënë në pikën më të ulët gjatë qeverisjes së kryeministrit Kurti dhe e pohoi qëndrimin se SHBA-ja është kundër Kurtit. Ai u tha qytetarëve të Kosovës të mos mashtrohen nga fjalët e Kurtit lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Ky qëndrim qe i pritshëm. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe i biri i presidentit Trump, Donald Jr. Trump, e ripostoi qëndrimin e Grenellit, duke treguar se edhe presidenti Trump është i interesuar për zgjedhjet në Kosovë. Lajmi i mirë është se Kosova zë vend në agjendën amerikane, kurse qëndrimi i administratës Trump kundër Kurtit ka qenë i pritur, përveç tjerash, edhe kur të kihet parasysh fakti se vetë Kurti është shprehur kundër zgjedhjes së Trumpit në presidencialet e 2020-ës, kur i ftoi shqiptaro-amerikanët të mos votojnë për të por për Joe Bidenin. Tani, i zoti i shtëpisë është mu ai, kundër të cilit qe ngritur Kurti dhe kjo mund të ketë ndikim në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, po qe se Kurti e merr sërish karrigen e kryeministrit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sa u përket marrëdhënieve me BE-në, Kosova ndodhet nën sanksione që prej 2023-tës dhe ka humbur qindra miliona euro nga programet zhvillimore të BE-së. Po ashtu, kryeministri Kurti hoqi dorë nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, duke mos pranuar që ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarësimi i Kosovës në KiE do t’i forconte themelet dhe godinën e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe do të hapte rrugë për anëtarësim edhe në organizata e institucione të tjera ndërkombëtare, duke e forcuar sovranitetin e saj. Po të mundte, Serbia do të hiqte dorë nga Asociacioni vetëm që Kosova të mos anëtarësohet në KiE. Ajo ka lobuar shumë që Kosova të mos futet në rendin e ditës së Këshillit Ministror të KiE-së. Mirëpo, punën e Serbisë e bëri vetë Kosova nën udhëheqjen e Kurtit dhe e shqelmoi një rast të mirë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, gjë që do të jetë edhe më e vështirë në periudhën pasuese.

Pushteti korrupton. Nga kjo nuk ka mbetur imune as LVV-ja. Prandaj, argumentet e saj se po lufton kundër një strukture politike të korruptuar, të përfaqësuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë rënë në ujë prej momentit kur ajo e ka marrë në dorë qeverisjen më 2021. Afera WhatsApp tregon vetëm një segment të vogël të shkallës së abuzimeve qeveritare gjatë këtij mandati, të cilat mbeten të zbulohen. Argumenti i vetëm në favor të qeverisjes Kurti është shtrirja e sovranitetit në veri dhe mbyllja e institucioneve paralele të Serbisë. Mirëpo, problemi i veriut të Kosovës nuk është zgjidhur e as që mund të zgjidhet me masat e ndërmarra nga kjo qeveri. Është e vërtetë se në terren janë krijuar fakte të reja, por ato nuk janë të qëndrueshme dhe çmimi të cilin po e paguajmë është mjaft i lartë. Rruga për shtrirjen e sovranitetit në veri dhe në enklavat e tjera me shumicë serbe nuk duhet të jetë vetëm policore, që ka qenë instrumenti kryesor zbatues i kësaj qeverie. Bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare është kyç për shtrirjen e sovranitetit të brendshëm. Me politikën e qeverisë Kurti, Kosova e ka krijuar iluzionin se po e forcon sovranitetin në planin e brendshëm, mirëpo kjo qeveri e ka dobësuar sovranitetin e vendit në planin e jashtëm, duke e lënë Kosovën pa miq e aleatë.

Në vend të zemrave, votuesit duhet ta përdorin mendjen e tyre kur të marrin vendim se për kë të votojnë më 9 shkurt. Pas 9 shkurtit fillon një periudhë e re, nga e cila Kosova ose do të fitojë shumë, ose do të dalë humbëse. Në SHBA kemi një president të ri, me të cilin kryeministri i deritashëm i ka marrëdhëniet e këqija. Këto marrëdhënie nuk janë të karakterit personal, ndërmjet dy personaliteteve, por të atij politik e strategjik. Trumpi ose do të bëhet mik i Kosovës, ose kundërshtar i saj. Kjo varet nga ajo se kush do të vijë në pushtet pas 9 shkurtit. Me Trumpin si zot shtëpie në Shtëpinë e Bardhë, Kosova pas 9 shkurtit do të hyjë në një periudhë vendimtare politike, për të mos thënë se e ardhmja e saj varet nga vendimi i shumicës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. Prandaj, mendojeni votën mirë, duke mos u shndërruar në klientë të asnjërës parti politike, por mendojeni votën tuaj si të sovranit, i cili e përcakton të ardhmen dhe mirëqenien e vendit dhe të qytetarëve të tij. Dita e vetme kur qytetarët kanë pushtet është ajo e zgjedhjeve. Prandaj, këtë pushtet duhet përdorur me zgjuarsi dhe me pjekuri.