Përderisa në zgjedhjet evropiane partitë tradicionale kanë siguruar një shumicë të madhe, duke neutralizuar rritjen e së djathtës ekstreme, situata në disa vende anëtare është shqetësuese për të ardhmen e BE-së. Në Holandë tashmë është e sigurt se e djathta ekstreme do ta qeverisë vendin. Kjo ka rrezik të ndodhë edhe në Francë. Dhe pastaj këto dy shtete, ndër më të rëndësishmet për BE-në, mund të bëhen rrezik për unionin
Në fillim të këtij shekulli dhe mileniumi, Bashkimi Evropian pati një plan shumë ambicioz. U mblodh një grup eminent i cili hartoi “Kushtetutën Evropiane”. Ajo u nënshkrua nga të gjitha vendet anëtare dhe u pa si dokumenti historik i cili do ta forcojë Bashkimin Evropian. Madje simbolikisht një kopje e Kushtetutës Evropiane u dërgua edhe në hënë. Ai dokument e bënte BE-në të gatshme për përballje me sfidat e reja, për pranimin e anëtarëve të rinj dhe hapte rrugë për integrime më të thella brenda Bashkimit Evropian. Por pati kundërshtarë që thoshin se me këtë dokument BE-ja po shkonte drejt federalizimit, drejt krijimit të një BE-je si “super shtet”: federalistët madje thoshin se po krijohen shtetet e bashkuara të Evropës. Dhe nga Brukseli e shumë qendra të tjera evropiane, qysh atëherë i dërgoheshin kërcënime Britanisë së Madhe se nuk do të lejohet ta fundosë atë dokument.
Por ai dokument u fundos nga shtete, nga të cilat më së paku pritej. Nga dy shtete themeluese të BE-së. Dhe atë nga populli i atyre shteteve. Në referendume në Holandë dhe Francë, qytetarët hodhën poshtë ratifikimin e atij dokumenti. Për të hyrë në fuqi dokumentet bazë të BE-së duhet të ratifikohen nga të gjitha vendet anëtare. Zakonisht kur ndonjë vend në referendum hedh poshtë, e kjo shpesh ndodh në Irlandë, atëherë organizohet përsëri votimi deri sa të mos kalojë. Por kur është në pyetje Franca, sikurse dhe Holanda, nuk mund të bëhen presione të tilla. Dhe kur këto dy shtete thanë jo, u fundos ai dokument dhe tashmë pakkush e di se ka ekzistuar ndonjëherë. Për të kompensuar minimalisht atë që nuk u arrit me Kushtetutë Evropiane, dhe për ta bërë BE-në tashmë të zgjeruar funksionale, u arrit Traktati i Lisbonës. Dhe ai, po ashtu me shumë mundime, u ratifikua dhe hyri në fuqi.
Franca dhe Holanda, krahas Gjermanisë e Belgjikës, kanë rëndësi të veçantë në BE. Mes tjerash, janë edhe paguesit e mëdhenj në buxhetin e përbashkët. Dhe kur në këto shtete ka probleme, atëherë ato reflektohen edhe në Bashkimin Evropian.
Tash nga Holanda dhe Franca po vjen një kërcënim i natyrës tjetër, i paparë deri tash. Ai është kërcënimi i ardhjes në pushtet i së djathtës ekstreme, që rritjen e saj e ka arritur edhe duke kundërshtuar Bashkimin Evropian. Në të dyja këto dy shtete, partitë e ekstremit të djathtë kanë dalë fituese në zgjedhje. Në Holandë kanë fituar zgjedhjet, ndërsa në Francë një parti e këtij orientimi ka marrë përqindjen më të madhe të votave të zgjedhjeve nacionale.
Përderisa në zgjedhjet evropiane partitë tradicionale kanë siguruar një shumicë të madhe, duke neutralizuar rritjen e së djathtës ekstreme, situata në disa vende anëtare është shqetësuese për të ardhmen e BE-së. Në Holandë tashmë është e sigurt se e djathta ekstreme do ta qeverisë vendin. Kjo ka rrezik të ndodhë edhe në Francë. Dhe pastaj këto dy shtete, ndër më të rëndësishmet për BE-në, mund të bëhen rrezik për unionin.
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë injoruar në samitin e fundit rritjen e të djathtës ekstreme. Kanë miratuar një marrëveshje për ndarjen e posteve udhëheqëse në institucionet e BE-së të dakorduar nga negociatorët e tri grupeve tradicionale: Partisë Popullore Evropiane (EPP), Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe Liberalëve. Ata nominuan presidenten e tashme të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen edhe për një mandat të ri pesë-vjeçar. Sipas së njëjtës marrëveshje, socialistëve u takoi posti i presidentit të Këshillit Evropian që do ta mbajë ish-kryeministri i Portugalisë Antonio Costa. Liberalët do ta kenë postin e Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, ku kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas do ta zëvendësojë Josep Borrellin. EPP-ja dhe socialistët do ta ndajnë nga dy vjet e gjysmë edhe postin e Presidentit të Parlamentit Evropian.
Pikërisht pse ishin të përjashtuar nga këto negociata, liderët që vijnë nga radhët e konservatorëve si kryeministrja e Italisë, Georgia Melloni dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, votuan kundër ose u përmbajtën. Ka një grup në EPP që është i hapur për bashkëpunim me të djathtën konservatore. Por në atë rast kanë frikë se socialistët dhe liberalët nuk do ta respektonin më marrëveshjen për ndarjen e posteve dhe Ursula von der Leyen do të dështonte ta merrte shumicën e nevojshme në Parlamentin Evropian. Prandaj pritet që më 18 korrik tri partitë kryesore, me ndonjë votë edhe nga të gjelbrit, të konfirmojnë Ursula von der Leyenin për një mandat të ri në krye të Komisionit Evropian. Nëse ajo nuk arrin të sigurojë së paku 361 vota në Parlamentin prej 720 anëtarësh, atëherë BE-ja do të hyjë në një krizë institucionale.
Por nuk është Parlamenti Evropian ai që shqetëson BE-në. Shqetësuese është situata në vendet anëtare, sidomos në Francë dhe Holandë. E rritje e së djathtës ekstreme është shënuar edhe në Austri, Belgjikë, Gjermani dhe disa vende tjera. Pasi Këshilli i BE-së është institucioni kryesor, ku merren vendimet, dhe shpesh me unanimitet, ardhja në pushtet e së djathtës ekstreme në vendet anëtare rrezikon më shumë BE-në sesa rritja e tyre në Parlamentin Evropian. Dhe kjo vlen sidomos kur një frymë e tillë e së djathtës ekstreme vjen nga vendet e rëndësishme si Franca dhe Holanda. Jo vetëm zgjerimi i BE-së, por edhe vetë ekzistenca e BE-së mund të vihet në pikëpyetje.