Sot VV-ja ka mundësinë e artë për të na bindur se përkushtimi i tyre ndaj integritetit të institucioneve ishte thjesht manovër politike dhe jo vlerë sublime. KPM-ja është litmus testi i Albinit dhe në vetë fjalët e tij: kurrë nuk është vonë për t’u koritur
Kur mendojmë për vdekjen e demokracisë zakonisht imazhet që na vijnë në mendje janë ato të marshimit të Musolinit drejt Romës, djegia e Reichstagut apo së fundi sulmi mbi Kongresin Amerikan. Pra, truri ynë asocion fundin e demokracisë me një ngjarje të vetme dramatike. Por, kjo nuk është se si në shumicën e rasteve demokracitë vdesin. Në veçanti në shekullin XXI demokracitë vdesin si pasojë e një numri të akteve të vogla, të cilat pak nga pak gërryejnë themelet demokratike të një vendi, deri në atë pikë kur vendi zgjohet një ditë në autokraci. Marrë në mënyrë të izoluar këto akte nuk përfaqësojnë ndonjë ngjarje dramatike, por thjesht një “episod” që shpejt harrohet. Për shembull arrestimi i një politikani opozitar, mbyllja e një medie, shkarkimi i një gjykatësi e kështu me radhë. Pra, marrë individualisht këto janë incidente, por marrë si tërësi këto janë shkatërrim i fibrit demokratik të një vendi.
Kjo është receta që kanë përcjellë të gjithë autokratët nga Azia dhe Afrika e deri tek Amerika dhe Evropa. Marrim shembull Perunë e vitit 1990. Jeta e Alberto Fujimorit ishte një jetë monotone. Profesor i bujqësisë, i cili asnjëherë nuk ka ëndërruar të bëhej politikan e aq më pak diktator. Por, një zinxhir ngjarjesh dhe rrethanash rezultojnë në zgjedhjen e tij si president i Perusë në vitin 1990. Si një “outsider” politik ai shumë shpejt gjen veten në konflikt me akterët tradicionalë të pushtetit: opozitën, mediat, gjyqësorin dhe bizneset. I pamësuar me jetën demokratike e cila kërkon mirëkuptim dhe kompromise, ai refuzonte dialogun me opozitën të cilën e konsideronte “oligarki e korruptuar që kishte shkatërruar vendin”. Gjykatësit të cilët bllokonin agjendën e tij politike i etiketonte si “çakej” dhe “zullumqarë”, ndërsa mediat i konsideronte armiqtë dhe terroristë. Situata përshkallëzoi me kidnapime, kërcënime dhe arrestimet e liderëve politikë, gjyqtarëve dhe gazetarëve. Me pak fjalë, për dy vjet shoqëria e Perusë u nda në dysh në mes presidentit të ri Alberto Fujimorit dhe elitës tradicionale të Perusë. E gjithë kriza do të zgjidhet më 5 prill 1992, kur Fujimori drejtoi kombin me njoftimin për shpërbërjen e Kongresit dhe pezullimin e kushtetutës. Brenda dy vjetësh, pak nga pak, demokracia peruane vdiq.
Historia e vdekjes së demokracive na mëson se duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj fjalorit që politikanët zgjedhin të përdorin. Fjalët u paraprinë veprave. Përdorimi i termave të ashpër që zgjojnë emocione nacionaliste dhe të urrejtjes janë shenjat e para të ardhjes së autokratëve. Etiketimi i kundërshtarëve ideologjikë me terma sikur “tradhtar”, “argat i armikut”, e ngjashme, janë arsenali tipik politik i autokratëve. “Derra të fëlliqur”, “armiq”, “oligarkë të ndyrë” janë termet, të cilat Hugo Chavezi i Venezuelës kishte zgjedhur për kundërshtarët e tij. Rafael Correa i Ekuadorit i konsideronte mediat “një armik të madh politik që duhej mundur”. Erdogani i Turqisë i konsideronte gazetaret “terroristë”. Këtu në rajonin tonë Vuçiqi i referohet rregullisht opozitës si “tradhtarë”, ndërsa mediave si “agjentë të huaj”. Dhe historia na mëson se demokracitë shume shpesh bien në grackën e tolerimit të komenteve të tilla si “vetëm fjalë”. Por, problemi është se këto “fjalë” pak nga pak krijojnë një mjedis publik ku qytetarët fillojnë të pranojnë dhe të tolerojnë ushtrimin e dhunës kundër “armiqve të shtetit”.
Një mjet tjetër i rëndësishëm në arsenalin e autokratëve është kapja e institucioneve. Në këtë drejtim mendoni për demokracinë si një lojë futbolli. Kush arrin të korruptojë referin, fiton lojën. Autokratët kuptojnë se demokracinë nuk e bën germa dhe letra e Kushtetutës, por normat dhe standardet institucionale të cilat ushqehen, respektohen dhe mbrohen nga akterët politikë e institucionalë. Shtrembërimi i atyre normave dhe standardeve është shtrembërim i demokracisë. Është shtrembërim i lojës. Kush kap KQZ-në fiton zgjedhjet. Kush kap mediat, fiton lajmet. Kush kap ATK-në fiton bizneset. Kush kap gjyqësorin fiton ligjin. E kështu me radhë. Kjo është arsyeja përse Putini fiton zgjedhjet në Rusi, përse mediat janë asgjësuar në Serbi apo përse gjyqësori është shkatërruar në Hungari. Marrim shembull këtë të fundit. Kur Viktor Orban kuptoi se duhet të vërë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese ai nuk bëri asgjë të jashtëzakonshme apo dramatike. Përmes disa ndryshimeve “të vogla” dhe “teknike” ai rriti numrin e gjykatëseve dhe siguroi emërimin e militantëve të partisë së tij si gjykatës të rinj kushtetues. Kësisoj ai siguroi shumicën në gjykatë dhe vendosi një gozhdë tjetër në arkivolin e demokracisë hungareze.
***
Kur Albin Kurti erdhi në pushtet ai gjeti vendin në një gjendje të rëndë. Pas një dekade pushtet të partive tradicionale cilësia e qeverisjes kishte arritur nadirin e saj. Gjendja e rëndë në cilën kishte arritur Kosova kishte obliguar Komisionin Evropian të cilësonte vendin me “elementet e shtetit të kapur”.
Rrjedhimisht një nga zotimet e Kurtit ishin që institucioneve do t’iu kthehen vlerat, integriteti dhe rrjedhimisht besimi i qytetarëve. Me fjalë të tjera: çkapja e shtetit. Dhe kësisoj, rast pas rastit qeveria ka bërë përpjekje që personat që emërohen në pozitat kyç institucionale të përfaqësojnë vlera më larta të meritokracisë, integritetit dhe profesionalizmit. Në mendimin tim në shumicën e rasteve qeveria ka pasur sukses në jetësimin e këtij qëllimi, në disa jo. Sidoqoftë përtej mendimit tim ekziston një konsensus i gjerë që emërimet e bëra në rastin e Komisionit të Pavarur të Mediave respektuan standardet më të larta të transparencës, meritokracisë, integritetit dhe profesionalizmit. Kjo ishte shumë me rëndësi në veçanti duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme të punës së KPM-së. Për çdo autokrat kapja e KPM-së do të ishte rast ideal për çimentimin e pushtetit mbi mediat dhe shoqërinë. Prandaj VV-ja me sukses kaloi testin demokratik.
Kjo është edhe arsyeja përse jam befasuar nga zogoria e ditëve të fundit të disa anëtarëve të VV-së kundër KPM-së. Fushata e organizuar dhe gjuha e përdorur kundër KPM-së kishte të gjitha tiparet e një fushate linçuese të një regjimi autoritar që synon të thyejë dhe të kapë një institucion të pavarur. Prandaj sot VV ka mundësi të artë të na bindë se përkushtimi i tyre ndaj integritetit të institucioneve ishte thjesht manovër politike dhe jo vlerë sublime. KPM-ja është litmus testi i Albinit dhe në vetë fjalët e tij: kurrë nuk është vonë me u koritë.
E, nga ana tjetër, çfarëdo që ndodh me KPM-në tanimë nuk është me rëndësi. Qëllimi është arritur. Anëtarët e KPM-së i kanë treguar vetes, por edhe të tjerëve se mund të shërbesh në institucionet publike me integritet. Prej ardhjes së tyre ata i kanë bërë nder vetes dhe institucionit të cilit i shërbejnë. Ata u kanë treguar qytetarëve se mund të ketë institucione të ndershme, profesionale dhe me integritet. E tani sikur vrasja e Shën Jakobit nga Mbreti Herod, edhe vrasja e KPM-së nga ana e VV-së vetëm do t’i bekojë me lartësimin e nderit të tyre.