OpEd

Një nga ato javët e veçanta

Janë të rralla ditët e këtilla në jetën e njeriut. Ditët kur secili nga ne vazhdon me rutinën e jetës së vet sikur çdo ditë tjetër të rëndomtë, duke mos vërejtur që në fakt jemi duke jetuar njërin nga momentet më vendimtare të jetës sonë. E kuptojmë këtë vetëm pasi që ky moment kalon. Ose ndoshta edhe kurrë. Kështu është pak a shumë kjo javë

Janë të rralla ditët e këtilla në jetën e njeriut. Ditët kur secili nga ne vazhdon me rutinën e jetës së vet sikur çdo ditë tjetër të rëndomtë, duke mos vërejtur që në fakt jemi duke jetuar njërin nga momentet më vendimtare të jetës sonë. E kuptojmë këtë vetëm pasi që ky moment ka kaluar. Ose ndoshta edhe kurrë. Kështu është pak a shumë kjo javë.

Këtë javë janë tri momente vendimtarë për të ardhmen e rajonit tonë: (1) vendimi i SHBA-së për ndarjen e fondeve të reja për mbështetjen ushtarake të Ukrainës; (2) vendimi i BE-së për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnjën; dhe (3) zgjedhjet në Serbi.

Kur më 24 shkurt 2022 bota u zgjua nga gjumi për të kuptuar se Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës, të gjithë pak a shumë kemi pritur se Ukraina shumë shpejt do të kolapsojë dhe do të bjerë nën kontrollin rus. Këtë e kanë pritur edhe aleatët më të mëdhenj të Ukrainës. Këtë iluzion e shembi në orët e para të luftës ai që do të shndërrohet në simbolin e botës së lirë me fjalinë e tij tani më të famshme: “Më duhet municion për të luftuar, jo biletë aeroplani për të ikur”. Që nga ajo ditë heroizmi i ushtrisë ukrainase dhe sakrifica e qytetarëve të saj kanë ndaluar me sukses të jashtëzakonshëm agresorin rus në pushtimin e shtetit të tyre. Deri më sot ata kanë çliruar gjysmën e territorit të okupuar nga agresori rus, si dhe i kanë treguar botës se janë aleat i aftë për të mbrojtur veten dhe gjithë rendin perëndimor ndërkombëtar. Ndoshta edhe më me rëndësi, rezistenca e tyre kundër pushtimit rus ka shembur në mënyrë më të bukur propagandën koloniale ruse, e cila ka mohuar në tërësi ekzistencën e kombit dhe identitetit ukrainas. Natyrisht, e gjithë kjo do të ishte shumë më e vështirë, nëse jo e pamundur, pa mbështetjen ushtarake të SHBA-së dhe BE-së. Deri më sot së bashku ata i kanë ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë prej afro 200 miliardë eurosh. Sidoqoftë, intensiteti i luftës në Ukrainë është duke konsumuar këtë ndihmë ushtarake me një shkallë jashtëzakonisht të lartë. Kjo është edhe arsyeja përse Ukraina ka nevojë për vazhdimin e kësaj mbështetje ushtarake. Dhe në këtë drejtim kjo javë është vendimtare për mbështetjen e Ukrainës, pasi që e gjithë bota ka sytë drejt Senatit dhe Kongresit Amerikan për të parë nëse Partia Demokratike dhe ajo Republikane mund të dakordohen për ndihmën e fundit ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 60 miliardë dollarësh. Problemi është se kjo ndihmë ushtarake është futur në pako me ndihmën ushtarake për Izraelin, Tajvanin dhe mjetet financiare për fuqizimin e kufirit me Meksikën. Dhe tani në këtë drejtim republikanët janë duke luajtur një lojë të rrezikshme negociatore, me ç’rast janë duke refuzuar miratimin e kësaj ndihme financiare me synimin e poshtërimit dhe dështimit të presidentit Biden një vit para zgjedhjeve. Kjo situatë e palakmueshme ka sjellë edhe presidentin Zelensky këtë javë në Washington për ta bindur Partinë Republikane të votojë ndihmën ushtarake.

6000 kilometra në lindje të Washingtonit, në qytetin monoton të Brukselit, këtë javë do të takohen liderët e BE-së për të vendosur nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnjën, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë. Vendimet e kësaj jave janë vendime më të rëndësishme politike për zgjerimin e BE-së qysh nga zgjerimi i madh i vitit 2004. Nëse liderët e BE-së arrijnë të dakordohen për këto vendime, kjo jo vetëm se do t’i japë shpresë dhe forcë popullit ukrainas për përpjekjet e tij liridashëse, por edhe do t’i dërgojë një mesazh të rëndësishëm politik presidentit Putin se BE-ja nuk do të zmbrapset nga përpjekja e saj për të pranuar Ukrainën në BE si shtet i pavarur dhe sovran.

Dhe në fund vijmë këtu në rajonin tonë. Të dielën, qytetarët e Republikës së Serbisë do t’iu drejtohen kutive të votimit. Zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Serbi pritet të jenë vazhdimësi e rënies së regjimit dhjetëvjeçar të presidentit Vuçiq. Në zgjedhjet e kaluara në vitin 2022 partia e tij humbi 500.000 vota. Tani, të dielën, për herë të parë ai do të këtë përballë gjithë opozitën serbe. Tani gjasat për fitore të opozitës janë reale. Nëse ato gjasa janë në pikëpyetje në nivel vendi, fitorja në kryeqytet duket e garantuar. Vitin e kaluar opozita e përçarë ka humbur Beogradin për vetëm një deputet bashkiak. Sot opozita e bashkuar e ka fitoren e garantuar. Humbja e Beogradit do të jetë goditje e rëndë për Vuçiqin. Fitorja e Beogradit është edhe simbolikisht e rëndësishme, por edhe praktikisht e dobishme. Në kuptimin simbolik Beogradi është historikisht vendi nga ku ndryshimi ka filluar. Udhëkryqi dhe fushëbeteja e cila ka varrosur regjimet sikur ai i Milosheviqit dhe e cila i ka dhënë jetë shpresës së Gjingjiqit. Nga ana tjetër, praktikisht fitorja në Beograd do të fuqizonte opozitën në Serbi me platformë dhe mjetet e jashtëzakonshme politike dhe financiare. Sa për ilustrim, buxheti i Beogradit është 1.3 miliardë euro dhe përbënë 25% të të gjithë votuesve të Serbisë. Thënë ndryshe, fitorja e opozitës në Beograd do të ishte mesazh nga e ardhmja për Vuçiqin.

Udhëtuam kështu nga Washingtoni në Bruksel dhe nga Brukseli në Beograd vetëm për t’u kthyer këtu tek ne në Prishtinë. Këto tri momentume të përshkruara më lart, të cilat do t’i jetojmë këtë javë, janë vendimtare edhe për Kosovën. Nëse këtë javë Ukraina nuk e pranon pakon e fundit ushtarake nga SHBA-ja, atëherë Rusia do të jetë në pozitë shumë më të favorshme luftarake karshi Ukrainës. Pozita më e mirë e Rusisë në Ukrainë do të përkthehet me automatizëm në pozitën më të mirë të Serbisë në rajonin tonë. Nëse këtë javë Ukraina nuk i nis negociatat e anëtarësimit me BE-në, e ardhmja evropiane e Kosovës - dhe e gjithë rajonit tonë - do të jetë shumë më e vështirë. Nuk mund të këtë agjendë evropiane për rajonin, pa agjendë evropiane për Ukrainën. Dhe nëse këtë javë qytetarët serbë më në fund nuk e japin goditjen përfundimtare të regjimit të Vuçiqit, Kosova do të vazhdojë të vuajë nga politika e tij serbomadhe dhe arkaike.