Me seancën plenare të së enjtes, 26 prill, kjo përbërje e Parlamentit Evropian ka përmbyllur mandatin në prag të zgjedhjeve evropiane të qershorit. Kosova duhet të jetë falënderuese për gjitha ato që ky Parlament ka bërë për të, nga mbështetja e parezervë për liberalizim vizash e deri te vazhdimi i thirrjes për njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së. Në një ambient jo edhe aq të favorshëm për pavarësinë e Kosovës në institucionet e BE-së, Parlamenti Evropian dallon në mbështetjen e fuqishme për Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur. Kështu do të duhej të mbetet edhe në përbërjen e ardhshme, përkundër disa ndryshimeve që pritet të ndodhin në konstelacionin e forcave politike
Bashkimi Evropian është një union mjaft i komplikuar, në të cilin institucionet e ndryshme kanë rolet përkatëse. Por BE-ja vazhdon në fund të fundit të jetë ajo çfarë vendet anëtare duan. Sepse Këshilli ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare, nga grupet punuese, ambasadorët, ministrat e deri te Këshilli Evropian, ku janë shefat e shteteve apo qeverive, është institucioni kryesor vendimmarrës i BE-së. Edhe pse në Këshill me reformat e BE-së është rritur numri i fushave ku vendimet miratohen me shumicë të kualifikuar, akoma mbetet e drejta e vetos në çështjet kryesore, siç është ndryshimi i traktateve, por edhe politika e jashtme dhe ajo e zgjerimit. E këtu bën pjesë edhe politika e BE-së ndaj Kosovës. Pasi në parimin e vetos gjithmonë fitojnë ata që janë kundër e jo ata që janë në favor, atëherë edhe Kosova pëson nga fakti se 5 nga 27 vende të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj. Si pasojë, BE-ja nuk e trajton Kosovën si shtet, duke iu përshtatur në këtë mënyrë pakicës që nuk e ka njohur. Qëndrimin e Këshillit, që është quajtur si “neutral ndaj statusit” e përcjell edhe Komisioni Evropian si dhe pothuajse të gjitha institucionet e tjera të BE-së. Përjashtim bën Parlamenti Evropian ku vendimet miratohen me shumicë votash. Kështu në Parlamentin Evropian qysh para se Kosova ta shpallte pavarësinë ka pasur një shumicë të duhur që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës. Sepse kjo mbështetje është njohje e realitetit, është logjike dhe reflekton edhe qëndrimin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së.
Më seancën plenare të së enjtes me 26 prill, kjo përbërje e Parlamentit Evropian ka përmbyllur mandatin në prag të zgjedhjeve evropiane të qershorit. Kosova duhet të jetë falënderuese për gjitha ato që ky Parlament ka bërë për të, nga mbështetja e parezervë për liberalizim vizash e deri te vazhdimi i thirrjes për njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së. Në një ambient jo edhe aq të favorshëm për pavarësinë e Kosovës në institucionet e BE-së, Parlamenti Evropian dallon në mbështetjen e fuqishme për Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.
Në mandatin e kësaj përbërjeje të Parlamentit Evropian, Kosovës i janë liberalizuar vizat. Presioni i vazhdueshëm i Parlamentit Evropian, krahas punës që ka kryer edhe vetë Kosova, ka ndikuar që vendet anëtare më në fund të binden dhe t’ua heqin vizat kosovarëve. Parlamenti Evropian bën presion edhe që epilogu i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të jetë njohja e ndërsjellë. Bën presion po ashtu që Kosovës t’i hiqen masat e padrejta ndëshkuese që i ka vendosur Komisioni Evropian, duke e keqpërdorur qartë pozitën që ka. Parlamenti Evropian më së shumi bën presion edhe që të nxirren para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë. Dhe nuk heq dorë nga kërkesat që të gjitha vendet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën si shtet. Sepse vetëm duke e njohur hapet rruga për integrim në BE dhe jepet kontributi i duhur për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pothuajse në asnjë aspekt nuk ka munguar ndihma dhe mbështetja e Parlamentit Evropian për Kosovën, por as qortimet kur Parlamenti ka vërejtur se gjërat në Kosovë nuk kanë shkuar si duhet, qoftë kur është fjala për lirinë e shprehjes, sundimin e ligjit apo ndotjen e ambientit.
Kështu do të duhej të mbetet edhe në përbërjen e ardhshme, përkundër disa ndryshimeve që pritet të ndodhin në konstelacionin e forcave politike. Edhe pse pritet një rritje e partive të ekstremit të djathtë në përbërjen e ardhshme të Parlamentit Evropian përsëri pritet të ketë një shumicë të mjaftueshme të partive të qendrës proevropiane që janë edhe pro-Kosovës. Mund të kenë rënie, dhe pritet të kenë rënie, por Partia Popullore Evropiane (EPP) që mbledh partitë e qendrës së djathtë, socialistët dhe demokratët (S&D) nga qendra e majtë, të Gjelbrit Evropian dhe liberalët pritet të kenë së bashku shumicën edhe në përbërjen e ardhshme. Atyre duhet shtuar edhe një pjesë të madhe të konservatorëve dhe reformistëve ECR, që janë skeptikë ndaj integrimeve të brendshme në BE, por nuk janë parti ekstremiste. Në të gjitha këto parti ekziston një shumicë që do ta mbështesë edhe procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, por edhe Kosovën si shtet. Nga ana tjetër, duhet kuptuar se deputetët në Parlamentin Evropian nuk votojnë vetëm sipas përkatësisë partiake, por në qëndrimet e tyre ndikojnë edhe kriteret e tjera si prirjet personale apo nga cili vend vijnë.
Partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë zakonisht janë pro-ruse, antiamerikane dhe antiislamike. Disa përfaqësues të partive të tilla kanë qenë të zëshëm kundër Kosovës. Disa prej tyre dyshohet se edhe kanë marrë para nga Rusia dhe kanë spiunuar edhe për Kinën. Tash ndaj disa prej tyre edhe po bëhen hetime. Por përkundër kësaj, ata pritet të jenë të zëshëm në përbërjen e ardhshme të Parlamentit Evropian, sepse duhet pranuar, Evropa po lëviz gjithnjë e më shumë drejt së djathtës ekstreme. Rritja e tyre nuk do ta kthejë megjithatë, Parlamentin Evropian kundër proceseve pozitive në BE e as kundër procesit të zgjerimit. E në pritje të Parlamentit të ri, Kosova nuk duhet të harrojë që t’i falënderohet këtij që tash ka përmbyllur mandatin pesëvjeçar. Në pritje që ndoshta edhe ndonjë shqiptar nga ndonjë vend i BE-së të arrijë të bëhet eurodeputet, siç ishte në përbërjen e fundit Eva Kokalari nga Suedia. Nuk duhet harruar se tash në BE jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Kosovë.