OpEd

Viti i ri nis me të vjetrat

Sesi do të bëhet dhe nëse do të bëhet Zajednica, mbetet të shihet. Porse është absolutisht jokorrekte, joparimore dhe larje-duarsh hipokrite kur i dëgjon opozitarët duke e fajësuar këtë Qeveri për të. Lehtë është fajin ta hedhësh te tjetri, e vështirë të pranohen gabimet. E po të kishin fuqinë dhe guximin edhe intelektual, edhe politik, opozitarët do të duhej të bashkoheshin në një front të përbashkët me Qeverinë, për ta zgjidhur këtë dhe çështjen e negociatave të stërzgjatura me Serbinë. Por gjasat janë se kjo nuk do të ndodhë, për shkak se pushteti është tepër joshës për shefat e partive opozitare, sidomos për përmbushjen e sedrave personale

Përfundoi një vit i rëndë me pasoja të paimagjinueshme që na i la pas pandemia. Dy vjetët paraprakë na i hëngri duke na ushqyer me frikën se do të mund të sëmureshim dhe se mbase nuk do t’i gjendej zgjidhja, ndërkohë që e krijoi një çrregullim total të gjithçkaje që ende jemi duke ia vuajtur efektet negative.

Për ta bërë punën edhe më të rëndë në të gjithë botën, u përkujdes një njeri i krisur që ia nisi një lufte, edhe pak më shumë se një muaj do t’i mbushë një vit qëkur nisi. Lufta në Ukrainë, nuk i doli ashtu siç mbase e kishte imagjinuar: një blickrig që do të përfundonte me gllabërimin e shtetit fqinj dhe asimilimin e ukrainasve.

Doli që Ukraina, në dukje e papërgatitur për luftën, të jetë një arrë e fortë dhe jo aq lehtë e zhbëshme, teksa qëndron ndaj sulmeve të të gjitha llojeve të njërës nga ushtritë më të fuqishme në botë.

Urimi im për këtë vit është që lufta të mbarojë sa më shpejt. Sepse pasojat që i lë pas, sidomos ato shpirtërore te secili individ, e posaçërisht te viktimat, janë të pashlyeshme. Të mos flasim për shkatërrimet materiale dhe nisja thuajse nga zeroja, me shumë mundësi vjedhjeje aty ku nuk duhet.

* * *

Viti nisi me vazhdimin e verës indiane dhe me një ndotje anormale të ajrit që më bën të mendoj se së shpejti duhet kthyer maskën në përdorim. Ka ditë që ajri është një përzierje mjegulle e bloze që me vete bart edhe viruse të turlillojshme, në rend të parë atë të gripit. E kur jemi te gripi, shumë jua kisha rekomanduar ta merrni vaksinën. Ia vlen, besomëni.

Vijoi me heqjen e barrikadave në veri, pasi ish-policit serb iu ndërrua masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, edhe pse këtij nuk i dihet ku e ka shtëpinë, në Kosovë a Serbi. Nuk e besoj se ai njeri gjendet në Mitrovicë apo kudo në veri dhe gjasat janë se ka kaluar kufirin pa ndonjë telashe të madhe.

Ajo që më së shumti më shokon te rastet sikur ky i Pantiqit është qasja e prokurorisë dhe e gjykatave karshi rasteve që identifikohen me termin “terrorizëm”. Nuk mund ta kuptoj se si dikush që dyshohet për terrorizëm, mund të lihet i lirë nga burgu e të vendoset në arrest shtëpiak. Po qe se është kalibër krimineli i rrezikshmërisë së lartë, ai do të duhej izoluar dhe do të duhej të ndërpriste çfarëdo kontakti me këdo nga rrethi i ngushtë. Por jo. Në Kosovë, nëse dyshohesh për terrorist, lirohesh në shtëpi, me qasje tek e gjithë teknologjia me të cilën mund të kryesh shumë punë pa e marrë vesh kush.

U arrit njëfarë qetësie, e cila pa dyshim se ka qenë vepër e faktorit ndërkombëtar. Detajet nuk dihen, pra krejt çka mund të shkruhet, do të jetë spekulim. Porse qëllimi i kësaj qetësie është shumë i qartë: që të vazhdohet dialogu. E që të themelohet edhe Zajednica, të cilën, sërish do ta kujtojmë, e ka nënshkruar Thaçi e më pas Kuvendi (PDK/LDK/minoritetet) e ka shndërruar madje në obligim ndërkombëtar. E se amerikanët janë duke insistuar në të, e dëshmon deklarata e para një kohe e Gabriel Escobarit, që tha diçka si, “nëse Kurti nuk do, do ta bëjmë Asociacionin me shoqërinë civile”.

Sesi do të bëhet dhe nëse do të bëhet, mbetet të shihet. Porse është absolutisht jokorrekte, joparimore dhe larje-duarsh hipokrite kur i dëgjon opozitarët duke e fajësuar këtë Qeveri për Zajednicën. Lehtë është fajin ta hedhësh te tjetri, e vështirë të pranohen gabimet. E po të kishin fuqinë dhe guximin edhe intelektual, edhe politik, opozitarët do të duhej të bashkoheshin në një front të përbashkët me Qeverinë, për ta zgjidhur këtë dhe çështjen e negociatave të stërzgjatura me Serbinë. Por gjasat janë se kjo nuk do të ndodhë, për shkak se pushteti është tepër joshës për shefat e partive opozitare, sidomos për përmbushjen e sedrave personale.

* * *

E se me opozitarizmin që bëjnë duket ta kenë humbur rrugën në oborr, e tregon edhe rasti i Ligjit të Pagave, i cili posa u dekretua nga kryetarja Osmani. Ka disa kategori që janë të pakënaqura dhe, duke konsideruar se u shkelen të drejtat, do ta kontestojnë Ligjin para Kushtetueses. Mund t’i kontestojnë disa nene, e mund ta kontestojnë ligjin në përgjithësi, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese mund të marrë masë të përkohshme, ta pezullojë veprimin e ligjit deri në një vendim meritor.

Por, partitë politike opozitare, edhe pse ligji u dekretua, paralajmërojnë se do ta dërgojnë atë në Kushtetuese posa të përcaktohet koeficienti bazë i pagës. Pavarësisht se çfarë vlere do të ketë koeficienti, ata do ta kontestojnë ligjin, pra, edhe në rast se ky ligj do t’ua përmirësojë pagat një numri të madh njerëzish. Do ta kuptoja po qe se ligji do të ishte i dëmshëm për sektorin publik, në kuptimin e zbritjes së rrogave për shkak të koeficientit. E esenca duket se atë që po e synon opozita është që ta aktivizojë SBASHK-un sërish, me kërkesën e vet për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të ligjit ose në të kundërtën të nisin edhe një grevë të pafund dhe për kapak të kërkojnë që të paguhen për punën që nuk e bëjnë.

* * *

Nuk kishte si ndryshe pos që viti të niste me problemet e bartura nga ai i kaluari, e sidomos në fushën e shëndetësisë. Lajmi i parë erdhi menjëherë të martën: përderisa pacientët me kancer prej kohësh kanë mbetur pa citostatikë, Buxhetit të Kosovës iu kthyen 1.3 milionë euro të barnave që SHSKUK-ja nuk i siguroi më 2022.

Kjo ndodh në kohën kur madje nuk ka as tretje fiziologjike krahas 15 llojeve të tjera të barnave, për të cilat, siç po shihet, pati para, por nuk pati mend. Nuk bën pa e përmendur se për listën esenciale të barnave u ndanë 30 milionë euro, porse barna nuk pati kurrë mjaftueshëm. Sidomos për rastet e rënda, kur familjarët detyroheshin të siguronin barna deri në 100 euro vlerë në ditë, për shkak se shteti nuk përkujdeset për ta.

Sinqerisht nuk e di a ka ndokush dije e vullnet për ta zgjidhur këtë problem e ta shërojë të sëmurin kronik më të madh që ka Kosova: shëndetësinë. Është mëkat se çfarë është bërë me të dhe çfarë po vazhdohet të bëhet, pa asnjë koncept të qartë se si të futet në binarë.

* * *

Java e parë e vitit, e stërmbushur me ditë pushimi që barten të hënave për shkak se bien të dielave, përfundoi me një incident të armatosur në Shtërpcë. Një njeri qëlloi me armë ndaj civilëve në Gotovushë dhe plagosi një fëmijë 11 vjeç dhe një të ri 21 vjeç, që të dy serbë.

Nuk u desh shumë dhe serbët i bllokuan të dy anët e magjistrales që çon në Shterpcë dhe tash, edhe pse me të drejtë, do ta përdorin atë për motive propagandistike, duke thënë se serbëve u rrezikohet jeta në Kosovë, etj., etj.

Motivet për ngjarjen e djeshme ende nuk dihen. Ajo që dihet është që kryerësi i veprës penale është arrestuar dhe se është pjesëtar aktiv i FSK-së. E ajo që konkludohet është se kjo vepër penale është e papranueshme, pavarësisht motiveve, në veçanti për shkak të uniformës që bart ky 33-vjeçar. Me këtë veprim, i cili duhet të shihet si i izoluar, nuk i bën nder absolutisht askujt.

* * *

Krejt netët e Vitit të Ri tashmë kanë përfunduar. Me to, shyqyr, u ndalën edhe petardat.

[email protected]