A mund të luftohet racizmi me racizëm? Këtë po e provon në Zvicër humoristi me origjinë libaneze, Hamza Raya – mes tjerash, edhe me një barsoletë mbi shqiptarët që nuk fluturojnë në gjithësi. Por më së shumti në skeçet e Rayas goditën turqit, arabët dhe kurdët. Dhe më të pamëshirshëm tregohen shqiptarët - me barsoleta mbi arabët. Mirë se vini në botën e re, bukur brutale, të humorit zviceran me origjinë të huaj
Hamza Raya, i rritur në Zvicër, babai libanez, nëna irakiane, është humorist. Por, humorist që i tejkalon kufijtë e korrektësisë politike. Del në rrugët e Zürichut, takon njerëz, i pyet: Nga je ti? Njëri tha: “Jam kurd”. Hamza Raya: “Qe një barsoletë për kurdët”.
“Çfarë kanë të përbashkët një kurd dhe një i verbër?” Përgjigjja: “Asnjëri nuk e ka parë vendin e vet”. Kurdi kundërpërgjigjet me një barsoletë: “Cili është dallimi mes humorit dhe Kurdistanit”. Përgjigjja: “Humori ka kufi”. Kurdët jetojnë në disa shtete, ëndrra për një shtet të përbashkët vazhdon të mbesë ëndërr.
Në shëtitjet e tij nëpër rrugët e Zürichut, Hamza Raya takon edhe shqiptarë. I rritur mes tyre, ai flet edhe disa fjalë shqip (“A je mirë”, “Faleminderit” etj.). Një të ri shqiptar nga Kosova Raya e pyeti: “Pse asnjë shqiptar s’ka fluturuar në gjithësi?” - Përgjigjja: “Sepse s’mund të marrësh raketë me qira”. Një aludim ironik në tabiatin e disa shqiptarëve të diasporës për të marrë me qira vetura të shtrenjta dhe për të rrahur gjoks me to. Shpeshherë këta të rinj, testosteron këmbë e kokë, vijnë në Kosovë me Ferrari, Maserati apo Lamborghini për të treguar se të kamur janë.
Ka edhe barsoleta më të serta në programin e libanezit të pamëshirshëm. “Përse turqit i rrisin mustaqet?” – Turku: “Sepse të gjithë dëshirojnë të duken si Ibrahim Tatlises”. Hamza Raya: “Jo, i rrisin mustaqet që të hyjnë në diskotekë me letërnjoftim të nënës”. Doza e jokorrektësisë politike rritet në barsoletat në vijim. Hamza Raya e pyet një kongolez, i cili pjesërisht është angolez, se përse zezakët i kanë pëllëmbët e duarve të bardha? “Sepse secili e ka një anë të mirë”. Mihailo, një serb, pranon që Hamza Raya t’ia tregojë një barsoletë për serbët. “Cili është dallimi mes një jugosllavi të vdekur në rrugë dhe një mace që ka ngordhur në rrugë?” – Përgjigjja: “Para maces ka gjurmë të frenimit”.
Nuk është vetëm Hamza Raya që tregon barsoleta. Shpesh njerëzit revanshohen me një barsoletë. Një shqiptar pyeti: “Pse arabët s’luajnë shah?” – “Pse?” – “Sepse vetëm njëherë mund ta rrahin mbretëreshën”. Ups! Kështu synohet të tematizohet dhuna ndaj grave. Në videon e Rayas është montuar një fjali nga një moderator amerikan i cili thotë se nuk duhet të rrihen gratë.
Valoni, edhe ky shqiptar, godet me një barsoletë tmerrësisht jokorrekte. Ai e pyet humoristin Hamza Raya se “çka është më e mundimshme për një arab pas seksit?” Përgjigjja: “Kur pas seksit edhe kushërira tjetër kërkon seks”. Horrorin humoristik e vazhdon Hamza Raya: “A e di atë situatën kur arabi i bërtet gruas dhe i thotë ‘mos u sill si fëmijë?’” – Përgjigjja: “Ajo të shikon dhe të thotë: ‘Po unë tek 8-vjeçare jam’ E ti thua: ‘Paskam harruar, e vërtetë’”.
Në fund të gjithë përqafojnë Hamza Raya ose ai përqafon të tjerët. Çka synon Raya? Ai synon që të shpërthejë kufijtë e humorit, të tejkalojë “rregullin” se nuk duhet treguar barsoleta për pakicat e ndryshme. Ai e del? Kjo është çështjen që mbetet në duart e publikut.
Humori zviceran është i rezervuar, me ironi të hollë, aspak brutal. Tani me humoristët si Hamza Raya në skenën e komedisë e satirës zvicerane futet humori brutal, i cili s’njeh kufij, s’njeh autoritete, s’njeh tabu. Një humor i tillë bart me vete rreziqe. Mund të keqkuptohet. Mund të kuptohet sipas qejfit të racistëve, të cilët kësisoj i shohin të konfirmuara gjykimet dhe paragjykimet e tyre. Humori shpeshherë mund të arrijë edhe efektin e kundërt të asaj që synon. Në vend të demaskimit të së keqes, mund të nxisë të keqen. Por, nga ana tjetër, moralizimi i tepërt në humor është helm për humorin. Çfarë bën Hamza Raya është një ecje mbi një vig – nga njëri breg te tjetri. Vigu nuk ka mbështetëse anësore. Andaj rreziku i rrëzimit është i madh. Por kush nuk rrezikon, s’duhet të merret me humor. As me komedi.