OpEd

Zgjedhjet në Serbi, të parëndësishme për raportet me Kosovën

Procesin e dialogut nuk e ka bërë joserioz Serbia, por Bashkimi Evropian. Nëse suksesi i dialogut do të varet nga Serbia, atëherë ai do të dështojë. Sepse Serbia do ta shfrytëzojë secilin lëshim që i bën BE-ja. E lëshimet e BE-së ndaj Serbisë janë pafund, përfshirë edhe tash kur Serbia me shkrim e bëri të qartë se nuk do të zbatojë obligimet kryesore nga Marrëveshja. Pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, sjellja e saj në dialog nuk do të ndryshojë. Sepse edhe opozita në Serbi është kundër Marrëveshjes franko-gjermane

Zgjedhjet e së dielës në Serbi ishin të rëndësishme vetëm për Serbinë. Ato për vendet fqinje të Serbisë, përfshirë edhe Kosovën, nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë. Natyrisht se do të ishte e mirëseardhur që në Serbi të ketë një pushtet, dhe pse jo edhe një opozitë, e cila do të ishte demokratike, e interesuar për pajtim me fqinjët dhe për stabilitet në rajon. Por një e tillë nuk ekziston dhe as nuk duket diku në horizont.

Është krejt e kundërta. Në serbi janë në pushtet strukturat nga e kaluara, nga periudha e Slobodan Milosheviqit. Politikanët kryesorë janë Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq. Ata i janë kthyer retorikës nacionaliste, nxitëse ndaj fqinjëve, sidomos ndaj Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Për më tepër në spotet zgjedhore të Partisë Socialiste të Serbisë glorifikohet haptas Slobodan Milosheviqi. Glorifikohen kriminelët e luftës, edhe ata të dënuar nga gjykatat ndërkombëtare. Dhe raportet me Kosovën përmenden kryesisht në kontekstin nacionalist se “nuk do ta japim Kosovën dhe Metohinë”.

Këto struktura në Serbi kanë mbështetje të madhe ndërkombëtare. Madje është edhe paradoksale dhe fenomen se ato kanë mbështetje dhe nga Brukseli e Washingtoni, edhe nga Moska e Pekini, edhe nga Teherani e Sudani.

E opozita në Serbi ndoshta ndryshon pak në stil, është pak më shumë demokratike, por nuk dallon shumë nga pushteti i Vuçiqit dhe Daçiqit sa u përket raporteve me fqinjët, sidomos me Kosovën. Prandaj as për dialogun e pafat të Brukselit, i cili gradualisht është para dështimit total, rezultati i zgjedhjeve të 17 dhjetorit nuk do të ketë ndonjë rëndësi të veçantë.

Dialogu është shumë joserioz. Ai më nuk ka as parime e as vullnet politik nga palët që të jetë sukses. Vullneti politik mungon edhe nga ana e BE-së në cilësinë e lehtësuesit. Qasjen e tillë të BE-së e ka shfrytëzuar Serbia për ta sjellë dialogun këtu ku është tani, në një fazë ku nuk e dimë a ka apo jo marrëveshje. Sepse kur njëra palë thotë se nuk ka marrëveshje, atëherë pak ka rëndësi se çfarë thotë lehtësuesi. E Serbia me gojë e më shkrim tash konfirmon se ajo nuk e konsideron se ka obligim të zbatojë pjesë të marrëveshjeve që asaj nuk i pëlqejnë, e nuk i pëlqen asnjë që ka sado pak rendësi për Kosovën. Dhe përderisa Qeveria e Serbisë i jep goditje BE-së, duke refuzuar të pranojë obligimet, edhe opozita në Serbi është kundër asaj që BE-ja e quan Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve, apo siç quhet edhe “Plani franko-gjerman”. Për më tepër, disa diplomatë në BE thonë se opozita e Serbisë ka një “iluzion total kur është fjala për Kosovën” dhe se iluzionet e opozitës janë më të mëdha sesa të Vuçiqit. Sepse, thonë këto burime, “Vuçiq nuk ka iluzione për Kosovën, ai i krijon ato tek të tjerët në Serbi, por vetë nuk ka iluzione”. E për disa liderë të opozitës thonë se ata “bëhen kinse besojnë se Kosova vërtet është pjesë e Serbisë dhe ata nuk do ta japin!”.

Gabimi i BE-së në qasjen e dialogut ka qenë se e kanë personalizuar shumë. Kanë menduar se duke llogaritur në qëndrimet e liderëve në periudha të caktuara mund të arrihet suksesi. Një herë thoshin se “me Hashim Thaçin e fortë në Kosovë dhe Boris Tadiqin e fortë në Serbi mund të arrihet suksesi“. Pastaj thoshin se “me Thaçin e fortë në Kosovë dhe Daçiqin e fortë në Serbi mund të arrihet shumë“. E pastaj “me Thaçin e fortë në Kosovë dhe Vuçiqin e fortë në Serbi mund të arrihet shumë”. Dhe së fundi, kur në Kosovë fitoi Vetëvendosje, vetë lehtësuesit e BE-së thoshin se “tash kemi dy liderë me mandat të fuqishëm në të dyja anët dhe ata mund të bëjnë shumë në dialog”. Por në vend që të “bëhet shumë” dialogu ka shënuar ngecje, e në disa raste edhe prapakthim. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale dhe ato janë në nivel të konfliktit pothuajse të hapur e jo vetëm verbal.

Procesin e dialogut nuk e ka bërë joserioz Serbia, por Bashkimi Evropian. Nëse suksesi i dialogut do të varet nga Serbia, atëherë ai do të dështojë. Sepse Serbia do ta shfrytëzojë secilin lëshim që i bën BE-ja. E lëshimet e BE-së ndaj Serbisë janë pafund, përfshirë edhe tash kur Serbia me shkrim bëri të qartë se nuk do të zbatojë obligimet kryesore nga Marrëveshja. Pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, sjellja e saj në dialog nuk do të ndryshojë. Sepse edhe opozita në Serbi është kundër Marrëveshjes franko-gjermane. Kushdo që të jetë në pushtet në Serbi do të sillet njësoj ndaj Kosovës. Pos nëse BE-ja vërtet e merr vetveten seriozisht dhe rolin e saj në dialog dhe siguron që të mos mbetet pa pasoja Serbia, e cila refuzon normalizimin e raporteve me Kosovën.

Ndërkohë Kosova dhe aleatët e saj duhet të sigurojnë që Serbia, edhe nëse do, të mos ketë mundësi ta sulmojë më dhe ta destabilizojë Kosovën. Siguria e Kosovës nuk duhet të varet nga vullneti i mirë i Serbisë. As nga niveli i demokracisë në Serbi.