OpEd

(Pa)barazia

Qeveria e Vetëvendosjes dukshëm ka ndarë buxhet më shumë në skemat sociale sesa qeveritë e kaluara dhe në parim kjo gjë edhe duhet përshëndetur. Por parimi i universalitetit në këtë shpërndarje pa dyshim se tregon për mungesën e një vizioni të qartë për t’i goditur pabarazinë dhe varfërinë në thelbin e saj, si dhe për përkushtimin për një rishpërndarje më të drejtë

Drejtësi dhe Punësim ishte mantra kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti derisa po garonte në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021. Me drejtësi sikur nënkuptohej se përfshiheshin edhe drejtësia sociale dhe barazia.

Mbi 1,000 ditë të qeverisjes dhe derisa po i avitemi dalëngadalë trevjetorit të fitores së Vetëvendosjes, Qeveria Kurti ka investuar dukshëm më shumë në skemat sociale sesa qeveritë e kaluara, por në të njëjtën kohë ka mirëmbajtur pabarazitë dhe ka pak shenja ku intervenimet në ekonomi i ndërrojnë përmbajtësisht dhe strukturalisht politikat sociale të vendit në drejtim të zvogëlimit të dallimit mes të pasurve dhe të varfëve, dhe ku barazia sociale nuk shihet vetëm si utopi e një luftë doktrinash akademike, por si një model i qeverisjes.

Koncepti i qeverisjes, ku luftohet pabarazia, është pa dyshim më i gjerë sesa elementet që trajton ky shkrim, porse këto elemente janë përzgjedhur, sepse janë testues se sa mirë të ideuara ishin politikat nga Vetëvendosje, çfarë kahe e sjellje të zbatimit kanë gjetur dhe në ç’masë kanë arritur të zvogëlojnë dallimet shoqërore.

Le të fillojmë më një nga politikat më definuese të një qeverie — rishpërndarjen e parave.

Në parim, prezantimi i shtesave për nënat lehona dhe skema shtesat për fëmijët mbetet një nga politikat më të vërejtshme që ka filluar së zbatuari nga Qeveria Kurti.

Qeveria e Kosovës njoftoi se nënat lehona të papuna do të përfitojnë nga 170 euro për 6 muaj, kurse ato të punësuara do të marrin nga 170 euro për 3 muaj. Kjo pagesë do të bëhet krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë. E çdo fëmijë deri në moshën 2-vjeçare do të përfitojë 20 euro në muaj derisa çdo fëmijë prej 2 deri në 16 vjeç do të përfitojë 10 euro në muaj.

Krahas këtyre politikave, vendimet e Qeverisë që kanë ngjallur edhe më shumë reagime e kritika kanë qenë ato të shpërndarjes së parave në mënyrë të herëpashershme, sidomos gjatë festave për disa kategori të qytetarëve. 100 euro-shi. Duke pasur një rritje të çmimeve që ka goditur keq ekonominë e dobët të Kosovës, Qeveria si përgjigje këtë fundvit ia ka ndarë 100 euro çdo fëmije nën moshën 16 vjeç dhe të njëjtën vlerë të gjithë pensionistëve kosovarë.

Qeveria e Vetëvendosjes dukshëm ka ndarë buxhet më shumë në skemat sociale sesa qeveritë e kaluara dhe në parim kjo gjë edhe duhet përshëndetur. Por parimi i universalitetit në këtë shpërndarje pa dyshim se tregon për mungesën e një vizioni të qartë për të goditur pabarazinë dhe varfërinë ne thelbin e saj, si dhe për përkushtimin për një rishpërndarje më të drejtë.

Krizat ekonomike shpeshherë paraqiten edhe si mundësi për qeveritë pikërisht për të treguar dallimin edhe ideologjik se si i qaset një kabinet qeveritar krizës, tregojnë se çfarë prioritetesh vendosen dhe ku e si shpërndahen paratë.

Në rastin e 100-euroshit, Qeveria ka shkaktuar pabarazi duke përdorur një qasje të sheshtë. Nuk mundet një fëmijë prindërit e të cilit kanë të hyra mijëra euroshe të rimbursohen po njëjtë—me 100 euro —sikurse një fëmijë, prindërit e të cilit janë të papunë a pjesë të skemës sociale. Kjo qasje jo e shkallëzuar në vitin e tretë të qeverisjes së një partie socialdemokrate tregon se intervenimet e tilla nuk mund të bëjnë ndryshim rrënjësor se si luftohet varfëria dhe e vënë në pikëpyetje nëse fare qëllimi është luftimi dhe zhdukja e varfërisë. Së këndejmi, me këto shuma e këtë formë te shpërndarjes, vështirë të vërehen efekte me të mëdha se disaditëshe te familjet e varfra.

Ndonëse ka paralajmërime nga eksponentë të pushtetit për një formë shkallëzimi në vitin e ri që po hymë, është e pakuptimtë që një gjë e tillë të mos ketë ndodhur as në vitin e tretë të qeverisjes. Pse i duhen tre vjet një qeverie të majtë për të kuptuar se nevojat e fëmijëve e të familjeve të Kosovës janë të ndryshme: se intervenimet në raste duhet të jenë radikale për të zbutur sadopak varfërinë tek ato familje, anëtarët e të cilave jetojnë me 1.85 euro centë në ditë e jo të trajtohet në formën universale e ku përmirësimi i mirëqenies zëvendësohet me mirëmbajtje të varfërisë.

Anketa e fundit e UNDP-së tregon për rritje të varfërisë dhe shpenzime më të shumta të kosovarëve në gjësendet ushqimore. Në raport thuhet se “10% e ekonomive familjare janë dukshëm më të varfra në mes të viteve 2021 dhe 2023”. Kjo qartazi tregon se mirëqenia ekonomike e familjeve kosovare është përkeqësuar dhe pothuajse çdo qytetar është goditur nga inflacioni rraskapitës. Edhe këtu, natyrshëm se familjet e varfra janë prekur më së shumti. Janë mbi 82 mijë persona nën skemën sociale. Pra një qytet i madh në këtë Kosovë të vogël jeton në varfëri të skajshme. Kjo shifër duhet të na qëndrojë jo vetëm si kujtesë e frikshme, por edhe një testament i pabarazisë shoqërore e mjerimit social për një pjesë të shoqërisë, si dhe nevojën që Qeveria të shtyjë para politika specifike për këtë kategori e jo të disbursojë një a dy herë në vit 100 euro.

******

Por nëse shpërndarja e parasë nuk duhet të bëhet në formë universale, por të shkallëzuar në bazë të nevojave, shkollimi i hershëm i fëmijëve kërkon universalitet dhe këtë synim e kishte Vetëvendosje jo vetëm në manifestin elektoral, por atë e kishte shkrirë edhe në programin qeveritar ku ishin premtuar të ndërtoheshin 160 çerdhe anekënd Kosovës si një politikë e mirargumentuar nga shumë dimensione: përfshirje më e madhe e fëmijëve në arsimin parashkollor (vetëm rreth 20 për qind e fëmijëve në Kosovë të moshës 0-6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm) zhvillim e përmirësim të të ushqyerit te fëmijët, rritje e punësimit të grave dhe luftë kështu edhe ndaj pabarazive gjinore e përpjekje për emancipim më të madh mbarëshoqëror.

Realiteti pas vjetësh qeverisjeje është tjetër. Numri i çerdheve të përfunduara nuk arrin as dyshifrorin e për këtë kohë të mandatit të Kurtit edhe një e katërta (40 çerdhe) të premtimit po të përmbushej do të përbënte sukses. Realitet tjetër i hidhur është se krahas inflacionit të gjithmbarshëm, shtrenjtimi i pagesës në çerdhet private ka vazhduar, çka i përjashton në mënyrë automatike fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta. Po të përmbushej apo dukej se ka një kah të mirë për t’u bërë zotimi për 160 çerdhe, pa asnjë dyshim se do të ishte një nga arritjet më përmbajtjesore të qeverisë Kurti.

Domosdoshmëria për çerdhe të reja, sidomos nëpër fshatra, është e menjëhershme. Duke parë trendin e lartë të migrimit në vitet e fundit, ku mbi 100 mijë qytetarë kanë lënë Kosovën vetëm në vitet 2021 dhe 2022, rreziku tjetër është të vazhdojë shkalla e lartë e migrimit të brendshëm, sepse fshatrat e Kosovës po boshatisen duke pasur mungesë të një perspektive sidomos për gratë që synojnë të vazhdojnë rritjen e tyre profesionale apo që synojnë të punësohen. Dhe mungesave e çerdheve është një arsye e kësaj braktisjeje. Si mund të kërkosh punë si grua kur kujdesi për fëmijët reduktohet vetëm te nëna për shkak të mospasjes së çerdheve. Kështu edhe normat shoqërore të rrënjosura thellë në patriarkalizëm veç thellohen.

****

Qeveria Kurti kritikohet gjerësisht për mungesë prioritetesh. Por Qeveria Kurti ka nevojë që edhe brenda prioriteteve që ka pasur t’i ridefinojë politikat dhe intervenimet e saja në rishpërndarje të parasë dhe investimet në arsimin parashkollor. Nëse vazhdon me konceptin e catch-all-up duke synuar që të shpërndajë para pa përjashtim për të gjitha grupet e kështu të mendojë vetëm për bazën elektorale, ndryshimet pas një viti — dhe nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme në skenarin më pozitiv do të jenë kozmetike. E pa intervenime radikale me disa politika të majta, në rastin më të mirë, qeverisja e Kurtit në politikat sociale do të identifikohet si mirëmbajtje e pabarazisë së çimentuar ndër dekada në Kosovë me ndryshime të aty-këtushme, por pa ndryshim thelbësor e progresiv. Dhe pabarazia mes nesh veç sa do të rritet.