OpEd

Mësimet nga traktorët e Parisit

Duhet t’i japim fund kësaj ideje që në kuadër të dialogut Kosova nuk do të humbë asgjë, por vetëm do të fitojë. Siç po mësojnë në lëkurën e tyre fermerët evropianë, në jetë nuk ka zgjidhje të lehta dhe ideale

Një simbol i ri, dhe i papritur, i rezistencës është shfaqur kohëve të fundit: traktorët. Para një kohe imazhet e traktorëve ukrainas të cilët tërhiqnin tanke ruse u bënë simbole të rezistencës ukrainase ndaj agresionit rus. Shërbimi postar i Ukrainës “Ukrposhta” nderoi simbolin e papritur të rezistencës ukrainase me pullën e veçantë postare.

E ditëve të fundit traktorët janë përsëri në qendër të vëmendjes në Evropë. Nga Beogradi dhe Athina e deri te Madridi dhe Lisbona kryeqytetet evropiane janë sfiduar nga protestat e fermerëve. Protestat më masive u organizuan në Berlin dhe Paris. Imazhet e hedhjes së plehut të kafshëve para zyrave të qeverisë vërshuan Instagramin dhe Tik-Tokun, ndërsa pamjet e kolonave të pafund të traktorëve bulevardeve ikonike të Berlinit dhe autostradave të Francës përfunduan në top lajmet ndërkombëtare.

Në veçanti në Francë protestat e fermerëve kanë një ndikim serioz. Populli francez ruan një dashuri mistike për bujqësinë dhe fermerët. Prandaj historikisht politikanët francezë kanë qenë shumë të ndjeshëm ndaj kërkesave të tyre. Kjo është edhe arsyeja përse Bashkimi Evropian ende ruan një politikë jashtëzakonisht jokonkurruese të subvencionimit për sektorin e bujqësisë. Franca ka qenë bllokuesi kryesor i çfarëdo reforme të subvencionimit gjeneroz të bujqësisë në nivel të BE-së të kodifikuar brenda Politikës së Përbashkët Bujqësore.

Por kohëve të fundit fermerët kanë rritur presionin mbi qeveritë evropiane për të siguruar mbështetje më të madhe për sektorin e bujqësisë. Protestat, po ashtu, reflektojnë dhimbjen ekonomike të cilën e kanë përjetuar fermerët evropianë në vitin 2023. Vetëm vitin e kaluar vlera e prodhimit evropian të drithërave ka rënë për 30% - nga 80.6 miliardë euro në 2022 në 58.8 miliardë euro në 2023. Rrjedhimisht, protestat kanë pasur një numër të kërkesave që ndërlidhen me subvencionimin e naftës, importet nga Ukraina, lirimin nga obligimet tatimore, mbrojtjen nga importet dhe konkurrenca që vjen nga Amerika Latine, uljen e kërkesave dhe standardeve që kërkohen nga Agjenda e Gjelbër e BE-së, etj.

Në veçanti fermerët francezë kanë ngritur zërin kundër Marrëveshjes Mercosur. Mercosur është marrëveshja më e madhe tregtare në botë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe katër vendeve të Amerikës Latine: Argjentinës, Brazilit, Paraguait dhe Urugait. Marrëveshja e cila është në fazën finale të negociatave do të krijojë një treg prej gati 800 milionë qytetarësh. Rëndësia e saj reflektohet edhe në faktin se vetëm nga eksportet drejt Brazilit varen afro 1 milion vende të punës brenda BE-së. Negociatat kanë filluar në vitin 1999 dhe janë sot në prag të përfundimit. Marrëveshja synon të ulë barrierat tregtare ndërmjet dy palëve, duke i ofruar industrisë evropiane mundësi të reja të rritjes, në veçanti në sektorët farmaceutikë, të tekstilit dhe prodhimit të makinerisë. Nga ana tjetër katër vendeve të Mercosurit do t’iu lehtësohet mundësia e eksportit të tyre kryesor drejt BE-së të produkteve bujqësore. Kjo është edhe arsyeja përse fermerët francezë janë të pakënaqur. Hapja e tregut të produkteve bujqësore të BE-së për vendet e Mercosurit do të ekspozojë fermerët jokonkurrentë evropianë ndaj një presion të papërballueshëm ekonomik.

Presidenti Macron ka reaguar me shpejtësi duke kërkuar bllokimin e Marrëveshjes Mercosur. Javën e kaluar ai nënvizoi publikisht: “Neve na duhen sqarimet për Mercosur-in, kemi kërkuar që marrëveshja të mos nënshkruhet në formën e saj aktuale”. Këtë mesazh përsëriti këtë javë edhe kryeministri i ri i Francës, Gabriel Attal, në takimin e tij me kancelarin Scholz, i cili është mbështetës i flakët i Mercosurit. Tema e Mercosurit ishte pika e rrallë e ndarjes në mes të Francës dhe Gjermanisë. Kryeministri Attal përmblodhi diskutimin me kancelarin Scholz me fjalët: “Ne pajtohemi që të mos pajtohemi”.

Por përtej fatit të Mercosurit, protestat e fermerëve tashmë janë duke iu shkaktuar telashe vendimmarrësve evropianë. Nën presionin e protestave mbarevropiane, dhe atë pak muaj para zgjedhjeve evropiane, Komisioni Evropian është dorëzuar. Presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, ka tërhequr këtë javë Projektligjin për zvogëlimin e pesticideve, akt ky i cili godet në thelb synimet e Agjendës së Gjelbër Evropiane. Projektligji do të kishte vendosur standarde më të avancuara bujqësore për mbrojtjenn e mjedisit dhe shëndetit me synimin e ngadalësimit të ngrohjes globale. Nga ana tjetër, ligji, po ashtu, do të prodhonte ngarkesat e reja administrative dhe financiare për fermerët pasi që zbatimi i standardeve të reja do të kërkonte ndryshimin e metodave tradicionale bujqësore dhe investime të konsiderueshme financiare. Po ashtu, Komisioni Evropian hoqi çfarëdo reference për sektorin e bujqësisë në propozim-planin për zvogëlimin e gazrave serrë për vitin 2040. Drafti i mëhershëm ka kërkuar që bujqësia të kontribuojë në uljen e emetimit të gazrave serrë me zvogëlimin për 30% të emetimeve deri në vitin 2040. Njëkohësisht, së fundi Komisioni Evropian ka hequr kërkesën e mosshfrytëzimit të 4% të tokës nga fermerët me qëllim të promovimit të biodiversitetit si kusht për të përfituar subvencionet nga fondet e Politikës së Përbashkët Bujqësore. Të gjitha këto janë pasojat e drejtpërdrejta të protestave të fundit të fermerëve evropianë.

Dhe ndonëse mund të duket në sipërfaqe që protestat e fermerëve në Evropë nuk kanë ndonjë lidhje me ne këtu në rajon, ato ofrojnë një mësim të rëndësishëm. Siç e kuptojnë sot edhe vendet evropiane, në jetë nuk ka vendime të lehta dhe ideale. Nuk mundesh edhe ta avancosh Agjendën e Gjelbër Evropiane, edhe t’i mbrosh fermerët. Edhe ta mbrosh mjedisin, edhe ta mbrosh bujqësinë.

Bujqësia evropiane vuan nga sëmundja e jokonkurrueshmërisë kronike prej kohësh. Mbrojtja e saj artificiale nga konkurrueshmëria globale vetëm do ta zgjatë sëmundjen, nuk do ta shërojë. Është në interesin e Bashkimit Evropian që ekonomia evropiane të ristrukturohet në përputhje me aftësitë e saj konkurruese. Këtë mundësi edhe ia ofron Marrëveshja e Mercosurit. Dhe përderisa bujqësia jokonkurrente e BE-së edhe mund të pësojë nga Mercosuri, ajo e industrisë së makinerisë evropiane dhe farmaceutikës do të përfitojë. Në jetë nuk ka marrëveshje që ka vetëm të mira. Në fjalët e ish-sekretarit të përgjithshëm të OBT-së, z.Pascal Lamy, thuhet: “Nëse mendoni se mund të përfitoni nga tregjet e Mercosurit pa paguar diçka në fushën e bujqësisë, jeni duke ëndërruar”.

Ky mësim i vyeshëm është edhe për ne. Nuk mund të ëndërrojmë. Nga dialogu e deri te shpenzimi ynë i buxhetit, ballafaqohemi me vendime që nuk janë ideale. Çdo vendim do të shkaktojë diku një kosto. Rritja e buxhetit për FSK-në do të ulë subvencionimin për fermerët. Rritja e subvencionimit për energji do të ulë buxhetin për shkolla të reja. Rrjedhimisht duhet të jemi në paqe se nuk do të arrijmë shumë gjëra për një kohë të gjatë. Por së paku disa do t’i arrijmë.

Dhe mësimi i mosëndërrimit është më i aplikueshëm në temën omniprezente të dialogut. Duhet t’i japim fund kësaj ideje që në kuadër të dialogut Kosova nuk do të humbë asgjë, por vetëm do të fitojë. Siç po mësojnë në lëkurën e tyre fermerët evropianë, në jetë nuk ka zgjidhje të lehta dhe ideale.