Me garantimin e armëve për Ukrainën dhe të litiumit për Perëndimin, Vuçiqit do t’i garantohen çimentimi i pushtetit brenda Serbisë e hegjemonia beninje në gjithë rajonin. Kësisoj, interesat e Perëndimit dhe të Vuçiqit do të jenë plotësisht të harmonizuara. Kësisoj, Kosova e gjen veten në një botë radikalisht ndryshe nga viti 1999. Serbia nuk është më armik i betuar i NATO-së, por aleat i shtrenjtë i Perëndimit
Këtë javë u konfirmua edhe publikisht ajo që e kemi ditur privatisht: Serbia është duke e mbështetur ushtarakisht Ukrainën në luftë kundër Rusisë. Siç shkoi “Financial Times”, në këta dy vjet luftë Serbia ka furnizuar Ukrainën me gati 1 miliard euro municion.
Këtu edhe e kuptuam arsyen e tolerancës së vazhdueshme të Perëndimit ndaj Serbisë. Lufta në Ukrainë është larg prioritetit numër një gjeopolitik i Perëndimit dhe në këtë drejtim Serbia ka gjetur veten në një rol unik për të ndihmuar aleancën perëndimore. Armët ukrainase dhe ato serbe janë në masë të madhe kompatibile, pasi që rrjedhin nga tradita sovjetike ushtarake. Kësisoj, industria serbe e armatimit ishte një nga burimet më të përshtatshme të furnizimit të armatimit për Ukrainën. Kjo u arrit përmes një gjimnastike ligjore dhe financiare, ku kontratat ushtarake të Serbisë me vende të treta u përdoren për të kanalizuar armatimin drejt Ukrainës.
Ky akt i ka garantuar Serbisë trajtim të preferuar nga ana e Perëndimit. Marrëveshja e arritur duket të jetë diçka kështu: krejt përderisa Vuçiqi mbështet përpjekjet e Perëndimit në Ukrainë, Perëndimi do t’ia garantojë Vuçiqit pushtetin në Serbi.
Kësisoj sot edhe kuptuam përse në pikturën e madhe Perëndimin nuk e interesoi as rrëmbimi i tre policëve të Kosovës, as sulmi mbi KFOR-in dhe as sulmi në Banjskë. Në pikturën e madhe të interesave gjeopolitike globale, këto ishin disa zhvillime minore provinciale që nuk kanë guxuar në asnjë formë të pengojnë arkitekturën e interesave globale.
Po kështu sot, sikur ne, edhe qytetarët e Serbisë kuptuan përse Perëndimin nuk e interesoi vjedhja masive e zgjedhjeve të fundit nga ana e Vuçiqit. Përsëri për Perëndimin cilësia e demokracisë në Serbi ishte thjesht çështje provinciale që nuk ka guxuar në asnjë formë të pengojë arkitekturën e interesave globale. Prandaj përkundër parregullsive zgjedhore, Perëndimi i mbylli sytë dhe e njohu rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
Vuçiqi kuptoi me shkathtësi vlerën e tij të shtuar në sfondin e pushtimit rus të Ukrainës. Në kuptimin ushtarak, ai i ofroi Perëndimit gjënë më të shtrenjtë: armët. Ndërsa në kuptimin politik, ai arriti që ta ruajë perceptimin e Serbisë si akter neutral, i cili insiston në një qasje parimore që bazohet mbi tre elementet kyçe: (1) kartën e OKB-së, (2) respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe (3) nderimin e të drejtës ndërkombëtare. Aksidentalisht apo jo këto ishin pikërisht parimet e pozicionit serb karshi Kosovës. Kësisoj Vuçiqi e shfrytëzoi një çështje të jashtme (pushtimin rus të Ukrainës) për ta avancuar në skenën ndërkombëtare një çështje të brendshme (pozicionin serb karshi Kosovës). Kjo qasje e Serbisë ka gjetur mirëkuptim të konsiderueshëm në shumë kancelari të botës.
Duke mësuar kështu nga rasti i furnizimit të armëve për Ukrainën, Vuçiq tani është duke e konsideruar furnizimin e Perëndimit me një lloj tjetër të “armës”: litiumin. Projekti “Jadran”, i kompanisë anglo-australiane Rio Tinto në Serbi është një nga investimet më të mëdha për eksploatimin e litiumit në botë. Projekti ka një rëndësi strategjike për Perëndimin, pasi që litiumi është element kyç në prodhimin e mjeteve elektrike dhe konsiderohet aset strategjik për ekonomitë perëndimore. Prodhimi eventual i litiumit në Serbi nga një kompani perëndimore do të zvogëlonte varësinë e importit perëndimor të litiumit nga Kina. Siç kam shkruar më herët, mendojeni atë si një lloj i “Bondsteelit” ekonomik në rajon.
Me garantimin e armëve për Ukrainën dhe të litiumit për Perëndimin, Vuçiqit do t’i garantohet çimentimi i pushtetit brenda Serbisë e hegjemonia beninje në gjithë rajonin. Kësisoj interesat e Perëndimit dhe të Vuçiqit do të jenë plotësisht të harmonizuara. Kjo është edhe arsyeja përse pa marrë parasysh se kush do të fitojë zgjedhjet në nëntor të këtij viti në SHBA, Kosova do të ballafaqohet me kompromiset e vështira në muajt në vijim. Në vitin 2025, Kosova do të zgjohet për ta gjetur veten në një botë radikalisht ndryshe nga viti 1999. Serbia nuk është më armik i betuar i NATO-s, por aleat i shtrenjtë i Perëndimit.