OpEd

3 orë pritje, 5 orë pritje, 7 orë pritje

Të gjithë vuajnë nga pritjet absurde në pikat kufitare me Serbinë, e më së shumti qytetarët e Kosovës që jetojnë në vendet perëndimore dhe pushimet e verës i kalojnë pranë familjeve. Ka familje me fëmijë të vegjël që presin me orë të tëra nën vapën përvëluese. Ka njerëz me probleme shëndetësore. Ka të moshuar. Ka të sëmurë. Sjellja e autoriteteve serbe është johumane!

Siç njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar aktualisht njerëzit po presin deri në 3 orë në pikën kufitare në Merdar për të dalë nga Kosova. Tri orë! Ditë më parë njoftohej se udhëtarët po presin deri në 5 orë. Në fund të korrikut bëhej me dije se pritjet në Merdar arrijnë deri në 7 orë.

Të gjithë vuajnë nga këto pritje absurde, e më së shumti qytetarët e Kosovës që jetojnë në vendet perëndimore dhe pushimet e verës i kalojnë pranë familjeve. Ka familje me fëmijë të vegjël që presin me orë të tëra nën vapën përvëluese. Ka njerëz me probleme shëndetësore. Ka të moshuar. Ka të sëmurë. Sjellja e autoriteteve serbe është johumane!

Kjo gjendje përsëritet çdo vit gjatë verës. Është shndërruar tashmë në përditshmëri. Rutinë rrënuese! Merret si diçka e pashmangshme. Si e keqe e domosdoshme.

Pika kufitare në Merdar funksionon nën kulmin e përbashkët të të dyja shteteve dhe është financuar nga Bashkimi Evropian. Ka kushtuar 6 milionë euro. Ideja ka qenë që kontrollet kufitare të përshpejtohen. Por sa i përket pritjes realisht s’ka ndryshuar asgjë. Vuajtja e njerëzve vazhdon. Pritjet vazhdojnë.

Dikush mund të pyes: pse udhëtarët nuk dalin në Serbi përmes pikave të tjera kufitare për të vazhduar udhën drejt Evropës? Qe pse: pjesa më e madhe e tyre e shohin pikën kufitare në Merdar si “më ndërkombëtare” dhe kanë frikë të kalojnë nga pika kufitare e Mutivodës (përmes Lebanës dilet në Leskoc në autostradë) ose nga Muçibaba (dilet në Preshevë). Në këto pika ka më pak pritje, por edhe aty sapo të rritet numri i veturave, kaosi është i garantuar. Te pika kufitare Dheu i Bardhë pritjet janë vetëm pak më të shkurtra se në Merdar. Pikat kufitare në veri të Kosovës pothuajse nuk shfrytëzohen nga qytetarët shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Perëndim për arsye sigurie, por edhe për shkak se rruga që vazhdon pastaj nëpër Serbi pjesërisht është e mundimshme dhe e rrezikshme.

Udhëtimi nga Kosova drejt Perëndimit në verë mbetet një aventurë e lodhshme. Ka shumë kosovarë që nga frika se mund të keqtrajtohen apo arrestohen nga autoritetet serbe preferojnë të udhëtojnë përmes Shqipërisë dhe vazhdojnë tutje nëpër vijën bregdetare malazeze dhe kroate – është një rrugë e gjatë, tmerrësisht e gjatë.

Prej se Kroacia ka hyrë në Zonën e Schengenit, policia kufitare kroate ushtron kontrolle më të rrepta në pikat kufitare. Duhet thënë se policët në pikat kufitare të Kroacisë pothuaj kurrë nuk kanë qenë kampionë të efikasitetit. Kosovarë të tjerë marrin trajektin në Durrës për në Bari apo Ancona të Italisë. Për një familje 4-5-anëtarëshe kalimi i detit mund të kushtojë deri në 600-700 euro (në të dy drejtimet).

Pritjet në kufi vazhdojnë. Siç vazhdon edhe heshtja, jo vetëm e autoriteteve kosovare, të cilat realisht s’mund të bëjnë shumë, por as heshtja nuk është zgjidhje. Heshtin edhe diplomatët perëndimorë, të cilët kur qenë ndaluar zgjedhjet serbe në Kosovë, shkuan në Merdar për të mbikëqyrur se sa shpejt po punonte Policia e Kosovës për t’ua lehtësuar kalimin në Serbi serbëve të Kosovës. Ata s’kishin ndonjë punë tjetër në Serbi përveç se me votën e tyre të mbajnë gjallë iluzionin se Kosova na qenkësh pjesë e Serbisë.

Përkundër aq shumë pengesave që u dalin gjatë rrugës, dëshira për të kaluar ditët më të bukura të verës pranë familjes në Kosovë mbetet ëndërr e çdo mërgimtari. Dhe kjo ëndërr bëhet realitet çdo korrik, çdo gusht. Ndonëse çmimi që paguhet është i lartë – jo vetëm nga kuleta.