OpEd

40 veprime konkrete për 100 ditët e para të Qeverisë së re (I)

20 vendimet e para që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e re në 100 ditët e para të qeverisjes

Njëqind ditët e para të secilës qeveri janë ditët e mjaltit. Në vendet me traditë demokratike, në 100 ditët e para partitë opozitare, mediat dhe shoqëria civile kursehen nga kritikat, me qëllim që t’i lënë kohë të mjaftueshme pushtetit të ri që të shtyjë përpara premtimet zgjedhore.

Rezultati zgjedhor i lë hapësirë Lëvizjes Vetëvendosje që e vetme të mund të shtyjë përpara të gjitha politikat në Ekzekutiv dhe Legjislativ, me përjashtim të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat kërkojnë aprovimin e 2/3 të deputetëve, por që në të kaluarën partitë opozitare kanë votuar njëzëri në këso rastesh.

Atëherë, cilat duhet të jenë veprimet e para që nga dita e parë për Qeverinë e re:

 1. Qeveri me 12 ministri, ashtu siç ka qenë premtimi zgjedhor i Vetëvendosjes në vitin 2019. Koalicioni qeverisës VV-LDK i arritur në shkurt të vitit 2020 nuk e kishte respektuar në tërësi këtë premtim, me arsyetimin e akomodimit të kërkesave të partnerëve qeverisës. Por tashmë VV nuk ka asnjë arsye që të mos e zbatojë këtë premtim. Përveç uljes së numrit të ministrive në 12, kabineti qeveritar nuk duhet të ketë më shumë se dy zëvendësministra për ministri dhe jo më shumë se dy zëvendëskryeministra.

 2. Ndarje e barabartë e posteve ministrore mes grave dhe burrave. Gratë, më shumë se burrat, ishin mbështetëse të VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, ashtu siç faktohet nga së paku dy anketa para zgjedhjeve. Andaj, nëse për asgjë tjetër, VV-ja u ka borxh grave përfaqësim të barabartë. Është legjislatura e dytë kjo që të gjitha gratë e VV-së hyjnë në Kuvend pa kuotë. Gjatë fushatës zgjedhore VV-ja u ka dhënë hapësirë të barabartë grave dhe burrave gjatë paraqitjeve publike. Të njëjtën gjë duhet ta ndjekë edhe në Ekzekutiv.

 3. Përfshirja e diasporës në Ekzekutiv. Në mandatin e parë qeverisës VV-ja ka treguar se nominon ministra edhe ata/ato që nuk janë pjesë e VV-së. Duke marrë parasysh interesimin e lartë të diasporës për situatën politike në vend dhe pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje, VV-ja duhet të nominojë një pjesëtar të diasporës në krye të ndonjërës nga ministritë apo zëvendësministër.

 4. Pas përcaktimit të strukturës dhe përbërjes së Qeverisë, fokusi kryesor i Qeverisë së re duhet të jetë sigurimi i vaksinave kundër virusit. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka filluar procesin e vaksinimit. Deri më tani në vendet e tjera së paku nëntë majmunë janë vaksinuar para se të vaksinohet një kosovar nga institucionet e Kosovës.

 5. Aprovimi i Ligjit për Qeverinë duhet të bëhet në 100 ditët e para të qeverisjes. Ekziston një draft i ligjit tani e një dekadë. Ligji për Qeverinë është obligim kushtetues, të cilin nuk e ka respektuar asnjë qeveri deri më tani. Ligji i ri për Qeverinë do të vendoste rregull në numrin dhe funksionet e posteve ministrore.

 6. Rikthimi i programit për “Kthimin e trurit” së bashku me rikthimin e “Fondit për Financimin e Kuadrove”. Kosova po kalon krizën më të madhe të shëndetit publik, njëkohësisht ka dy dekada që kemi stagnuar sa u përket sigurimeve të reja energjetike, ashtu sikurse edhe në zhvillimin e ulët ekonomik. Diaspora kosovare është specializuar shumë më shumë në këto fusha, andaj Qeveria e re duhet të rivendosë programin për “Kthimin e trurit”, i cili ka qenë pjesë e MASHT-it në vitin 2008, por pa zbatim konkret. Njëkohësisht duhet të rikthehet “Fondi për Kuadro”, i cili do të ndante paga më të larta për ata ekspertë që pranojnë të punojnë për institucionet e Kosovës. Ky fond është aprovuar më 2009 me sugjerim të Institutit GAP, por në vend të financimit të pagave të ekspertëve kishte shërbyer si fond për financimin e kuadrove politike.

 7. Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në së paku dy pika: lehtësimin e votimit nga diaspora dhe përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave në lista zgjedhore.

 8. Heqja e monopolit në homologim për automjetet që importohen dhe eliminimi i të gjitha monopoleve të krijuara me vendimet e qeverive të mëhershme.

 9. Heqja e obligimit për homologim të veturave të reja dhe veturave që importohen nga vendet e Bashkimit Evropian, Zvicrës dhe Norvegjisë. Në legjislaturën e kaluar grupi parlamentar i VV ka hartuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjetet, por këto ndryshime nuk u aprovuan në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit. VV-ja tani ka të gjitha votat e nevojshme për të aprovuar këtë ligj të ri.

10. Kategorizimi i veteranëve të luftës. Që nga qeverisja e kryeministrit Isa Mustafa, asnjë qeveri nuk e ka përfunduar kategorizimin e veteranëve të luftës. Kategorizimi përfundimtar do t’i hapte rrugë hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Ligjin për Veteranët, ku buxheti total për pensione nuk mund të kalojë 0.7% të GDP.

11. Rifillimi i zbatimit të Ligjit për Duhanin. Ndalesa e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura nuk është duke u zbatuar. Me vullnet politik, Qeveria e re mund të fillojë zbatimin e këtij ligji që nga dita e parë.

12. Të anulohet vendimi i BQK-së për rritjen uniforme të sigurimeve të automjeteve për 26%. Në kundërshtim me opinionin e Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, BQK-ja më 2019 mori vendim për rritjen uniforme të sigurimit të veturave. Kuvendi i Kosovës, si mbikëqyrës i punës së BQK-së dhe Agjencisë së Konkurrencës, duhet të përmirësojë këtë lëshim të kushtueshëm për konsumatorët.

13. Qeveria e re duhet të vendosë praktika të transparencës totale. Që nga viti 2014 Instituti GAP ka përsëritur kërkesat për transparencë të shpenzimeve. Qeveria e re duhet të fillojë të mbajë dhe të publikojë regjistrin publik për përdorimin e automjeteve zyrtare, ashtu siç kërkohet me Udhëzimin administrativ 03/2008 për përdorimin e automjeteve zyrtare. Regjistri duhet të azhurnohet për çdo muaj dhe të dhënat publike duhet të përmbajnë: emrin e zyrtarit publik, i cili ka përdorur automjetin zyrtar, kilometrat e kaluara, sasinë e karburantit të shpenzuar, llojin e automjetit që përdor, targat e automjetit zyrtar.

14. Të publikohet e tërë databaza për automjetet zyrtare, ashtu siç parashihet në nenin 14 të Udhëzimit administrativ 03/2008, e duhet të jetë publike.

15. Qeveria duhet të përfundojë projektin e filluar shumë vjet më parë për të pajisur automjetet zyrtare me GPS. Të dhënat e grumbulluara përmes GPS duhet të jenë të qasshme për publikun, përmes Regjistrit të Përdorimit të Automjeteve Zyrtare.

16. Që nga dita e parë Qeveria të fillojë publikimin e të dhënave të detajuara për secilin ministër, zëvendësministër, këshilltar politik, zëvendëskryeministrat dhe kryeministrin lidhur me shpenzimet e krijuara për telefoni mobile. Mbajtja e një regjistri të tillë është obligim që del nga neni 11 i Udhëzimit Administrativ 04/2008, për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobilë) në Qeverinë e Kosovës.

17. Qeveria duhet të mbajë dhe të publikojë edhe regjistrin e llojit të aparateve të telefonave mobilë dhe çmimin e blerjes së tyre, ashtu siç parashihet me Udhëzimin administrativ 04/2008.

18. Të fillojë publikimi i regjistrit të shpenzimeve për dreka zyrtare, për të gjithë personat politikë që gëzojnë këtë të drejtë në bazë të nenit 5 të Udhëzimit administrativ 01/2008 për caktimin e shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarët e institucioneve të Qeverisë.

19. Qeveria të bëjë publike regjistrin e shfrytëzimit të kartelave të kreditit nga ana e anëtarëve të kabinetit qeveritar. E njëjta duhet të jetë objekt i auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

20. Qeveria e Kosovës duhet të mbajë një regjistër dhe ta bëjë atë publik për vizitat zyrtare të anëtarëve të Qeverisë jashtë vendit. Ky regjistër duhet të përmbajë informata për qëllimin e vizitës, për institucionet që do të vizitohen dhe për anëtarët në përbërje të delegacionit të Kosovës.

(Vijon)