OpEd

48-orëshat e pakufi

Përpjekja për ta paraqitur moszgjedhjen e Haxhiut si problem gjinor është, amerikanët i thonë, “cheap”. Do të ishte problem gjinor po qe se katër herë do të propozoheshin katër gra të ndryshme, e që asnjëra të mos kalonte. Në vend se të thonë se Haxhiu nuk po votohet për shkak se është grua, do të duhej të brengoseshin me faktin se një grua bëhet pjesë e një procesi kusuritjesh politike udhëhequr nga burrat

Dy muaj e gjysmë qëkur u mbajtën zgjedhjet dhe ne ende presim që të konstituohen institucionet e reja.

Dje u mbajt vazhdimi i gjashtë i seancës konstitutive, në të cilën u tentua të zgjidhej kryetarja e re e Kuvendit. Për të katërtën herë me radhë, i mori 57 vota - të pamjaftueshme për t’u zgjedhur.

Njëmend boll rëndë po më vjen që çdo të dytën ditë duhet angazhuar një duzinë njerëzish për ta përcjellë hajgarellëkun dhe shfaqjen fort të bajatshme në Kuvendin e Kosovës, dhe për t’i raportuar publikut.

E kur e sheh rrjedhën e mbledhjeve dhe kur i dëgjon deklaratat e përfaqësuesve politikë, të duket thuajse je duke e parë reprizën e emisionit të para dy ditëve: njësoj. Votimi njësoj, fajësimi i ndërsjellë njësoj dhe natyrisht, faji jetim.

* * *

Kjo puna në Kuvend është shembulli më i mirë i asaj të vjetrës: "e korr atë që e mbjell".

Fort ironike është të shohësh se si VV-ja, me po të njëjtën arrogancë të partive të atëhershme në pushtet, kërkon që partitë e tjera ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare Kuvendi, duke insistuar se ata e kanë të drejtën e propozimit të kandidatit/es dhe se ky votim është thjesht procedural.

Bëhen thuajse nuk ka ndodhur që VV-ja, qëkur është pjesë e Kuvendit, përherë ka votuar kundër kandidatëve për kryetar, që natyrisht nuk kanë qenë nga radha e VV-së, apo edhe pjesë e koalicionit qeverisës udhëhequr nga ta.

Në kohën kur Thaçi me PDK-në insistonin ta mbanin pushtetin, gjë që ndodhi me prishjen e VLAN-it dhe kalimin e LDK-së në koalicion me PDK-në, më së pari qe krijuar një hallakamë e paparë që pati për përfundim dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Atëbotë Kushtetuesja, me një interpretim jo fort racional që patjetër ia siguronte PDK-së mundësinë e mbajtjes së pushtetit, doli me qëndrimin se kryetari i shtetit detyrohet t’ia japë mandatin kandidatit për kryeministër nga partia apo koalicioni që e fitoi shumicën e votave në zgjedhje, e jo kandidatit të propozuar nga partia apo koalicioni që mund ta sigurojë shumicën absolute të votave në Kuvendin e Kosovës.

Kushtetuesja refuzonte ta përkufizonte termin “shumicë”, si shumicën absolute të votave në Kuvend. Vendosi që “shumica” është partia apo koalicioni që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje. Nuk jam e sigurt se është marrë me rastin hipotetik kur dy parti fitojnë numrin identik të votave dhe përfundojnë të parët në zgjedhje. Kush dekretohet në këtë rast? Kandidati që zgjidhet sipas alfabetit?

Nejse, për të mbërritur deri te pika e Kushtetueses, atëbotë u përdor kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina. E pati bërë cirk dhe qe kritikuar aq shumë, saqë me një seancë u zëvendësua me deputeten e dytë më të moshuar që rridhte nga radhët e Lista Srpska. Atëbotë zgjedhja e Isa Mustafës kryeparlamentar u anulua, kurse Kadri Veseli më në fund kaloi me votat e PDK-së dhe të LDK-së. Brovina mbeti kryesuese hiç më pak se pesë muaj.

Më 2025, po të njëjtin cirk po e bën edhe Avni Dehari, në dy seanca e interpretoi rregulloren qysh i konvenoi partisë së tij... U kritikua, me të drejtë. Por në dy seancat e fundit iu përmbajt procedurës – e hodhi në votim propozimin e VV-së, i cili dihej që nuk do të kalonte.

* * *

Aktgjykimi i Gjykatës që i përcaktoi rregullat e lojës që duhet respektuar, mori shumë kohë derisa u miratua. Nuk u mor me një nen, i cili tash po del të jetë kyç, ngase ai nuk ishte objekt shqyrtimi as që ishte parashtruar.

Dhe mbase kjo do të duhej të ishte fija për të cilën duhet kapur po qe se duhet të zgjidhet nyja e krijuar krejt artificialisht, në emër të taktizimeve dhe interesave partiakë.

Neni 66 i Kushtetutës e parasheh që “seanca konstitutive të mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes së rezultateve finale”. Nuk thotë se Kuvendi do të jetë i konstituuar brenda 30 ditësh. Nuk thotë se as sa mund të zgjasë seanca; nuk thotë as sa herë mund të votohet i njëjti kandidat; nuk thotë as a shpërbëhet Kuvendi nëse kryesia nuk mund të konstituohet.

Dje, deputetja Kusari-Lila u përpoq ta përdorte këtë nen si argument presioni ndaj opozitës, duke i kalkuluar ditët. Por problemi me argumentimin e saj është se seanca konstitutive ka nisur para skadimit të afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Por seanca ende vazhdon. Deri tash i ka pasur pesë ndërprerje. Dhe mund ta ketë një numër të pafund ndërprerjesh, ngase nuk ka afat të përcaktuar për konstituimin faktik të Kuvendit. E këtë e dinë që të gjitha partitë politike të përfshira në teatrin të cilin po detyrohemi ta përcjellim çdo 48 orë.

* * *

Dhe për shkak se e dinë këtë punë, tash nxirren argumente të shumëllojshme nga krejt taborët, duke u përpjekur ta qesin palën tjetër sa më keq.

Të pakta janë dilemat nëse këtë zvarritje është duke e shkaktuar VV-ja. Është evidente se nuk i ka numrat.

Qeveria, për dallim nga Kuvendi, duhet të themelohet brenda 15 ditësh nga mandatimi i kandidatit. Po qe se votimi i parë dështon, janë edhe 10 ditë të tjera për ta kaluar qeverinë. E po qe se as atëherë nuk kalon, shkohet në zgjedhje të reja, që duhen të mbahen më së voni brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes së tyre.

Në kushtet kur numrat nuk janë, insistimi që Albulena Haxhiu të zgjidhet, tregon për mosinteresimin e VV-së që të ecet para. Sepse sa më shumë të insistohet në zgjedhjen e saj, aq më pak gjasa që të kalojë.

Pra, nëse qëllimi i njëmendtë është konstituimi i Kuvendit, VV-ja duhet të dalë me kandidat/e tjetër. I ka edhe 47 të tjerë që mund t’i propozojë. Ndonjëri mund të kalojë. E nëse nuk do të kalonte asnjëri, atëherë do të dinim pa asnjë dyshim se obstruksioni po vjen nga partitë që në Kuvendin e kaluar kanë qenë opozitare.

Për ta mbajtur ambientin e tensionuar, duke u përpjekur ta paraqesë veten viktimë të partive të tjera që “nuk e përfillin të drejtën e VV-së për ta propozuar kryeparlamentarin”, VV-ja aktivizon disa deputetë, prej të cilëve më i zëshmi është Dimal Basha.

Duket se detyra e tij është të përpiqet të bëjë “spin” – pra që veprimin e qëllimshëm të partisë së vet, për një interes që ende nuk na zbulohet, ta paraqesë si viktimizim apo edhe paralajmërim ogurzi.

Përpjekja për ta paraqitur moszgjedhjen e Haxhiut si problem gjinor është, amerikanët i thonë, “cheap”. Do të ishte problem gjinor po qe se katër herë do të propozoheshin katër gra të ndryshme, e që asnjëra të mos kalonte. Në vend se të thonë se Haxhiu nuk po votohet për shkak se është grua, do të duhej të brengoseshin me faktin se një grua bëhet pjesë e një procesi kusuritjesh politike udhëhequr nga burrat.

Pos këtij “argumenti” vijojnë edhe disa, të cilat i shënova në një postim në FB, pas intervistës që pati në “60 Minuta” të KTV-së.

1. VV-ja i ka numrat për Qeverinë.

Po meqë i paskan numrat, pse nuk e votojnë Haxhiun kryeparlamentare, pra?

2. Opozita duhet ta votojë Haxhiun, sepse VV-së i takon caktimi i kandidatit/es.

Kurrkush nuk po e konteston se VV-ja e cakton kandidatin/en. Por, pse duhen partitë e tjera ta votojnë Haxhiun, nëse VV-ja i ka numrat?

3. VV-ja nuk i voton nënkryetarët e Kuvendit, po qe se Haxhiu nuk zgjidhet kryetare.

Me këtë, VV-ja nuk e voton as anëtarin e vet në Kryesi, pra.

4. Formimi i Qeverisë nga partitë e tjera mund të bëhet veç me Lista Srpska - dhe ky është cenim i sigurisë kombëtare.

Por askush nga VV-ja nuk inicioi procedurën në Gjykatë për ta shpallur këtë subjekt politik ilegal apo armiqësor. Dhe me mosveprimin e tyre ia kanë mundësuar garimin në zgjedhje.

5. LDK-ja, i vetmi subjekt brenda të cilit janë vjedhur votat.

Dhe duke e ditur këtë fakt, tash VV-ja i kërkon votat e atyre që i kanë vjedhur votat për ta kaluar Haxhiun.

* * *

Bllokada do të vazhdojë derisa t’i konvenojë VV-së. Sa më shumë herë përsëritet emri i Haxhiut si kandidate, aq më shumë herë do të shtyhet seanca konstitutive.

Mbase nuk do të ishte keq që të uleshin e të merreshin vesh partitë politike – e për këtë, e besoj, merren vesh sa ora: nëse duan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, le ta thonë, e le ta caktojnë një datë. Më mirë sesa të na e humbin kohën duke i përcjellë në Kuvend.

Por, supozoj se e dinë se nuk mund të shkojnë në zgjedhje të reja pa e konstituuar njëherë Kuvendin. Mandej le ta shpërndajnë kur t’ua ketë ënda.

[email protected]