OpEd

Fotofinishi i dialogut

Përderisa për të gjithë ne 1 janari i këtij viti e simbolizon fillimin, për dialogun ai e simbolizon përfundimin. Nga 1 janari dialogu po hyn në foto-finishin e tij

Me ndërrimin e moteve liberalizimi i vizave ishte dhuratë e pritshme, sidoqoftë asnjë qytetar i Kosovës nuk priste edhe dy dhurata të tjera të fundvitit. Serbia vendosi t’i njohë tabelat e veturave të Republikës së Kosovës dhe ajo e pranoi fillimin e integrimit të veriut në sistemin energjetik të vendit, me fillimin e faturimit të rrymës energjetike në veri.

Këto zhvillime inkurajuan një optimizëm të kujdesshëm për fatin e dialogut në vitin 2024. Them kujdesshëm, sepse ka kohë prej kur dialogu me Serbinë është shndërruar në një lloj varreze politike për liderët e Kosovës. Zhvillimet në kuadër të dialogut i kanë dhënë fund mandatit të çdo kryeministri të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Por nuk ishin vetëm politikanët ata të cilët u zhgënjyen nga dialogu. Pak a shumë e gjithë shoqëria jonë, prej kohësh, ka ulur shpresat për ndonjë progres në kuadër të dialogut. Të gjithë mbajmë mend optimizmin me arritjen e marrëveshjes së vitit 2013. Të gjithë mbajmë mend premtimet se vetëm të heqim taksen 100% dhe do të sigurojmë njohjen nga Serbia. Të gjithë mbajmë mend se po shkojmë në Washington për njohjen nga Serbia. Ndërsa tani së fundi në Bruksel u festua me “we have a deal”, ndërsa gjashtë muaj më vonë Serbia sulmoi në Banjskë.

Prandaj është tërësisht e kuptueshme që në përgjithësi duhet të jemi optimistë të kujdesshëm sa i përket të ardhmes së dialogut. Në veçanti në këta dy vjetët e fundit ka pasur pritje të mëdha se do të këtë progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut. Këto pritjet ishin të arsyeshme pasi që, disi pas aventurave të Grenellit, u duk se yjet po bashkohen më në fund për të ofruar një dritare unike dhe të favorshme për avancimin e dialogut. Në SHBA erdhi një administratë e përgjegjshme dhe tejet e familjarizuar me rëndësinë e rajonit tonë; dhe administratë e cila në çdo kuptim të fjalës është mike e afërt e Kosovës. Këtë miqësi strategjike SHBA-ja e përforcoi me emërimin e ambasadorëve të shkëlqyer në Beograd dhe Prishtinë. Mjedis më të favorshëm për dialogun në Washington ishte e pamundur të kemi. Njëjtë ishte edhe përtej oqeanit. Në Bashkimin Evropian dy vendet më të mëdha emëruan përfaqësues të tyre specialë për të shfrytëzuar këtë momentum të ri në kuadër të dialogut. Si pasojë u prodhua ajo që mori emrin “plani franko-gjerman”. Dhe e fundit dhe më e rëndësishmja, më në fund kishim në Beograd dhe në Prishtinë dy liderë nacionalë, të cilët ishin të pajisur me legjitimitet të pakontestueshëm për të marrë mbi supet e tyre barrën e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Dhe në fund, pas gjithë kësaj përpjekjeje: asgjë. Apo që të jemi më pedantë: pak u arrit.

Pak u arrit, sepse Serbia ka dëshmuar, si asnjëherë më parë, se interesi i saj primar është mbajtja e status-quos deri në krijimin e rrethanave më të favorshme gjeostrategjike për interesat e Serbisë në rajonin tonë. Këto rrethana nënkuptojnë minimalisht dy gjëra: (1) kthimin e Trumpit në Shtëpi të Bardhë dhe (2) fitoren e Putinit në Ukrainë. Këto dy zhvillime do të kontribuonin në dobësimin e forcave liberale në kontinentin evropian dhe rrjedhimisht forcimin e forcave malinje, sikur ajo e Vuçiqit në Serbi. Një sfond i tillë gjeopolitik do t’i ofronte Serbisë mundësinë e një marrëveshjeje shumë më të favorshme me Kosovën sesa ajo që është sot në tavolinë. Kjo është edhe arsyeja përse Vuçiqi momentalisht ka “dhimbje dore” për të nënshkruar marrëveshjen, dhe pse thotë se është dakord me marrëveshjen “vetëm në parim”. Kur ministri legjendar i Jashtëm Talleyrand kishte negociuar një marrëveshje paqeje, ai kishte raportuar te Napoleoni se ishte një “marrëveshje parimesh”. Napoleoni iu përgjigj: “Parimesh? E shkëlqyeshëm. Më pëlqejnë parimet, pasi që ato nuk më obligojnë asgjë”. Kështu pak a shumë e sheh edhe Vuçiqi Marrëveshjen e Brukselit dhe shtojcën e Ohrit – si asgjë. Thjesht instrumente për blerje kohe.

Kështu duhet parë edhe Banjskën. Në asnjë moment aksioni i Serbisë nuk kishte për qëllim marrjen me forcë nën kontroll efektiv të një pjese të tokës së Kosovës. Serbia e di që nuk ka kapacitet për një gjë të tillë. Sidoqoftë, qëllimi primar i këtij aksioni ishte krijimi i një incidenti që do të kishte minuar dhe shpërthyer në copëza procesin momental negociator. Me fjalë të tjera, do të kishte blerë kohë.

Por të gjitha këto manovrime të Serbisë kanë arritur limitin e tyre. Banjska në veçanti ishte një lojë e rrezikshme e cila patjetër kishte potencial që të ndryshonte lojën në favor të Serbisë, por njëkohësisht ajo bartte më vete rrezik të madh në rast të dështimit. Dhe tani, pas dështimit, Banjska ka arritur efekt të kundërt prej atij që kishte synuar. Në vend që të ngadalësonte procesin negociator të dialogut, ajo e ka përshpejtuar atë. Në këtë kontekst duhet lexuar ndryshimin e lidershipit të Listës Srpska, peticionin qytetar për zgjedhje të reja në veri, heqjen e sirenave në veri, konvertimin e tabelave ilegale, njohjen e tabelave të Kosovës dhe integrimin e veriut në sistemin energjetik të vendit. Të gjitha këto janë rezultat i drejtpërdrejtë i Banjskës. Dhe jo vetëm kaq, tani palët janë duke zhvilluar negociatat intensive për të përmbyllur ngritjen e Asociacionit të Komunave Serbe nga ana e Kosovës dhe kompletimin e njohjes de-fakto të Kosovës nga ana e Serbisë. Me fjalë të tjera, përderisa për të gjithë ne 1 janari i këtij viti simbolizon fillimin, për dialogun ai simbolizon përfundimin. Nga 1 janari dialogu po hyn në fotofinishin e tij. Numërimi mbrapsht i zbatimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka filluar. Më nuk ka kohë. Në veçanti komuniteti perëndimor e kupton se ose dialogu do të këtë sukses në vitin 2024 ose nga viti tjetër ai do të hyjë në një terren krejtësisht të panjohur. Një terren të cilit vetëm Serbia do t’i gëzohet.