E vlerësova se ky vit jubilar i Mbretëreshës Elizabeth II, krahas rëndësisë historike të cilën e bart për popullin dhe vendin e saj, e mbart njashtu edhe për mua si shqiptar nga Kosova i natyralizuar në britanik, si dhe për shumë bashkëkombës të mi të tjerë me të cilët e ndajmë të njëjtin fat. Britania e Madhe e ka luajtur një rol krucial në rrugëtimin e lirimit të Kosovës nga kthetrat e shtetit serb, si dhe në pavarësimin e saj si shtet. Do të mbetet një shtet mik i përjetshëm i Kosovës dhe jo rrallëherë edhe mik udhërrëfyes se çfarë drejtimi duhet të marrë demokracia e re kosovare
Sot dhe ditëve të vikendit Britania e Madhe e shënon 70-vjetorin e Mbretëreshës Elizabeth në fron. Është koha më e gjatë e regjistruar në historinë e Britanisë së Madhe e sundimit të ndonjë monarku. Jubileu i platinit, qysh po e quajnë, shënohet si festë e veçantë shtetërore dhe do të shoqërohet me aktivitete të shumta, të organizuara qoftë nga vetë shteti, monarkia apo edhe nga vetë qytetarët. Fëmijët janë të liruar nga shkolla dhe punëtorët nga puna.
Në anët tjetër, oraret e pubeve, restoranteve dhe lokaleve të tjera të argëtimit do t’i kenë licencat e zgjatura të punës përtej orarit, ashtu që popullit t’i mundësohet që të participojë në organizimet e festave të tyre edhe nëpër pubet e shumta qindravjeçare rurale. Çdo lokal dhe qendra e qytetit të Londrës është e kapluar me flamuj të shumtë të Britanisë së Madhe, si dhe me imazhet e Mbretëreshës Elizabeth II.
Ajo është Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar dhe e 14 mbretërive të tjera të Commonwealthit. U lind në Mayfair të Londrës, si fëmija i parë i Dukës dhe Dukeshës së Jorkut. Babai i saj u ngjit në fron në vitin 1936, pas abdikimit të vëllait të tij, Mbretit Eduard VIII, duke e bërë Elizabetën trashëgimtare të supozuar.
Rruga e Elizabethit drejt fronit u përshpejtua nga abdikimi i xhaxhait të saj dhe vdekja e hershme e babait të saj, mbretit George VI. U bë mbretëreshë në shkurtin e 1952-s, kur ishte 25-vjeçare ndërsa me 27 vjet e mori zyrtarisht kurorën në qershorin e 1953-s.
Ajo është shërbyer nga 14 kryeministra britanikë dhe është takuar me 13 presidentë të SHBA-së. Ka kryesuar mbi tkurrjen e Perandorisë Britanike dhe në ngritjen e globalizimit. Vendin e ka ankoruar nëpërmjet pasigurisë dhe vetë dramave të familjes mbretërore.
Mbretëresha Elizabeth II nuk ka dhënë kurrë intervistë. Por ka gjetur mënyra për t'u lidhur me subjektet e saj, duke përfshirë fjalimin e saj vjetor të Krishtlindjes, pjesë kjo qendrore e traditave të festave britanike.
Si kryesuese e shtetit dhe si kryetare e Kishës së Anglisë, ajo ka ngërthyer në fjalime fjalë urtësie, besimi dhe herë pas here edhe reflektime personale.
“Nuk mund t'ju dërgoj në betejë, nuk ju jap ligje dhe nuk jap drejtësi, por mund të bëj diçka tjetër. Mund t'ju jap zemrën dhe përkushtimin tim ndaj këtyre ishujve të vjetër dhe të gjithë popujve të vëllazërisë sonë të kombeve”, tha ajo në fjalimet e saja të para televizive për Krishtlindje në vitin 1957.
Ndër momentet e dukshme kulturore të epokës së dytë elizabetiane ishte vizita e Beatlesave në Pallatin Buckingham të Londrës, 26 tetorin e 1965-s. Me mijëra fansa të grupit të adhuruar muzikor kaluan pranë policëve dhe u ngjitën në portat e pallatit dhe shtyllat e dritave, përderisa John Lennoni, Paul McCartneyi, George Harrisoni dhe Ringo Starri mbërritën për ta takuar mbretëreshën.
E veshur me një fustan ari të zbehtë, ajo u dha medalje nderi ikonave të kulturës pop të Britanisë.
“Ajo ishte shumë miqësore”, tha McCartneyi pas takimit. “Ishte si një nënë për ne”.
Katër vjet më vonë, Lennoni do të kthente medaljen e tij, në shenjë proteste ndaj mbështetjes së Britanisë për luftën e SHBA-së në Vietnam dhe përfshirjes së saj në Luftën Civile Nigeriane.
Mbretërimi i mbretëreshës është shënuar, gjithashtu, nga momente shkatërrimi kombëtar. Më 21 tetor të 1966-s, një ortek i mbeturinave të qymyrit që kishte dalë nga një mal i lagur nga shiu u vërsul nëpërmjet qytetit të Uellsit, Aberfan, duke vrarë 144 njerëz, shumica prej tyre fëmijë në shkollë.
Ndërsa kombi vajtonte tragjedinë, Elizabeth II ngjalli kritika për pritjen tetëditore përpara se të vizitonte vendin e fatkeqësisë, një vendim ky për të cilin thuhet se më pas i kishte ardhur keq.
Mbretëresha Elizabeth II theu traditën shekullore kur në vend që të përshëndetjes nga distanca, ajo iu afrua njerëzve gjatë një xhiroje mbretërore në Australi dhe në Zelandën e Re më 1970. E veshur me një fustan ngjyrë të verdhë limoni, me një kapelë firmato dhe në kombinim me çantën e dorës, ajo kaloi nëpër rrugët e Sidneit duke buzëqeshur dhe duke folur me shikuesit e trullosur. Që atëherë, “shëtitja në këmbë” është bërë një praktikë e zakonshme për shumë anëtarë të familjes mbretërore.
Një nga periudhat më të vështira të jetës familjare të mbretëreshës filloi me martesën përrallore të djalit të saj të madh dhe trashëgimtarit, Princit Charles, me Diana Spencerin më 29 korrik të 1981-s. Deri në një milion njerëz kërkuan që të shihnin një paraqitje të shkurtër të procesionit në pjesën qendrore të Londrës, ndërsa BBC-ja vlerësoi se 750 milionë njerëz në mbarë botën po e shikonin këtë eveniment në televizion.
Ani se Diana ishte e dashur si “princesha e popullit”, çifti pati një martesë të trazuar, me akuza të ndërsjella për tradhti. Ata u ndanë në vitin 1992 - në vitin që mbretëresha e quajti "annus horribilis", (“Vit katastrofik” nga latinishtja), pasi që e përfshiu edhe ndarjen e djalit të saj Andrew, divorcin e vajzës së saj Anne dhe zjarrin në Kështjellën Windsor.
Presidenti Richard M. Nixon kishte shkuar përpara saj. Edhe kryeministrja britanike Margaret Thatcher. Por në tetorin e 1986-s, Elizabeth u bë monarkja e parë britanike që e vizitoi Kinën. Udhëtimi u pa si një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve diplomatike të Britanisë, teksa përgatitej ta kthente Hong-Kongun nën kontrollin kinez. Mbretëresha vizitoi Murin e Madh Kinez dhe luftëtarët e sapozbuluar nga terra cotta. Dhe, ndryshe nga Thatcheri, ajo mbeti e patrazuar kur udhëheqësi kinez, Deng Xiaoping, pështyu në një pështymore (legen) pranë sediles së tij.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, mbërriti në Britani në korrik të 1996-s për një vizitë shtetërore katërditore tek ish-kolonizuesi i vendit të tij. Duke iu drejtuar anëtarëve të Parlamentit, ai denoncoi racizmin si “një plagë në ndërgjegjen njerëzore”.
Në atë udhëtim, Mandela dhe mbretëresha zhvilluan një respekt të qëndrueshëm për njëri-tjetrin. Ajo e priti atë në Pallatin Buckingham dhe e çoi në një shëtitje me karrocë nëpër Londrën qendrore. Në një festë në Royal Albert Hall, Mandela e kishte ngritur mbretëreshën në këmbë, megjithëse ajo “rrallëherë është njohur si boogie në publik”, raportoi “Daily Telegraph”.
Me miliona njerëz ende mund të kujtojnë me saktësi se ku ishin në vitin 1997 kur mësuan për vdekjen e Princeshës Diana në një aksident automobilistik në Paris. Momenti tronditi botën dhe vuri një vëzhgim intensiv publik mbi familjen mbretërore britanike.
Mbretëresha u përball me kritika për përgjigjen e ngadaltë. Ditë më vonë, ajo i foli kombit drejtpërdrejt nga Buckingham Palace dhe tha: “Askush që e njihte Dianën nuk do ta harrojë kurrë. Me miliona të tjerë që nuk e takuan kurrë, por e ndien se e njihnin, do ta kujtojnë atë”. “Ne të gjithë jemi përpjekur në mënyra të ndryshme për t'ia dalë mbanë”, shtoi ajo.
Mbretëresha e famshme befasoi audiencën në Lojërat Olimpike të Londrës më 2012, duke u shfaqur në një segment hapës dramatik së bashku me spiunin më të famshëm të Britanisë, James Bond, të portretizuar nga aktori Daniel Craig.
Një video e shpërfaqi agjentin 007 që vinte në pallat për të shoqëruar monarken në ceremoninë e hapjes, teksa të dy u hodhën me parashutë nga një helikopter në stadiumin olimpik, mes duartrokitjeve të egra nga tifozët e befasuar. Mbretëresha e vërtetë, me fytyrë pokeri si gjithmonë, hyri në karrigen e saj duke e përshëndetur publikun me dorë, sikurse një “fëmijë i llastuar”.
Dasma e Princit Harry me aktoren amerikane Meghan Markle në vitin 2018 ishte një ngjarje globale - dhe nxiti pyetje nëse një feministe e vetëshpallur dyracore, politikisht aktive, mund të ndihmojë në modernizimin e monarkisë britanike. Por në vitin 2020, Harry dhe Meghan njoftuan se ndiheshin të përndjekur nga media dhe se do të tërhiqeshin nga detyrat e tyre mbretërore. Mbretëresha ndërmjetësoi largimin e tyre nga firma familjare, duke shkruar në një deklaratë: “Megjithëse do të kishim preferuar që ata të mbeten anëtarë të familjes mbretërore që punojnë me kohë të plotë, ne e respektojmë dhe e kuptojmë dëshirën e tyre për të jetuar një jetë më të pavarur si familje ndërsa duke mbetur një pjesë e çmuar e familjes sime”.
Elizabeth ishte e martuar me Filipin për 73 vjet, kur Buckingham Palace njoftoi për vdekjen e tij më 9 prill të 2021-s. Funerali i tij, në mes të pandemisë së koronavirusit, u ndoq vetëm nga anëtarët e ngushtë të familjes dhe miqtë. Mbretëresha u ul vetëm në një stol, e veshur me një maskë të zezë për fytyrën, në përputhje me kufizimet kombëtare.
Elizabeta, të cilën Filipi e quante me dashuri Lilibet, e kishte përshkruar atë si “forca dhe qëndrimi” i saj. Në mesazhin e saj të Krishtlindjes atë vit, ajo kujtoi se “shkëlqimi i tij djallëzor dhe kërkues ishte po aq i ndritshëm në fund sa kur i vura sytë për herë të parë”. Më pas shtoi: “Por jeta, natyrisht, përbëhet nga ndarjet përfundimtare, si dhe takimet e para”.
Fragmente të shumta të këtij ditari janë nga shkrimet autoriale të Frank Hulley-Jonesit, Ruby Mellenit, Adela Sulimanit dhe Sarah Hashemiy, të botuar në të përditshmen “The Washington Post” të datës 22 maj 2022.
E vlerësova se ky vit jubilar i Mbretëreshës Elizabeth II, krahas rëndësisë historike të cilën e bart për popullin dhe vendin e saj, e mbart njashtu edhe për mua si shqiptar nga Kosova i natyralizuar në britanik, si dhe për shumë bashkëkombës të mi të tjerë me të cilët e ndajmë të njëjtin fat.
Britania e Madhe e ka luajtur një rol krucial në rrugëtimin e lirimit të Kosovës nga kthetrat e shtetit serb, si dhe në pavarësimin e saj si shtet. Do të mbetet një shtet mik i përjetshëm i Kosovës dhe jo rrallëherë edhe mik udhërrëfyes se çfarë drejtimi duhet të marrë demokracia e re kosovare.