Arsyet për ngecjen eventuale në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbajtja në sirtar e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE nuk janë zgjedhjet evropiane, as ato amerikane, as ato në Korenë e Veriut apo në Rusi e Indi. Suksesi i procesit varet vetëm nga presioni ndaj Serbisë që të zbatojë atë që BE-ja vazhdon ta quajë Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit. BE-ja duhet të gjejë përgjigje për deklarimin tash edhe me shkrim të Serbisë se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesët kryesore të asaj marrëveshjeje
Në fillim të vitit 2024 erdhën disa lajme të mira për Kosovën. E para është hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave dhe ngjitur me këtë edhe përfshirja e Spanjës në listën e vendeve që njohin pasaportën e Kosovës, dhe me këtë edhe të 30 vendeve evropiane në të cilat qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza. Kjo përfshin të gjitha vendet e BE-së me përjashtim të Irlandës, por edhe Islandën, Norvegjinë, Zvicrën e Lihtensjtajnin, që janë në zonën Schengen, por nuk janë anëtare të BE-së.
Lajmi i dytë i mirë, i cili e gëzoi shumë edhe BE-në, është vendimi edhe i Qeverisë së Serbisë edhe i asaj të Kosovës për të njohur targat e njëra-tjetrës dhe për të hequr letrat ngjitëse. Këtë vendim përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josen Borrell, e quajti si “dëshmi se Kosova dhe Serbia mund të normalizojnë raportet”. Por për normalizimin e raporteve, dhe me këtë edhe për suksesin e dialogut, do të duhet shumë më tepër sesa zgjidhja e çështjes së letrave ngjitëse në targa të veturave, që mes të tjerash ishte edhe vendim i para shumë vjetëve.
Për përparim të vërtetë në vitin 2024 në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të duhet një seriozitet shumë, shumë i madh i Bashkimit Evropian. Ai seriozitet duhet të dëshmohet duke ia bërë të qartë Serbisë se duhet të zbatojë të gjitha pikat e Marrëveshjes, dhe të ndërmarrë masa në rast se ajo nuk e bën një gjë të tillë. Deri më tash BE-ja nuk ka dëshmuar seriozitet, gjithmonë ka shprehur mirëkuptim për Serbinë edhe kur ajo nuk i ka kryer obligimet e saj. Në anën tjetër e ka sanksionuar Kosovën. Dhe, pa marrë parasysh se çfarë mendon e çfarë thotë ndokush nga BE-ja, fakti në fillim të vitit 2024 është se Kosova është nën masa të BE-së, ndërsa Serbia nuk është. Nuk ka fare interesim nga BE-ja që ta sanksionojë Serbinë as për rolin e saj në sulmin në Banjskë, që vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së e quajti sulm terrorist. Për më tepër vërehen veprime diplomatike në BE që kjo çështje të harrohet sa më shpejt.
Është viti i fundit i mandatit të këtij komisioni evropian dhe po ashtu edhe viti i fundit për mandatet e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Jopsep Borrell, dhe të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak. Ata do të jenë të interesuar që të tregojnë ndonjë rezultat në një proces që e kanë lehtësuar për pesë vjet. Dhe nuk do të jenë bindës nëse si rezultat do të kenë targat e veturave dhe pagesat e rrymës nga qytetarët e veriut. Jo që këto dy gjëra nuk janë të rëndësishme, por për shkak se ata kur e morën mandatin vetë thanë se “brenda muajsh e jo vitesh” duhet të arrihet “marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Nuk duhet të merren si arsyetim zgjedhjet që do të zhvillohen në BE, në SHBA e diku tjetër për dështime në dialog. Sepse gjithmonë në ndonjë vend të rëndësishëm, ose në Kosovë e në Serbi, ka pasur zgjedhje prej kur ka nisur procesi i dialogut. Për fat të keq dialogu nuk ka arritur të bëhet proces, i cili do të kishte rrjedhën e tij pa u ndikuar shumë nga proceset zgjedhore.
Arsyet për ngecjen eventuale në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbajtja në sirtar e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE nuk janë zgjedhjet evropiane, as ato amerikane, as ato në Korenë e Veriut apo në Rusi e Indi. Suksesi i procesit varet vetëm nga presioni ndaj Serbisë që të zbatojë atë që BE-ja vazhdon ta quajë Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit. BE-ja duhet të gjejë përgjigje për deklarimin tash edhe me shkrim të Serbisë se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesët kryesore të asaj marrëveshjeje. Kërcënimi se nëse nuk e zbaton marrëveshjen Serbia “do të rrezikojë rrugëtimin evropian” nuk mjafton në kushtet kur Serbia edhe ashtu është larguar nga BE-ja. Edhe po të zbatojë të gjitha kërkesat rreth Kosovës, para Serbisë janë tash shumë pengesa në rrugën drejt BE-së, nga sundimi i ligjit, degradimi i vlerave të demokracisë, dyshimet për vjedhje të zgjedhjeve e deri tek raportet me Rusinë. Me këtë Serbia po dëshmon se në këtë moment nuk është shumë e interesuar për integrim në BE. Pasi procesi i integrimit të Serbisë në BE është i paqartë dhe i paparashikueshëm, normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk bën të varet nga integrimi evropian i Serbisë.
Çështja tjetër që do të duhej të ndodhte, e gjasat nuk janë të mëdha se do të ndodhë, është shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në vitin 2023, që solli aq shumë vendime historike në procesin e zgjerimit, duke vendosur edhe nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë e Bosnjë-Hercegovinën dhe dhënien e statusit të kandidatit Gjeorgjisë, aplikimi i Kosovës nuk u përmend fare. Belgjika ka paralajmëruar se do të tentojë të ndërtojë konsensus në Këshill për këtë. Ky në fakt është paralajmërim se nuk do të ndodhë asgjë, sepse këtë tentoi ta bëjë edhe Suedia para një viti. Pengesat në rrugën drejt statusit të kandidatit për Kosovën janë edhe ligjore, edhe politike. Ligjore, për shkak se vendimet në procesin e zgjerimit miratohen me konsensusin e 27 vendeve anëtare, 5 prej të cilave nuk e kanë njohur Kosovën. Politike, për shkak se edhe ky vendim tash po lidhet me përparimin në procesin e dialogut, e Kosova, sipas vlerësimeve në Bruksel, nuk po dëshmon vullnet të mjaftueshëm politik për t’i kryer detyrat e saj. Kosova, sipas diplomatëve në BE, po i bishtnon draftit të statusit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë edhe pse ka shprehur gatishmëri që ta pranojë. Në anën tjetër edhe zhvillimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, sipas procedurave që tash kanë nisur me mbledhjen e nënshkrimeve, nuk shihet të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së që zgjedhjet të zhvillohen “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Prandaj edhe kanë mbetur në fuqi masat ndaj Kosovës. Dhe kur nuk ka në BE konsensus të vendeve anëtare për t’ia hequr Kosovës masat e padrejta, gjë që as nuk është kërkuar nga Borrelli dhe Komisioni Evropian, vështirë që do të ketë gatishmëri për të ecur drejt dhënies së statusit të kandidatit Kosovës.
Sa u përket zgjedhjeve evropiane, Kosova nuk ka nevojë të shqetësohet. Dhe janë të gabuara parashikimet se pas këtyre zgjedhjeve do të jetë një parlament më i favorshëm për Serbinë. Sepse, edhe nëse do të ketë rritje të së djathtës dhe të majtës ekstreme, shumë prej të cilave janë pro-serbe dhe pro-ruse, është e sigurt që katër partitë kryesore të qendrës: Partia Popullore Evropiane (EPP), Socialistët dhe Demokratë në (S&D), liberalët (Renew) dhe të Gjelbërit së bashku do të kenë një shumicë të madhe në Parlamentin Evropian, siç e kanë edhe tash. Dhe këto parti, me përjashtim të disa deputetëve që vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, do të vazhdojnë të kenë qëndrimin pozitiv ndaj pavarësisë së Kosovës. Pasi në Parlament votohet me parimin demokratik të shumicës, Parlamenti Evropian vazhdon ta konsiderojë Kosovën si shtet të pavarur dhe kërkon nga 5 vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë, që ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo nuk do të ndryshojë as pas zgjedhjeve.
Zgjedhjet në Amerikë kanë një rëndësi më të madhe, sepse nëse në pushtet vjen Trump, probleme mund të ketë jo vetëm Kosova, por e tërë Evropa. Në anën tjetër, gjatë mandatit të Trumpit, Kosova pati sfida por edhe suksese. Administrata e Trumpit e mbështeti Kosovën në krijimin e ushtrisë së saj, që ishte në kundërshtim me qëndrimet e NATO-s. Edhe ideja për “shkëmbim territori” është më shumë ide nga Evropa sesa e Amerikës. Kjo ishte ide e presidentit të Serbisë, Vuçiq, e mbështetur nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Thaçi, dhe shumë e mbështetur nga strukturat e BE-së në atë kohë. Aq ishte i fuqishëm lobi brenda BE-së që mbështeste shkëmbimin e territorit, saqë disa thoshin se “jemi afër ta izolojmë Gjermaninë”. Kundërshtarët e “shkëmbimit të territorit” ishin pakicë në BE, por ishin shumë të fortë. Sepse u printe Gjermania. Shumë pati ndikim edhe kundërshtimi i gjerë në shoqërinë kosovare, si dhe nga vendet e rajonit. Të gjitha, me përjashtim të Shqipërisë, dolën kundër kësaj ideje fuqishëm duke e ditur se çfarë pasojash do të sillte në rajon, ku përsëri do të rihapej çështja e vizatimit të kufijve, gjë që konsiderohej se është mbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Administrata amerikane e mbështeti këtë ide duke e parë si të lehtë dhe të realizueshme. Por nuk është e drejtë të krijohet tash përshtypja se ishte ide amerikane e në BE nuk e donin. Sepse mbështetja nga BE-ja atëkohë ishte më e madhe sesa nga SHBA-ja. Bile përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, kur mori postin tha publikisht se BE-ja nuk duhet ta kundërshtojë atë ide “nëse palët pajtohen për një gjë të tillë”. Këtë e tha dy herë para gazetarëve, madje duke thënë se BE-ja “nuk mund të jetë më katolike sesa Papa”.
Kushdo që të jetë në pushtet në SHBA, raportet mes Kosovës dhe Serbisë do t’i konsiderojë si një çështje evropiane. Prandaj edhe suksesi i dialogut do të varet më së shumti nga roli i BE-së. Jo aq më nga përfaqësuesit e BE-së në Bruksel, por nga qëndrimi i tri shteteve kryesore, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Angazhimi i tyre solli disa rezultate në vitin 2023, por vazhdimi i angazhimit dhe forcimi i tij është i domosdoshëm për të avancuar në zbatimin e marrëveshjeve edhe gjatë vitit 2024.