OpEd

Prej decentralizimit të shtetit, te centralizimi etnik

Çka kanë të përbashkët Leposaviqi e Parteshi në planifikim rural? Dhe pse është më afër mendsh që për zhvillim ekonomik Shtërpca të mbështetet në Prizren më shumë se në Zveçan?

1.

Koncepti i imponimit të Asociacionit/Bashkësisë si “obligim” në bazë të Marrëveshjes së parë (dhe interpretimeve mekanike të Marrëveshjes së parimeve të vitit 2015, siç u pa në Draft-statutin e FES-it) e ruan premisën themelore të arsyes së themelimit të Asociacionit/Bashkësisë, e ajo është territorializimi etnik. Pra, ideja është që komuniteti serb në Kosovë mund të mbrohet, zhvillohet, përfaqësohet karshi autoriteteve të Kosovës, të komunikojë me Serbinë dhe të përfaqësohet në marrëdhënie ndërkombëtare vetëm si një tërësi etnoterritoriale.

Nga ky raison d’etre (arsye të ekzistencës) del emri i Asociacionit/ Bashkësisë (i komunave me shumicë serbe apo thjeshtësuar në të folmen e përditshme Asociacioni i komunave serbe). Dhe dalin qëllimet e fushëveprimeve. Në kontekstin e Marrëveshjes së parë, qëllimet dhe fushëveprimet bashkohen tek etnifikimi i shërbimeve dhe kompetencave shtetërore. Në Marrëveshjen e parë kjo u pa në formë eksplicite me përcaktimin e nacionalitetit (serb) të komandantit të policisë për katër komunat veriore të Kosovës dhe për zgjedhjen e panelit në shumicë serbe për Gjykatën e Apelit (që duhet të gjykojë për rastet e palëve të komunave me shumicë serbe).

2.

Brenda një koncepti të këtillë, edhe fushëveprimet e tjera i nënshtrohen etnifikimit, madje deri në nivel të mospërputhjes logjike. Për shembull, në Marrëveshjen e parimeve (2015) dhe me automatizëm në Draft- statutin e FES-it ceken kompetenca të “mbikëqyrjes së plotë” në fushën e planifikimit urban e atij rural. Natyra e detyrës besoj që është të krijohen, përligjen dhe të promovohen politikat e rregullat urbanistike, qoftë në ambientin urban, qoftë në atë rural. Por, çfarë do të ishte emërtuesi i përbashkët (i kësaj detyre projektuese për urbanistin) për të ushtruar kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë në komuna si Leposaviqi në pjesën veriore të Kosovës dhe Shtërpca në atë juglindore? Çka kanë të përbashkëta Komuna e Zubin-Potokut rrëzë Kopaonikut me atë të Parteshit në Anamoravë? Nga aspekti i urbanistit asgjë. Nga aspekti i detyrës projektuese, do të ishte rregullimi i hapësirës së përbashkët të komunave ku jeton një shumicë serbe. Pra, të planifikimit urban e rural të një tërësie etnoterritoriale.

Shembull tjetër është zhvillimi ekonomik. Qëllimi/kompetenca e Asociacionit/Bashkësisë thuhet se është mbikëqyrja e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale. E njëjta gjë që vlen për planifikimin urban e rural vlen edhe për zhvillimin ekonomik: çka kanë të përbashkëta komunat e bashkuara mes vete (dhe kështu të veçuara nga ato të tjerat me shumicë joserbe shqiptare) në Asociacion e që duhet të përcaktojnë politika të përbashkëta ekonomike? Çka i bën bashkë, për shembull, Komunën xehetare të Zveçanit me Komunën turistike të Shtërpcës? Me përjashtim të etnitetit shumicë, nga aspekti ekonomik asgjë. Po të ishte ekonomia shtytësi kryesor i asociimit, Zveçani do të lidhej me Mitrovicën e jugut, si pjesë e tërësisë ekonomike të natyrshme të xehetarisë, ndërsa Shtërpca me Prizrenin, si pjesë të një tërësie të natyrshme ekonomike të turizmit të malit Sharr.

3.

Etnifikimi i bashkëpunimit ndërkomunal është e kundërta e idesë së vetëqeverisjes lokale. Vetëqeverisja lokale në Kosovë mbështetet në një vistër kompetencash të pushtetit që i afrohen qytetarit nga niveli qendror në atë lokal. Quhet decentralizim. Etnifikimi i të drejtave të vetëqeverisjes është centralizim, në këtë rast centralizim etnik.

Centralizimi është në natyrën/logjikën e Asociacionit/Bashkësisë, sepse, siç ceket në Marrëveshjen e parë, ai do të ketë rol përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë.

Pesha e këtij centralizimi është përshkruar në Draft-statutin e FES-it për shembull me ilustrimin në shëndetësi: “Përfaqësimin e interesave të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale të anëtarëve të saj dhe banorëve ndaj autoriteteve qendrore”. Në praktikë kjo përshkruan arsyetimin e një lloj ministrie të shëndetësisë për komunat serbe, gjegjësisht të popullatës serbe në Kosovë.

Natyra më e dukshme e centralizimit është në rolin tradicional të pushtetit, në rishpërndarjen e parasë publike. Në Draft-statutin e FES-it, mbështetur në Marrëveshjen e parë, Asociacioni/ Bashkësia ka buxhet të vetin, i cili pos të hyrave të ndryshme vendore, përfshirë edhe ato nga Qeveria e Kosovës, do të ketë të hyra edhe nga Republika e Serbisë. Në sistemin e tanishëm ligjor e kushtetues të Kosovës, Republika e Serbisë ka të drejtë të jetë donator i mjeteve në fusha të ndryshme (shëndetësi, arsim, çështje sociale) dhe këtë duhet ta bëjë në formë transparente. Në sistemin e tanishëm, komunat me shumicë serbe janë ato që marrin dhe rishpërndajnë drejtpërsëdrejti ndihmat eventuale nga Republika e Serbisë. Synimi i Asociacionit/Bashkësisë është që ta marrë këtë rol dhe kështu të shndërrohet në autoritetin qendror të përkrahjes buxhetore të Republikës së Serbisë ndaj komunave me shumicës serbe.

4.

Pozicioni i ndërmjetësit në rishpërndarjen e parasë publike (supozojmë të ardhur në masë të madhe nga Republika e Serbisë) i jep Asociacionit dy role automatike. Njëri është ai i pushtetit politik të vendimmarrjes për rishpërndarjen e parasë publike. Kjo do të thotë se vetadministrimi lokal, i zgjedhur me votën e qytetarit nuk është ai që përcakton kahun e parasë publike (përfshirë edhe donacionet nga Serbia) - por një instancë mbi të e që nuk është ajo e Qeverisë së Kosovës (e cila edhe ashtu nuk ka kompetenca për ndërhyrje të këtillë). Instanca sipërore është ajo e Asociacionit/Bashkësisë që, siç shprehet në Draft-statutin e FES-it, ka kapacitet ekzekutiv (pagesë me para) për fusha të ndryshme të “vështrimit të plotë”, që nga ekspertiza urbanistike për zhvillim rural, ajo shkencore për shëndetësi e deri te rindërtimi i shtëpive për kthimin e familjeve serbe të shpërngulura nga Kosova.

Roli i dytë që rrjedh prej atij të ndërmjetësit në rishpërndarjen e parasë publike është ai i hallkës së mesme territoriale në komunikimin e centralizuar mes Republikës së Serbisë dhe qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës. Kjo hallkë e mesme bëhet pika që zbaton ndërlidhjen mes parasë publike të ardhur nga Serbia dhe vullnetit politik prapa tij. Pra, natyrshëm, në një vertikale të centralizuar del të ketë rol ekzekutiv të politikës së Serbisë.

Në sistemin e tanishëm kushtetues të Kosovës kjo do të thotë se vetadministrimi lokal i qytetarëve në komunat me shumicë serbe, sa i përket parasë publike, përfshirë edhe asaj të ardhur nga Serbia (për shembull për arsim, shëndetësi, çështje sociale) nuk varet nga vota e tyre demokratike për kuvendin komunal e kryetaren/kryetarin e komunës, por nga përputhshmëria e këtyre votave me partinë e cila përfaqëson interesat e Serbisë në Kosovë (në këtë rast Listës Serbe).

(nesër: Rrugëdalja prej rrethit vicioz)


Pjesa e parë: Rrethi vicioz i Asociacionit dhe si të dilet prej tij

Pjesa e dytë: Implanti i rrafshit të tretë të pushtetit