OpEd

Siguri dhe stabilitet për të ofruar sfondin e domosdoshëm për negociata

Ka çështje të jashtëzakonshme që ende presin për t’u zgjidhur, porse dialogu, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ofron një forum për t’i diskutuar këto çështje dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për problemet. Detyra e KFOR-it dhe rrjedhimisht edhe detyra e komandantit të KFOR-it, si komandant niveli taktik, është që të ruajë këtë siguri dhe stabilitet për të ofruar sfondin e domosdoshëm për negociata

Hyrje

U linda më 1967 në Budapest, Hungari. Qysh në fëmijëri të hershme, doja që të mos bëhesha thjesht ushtar, por zyrtar inteligjence/zbulimi. Shumica e djelmoshave janë rritur me këtë ide, por në njëfarë forme, nuk kisha hequr dorë tërësisht pas kësaj dhe pas mbarimit të shkollës fillore, aplikova në shkollën e mesme ushtarake. Pas shkollës së mesme, vazhdova në njërin prej kolegjeve ushtarake dhe mora gradën e Lejtnantit të Dytë më 1988 me diplomë inxhinieri dhe oficeri zbulimi.

Në fillim të karrierës, shërbeva në Brigadat e Këmbësorisë në pozita të ndryshme të zbulimit dhe të Inteligjencës Ushtarake si udhëheqës togu, komandant kompanie, oficer i stafit të inteligjencës dhe shef i inteligjencës në një brigadë këmbësorie.

Më 1996, u angazhova në Kontingjentin Inxhinierik Hungarez të IFOR-it (zbarkuar në Bosnjë-Hercegovinë), që ishte njësiti i parë hungarez i dërguar ndonjëherë në një operacion të NATO-s, dhe shërbeva si zyrtar inteligjence dhe zyrtar ndërlidhës në komandë. Me të përfunduar misionin, u transferova në Ministrinë e Mbrojtjes, ku mbajta një mori pozitash, më e rëndësishmja ndër to si këshilltar i zëvendëssekretarit të Shtetit për Integrim në NATO.

Më 1998, u zgjodha të shërbeja në njërën prej pozitave të reja të themeluar në kuadër të Partneritetit për Paqe (PfP), dhe u ngarkova me detyrë në Komandën e SACLANT-it (Komandanti Suprem Aleat për Atlantikun) në Norfolk (Virxhinia) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu shërbeva në elementin e personelit të PfP-së deri në anëtarësimin e Hungarisë në NATO më 1999, prej së cilës datë shërbeva në Departamentin e Trajnimit dhe Edukimit të komandës.

Pas kthimit në Hungari më 2001, u vendosa në Drejtorinë e Inteligjencës të Forcave Hungareze të Mbrojtjes dhe vazhdova karrierën time në atë fushë në pozita të ndryshme – prej nivelit fillestar të zyrtarit të deskut deri në pozitën shumë të lartë, në të cilën u emërova më 2016. Natyrisht, gjatë kësaj periudhe, kam pasur disa misione. Më 2004, më dërguan me mision në Darfur si përfaqësues i Bashkimit Evropian dhe monitorues ushtarak i Misionit të Unionit Afrikan në Sudan (AMIS).

Më 2007, i kalova gjashtë muaj në Afganistan, ku shërbeva si zyrtari i parë hungarez në pozitën e shefit të Inteligjencës së rajonit të udhëhequr nga gjermanët (Komanda Rajonale – Veri) të ISAF-it. Pastaj më 2009 u dërgova në Korpusin e Dislokimit të Shpejtë të NATO-s – Itali, ku shërbeva deri më 2012.

Jeta familjare, koha e lirë dhe hobit

Gruan time, Veronika, e takova gjatë viteve të shkollës së mesme dhe u martova me të më 1988. I kemi dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, që të dy tani studentë në Hungari. Sa u përket hobive që kam, e i kam disa, megjithatë viteve të kaluar përnjëmend nuk kam pasur kohë për to dhe këtë vit përfundimisht nuk do të jetë prej viteve gjatë të cilit do të mund të merresha me to.

Dëshira ime e kahershme ishte që të kisha një motoçikletë të prodhimit hungarez – një Pannonia P10 – që ishte prodhuar në vitin kur u linda. Disa vite më parë, ia dola ta gjeja një dhe tani po mundohem ta mbaj në gjendje të mirë (meqë makineritë e vjetra, sikurse jemi edhe ne vetë ?, kanë nevojë për shumë kujdes) dhe kur të jetë moti i mirë, ta nxjerr për një xhiro. Gjithashtu, po e riparoj një lundër të vogël prej druri, prodhim hungarez.

Hungaria merr për herë të parë Komandën e KFOR-it

Siguria e Ballkanit Perëndimor ka qenë dhe mbetet prioritet kryesor për Hungarinë, për shkak të rëndësisë së tij strategjike dhe shtrirjes gjeografike. Integrimi euroatlantik i rajonit është një prej themeleve të politikës së jashtme hungareze. Kjo reflektohet qartazi me numrin e trupave hungareze të angazhuara këtu, që përbën më shumë se gjysmën e trupave tona jashtë vendit dhe e bën Hungarinë shtetin e tretë më të madh me kontribut trupash në KFOR. Ka qenë qëllim i kahershëm strategjik i Forcave Hungareze të Mbrojtjes për të marrë pozitën komanduese të KFOR-it, së paku për një rotacion, për të treguar se Forcat Hungareze të Mbrojtjes janë mjaftueshëm të pjekura dhe të gatshme për ta përmbushur këtë sfidë, të përgatitura për ta kryer misionin sipas kërkesave të NATO-s.

Është nderi i madh që jam përzgjedhur të jem i pari gjeneral hungarez për të komanduar një operacion të NATO-s. Do të ishte e tepërt të thuhej se kjo gjithashtu është barrë e madhe, jo vetëm për shkak se po ndjek hapat e gjeneralëve të mëdhenj që i prinë KFOR-it gjatë 22 vjetëve të kaluar dhe e bënë atë një organizatë të suksesshme, të pranueshme dhe të çmuar, por edhe më duhet ta dëshmoj se një gjeneral hungarez është gjithashtu i zoti t’i prijë një operacioni sipas pritjeve të autoriteteve të NATO-s.

Ndihem i nderuar dhe i përulur, duke i pasur parasysh përgjegjësitë që lidhen për pozitën dhe njëkohësisht jam i mahnitur nga fakti se jam komandanti i parë hungarez i një operacioni të NATO-s.

Situata aktuale

KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare kanë arritur shumë gjatë 22 vjetëve të kaluar. Situata e sotme nuk mund të krahasohet me atë të vitit 1999. Në përgjithësi, ambienti është i sigurt, nuk është dëmtuar liria e lëvizjes. Organizatat e sigurisë janë të afta dhe të zonja të ruajnë këtë siguri. Vlerësimi i NATO-s është se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, porse stabiliteti është i brishtë. Andaj, çdo aksion duhet të peshohet me kujdes që të mos trazojë stabilitetin. Ka çështje të jashtëzakonshme që ende presin për t’u zgjidhur, porse dialogu, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ofron një forum për t’i diskutuar këto çështje dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për problemet. Detyra e KFOR-it dhe rrjedhimisht edhe detyra e komandantit të KFOR-it, si komandant niveli taktik, është që të ruajë këtë siguri dhe stabilitet për të ofruar sfondin e domosdoshëm për negociata. KFOR-i është i përkushtuar t’i mbështesë organizatat e sigurisë për ta ruajtur ambientin e sigurt, dhe ne gjithashtu jemi të gatshëm të veprojmë për t’iu kundërvënë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë ose për të kthyer sigurinë nëse shfaqet nevoja dhe kurdo që kjo të jetë e nevojshme.

Sfidat

Komandanti ka disa lloje sfidash me të cilat duhet të përballet. Në rend të parë, KFOR-i duhet të ruajë vigjilencën e mjaftueshme për situatën për ta përmbushur misionin me mandatin që e specifikon Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo kërkon mbledhje të vazhdueshme të të dhënave dhe analizë e koordinim me të gjithë partnerët tanë, si dhe vendimmarrje të shpejtë. Kërcënimet ndaj sigurisë duhet të identifikohen në fazën e hershme që të ketë aksion të duhur dhe me kohë. E dyta: KFOR-i është operacioni më i gjatë dhe pa asnjë fije dyshimi edhe më i suksesshmi i NATO-s. Që nga themelimi, KFOR-i është përshtatur vazhdimisht për të zgjidhur sfidat e mjedisit të ndryshueshëm të operimit dhe ka ruajtur aftësinë e vet për të reaguar me mjetet dhe kapacitetet më të përshtatshme për ta përmbushur misionin e vet. Duke vepruar kështu, fitoi respektin dhe vlerësimin e të gjitha palëve të përfshira si garantues i besueshëm dhe gjithëpërfshirës i sigurisë në Kosovë. Ruajtja e këtyre vlerave është edhe sfidë që nuk mund të merret e mirëqenë. E treta: KFOR-i përbëhet prej ushtarëve të 28 shteteve. Koordinimi i një force të tillë ndërkombëtare është sfidë më vete. E fundit, por më pak e rëndësishmja, të qëndrosh larg shtëpisë, larg familjeve është një sfidë me të cilën duhet të përballen të gjithë pjesëtarët e KFOR-it. Në fjalimin tim, e kam thënë edhe këtë: “Sfidat janë ato që e bëjnë jetën interesante. Tejkalimi i tyre e bën jetën kuptimplotë”. Jam mjaft i sigurt se do ta kem një vit interesant, por mbi të gjitha dua që ta kem një periudhë të ardhshme kuptimplote të komandës në KFOR.

Shpresat dhe perspektivat e së ardhmes

Ta komandosh një organizatë kaq të rëndësishme si KFOR-i, është privilegj i madh, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Shumë njerëz dhe jetë njerëzish varen prej vendimeve që i merr komandanti. Andaj, qëllimi im personal për vitin 2022 është që ta përmbush këtë detyrë me sukses. Ta bëj detyrën time përditë me 100 për qind të vëmendjes te detajet dhe me përqendrim të aktivitetit të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt në të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë.

Ndjenjat personale

Gjatë përgatitjeve për këtë mision, kisha ardhur në aeroportin e Kosovës disa herë, por kur zbrita nga fluturakja e Forcës Ajrore Hungareze në tetor në fillim të detyrës time aktuale, ndjeva se një peshë e rëndë po më rëndonte shpatullat dhe nisa të ndjeja përgjegjësinë e pozitës komanduese në KFOR. Kjo ndjenjë vetëm sa u fuqizua më 15 tetor kur e mora flamurin nga komandanti i mëparshëm, Gjeneral-Brigade Franco Federici. Prejse kam arritur në Kosovë, kam takuar shumë burra e gra të talentuara dhe të përkushtuara, që po punojnë për avancimin e vendit të tyre dhe për përmbushjen e detyrave të tyre në KFOR. Ndihem i privilegjuar që i njoh dhe që punoj me ta. Gjatë takimeve, kam ndier besimin dhe mbështetjen për KFOR-in, që është shumë domethënëse dhe e bën më të lehtë detyrën time. Jam jashtëzakonisht krenar që kam përgjegjësinë për ta komanduar KFOR-in, që kam mundësinë të kontribuoj në suksesin e tij dhe që jam pjesë e vogël e historisë së tij. Jam i sigurt se KFOR-i do të tregohet i suksesshëm në muajt e ardhshëm në mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe ju siguroj se do të punojmë shumë për t’i fituar respektin dhe besimin edhe në vitin vijues.

Popullit të Kosovës i uroj paqe dhe prosperitet. Gëzuar Vitin e Ri!

(Autori është Komandanti i KFOR-it)

Lexoni vështrimin edhe në gjuhën angleze

*Falas