Njohja de fakto nuk është akt, por është mënyrë e sjelljes. Pra Serbia me sjelljen e saj duhet të njohë dokumentet e Kosovës, të respektojë territorin, të njohë simbolet kombëtare, të vendosë raporte praktike dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Pra nëse e ka pranuar marrëveshjen e shkurtit në Bruksel dhe Aneksin në Ohër, dhe nëse e zbaton, atëherë Serbia do ta bëjë atë njohjen de fakto. Por tash në test është BE-ja. Së pari për ta ndëshkuar Serbinë nëse ajo nuk e zbaton njohjen de fakto dhe që edhe të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën në aspektin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në BE
Mund të hidhërohen sa të duan në BE, e besa edhe në SHBA, por tashmë ka shumë dëshmi se bëjnë çmos për t’i dalë në ndihmë presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në raport me Kosovën. Ndoshta Vuçiq nuk ka shumë miq në BE, por i ka të fortë. E ata e kanë shpëtuar nga sanksionet për shkak të përfshirjes së padyshimtë të Serbisë në sulmet në Banjskë që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe Parlamenti Evropian i kanë quajtur terroriste. U dëshmua ajo që flitej që në fillim se BE-ja dhe NATO do të bëjnë çmos për të blerë kohë për Serbinë që të mos sanksionohet, pastaj me kalimin e kohës ta zbehin këtë temë dhe në fund të shpëtojë pa masa ndëshkuese. Kjo edhe ndodhi. Paralelisht BE-ja, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siguroi që ajo që ndodhi në Banjskë të mos ketë ndikim në dialog. Dhe që në procesin e dialogut gjithçka të vazhdoi sikur asgjë të mos kishte ndodhur. U dëshmuan naive pritjet në Kosovë se tash “gjithçka do të ndryshojë” e sidomos ato prononcime naive, jodiplomatike, të disa zyrtarëve të tipit “Asociacioni i ka vdekur” apo se “nuk ka dialog pa u sanksionuar Serbia”. Për të qenë paradoksi më i madh akoma, BE-ja zyrtarisht mendon se për tensione në veri të Kosovës fajin e ka Kosova, sepse vetëm Kosova është nën masa të BE-së. E ato masa nuk do të hiqen siç duket përderisa Kosova të mos i përmbushë kushtet që janë kërkuar qysh në muajin qershor, përfshirë shpalljen e zgjedhjeve lokale në katër komunat e veriut.
Kjo situatë është rezultat i angazhimit të treshes Borrell, Varhelyi dhe Lajçak, që e kanë fjalën kryesore kur janë në pyetje masat ndaj Kosovës. Pa marrë parasysh se çfarë thotë ndonjëri prej tyre në ndonjë moment apo ndonjë vend, aty ku duhet, në takime me përfaqësues të vendeve anëtare, ata nuk thonë se ka kushte për të hequr masat ndaj Kosovës apo se duhet vendosur masa ndaj Serbisë.
Prandaj edhe pas Banjskës situata në dialog është sikur edhe para saj. Të gjitha obligimet duhet të zbatohen, e mbi të gjitha nisja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosova paralelisht duhet të ndërmarrë të gjithë hapat për shtensionim në veri, para së gjithash, organizimin “sa më të shpejtë që të jetë e mundur” të zgjedhjeve lokale në katër komuna. E Serbia, siç u tha në deklaratën e tre liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, e u përsërit edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duhet “të realizojë njohjen de fakto”.
Edhe njohja de fakto e Kosovës ishte një zbulim për t’i dalë në ndihmë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të mos ketë nevojë, së paku për një kohë, ta njohë Kosovën si shtet de jure. Sepse njohja si akt ekziston vetëm de jure, përmes shkëmbimit të akteve apo vendosjes së raporteve diplomatike. Ky është rezultat i punës afër katërvjeçare të emisarit Miroslav Lajçak, i cili ka arritur që në vend të marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, ta devijojë gjithë procesin në diçka të padefinuar, në një marrëveshje që nuk e dimë a është apo nuk është, me një aneks për të cilin së paku njëra palë, Serbia, thotë qartë se nuk e ka ndërmend ta zbatojë në pikat që për palën tjetër janë kryesore e që kanë të bëjnë me territorin, sovranitetin, shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar. Dhe vet emri i asaj “marrëveshje” dëshmon se procesi me Lajçakun në krye ka sjellë deri te “normalizimi i mosnjohjes” dhe deri te një marrëveshje me të cilën blihet kohë dhe normalizimi i plotë i raporteve shtyhet për disa vjet. Ajo tash quhet “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, që do të thotë se deri te normalizimi do të ketë një rrugë të gjatë.
Por duhet thënë qartë se njohja de jure nga Serbia nuk ka qenë asnjëherë ofertë. Ajo është përmendur vetëm nga disa shtete dhe institucione që e njohin Kosovën si shtet. Si për shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Parlamenti Evropian dhe të tjera. Këta nuk kanë hequr dorë nga qëndrimi i tyre se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.
këto rrethana jo të favorshme për Kosovën, maksimumi i mundur vërtet është njohja de fakto nga ana e Serbisë.
Njohja de fakto nuk është akt, por është mënyrë e sjelljes. Pra, Serbia me sjelljen e saj duhet të njohë dokumentet e Kosovës, të respektojë territorin, të njohë simbolet kombëtare, të vendosë raporte praktike dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Pra nëse e ka pranuar marrëveshjen e shkurtit në Bruksel dhe Aneksin në Ohër, dhe nëse e zbaton, atëherë Serbia do ta bëjë atë njohjen de fakto. Por tash në test është BE-ja. Së pari, për ta ndëshkuar Serbinë nëse ajo nuk e zbaton njohjen de fakto dhe që edhe të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën në aspektin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në BE.
Disa elemente të njohjes de fakto tashmë kanë ndodhur edhe nga BE-ja, edhe nga Serbia. Serbia ka pranuar se territori i Kosovës nuk është nën administrimin e saj, përkundër se ka mbajtur struktura paralele. Në raportet me BE-në, si në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ashtu edhe në procesin e paraanëtarësimit, Kosova nuk përfshihet si pjesë e Serbisë. As liberalizimi i vizave për shtetasit e Serbisë nuk vlen për ata që jetojnë në Kosovë., madje as për ata që kanë shtetësi të Serbisë. BE-ja nga ana tjetër, ka Marrëveshjen e veçantë të Stabilizim Asocimit me Kosovën. Pra, edhe BE-ja ka bërë një njohje “de fakto” përmes kësaj marrëveshjeje, duke thënë qartë se kjo nuk duhet të kuptohet si njohje de jure nga të gjitha vendet anëtare dhe nuk duhet prejudikuar qëndrimin e vendeve anëtare ndaj statusit të Kosovës. Edhe përmes liberalizimit të vizave, BE-ja ka bërë njohje de fakto. Edhe duke pasur për Kosovën raporte individuale të progresit. E besa edhe duke i vendosur Kosovës masa ndëshkuese, sepse edhe fondet e paraanëtarësimit BE-ia i ka individuale edhe për Kosovën.
Tash testi është nëse me këtë marrëveshje që BE-ja thotë se është obliguese, Kosova mund të avancojë apo jo në procesin e integrimeve evropiane. Ndoshta në hapat e parë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk kanë nevojë ta bëjnë këtë de jure. Mjafton ta bëjnë de fakto duke pranuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat duke mos votuar kundër. Dhe që së paku obligimet që sipas Marrëveshjes, vlejnë për Serbinë, të vlejnë edhe për vendet e BE-së. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë do të ketë krizë edhe më të thellë në procesin e dialogut. E nëse ndodh, do të mund të ketë lëvizje përpara që do të relaksojë situatën, të heqë iluzionet dhe t’i evitojë tensionet në terren.