20 vendimet e dyta që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e re në 100 ditët e para të qeverisjes
21. Qeveria e re duhet të zbatojë kufizimin ligjor për organizimin e trajnimeve dhe tryezave jashtë vendit në rastet kur ato mund të organizohen brenda Kosovës.
22. Të obligohet çdo institucion të publikojë transaksionet ku tregohet çdo shpenzim, ku është kryer, nga kush dhe ku (Kartela Analitike e Kontos).
23. Vendosja e një sistemi transparent e bazuar në merita për punësimin e profesionistëve në pozita të larta vendimmarrëse në shërbimin civil duhet të bëhet që në 100-ditëshin e parë të qeverisjes. Pavarësisht asaj se tani e disa vite institucionet kanë nënshkruar disa marrëveshje me Ambasadën britanike për menaxhimin e një procesi transparent për rekrutime në bazë të meritave, në bazë të një raporti të Institutit GAP në pjesën më të madhe institucionet nuk kanë marrë parasysh rekomandimet e kompanisë profesionale të angazhuar nga Ambasada britanike. Qeveria e re duhet të identifikojë pozitat vakante në institucione kyç dhe të respektojë rekomandimet që vijnë nga kompania profesionale britanike për rekrutimet meritore.
24. Vendosja e bazës ligjore dhe krijimi i incentivave për pensionim të parakohshëm në shërbimin civil. Sipas një raporti të Institutit GAP, Kosova ka shkallën më të lartë të punësimit në sektorin publik në relacion me punësimin e përgjithshëm në krahasim me vendet e tjera të Evropës. Po sipas të dhënave të GAP-it, prej mbi 22 mijë shërbyesve civilë, 14.1% e tyre janë mbi moshën 60-vjeçare. Vetëm duke mos zëvendësuar ata që dalin në pension, për pesë vjet do të ulej numri i shërbyesve civilë për rreth tre mijë shërbyes civilë. Kjo do të lironte një pjesë të buxhetit për paga dhe mëditje me qëllim që të investohej në projekte zhvillimore, në anën tjetër zvogëlimi i numrit të shërbyesve civilë nuk do të kishte asnjë efekt negativ në punën e administratës.
25. Vendosja e llogaridhënies financiare në Radiotelevizionin e Kosovës. Ka mbi një dekadë që RTK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nuk i jep llogari askujt për keqpërdorimet financiare, pa llogaritur këtu anshmërinë redaktoriale për parti të caktuara. Mesatarisht 11 milionë euro në vit para të qytetarëve shkojnë për një medium, i cili më së paku raporton për interesat e publikut. Kuvendi i ri duhet të ndryshojë Ligjin për RTK-në dhe të largojë financimin nga buxheti i shtetit, dhe në vend të financimit të mediumit publik, të jepet financim për program publik, në të cilin konkurrojnë edhe televizionet private.
26. Të krijohet një komision për identifikimin e kohezionit në mes ligjeve dhe eliminimin e konfliktit të kompetencave. Pavarësisht disa nismave të vazhdueshme për të identifikuar dhe eliminuar kohezionin ligjor, asnjëherë deri më tani nuk ka pasur një rezultat konkret në eliminimin e paqartësive dhe konflikteve në mes ligjeve. Në korrik të vitit 2017 Instituti GAP kishte gjetur se për të 17 kompetencat vetjake të listuara me Ligjin për vetëqeverisje lokale, ekzistojnë ligje të tjera të cilat krijojnë konflikt kompetencash në mes të nivelit qendror dhe atij lokal.
27. Të vendosen kuota për përfaqësim gjinor edhe në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencitë e pavarura. Para disa vitesh Kuvendi i Kosovës ka vendosur kuotën prej 40% të përfaqësimit të grave në bordet e korporatave. E njëjta duhet të bëhet edhe në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura. Në një hulumtim të Institutit GAP në vitin 2017 del se gratë përbëjnë vetëm 15% të anëtarësisë në bordet e ndërmarrjeve publike dhe 16% të anëtarësisë në bordet e agjencive të pavarura. Shumë vende të Evropës (Suedia, Holanda, Franca, etj.) tashmë kanë vendosur kuota prej 30-40% për përfaqësim të grave në borde të ndërmarrjeve.
28. Reformimi i skemave sociale. Në një shkrim pas zgjedhjeve të 14 shkurtit kam argumentuar se premtimet zgjedhore të VV-së për fushën sociale kapin shifrën e rreth 400 milionë eurove. Shumë nga skemat sociale ekzistuese bazohen në merita (veteranë të luftës, mësues, ish-të burgosur politikë, ish-deputetë të viteve ’90) më shumë sesa në nevoja. Andaj duhet të ketë një reformim ku pensionet sociale u jepen më shumë atyre që kanë nevojë, e jo si pagesa për kontribute patriotike.
29. Rishikimi i rrjetit të shkollave. Komuna e Kamenicës ka filluar një proces reforme për mbylljen e shkollave me pak nxënës. Por kjo reformë është kundërshtuar nga partitë politike, duke përfshirë edhe VV-në. Sipas një raporti të Institutit GAP, numri i nxënësve në të gjitha komunat e Kosovës nga viti shkollor 2008/2009 ka rënë për 26% apo mbi 114 mijë nxënës më pak. Mbyllja e shkollave me pak nxënës do të mund të krijonte hapësirë më të madhe buxhetore për përmbushjen e premtimit zgjedhor nga VV-ja për hapjen e 160 çerdheve të reja në të gjithë Kosovën.
30. Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor dhe publikimi i të dhënave të detajuara për përfituesit gra dhe burra nga buxheti i shtetit. Me gjithë atë se në bazë të qarkoreve buxhetore Ministria e Financave e parasheh raportimin e organizatave buxhetore edhe për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, apo përfshirjen e të dhënave për përfituesit e pagave dhe subvencioneve sipas gjinisë, asnjëherë këto të dhëna nuk bëhen publike, nuk dihet sa organizata buxhetore raportojnë në këtë mënyrë dhe asnjëherë nuk ka raport para Kuvendit të Kosovës për buxhetimin gjinor. Tanimë vetëm se është koha e lëshimit të qarkoreve të reja buxhetore dhe Qeveria e re duhet të jetë më korrekte sa i përket buxhetimit gjinor.
31. Aprovimi i Ligjit për nënshkrim elektronik. Qytetarët ende përballen me vonesa e pengesa të shumta për t’u pajisur me dokumente personale. Institucionet ende nuk kanë arritur integrimin e sistemeve elektronike dhe barra e sigurimit të dokumenteve përcjellëse për një shërbim ende bie te qytetarët në vend se tek institucionet.
32. Krijimi i një pozite në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për Zyrtar të Lartë të Teknologjisë (ang.: Chief Technology Officer (CTO). Sektori i shërbimeve është i vetmi sektor ku Kosova ka bilanc pozitiv tregtar, e sektori i TIK-ut është kryesori në eksportin e shërbimeve. Ekspertët e IT-së, si Ermal Sadiku nga LinkPlus, kanë kërkuar vazhdimisht emërimin e një CTOje. Për herë të parë një pozitë e tillë ishte krijuar nga presidenti Obama dhe që nga atëherë shumë shtete të tjera kanë emëruar CTO, me qëllim të krijimit të politikave të përshtatshme për zhvillim dhe investime në teknologji.
33. Themelimi i një grupi punues në kuadër të Qeverisë që do të punojë për pranimin e Kosovës në platformat ndërkombëtare teknologjike.
34. Hartimi i një plani konkret për zbatimin e ligjeve nga fusha e mbrojtjes së mjedisit. Ligjet për mbrojtjen e mjedisit janë në përputhshmëri me ato të Bashkimit Evropian, mirëpo zbatimi i gjertanishëm ka munguar.
35. Të largohet kufizimi i importit të veturave bazuar në vjetërsi, dhe të vendoset kufizimi i importit bazuar në standardet ambientale, duke filluar nga euro 4.
36. Të fillojë rritja e inspektorëve të punës duke transferuar shërbyesit civilë nga pozitat që nuk kanë ngarkesë të madhe të punës. Një përqindjeje shumë të madhe të atyre që punojnë u shkelen të drejtat që dalin nga Ligji i punës, qoftë duke punuar pa kontrata, me orare të tejzgjatura apo punë të rrezikshme për shëndetin. Numri i vogël i inspektorëve të punës e ka pamundësuar mbikëqyrjen efektive të ligjeve nga marrëdhënia e punës dhe sigurisë në punë.
37. Të përfundohet procesi i regjistrimit të diasporës, i cili regjistrim përmban profilet profesionale dhe biznesore të diasporës. Ky proces ka filluar vite më parë dhe është parakusht për angazhim të diasporës në ekonominë e Kosovës.
38. Përmes Kuvendit të Kosovës të vazhdohet puna e Komisionit për hetimin e privatizimit dhe të përfundohet raporti hetues.
39. Njësoj, të përfundohet puna e mbetur përgjysmë nga Komisioni hetimor për PTK-në, puna e të cilit është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 2019.
40. Krijimin e Drejtorisë së Policisë për kryeqytetin, ashtu siç parashihet me nenin 7 të Ligjit për kryeqytetin, i cili ka hyrë në fuqi më 2018. Deri më tani Policia ka refuzuar krijimin e kësaj drejtorie. Asnjë qeverisje në Komunën e Prishtinës nuk do të mund të zgjidhë problemet në komunikacion pa policinë e kryeqytetit. Më vullnet politik, të gjitha 40 pikat e mësipërme mund të iniciohen e përmbyllen brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Reformat e thella në sistemin e drejtësisë, institucionet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, politikës së jashtme nuk mund të përfundohen në 100-ditëshin e parë. Mirëpo të gjitha këto do të duhej që të bënin hapin e parë gjatë këtyre 100 ditëve.