OpEd

Do të ishte papërgjegjësi të mos flitej për luftë të mundshme

Është detyrë e NATO-s që të jetë e përgatitur edhe për luftë të mundshme. Do të ishte një organizatë shumë joserioze sikur të mos kishte plan për luftë të mundshme. Për fat të keq, nuk jetojmë në kohë në të cilën lufta mund të përjashtohet si mundësi. Kjo vlen edhe për Kosovën edhe për tërë Evropën

Në shtetet në të cilat janë rritur shumë gjenerata, të cilat nuk kanë pasur nevojë as të mendojnë për luftë të mundshme, nga Suedia e Finlanda, deri në Gjermani, opinioni i ka marrë me shumë shqetësim thirrjet e ekspertëve ushtarakë se duhet të bëhen gati për luftë të mundshme.

Gjithsesi është e pakëndshme të dëgjosh për mundësinë e luftës. Por realiteti është i tillë. Nuk jetojmë në kohë ku mund të fokusohemi vetëm në punët e përditshme duke besuar se paqja është vetvetiu e garantuar. Shembulli më i mirë se sa ka ndryshuar bota është ndryshimi dramatik i Suedisë dhe Finlandës, që kërkuan të bëhen anëtare të NATO-s. Këto dy vende krenoheshin me traditën e tyre të neutralitetit ushtarak që ishte dhe pjesë e identitetit të tyre kombëtar.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë zgjoi nga gjumi shumë liderë politikë, të cilët e kuptuan se liria nuk është e garantuar vetvetiu, por atë duhet mbrojtur, në rast nevoje edhe me luftë.

Për luftën e mundshme flitet edhe në Kosovë. Edhe pse ne dimë të themi se e kemi përjetuar luftën dhe e dimë se çfarë është ajo, një gjeneratë e tërë është lindur pas luftës. Kanë kaluar 25 vjet prej kur Kosova ishte në luftë. Bile mund të supozohet se gjysma e banorëve të sotëm të Kosovës kanë lindur pas luftës. Vështirë që dikush mund ta dojë paqen, dhe t’ia dijë vlerën paqes e lirisë më shumë sesa ata që e kanë përjetuar luftën. Por pikërisht ata që kanë përjetuar luftën, janë të prirë që të mos jetojnë në iluzione se ajo kurrë më nuk mund të përsëritet.

e vërtetë se përmendja e luftës nxit shqetësime, ndikon në rritjen e tensioneve, pengon dhe investimet. Por të mos e përmendësh mundësinë e luftës do të ishte po ashtu papërgjegjësi e madhe. Kosova për fat të keq akoma nuk mund të jetojë në bindjen se e ka të garantuar paqen dhe lirinë. Sulmet e fundit në Banjskë, përplasja e mëhershme e sulmuesve serbë me trupat e NATO-s, ishin rikujtime për këtë. Tash edhe politikanët ndërkombëtarë e pranojnë se ka pasur skenarë të tmerrshëm me sulmet në Banjskë, që kanë mundur të nxisin një konflikt të tmerrshëm. Në Serbi janë përmendur shumë skenarë. Të gjithë kanë qenë të tmerrshëm. Disa kanë menduar se grupi i armatosur i Radojçiqit ka dashur “vetëm të nisë konfliktin, e NATO-ja të hyjë në mes të palëve ndërluftuese”. Të tjerët janë arsyetuar se ata “vetëm kanë dashur të shpërndajnë armatim për civilët serbë”. Paramendoni vetëm skenarin sipas të cilit civilët serbë në veri vijnë në oborrin e Kishës Ortodokse Serbe për t’u pajisur me armë “për t’u mbrojtur nga çizmja e Kurtit dhe okupatori“. Disa serbë kanë përmendur edhe skenarin, sipas të cilit “atij grupi është dashur t’i vijë në ndihmë Ushtria e Serbisë”. Pa dyshim se në bashkësinë ndërkombëtare, edhe nga disa vende të NATO-s, përfshirë edhe dy shtete, ushtarët e të cilave pësuan rëndë në konflikt me serbët në veri, ka përpjekje për të relativizuar sulmin në Banjskë dhe sulmet ndaj NATO-s. Kjo është shumë joserioze dhe është një shembull se si për qëllime afatshkurta politike sakrifikohet edhe paqja dhe stabiliteti. Por në përgjithësi këto sulme dëshmuan se nuk kanë qenë të kota as ushtrimet e shpeshta të forcave të KFOR-it për “kontrollin e turmave” në Kosovë. Sikur se sot nuk janë të kota as manovrat më të mëdha në histori që i ka paralajmëruar NATO-ja që do të zhvillohen këtë vit me më shumë se 90.000 pjesëmarrës. Ushtarakët e NATO-s bëjnë ftesë që qytetarët e Aleancës të jenë të vetëdijshëm për rrezikun. Fakti se këto manovra të NATO-s do të përqendrohen në Poloni dhe vendet baltike dëshmon se Rusia është identifikuar si armik i mundshëm.

Është detyrë e NATO-s që të jetë e përgatitur edhe për luftë të mundshme. Do të ishte një organizatë shumë joserioze sikur të mos kishte plan për luftë të mundshme. Për fat të keq nuk jetojmë në kohë, në të cilën lufta mund të përjashtohet si mundësi. Kjo vlen edhe për Kosovën edhe për tërë Evropën.

Nuk mund të jetojë Evropa në iluzione më. Kur u shemb muri i Berlinit, kur u shua Traktati i Varshavës dhe kur vendet e Evropës Lindore nisën rrugëtimin drejt BE-së u mendua se nuk ka më arsye për ekzistimin e NATO-s. Kishte një numër të madh politikanësh që thoshin se NATO-ja e ka realizuar qëllimin e saj, e ka mbrojtur Evropën gjatë Luftës së Ftohtë, por tash rreziku më nuk ekziston, sepse Rusia ka ndryshuar. Sikurse nuk mund të merret si garanci se “Serbia ka ndryshuar pas rrëzimit të Millosheviqit dhe ajo më nuk do ta sulmojë askënd”. Serbia po armatoset, po planifikon kthimin e shërbimit ushtarak. Dhe retorikën luftënxitëse ndaj Kosovës nuk e kanë ndalur asnjëherë në Serbi, ndonëse e përdorin me intensitet të ndryshëm varësisht nga koha. Pos llogaritjeve se NATO-ja është në Kosovë për ta mbrojtur Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, koha është që Kosova të lidhë partneritete ushtarake bilaterale me ato vende të cilat duan. Para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e madhe, Turqinë, Kroacinë dhe vendeve të tjera që janë të gatshme t’i ndihmojnë Kosovës që të forcojë edhe kapacitetet e saj mbrojtëse, edhe të mbrojtjes civile, edhe të asaj ushtarake.

Lufta në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe më pas në Kosovë i patën dhënë kuptim ekzistimit të NATO-s edhe pas Luftës së Ftohtë. U pa se për NATO-n bota ka nevojë, por edhe se NATO-ja duhet të ndryshojë, pasi ka ndryshuar edhe natyra e rrezikut e kërcënimeve. Sot NATO-ja është më e nevojshme se kurrë. E kuptuan këtë suedezët dhe finlandezët dhe nuk duhet ta harrojnë as të tjerët në Evropë. Por përgatitje për luftë nuk do të thotë se do të ketë gjithsesi luftë. Ka dallim të madh në thënien se “do të ketë luftë” dhe asaj se “ka mundësi që të ketë luftë”. Shpesh përgatitja për luftë është ajo që parandalon luftën më shumë sesa heshtja, kur vërtet ekziston rreziku për luftë.