Ngado ta sjellësh, sillemi në rreth, përderisa jemi në telashe të mëdha. Kosova ka mundur të ishte qendra e botës atëherë kur na vrisnin e dëbonin, por ajo kohë ka kaluar moti, moti. Atë që ne nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë si atu, e ka bërë Vuçiqi duke e imponuar një diskurs në të cilin Serbia ishte dhe është viktimë e terrorizmit shqiptar dhe agresionit imperialist perëndimor dhe se tash e gjithë bota i ka borxh. Ai ka ditur ta shesë rrenën shumë mirë. Ne nuk kemi ditur ta ruajmë të vërtetën, as bile me një muze të kujtesës
Java nisi madje pa nisur dita e punës në Kosovë. Nga ora 2:00 e mëngjesit telefoni i mençur e sillte një njoftim nga BBC-ja: tërmet i përmasave katastrofale kishte goditur Turqinë dhe Sirinë. Dyshohet për qindra të vdekur.
Natyrisht se do të të shkonte në mendje se numri i viktimave do të ishte më i madh, duke e marrë parasysh faktin se goditja ndodhi në orën 4:00 të mëngjesit atje, pra kur shumica e njerëzve gjendeshin nëpër shtëpi dhe në gjumë.
Por vetëm pasi nisën të transmetoheshin pamjet e para prej epiqendrës, u kuptua se goditja kataklizmike prej 7.8 ballësh të Rihterit do të merrte me vete shumë, shumë jetë.
Pesë ditë pas tërmetit, tashmë numërohen mbi 23 mijë të vdekur (prej të cilëve 3 mijë në Siri), mbi 55 mijë të plagosur dhe mbi 300 mijë veta që kanë humbur shtëpitë. Reagimi i shteteve anekënd botës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i shpejtë dhe falë prezencës së tyre, edhe pas pesë ditësh, në teori me shanse minimale për mbijetesën, ende po nxirren njerëz të gjallë nën rrënoja.
Kur sheh se çfarë mund të shkaktojë natyra për një minutë a dy, ndalesh e mendon nëse vërtet ia vlen t’i japësh vetes aq shumë siklet, e ta kalosh jetën duke u konfrontuar ndonjëherë edhe për çështje që nuk ia vlejnë. Mbase është çast që të bën të reflektosh se jetën duhet jetuar më ndryshe dhe ta gëzosh. Por e di, posa të kalojnë pamjet nga tërmeti, sërish do t’i kthehemi së vjetrës. Aq do të na zgjasë rishikimi i qasjes sonë ndaj asaj që e jetojmë.
* * *
Po të hënën ndodhi një lëvizje e vogël tektonike politike edhe në Kosovë. Për kushedi të satën herë, emisari i BE-së, Lajçak e vizitoi Prishtinën. Pas takimit, dhe dikur më vonë pasdite, ishte Kurti ai që shkroi një status në Twitter: “Këmbim i mirë me emisarin special, Miroslav Lajçak, gjatë një dreke pune në Prishtinë. E pranojmë propozimin e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e shohim si një bazë të mirë për diskutime të mëtejme si dhe platformë solide për të ecur para”.
Pas takimit me pesë emisarët që kishin ardhur në Prishtinë para dy javësh, Qeveria nuk u deklarua qartazi në lidhje me planin franko-gjerman. Thjesht u përsërit ajo që ishte dëgjuar që nga fillimi: se është bazë e mirë për të vazhduar bisedime. Pranimi i planit nga fillimi i javës tash tregon se Prishtina është pajtuar me këto parime të ngurta që duhen shpjerë përpara.
Ky postim dhe qëndrim i Kurtit e ndezi debatin në Kuvend. Opozita akuzoi Kurtin se propozimi franko-gjerman nuk e përmbante zotimin e “njohjes së ndërsjellë dhe marrëveshjes ligjërisht obliguese” dhe përsërisnin se Kurti po e pranonte Zajednicën të cilën e kishte refuzuar që nga fillimi.
Asnjërit udhëheqës të partive opozitare nuk i ra ndërmend që në emër të partive ta shqiptonin “mea culpan” për faktin se Zajednica ishte prodhim i nënshkrimeve të shefave të PDK-së, përkatësisht LDK-së dhe votës së shumicës së deputetëve të këtyre partive para një dekade. Asnjëri nga ta nuk e tregoi minimumin e qëllimit që të përfshiheshin në këtë fazë të presionit jashtëzakonisht të madh nga Perëndimi, për të vendosur së bashku për opsionin më të mirë që do të sillte zgjidhjen e problemit në të cilin e kanë futur Kosovën.
I vetmi që doli edhe tregoi pak sinqeritet qe Ramush Haradinaj që çështjen e Zajednicës e përkufizoi si “trashëgim” nga qeveritë e shkuara, përderisa e akuzoi Kurtin se po e rrezikonte interesin nacional, ngase nuk bashkëpunonte me aleatët, në veçanti me Amerikën.
Ngado ta sjellësh, sillemi në rreth përderisa jemi në telashe të mëdha. Kosova ka mundur të ishte qendra e botës atëherë kur na vrisnin e dëbonin, por ajo kohë ka kaluar moti, moti. Atë që ne nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë si atu, e ka bërë Vuçiqi duke e imponuar një diskurs sipas të cilit, Serbia ishte viktimë e terrorizmit shqiptar dhe agresionit imperialist perëndimor dhe se për këtë, tash e gjithë bota i ka borxh. Ai ka ditur ta shesë rrenën shumë mirë. Ne nuk kemi ditur ta ruajmë të vërtetën, as bile me një muze të kujtesës.
Në këto kushte, në vend se të bëhen bashkë të gjitha subjektet, të kontribuojnë të gjithë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për Kosovën, ne e kalojmë kohën duke dëgjuar debate të turlillojshme nëpër televizione dhe duke u munduar të kapim ndonjë budallallëk që dikush dikujt ia thotë në Kuvend. Vaj halli për mendtë tona.
* * *
Mend tjera kishte pasur Miroslav Qiro Bllazheviq, trajner kroat i futbollit, kur kishte vendosur të vinte në Prishtinë për ta udhëhequr KF Prishtina. Ishte sezoni pranveror 1984/1985 dhe Prishtina rrezikonte të binte nga Liga e Parë e Futbollit të Jugosllavisë.
Dikush ia kishte mbushur mendjen trajnerit që e kishte bërë ekipin e Grasshoppersit të Cyrihut kampion të Zvicrës, që të vinte në Kosovë e ta shpëtonte të vetmin ekip kosovar që luante në elitën e futbollit të shtetit të dikurshëm. Se a ka qenë kureshtja apo sfida profesionale ajo që e solli në Prishtinë, është e parëndësishme. E rëndësishme qe se vinte një trajner i suksesshëm për ta shpëtuar sezonin.
Qiro zakonisht shkonte në ndeshje me tesha e kravatë, dhe patjetër e mbante një shall të bardhë rreth qafës. Shalli i tij u bë pjesë përbërëse e aksesorëve të tifozëve të Prishtinës – që nga çasti kur nisi ta udhëhiqte ekipin, thuajse i gjithë stadiumi nisi të bartte shalle të bardha.
Trajneri ia doli t’i motivonte lojtarët aq sa nga vendi i fundit në tabelë, Prishtina e përfundoi sezonin diku nga mesi i tabelës, pasi që ia kishte dalë t’i mundte, ndër të tjerë, Vardarin, Sutjeskën, Rijekën, Velezhin e Radniçkin e Nishit. Për ta siguruar mbetjen në ligë, duhej mundur Dinamon e Vinkovcit. Dhe ndodhi. Dy gola të Batroviqit dhe një i legjendës Fadil Vokrri, e siguruan fitoren prej 3:1.
Vetë Bllazheviqi do të rrëfente më vonë, se kur u sigurua se Prishtina po mbetej në elitë, kishte vendosur t’ua sillte shikuesve një befasi. Në shenjë falënderimi për pritjen që ia kishin bërë tifozët dhe e gjithë Kosova, që e shikonte si një gjeni futbolli.
E solli divën kroate të muzikës zbavitëse, Tereza Kesovija, në Prishtinë. E solli në stadiumin e qytetit që ishte adaptuar që në çastin kur Prishtina hyri në Ligën e parë – ishte hequr shiriti i atletikës dhe ishin zgjeruar tribunat. Stadiumi atëbotë i zinte rreth 40 mijë shikues – aq sa kishte banorë qyteti i Prizrenit atëherë, për ta ilustruar masën e njerëzve që mblidheshin për t’i përkrahur të kaltrit.
Kesovija erdhi në qendër të terrenit, me shumë ngathtësi e shutoi topin, i cili bashkë me këpucën e saj fluturuan diku në fushë dhe më pas Qiro e mori ngrykë dhe e shëtiti nëpër terren.
Qiro e kreu punën. Qëndroi shkurt, por la gjurmë të thella dhe zgjoi shumë simpati mes tifozëve, por edhe atyre që nuk kishin punë me futbollin. Të mërkurën vdiq në moshën 88-vjeçare.
* * *
Ta kthesh pak kujtesën te gjërat e bukura sikur rrëfimi i Qiros në Prishtinë është punë që mbase duhet bërë më shpesh. Janë rrëfime që ndoshta edhe mund të shndërrohen në përralla, varësisht se kush i rrëfen. Po mirë është edhe kështu. Shumë më mirë se pallavrat që po i dëgjojmë përditë e që na e kanë bërë kokën tupan.
E keqja e përrallave është se nuk zgjasin shumë.