Etapa e fundit e udhëtimit në Kostarikë është edhe rast për të reflektuar mbi historinë e këtij vendi, ekonominë, Mic Sokolin e Kostarikës, ushtrinë joekzistente dhe një lidhje speciale me Kosovën
1.
Duhej parë edhe anën tjetër të Kostarikës. Me anën tjetër mendohet: Deti i Karaibeve, i cili është pjesë e Oqeanit Atlantik. Në këtë shkrim, i katërti dhe i fundit mbi një udhëtim trejavor në Kostarikë, bëhet më pak fjalë për natyrën dhe më shumë për çështje të tjera si historia, ekonomia, politika etj.
Në Puerto Viejo de Talamanca arrita më datën 17 nëntor, me një minibus (shuttleservice). 120 dollarë vajtje-ardhje në relacionin mes kryeqytetit San José - Puerto Viejo de Talamanca. Ky fshat pëlqehet nga turistët. Ka edhe pensionistë nga Evropa e Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vijnë këtu për të kaluar një pjesë të vitit. Afërsisht çdo i treti burrë duket sikur të ishte vëllai i vogël i Bob Marley. Dhe kjo nuk është befasi, shumë banorë janë pasardhës të punëtorëve që kanë ardhur nga Xhamajka në Kostarikë. Po ecja rrugicave të fshatit me sy kureshtarë dhe turma e parë që pashë ishte një vargan njerëzish para një kishe duke i dhënë lamtumirën një të vdekuri. Gra e burra të veshur solemnisht, fëmijë që luanin të shkujdesur dhe zëri i priftit që jehonte nga thellësia e kishës modeste.
Kush shkon në Puerto Viejo, bën mirë të marrë një biçikletë me qira (5 dollarë në ditë). Terreni është i rrafshët, rrugët janë të mira dhe kështu natyra përjetohet më intensivisht. Patjetër duhet vizituar parkun nacional Gandoca-Manzanillo, i cili shquhet me plazhe të bukura në gjinj deti të vetmuar, ku mund të shijoni një arrë kokosi nën hijen e palmave. Një restorant i mirë peshku në Puerto Viejo është Marisqueria Mopri, i cili i ngjan Tavernës Rrapo në Sarandë, një vend që pëlqehet shumë gjatë verës nga gurmanët kosovarë.
2.
Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë. Në San José ora ishte 08:39. Puna e parë që bëri në atë mëngjes presidenti i atëhershëm Óscar Arias Sánchez ishte t’i kërkojë Ministrisë së Jashtme që të pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kësisoj, Kostarika u bë shteti i parë që e njohu shtetësinë e Kosovës. Óscar Arias Sánchez është një politikan me përvojë. Kur propozoi njohjen e Kosovës, ai po ushtronte mandatin e dytë të presidentit. Për herë të parë ai u zgjodh president më 1986. Gjatë Luftës së Ftohtë, Amerika Qendrore ishte arenë rivaliteti mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.
Óscar Arias Sánchez u dha fund polarizimeve në rajon: ai takoi presidentët e Guatemalës, Salvadorit, Hondurasit dhe Nikaraguas dhe arriti t’i bindte ata të kufizojnë madhësinë e ushtrive të tyre, të garantojnë lirinë e shtypit dhe të mbajnë zgjedhje të lira. Ky plan u pranua, konfliktet në Amerikën Qendrore përfunduan dhe Óscar Arias Sánchez më 1987 u nderua me çmimin Nobel për Paqe. Më 2006 ai u zgjodh sërish president i Kostarikës. Marrëdhëniet mes Kostarikës dhe Kosovës përshkruhen si të mira. Së fundi në këtë vend për vizitë ka qëndruar zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Liza Gashi, e cila ka një lidhje personale me Kostarikën: është shkolluar në San José.
3.
Para 75 vjetëve, më 1 dhjetor 1948, José Figueres Ferrer, ish-prijës i kryengritësve dhe president i Kostarikës, i ra me çekan murit të kazermës në San José dhe njoftoi për shpërbërjen e ushtrisë. Kostarika nuk ka armatë, kjo e bën këtë vend mjaft të veçantë në një rajon ku roli i ushtarakëve ka qenë shpeshherë fatal (për shembull në Kili dhe Argjentinë). Kazerma e dikurshme në San José u shndërrua në muze nacional. Paratë e parapara për ushtri u investuan në sistemin shkollor dhe në infrastrukturë. Pa ushtri nuk domethënë edhe pa forca të sigurisë: Kostarika ka një polici relativisht efikase dhe njësi për ruajtjen e kufirit. Për shkak të numrit të madh të refugjatëve nga Amerika jugore të cilët përmes Kostarikës mësyjnë Meksikën me qëllim që të arrijnë në SHBA, edhe në Kostarikë është rritur dukshëm kriminaliteti. Në fund të shtatorit agjencia gjermane e lajmeve DPA njoftoi se që nga fillimi i këtij viti gati 400 mijë refugjatë kanë kaluar nëpër Kostarikë në drejtim të veriut. Kostarika ka 5,1 milionë banorë.
Gjithnjë e më akut është problemi i përleshjeve mes bandave të drogës. Viti 2022 ka qenë viti më i dhunshëm në historinë e Kostarikës. Megjithatë, turistët nuk duhet të kenë frikë. Shumica e vrasjeve ndodhin në miljeun e drogës. Rajoni i Limónit afër Puerto Viejo konsiderohet si qendër e veprimtarisë së bandave të drogës. Porti i Limónit shërben si pikënisje për shumë kontejnerë me drogë që kontrabandohet në Evropë dhe SHBA.
4.
Më 1502, Kristofer Kolomboja zbarkoi në Isla Uvita afër Puerto Limón në bregun e Atlantikut. Zbuluesi i madh supozonte se këtu kishte rezerva të mëdha të arit, andaj e quajti vendin Costa Rica (bregdeti i pasur). Përpjekjet e spanjollëve për të kolonizuar Kostarikën hasën në rezistencë të ashpër të fiseve indigjene. Tek më 1561 në Cartago u etablua një koloni e përhershme. Ky qytet në brendi të vendit, larg rrugëve tregtare dhe oqeaneve, u bë kryeqyteti i parë i Kostarikës, më vonë kryeqytet u bë San José. Me ardhjen e spanjollëve numri i popullsisë indigjene ra në mënyrë dramatike. Më 1569 në Kostarikë jetonin 120 mijë indigjenë; më 1611 numri i tyre ra në 10 mijë.
Më 1709 kreu i indigjenëve në malet e Talamancas, Pablo Presbere, u rebelua bashkë me përkrahësit e tij kundër sundimtarëve spanjollë. Një vit më vonë ai u ekzekutua në Cartago. Koka e tij u ngul në një hu për të tmerruar njerëzit. Për dallim nga shtetet e tjera të Amerikës Latine, Kostarika e arriti pavarësinë më 1821 pa luftë e gjakderdhje. Në vitet 1830’ Kostarika pushtoi tregun botëror me kafe, e cila e bëri këtë vend të pasur. Kafeja krijoi lidhje të ndryshme me Evropën, e nga atje në Kostarikë erdhën moda, arkitektura e letërsia. Në fund të shekullit XIX shumë gjermanë emigruan në Kostarikë dhe u bënë pjesë e aristokracisë së kafesë. Përveç me kafe Kostarika u bë e njohur edhe me eksport të bananeve.
5.
Aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit të Kostarikës bart emrin e heroit nacional Juan Santamaría. Ai ishte daullexhi i ushtrisë dhe vdiq më 11 prill 1856 gjatë një beteje në Nikaraguanë fqinje. Santamaría ia vuri zjarrin kampit të trupave mercenare të amerikanit William Walker, i cili synonte të krijonte shtete vasale në Amerikën Qendrore dhe të pengonte pavarësinë e tyre. Sakrifica e Juan Santamarías ishte vendimtare për fitimin e betejës së Kostarikës dhe vendeve të tjera të rajonit për pavarësi.
Flijimi i tij mund të krahasohet me atë të Mic Sokolit, i cili në Betejën e Slivovës më 1881 i doli para grykës së një topi osman dhe ra heroikisht. Juan Santamaría është i krahasueshëm edhe me heroin zviceran Arnold Winkelried, i cili më 1386 – sipas sagës së përhapur – u vetëflijua në Betejën e Sempachut duke ua hapur një shteg trupave zvicerane përmes të cilit ato mposhtën trupat e Habsburgut austriak. Pranë liqenit të Arenalit në Kostarikë gjendet hoteli «Los Heroes» (heronjtë), i cili është ndërtuar nga një zviceran. Në fasadën e hotelit shquhen freskat e dy heronjve: Juan Santamaría dhe Arnold Winkelried. Një shenjë e miqësisë mes Zvicrës dhe Kostarikës. Ka edhe shumëçka për të shkruar për Kostarikën, andaj titulli i këtij teksti është gjithsesi ironik.